E hene, 20.05.2019, 07:44 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Edhe njëherë për Turkomanizmin dhe jo vetëm!

E enjte, 12.04.2012, 08:05 PM


Edhe njëherë për Turkomanizmin dhe jo vetëm!

 

Nga Elvi Sidheri

 

Në botën e sotme siç e njohim nga të dhënat historiko-gjeografike, ka një grup shtetesh dhe rajonesh turkomane.

Ato shtrihen nga veriu i Kinës, kalojnë nëpër Azinë qëndrore dhe derdhen në detet Kaspik dhe Detin e Zi, derisa në fund përfundojnë në Egje.

Përsa i përket vijës tokësore, gjaku i pastër apo i shpëlarë Turk, hapet nga mundet, duke përfshirë  edhe Federatën Ruse me degën e tij Tartare dhe në fund ndalet diku afër kufijve tanë me ngulime të vogla deri në Dibër të Madhe, apo edhe në qytetin e Lidhjes Shqiptare, të cilit i është dashur që këtë histori trimërie t’a kamuflojë me një shumëetnicitet të stisur, i cili lidhet nyjë me vulën finale të Turqishtes dhe kulturës turkofile.

Fati ynë i madh, që pas pavarësisë në Shqipëri nuk na u gjet ndonjë minoritet turkoman brenda kufirit të shtetit etnik, se sot e kësaj dite do t’ia ndjenim fort pasojat.

Jo se ngulime të vërteta turqish ndodheshin në masën që paraqiten në ditët e sotme, në territoret shqiptare të Ish Republikës Jugosllave apo Kosovë, por për shkak edhe të një politike të mirëstudiuar sa Sllave, aq edhe Turke...sot 100 vite pas shpërbërjes finale të Perandorisë me Portë të Lartë, akoma ishujt turkomanë, luajnë denjësisht të njëjtin rol pararoje për vëllezërit e tyre nga Azia e vogël.

Këto enklava të presupozuara turkofile bënë që përgjatë afërsisht një shekulli, qindra-mijëra shqiptarë të pastër duke u quajtur si turq, të ngrinin rraqet me hir e pahir dhe të plaseshin si dëngje leshi në Anadoll a deri në kufijtë e pabanuar me Sirinë e Iranin, të Turqisë së re Qemaliste.

Sepse burri në fjalë, njeri me origjinë të dëshmuar edhe shqiptare, me shkollim po nga një zonë shqiptarofone si Manastiri, pasi si shumë shqiptarë të tjerë gjatë historisë, arriti të shtijë në dorë një ish-perandori, gjeti të rastit, vetëm të mos bënte gati asgjë për vendin nga pjesërisht pati origjinë, fundja edhe duke e dëmtuar atë.

Këtu s’paraqes asnjë vërejtje për poltikën europianizuese qemaliste, që e shpëtoi Turqinë nga gropa ku kishte hyrë dhe s’po i shihej më dita e daljes, por po vërej ekskluzivisht atë që dihet për marrëdhënien e tij me bashkëkombasit shqiptarë.

Është e ditur se ky modernizues i Turqisë, nuk kishte asnjë marrëdhënie me liderin e  Shqipërisë, mbretin e ri i cili vendit të tij Europian po përpiqej që me mënyrën e tij t’i rikthente identitetin të cilit i përkiste, duke e larguar kështu automatikisht atë nga hija e rëndë turkomane.

Për fat në atë kohë ai (Qemali) si dhe vendi i tij ishin tejet të zënë me rithemelimin përmbi rrënjë europiane të shtetit të ri puro turk dhe koha s’u dilte të fusnin hundët në çështje aq Rumelike, sa edhe shqiptare.

Por s’ka asnjë kundërshtim që pikërisht në kohën e qeverisjes së tij, në Turqi nisi deportimi masiv i shqiptarëve nga çdo truall shqiptar i mbetur jashtë shtetit etnik.

Dhe nuk mund të ketë rrjedhimisht po ashtu asnjë hezitim për të pohuar që kjo gjë u bë në mos me iniciativën, të paktën me pranimin e hapur të Turqisë se re, që pa as edhe më të voglin dyshim, drejtohej autoritarisht nga një njeri me origjinë shqiptare i turqizuar, siç ishte edhe Qemali.

Për Turqinë “moderne”, ashtu si edhe për atë Osmane, secili mysliman në Ballkan barazohej me Turk, atëherë por kam frikë edhe sot e kësaj dite!

Dhe në këtë pikë, ashtu si edhe në shumë të tjera, Turqit dhe Grekët bashkohen e bëhen një!

Gjë kjo që na sjell edhe njëherë parasysh të njëjtin lloj bashkëpunimi kundër interesave dhe vetë ekzistencës së një etniciteti të veçantë Shqiptar, midis turqish e grekësh, që pati lulëzuar që në ditët e para të rënies së Kostandinopojës në duar mongolo-turke.

Se kush i luftoi dhe u bëri ballë turqve (mos harrojmë t’i quajmë osmanë siç sot ‘’de facto’’ njihen zyrtarisht), gjatë rrjedhjes së tyre gjakatare nëpër Ballkan, dihet mirë.

Ata ishin me shumë pak përjashtime Shqiptarët (Arbërit), Hungarezët në veri dhe Rumunët në veri-lindje.

Të gjithë të tjerët ia mbathën më të katërta, ose ngritën duart pas përplasjeve të para dhe në fund u dorëzuan qetësisht duke negociuar kështu kushtet e favorshme të nënshtrimit me pushtuesin.

Hungarezët që luftuan, pas një shekulli mbetën të lirë dhe ruajtën traditat e tyre perëndimore, ashtu si edhe Rumunët që kundrejt një tributi apo pagese vjetore (jo haraçi siç tashmë gjerësisht neo-otomanisht dëshirohet të thuhet), ruajtën lirinë e tyre të gjerë.

Serbë, Bullgarë e mbi të gjitha Grekë, u nënshtruan plotësisht dhe bashkëpunuan hapur me pushtuesin, derisa më në fund Europa e shtyrë nga disa reminishenca romantike për një Elladhë që ishte shuar me kohë, ia nisi t’i pavarësonte Ballkanikët një e nga një, shpesh edhe pa dëshirën e tyre për t’a bërë këtë gjë.

Forca dhe gjaku i Shqiptarëve të cilët Europa nuk është se nuk i njihte, u përdorën mirë, sidomos në rastin e Greqisë, e cila me vetmohimin shqiptar ia doli t’i shkëputej Turqve.

Por po kjo Europë, e bëri nocion gjeografik ekzistencën e po këtij populli kur fjala ishte për të vendosur për trojet e tij.

Shqiptarët që turqve u bënë ballë dhe që jo rrallë u treguan vendin, duke i luftuar nga veriu i Shqipërisë së sotme e deri në More, në ndryshim të theksuar për shembull nga Helenët të cilët kur nuk i ngulnin thikën njëri-tjetrit apo shqiptarëve, viheshin me kënaqësi në shërbim të turqve, shqiptarët pra, kur nuk u përballën me shfarosje, morën rrugën e mërgimit, apo edhe më keq atë të shtypjes shumëshekullore.

Më vonë, këndvështrimin fetaro-etnik të turqve, grekët e përqafuan me kënaqësi dhe secili prej tyre edhe në ditët që jetojmë vazhdon që publikisht apo jo, t’a konsiderojë përkatësinë fetare kryesisht të Shqiptarëve, si dëshmi në mos të një origjine të mirfilltë, të paktën si një provëz të lidhjes së tyre të fuqishme kulturore me turqizmën apo greqizmën moderne.

Në këtë pellg të ndotur shpikjesh historike, helenëria përdor armë propagandistike të modelit Epiriot, duke rrezikuar seriozisht me insistimin në këtë tezë, të vetë integritetit të saj territorial, duke ditur që Epiri i dikurshëm shtrihet edhe në Greqinë e sotme.

Pasi po të nisesh nga dëshmia që Epirotët ishin një nga krahët e gjakut Ilir, ashtu si edhe Dardanët dhe vetë mbretëritë Ilire, siç dëshmojnë vetë Historianët e lashtë  Helenë të kohës, duke i quajtur Epirotët “barbarë”, pra jo Helenë, duke u mbështetur në këto lloj tezash, i bie që ne Shqiptarët e sotëm, pasardhës të faktuar të Ilirëve dhe vetë Epirotëve, të kemi pretendime historike për anën greke të Epirit.

Kurse thjesht për tezat e tyre fetare, helenët përgjigjen e kanë marrë që në vitet 20-të të shekullit të kaluar me krijimin e Kishës Autoqefale Shqiptare, prej Fan Nolit dhe krijuesve të tjerë të Orthodhoksisë Shqiptare (dështim historik që grekët dhe jo vetëm ata, por edhe shumë kukuvajka të tjera shqiptare të idesë “ortodoks domethënë grek”...e qajnë me dënesë sot e kësaj dite).

Dhe nuk po përmend këtu që në mos të ndonjë deliri të rradhës helenik që do i nxirrte edhe Dardanët si helenofonë, babai zyrtar i Krishtërimit, Kostandini i Madh nga Naissusi, ka qenë njëkohësisht edhe paraardhës i shqiptarëve si Ilir, po aq sa edhe themeluesi ndër të tjera edhe i versionit lindor, pra Ortodoks të fesë së krishterë, pasi transferoi kryeqytetin në Kostandinopojë.

Pra ajo fe, për nga trashëgimia na përket po aq Neve, sa edhe grekëve të sotëm.

Dhe s’po flasim këtu ndërkohë, për vazhdimsinë gjuhësore të shqipes në ato zona poshtë kufirit shqiptar, thellë në Greqinë kontinentale, ku edhe pas kaq vitesh, nuk është shuar dot prezenca e elementit shqiptar, gjë që përbën një tjetër pretendim mëse të fortë si argument për palën shqiptare!

Turqit që kërkesa tokësore s’paraqesin dot, për shkak se në 1912-ën nga rajoni, ca palo ushtri të keqorganizuara Ballkanike i përzunë me turp, sidoqoftë, përdorin të tjera teknika për të ngritur strategjinë e tyre pretenduese.

Ku më shumë e ku më pak, në përdorim hyn arsenali i pafund i përrallave historike për një bashkëjetesë e jo zgjedhë ku supozueshmërisht kanë jetuar Shqiptarë e Turq.

Pastaj na tregohet se si këta turqit ëngjëllorë na kanë shpëtuar nga asimilimi duke tentuar pa ia dalë sido të jetë plotësisht, të na kthejnë në fenë e tyre dhe në rracën e tyre.

Se me këtë arsyetim, do i kishim shpëtuar asimilimit nga sllavë e grekër, por po aq do ishim asimiluar në Turq!

Rezultat i njëjtë, në fund shqiptarë s’do kishte pasur më.

Dhe kjo gjithmonë i ka bashkuar si një trup i vetëm ne qëllimin e tyre, turq-sllavë e grekë.

Kjo bëri që në shekuj të mohohej sa nga njëra palë e nga tjetra, qënia në këto toka e një fare shqiptare.

Kjo bëri që deri në fund nga secili prej tyre të luftohej identiteti ynë me përpjekje të tyret të bashkërenduara dhe të ndalej për shembull me çdo kusht arsimi shqip, sa nga Porta e Lartë e sa nga Fanari.

Po kaq qëllimi ishte që tokat shqiptare të ndaheshin mes fqinjëve dhe prandaj Turqia edhe në momentet e fundit të jetes, kur ajo krijesë po shkonte drejt putrifikimit historik, nuk i la këto toka të lira.

Në fund çfarë nuk do i dhurohej të tjerëve, do përfundonte si një tip filiali i Turqisë së re, me ndonjë princ nip sulltanësh si sundimtar.

Qëllimi final ishte i qartë, që në fund të mbeteshin vetëm ish-shqiptarë të krishterë të greqizuar e të tjerë myslimanë të turqizuar deri në palcë.

Me të krishterët e tjerë do bëhej siç ndodh edhe sot në fqinjin tonë verior me Male të Errëta, ku mjaft njerëz me emra pastërtisht shqiptarë si Manushaqe a Prengë e Ndre, dalin kroatë nëpër regjistrime etnike.

Por ky plan s’funksionoi.

Ndërkohë që këndvështrimi turk mbi shqiptarët mbeti në vijueshmëri i njëjti.

Kështu u justifikua plotësisht politika sllave por edhe greke e pastrimit total etnik të banorëve të tyre shqiptare, duke i quajtur si turq për shkak të afërsisë fetare me turqit.

Turqia ata njerëz të gjorë i mori që të popullonin tokat e saja, jo për një gjest fisnik, por sepse pjesë e kësaj strategjie të vazhduar të mohimit të ekzistencës së një trungu shqiptar, ishte edhe vetë.

Po aq ishte e qëllimshme edhe mbështetja e enklavave me turq nëpër ish-Jugosllavi, që sa më shumë regjimet ashpërsoheshin ndaj shqiptarëve, aq më shumë këto ishuj të parëndësishëm, merrnin përmasat e kontinenteve, për shkak të shtimit fiktiv të numrit të tyre, në kurriz të shqiptarëve.

Në Shqipëri, për fat të tilla ishuj ca s’kishte e ca ishin përmbytur prej kohësh nga elementi vendas.

Siç fundja pati ndodhur edhe me ngulimet Helene në antikitet, Romake më pas e me derdhjet shkatërruese sllave, që ishin zhdukur një nga një.

Kështu pati ndodhur edhe me Turqit që sigurisht ishin ngulur nga pushtuesit në të gjithë territoret e pushtuara dhe të zbrazura nga banorët vendas.

Kruja pas rënies, tradhëtisht i pa të gjithë banorët e saj të masakrohen nga Turqit, ashtu si edhe qytetet e tjera Arbërore pas emigrimit masiv për në Itali, patjetër

që kanë parë elemente turq të importuar.

Po aq sa mund të ketë pasur prurje të shumta në fushat e Shqipërisë së mesme.

Por ata patën fatin e të gjithë importimeve të tjera nga pushtuesit dhe u zhdukën të shkrirë si lëng pa vlera në gjakun e fortë vendasi.

Elementi autokton Shqiptar, dëshmoi edhe njëherë ADN-në e tij dhe ia doli të mbizotërojë.

Por këto prurje përbëjnë sidoqoftë një gjurmë të fortë turkomane, e cila herë pas here ngre kokë, qoftë edhe e maskuar, me rishfaqjen e dëshirave filoturke.

Turqit këtë e dinë dhe përpiqen rregullisht që t’a mbështesin me investime të gjithanshme ekonomike, kulturore, shkollore etj, që synojnë pikërisht ringjalljen e elementeve turkomane në shoqërinë tonë.

Jo më kot, pak të dhëna historike tregojnë një të vërtetë, që do të largonte nga shqiptarët edhe një njollë të keqe që na ka lënë historia.

Dum-Babizmin e 1914-ës!

Mjaft fakte tregojnë se vatra e kryengritjes filoturke, që desh shkatërroi komplet shtetin e ri Shqiptar, nuk ishte Haxhi Qamili injorant nga Sharra, por një ngulim Muhaxhir sllavishtfolës të ardhurish rishtas në viset shqiptare.

Pikërisht në atë ishull turkoman mori zjarr kryengritja që për pak dogji të gjithë të ardhmen e vendit.

Sidomos kur kihet të bëhet më turqit, rastësia nuk ka vend në arsyetim.

Pjesë e pandashme e politikës turke ka qenë lënia pas e ishujve turkomanë, ku më pas në kohë më të mira do të rivihej këmba për t’u rikthyer.

!912-a është larg.por ajo të mëson shumë gjëra për të tashmen dhe të ardhmen.

Të mëson që në atë kohë, Shqipëria ja doli që të ngrihej nga hiri i saj, dhe përkundër mosdëshirës ndërkombëtare, trashëgimisë turkomanë dhe fqinjëve keqdashës, sërish ajo u bë!

Ë bë duke ruajtur tokën që i mbetej, çliroi veteveten nga pushtuesit duke i përzënë nga të gjitha qytetet e saj, por mbi të gjitha çliroi veten nga kompleksi i të parealizueshmes që asaj dhe neve Shqiptarëve s’na ndahet akoma.

Atëherë Shqipëria kaloi mbi ndasitë rajonale,  fetare dhe trashëgimore, përveçse shkeli mbi kurrizin e pushtuesve turq e ballkanas dhe zbuloi edhe njëherë nga e para identitetin e këtij populli.

Zbuloi që të jesh Shqiptar do të thotë shumë, aq shumë sa s’ka valë e as cunami që t’ia dali të përmbysi dot këtë identitet.



(Vota: 20 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT