E enjte, 28.03.2024, 07:12 PM (GMT)

Përjetësi » Ismajli

Nuhi Ismajli: Paraqitje e tmerrshme e shqiptarëve!

E premte, 13.04.2012, 06:49 PM


Paraqitje e tmerrshme e shqiptarëve!

Nga Nuhi Ismajli

Përfaqësuesit e sotëm më të lartë politikë e shtetërorë shqiptarë, me paraqitjet e deklarimet e tyre, para botës, për shqiptarët, pashmangshëm, nxisin pyetjen:

a ka sot shqiptarë ?!

Një pyetje e tillë, më shumë se absurde, sot nxitet si nga deklarimet e paraqitjet e  përfaqësuesve të sotëm më të lartë politikë e shtetërorë të Prishtinës, si nga ata të Tiranës. Këto qendra të udhëheqjes së shqiptarëve, për turp kombëtar e njerëzor, siç duket nga paraqitjet e deklarimet e tyre alternative, duket se deklarimet më të errëta për shqiptarët i bëjnë me një koordinim i plotë.

Në Prishtinë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, para do kohe, kryeministrin turk e quajti “vëlla”, pa marrë parasysh se qeveritarët turq po e quajnë veten trashëgimtarë të P. Osmane dhe po përpiqen për vazhdimin e politikës së saj!

Ministria e Arsimit e Kosovës, pas kërkesës së ministrit turk të Arsimit për ndryshimin e teksteve të historisë, aty ku flitet për kohën e pushtimit osman, pa fije turpi u përkul dhe  vendosi t’i ndryshojë tekstet e historisë, në të cilat, tani e tutje, P. Osmane nuk do të quhet me emrin e vërtetë: pushtuese, po mike e çlirimtare e shqiptarëve, kurse robëria osmane pesëshekullore, që rëndoi më shumë se te çdo populli tjetër, në vend se robëri, që solli shkretëtirën e përgjithshme, pasojat e së cilës ende nuk është arritur të mënjanohen përfundimisht, do të quhet liri!

Në Tiranë, kryeministri shqiptar, Sali Berisha, më parë, e veçmas tash, përveç vetvetes që e quajti turk e vëlla të turkut, ai, turk e vëlla të turkut, i quajti edhe të gjithë shqiptarët!

Shih absurdin: një individ, pa marrë parasysh ndërgjegjën e kolektivitetit shqiptar e mendimin e tij, njëjtësoi të gjithë shqiptarët me një popull tjetër, me turqit; njëjtësoi një komb të tërë me pushtuesit e dikurshëm osmanë; pra, njëjtësoi një komb të tërë (shqiptarët), me origjinën, gjakun, jetën, punën e veprimtarinë “e përbashkët vëllazërore” pushtuese!

Madje, kryeministri shqiptar, Sali Barisha, si “dëshmi të vëllazërisë” së shqiptarëve me turqit, ia kujtoi homologut të tij turk edhe kontributin e jashtëzakonshëm të sherbëtorëve shqiptarë të P. Osmane, duke i njëjtësuar tradhtarët shqiptarë e sherbëtorët e pushtuesit osman me gjithë kolektivitetin shqiptar!

A nuk është kjo një gjë tejet e tmerrshme, kur një përfaqësues i lartë shteti luan, faqe botës, me dinjitetin dhe identitetin e mbarë një populli, kur një komb të tërë e identifikon  me pushtues dhe pasardhësit e tij të deklaruar botërisht ?!

A nuk është një gjë e tmerrshme, kur një kryeministër pohon se “Shqiptarët kanë luajtur rol kyç në P. Otomane” dhe të njëjtësojë një komb të tërë me tradhtarët e tij e bashkëpunëtorët e pushtuesit dhe një popull të tërë ta nxjerrë si pushtues, krahas P. Osmane ?!

Ata që shqiptarët i identifikojnë me turqit (pra, edhe me pasardhësit e P. Osmane, siç po quhen vetë), së pari thonë një të pavërtetë të madhe, se shqiptarët dhe turqit nuk kanë origjinë të përbashkët, as nuk patën raporte vëllazërore, sepse nuk mund të quhen vëllezër pushtuesit dhe të pushtuarit, raporte në të cilat qenë turqit dhe shqiptarët.

Së dyti, ata që shqiptarët i identifikojnë me turqit (pra, edhe me pasardhësit e P. Osmane, siç po quhen vetë), bëjnë një gënjeshtër të madhe dhe një shpifje jashtëzakonisht të keqe për shqiptarët, se ashtu, qartazi, shqiptarët cilësohen si bashkëpushtues të P. Osmane!

A nuk është ky krim kur një popull i tërë identifikohet me pushtuesin dhe cilësohet pushtues, kur ai vetë ishte i pushtuar dhe e pësoi më keq se të gjithë të pushtuarit tjerë ?!

Hiç më pak nuk është tragjike as identifikimi që qeveritarët shqiptarë i bëjnë kombit shqiptar me tradhtarët shqiptarë, të cilë iu bënë shërbëtorë P. Osmane e luftuan për të e për interesa personale.

Populli shqiptar, si edhe çdo popull tjetër në botë, veç heronjve tejet të shquar njerëzorë e kombëtarë, nga gjiri nxori edhe bashkëpunëtorë të pushtuesit, siç qenë edhe ata shqiptarë, që i shërbyen pushtuesit osman e u bënë “të famshëm” në luftë kundër popujve të ndryshëm, e edhe kundër vetë shqiptarëve. Por, ata nuk mund të identifikohen me gjithë kolektivitetin shqiptar, as kolektiviteti shqiptar i pushtuar edhe vetë nga P. Osmane nuk mund të identifikohet me ta.

Tradhtarët e kombit e bashkëpunëtorët e pushtuesit janë turpi i kombit e i mbarë njerëzimit! Me të tillë nuk mund të krenohet askush, si nuk është krenuar as krenohet as populli shqiptar. Lavdi me ta është veç një marrëzi e papërshkruar.

Dihet se pushtuesin dhe bashkëpunëtorët e tij kurrë nuk i lavdëron populli, as shumica e tij.

Pushtuesin, bashkëpunëtorët e tij, tradhtarët e kombit, për turp, mund t’i lavdërojë e të krenohet me ta vetëm një pakicë, me origjinë nga pushtuesi, dhe nga ata me shpirtin e tjetërsuar.

Pushtuesin osman, në rastin tonë, mund ta lavdërojë vetëm ai ”shqiptar” me origjinë osmane, siç është dëshmuar gjer më tash nga ndonjë “shqiptarë” me origjinë osmane, dhe nga ata “shqiptarë” të tjetërsuar në pikëpamje kombëtare.

Individët dhe pakica, ndërkaq, nuk kanë të drejtë të flasin në emër të shumicës, nuk kanë të drejtë të shpifin, nuk kanë të drejtë të karakterizojnë negativisht e ta ngarkojnë me mëkate  një komb të tërë.

Individi, pra, qoftë ai edhe përfaqësuesi më i lartë i shtetit, as pakica, nuk kanë të drejtë të identifikohet me shumicën dhe të flasin në emër të saj.

I gjithë njerëzimi e ka për ideal luftën për lirinë, dinjitetin, identitetin dhe vlerat e popujve të botës.

Liria, dinjiteti dhe identiteti i popujve të botës janë vlera, të cilat i çmon e i mbron i gjithë njerëzimi.

Këto vlera e kanë për detyrë t’i mbrojnë institucionet e shtetit, pavarësisht nga fakti se kush gjendet në krye të tyre, dhe jo të ndodh , siç po ndodh me rastin shqiptar, që nga pozita e institucioneve të luftohet kundër dinjitetit, identitetit dhe krenarisë kombëtare.



(Vota: 69 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora