Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mark Vuji: Vetëvlerësimi mësimor (III)

| E marte, 10.04.2012, 05:12 PM |


VETËVLERËSIMI MËSIMOR

OSE

TË NXËMË, TË SILLEMI E TË KOMUNIKOJMË ME TË TJERËT, DUKE KONTROLLUAR RREPTËSISHT VETVETEN, MBËSHTETUR DHE NË DRITËN E OPINIONIT SHOQËROR

 

NGA PROF. AS. DR. MARK VUJI

 

 

KAPITULLI I NJËMBËDHJETË

 

T’I AFTËSOJMË NXËNËSIT QË TË VETËMENAXHOJNË DHE TË VETËVLERËSOJNË ME SAKTËSI RITMIN E TË NXËNIT

 

Aftësimi i nxënësve për të vetëmenaxhuar e vetëvlerësuar ritmin e të nxënit, u jep mundësi për të vënë rregull në sistemin e punës së tyre dhe për të siguruar një formim shkencor bashkëkohor.

 

Shënim paraprak

 

Ritmi i të nxënit ka një rëndësi të posaçme për mbarëvajtjen e tërë proçesit mësimor dhe edukativ. Në themel të tij qëndron puna e shkollës dhe e familjes për të edukuar nxënësit që të mësojnë në mënyrë sistematike e me përkushtim të plotë. Normalizimi i ritmit të të nxënit mënjanon krijimin e boshlleqeve në formimin e tyre shkencor dhe bën të mundur që ata të kapin më mirë lidhjet logjike në mes temave, kapitujve të lëndëve të ndryshme e  të secilës  me njëra-tjetrën dhe me proçeset teknike e teknologjike përkatëse.

Çdo mësues duhet të përpiqet për të krijuar praktika të reja psikodidaktike, që i ndihmojnë nxënësit që të përgatiten edhe si vetëvlerësues të punës që bëjnë për vetëmenaxhimin e vetëpërshtatjen e kërkesave për një ritëm normal të të nxënit.

Që kjo punë të bëhet mirë, mësuesi duhet të përpiqet që t’i aftësojë nxënësit si vetëmenaxhues të proçesit të të nxënit në përgjithësi dhe si vetëvlerësues të rendimentit të tij në veçanti, që përbëjnë themelin e punës për të siguruar një ritëm normal.

Në këtë kapitull do të trajtohen disa probleme,që lidhen me vetëmenaxhimin dhe vetëvlerësimin e ritmit të të nxënit.

·         Çdo mësues ka mundësi që t’i aftësojë nxënësit si vetëvlerësues të punës që bëjnë për vetëmenaxhimin e ritmit të të nxënit në lëndën e tij.

·         Mësuesi kujdestar i kualifion më tej nxënësit si vetëmenaxhues dhe vetëvlerësues i ritmit të të nxënit.

·         Ç’mund të bëjnë prindërit për t’i aftësuar fëmijët e tyre si vetëvlerësues të vetëmenaxhimit  të punës që bëjnë për ritmin e të nxënit.

·         Mundësitë e komunitetit për të ndikuar në forcimin e përgjegjësisë së nxënësve si vetëvlerësues të aftë të vetëmenaxhimit të ritmit të të nxënit.

·         Ç’duhet të bëjë udhëheqja pedagogjike e shkollës për të kualifikuar mësuesit për të aftësuar nxënësit si vetëvlerësues të vetëmenaxhimit të ritmit të të nxënit.

 

Le t’i shikojmë më gjerësisht këto probleme.

 

11 . 1 . 1  ÇDO MËSUES KA MUNDËSI QË T’I AFTËSOJË NXËNËSIT SI VETËVLERËSUES TË PUNËS QË BËJNË PËR VETËMENAXHIMIN E  RITMIT TË TË NXËNIT NË LËNDËN E TIJ

 

Mësuesi i lëndës, që ka kontakt të vazhdueshëm me nxënësit, ka mundësi të madhe që t’i aftësojë ata edhe si vetëvlerësues të punës që bëjnë, për të mbajtur nën kontroll ritmin e të nxënit.

Po japim ndonjë mendim se si ai mund ta realizojë këtë kërkesë të rëndësishme.

 

KUJTESË

 

Për mësuesin që punon për të përgaditur nxënësit si vetëmenaxhues dhe  vetëvlerësues të aftë të ritmit të të nxënit në lëndën e tij.

 

·         Është e domosdoshme që të studiohet ritmi i të nxënit i nxënësve problematikë, me qëllim që ata të ndihmohen për të dalë sa më parë nga gjendja.

 

·         Për normalizimin e ritmit të të nxënit, kërkohet që të forcohet bashkëpunimi në mes të mësuesve që punojnë në të njëjtën klasë.

 

 

·         Për t’u informuar për gjendjen e ritmit të të nxënit, është e nevojshme të shfrytëzohen dhe të dhënat që merren me ndihmën e prindërve.

 

·         Duhet të përpiqemi që të mbajmë të ndezur luftën kundër të mësuarit me hope, që është shkaktari kryesor i dobësimit të ritmit të të nxënit.

 

 

·         Është e detyrueshme që çdo nxënës të aftësohet si vetëmenaxhues dhe vetëvlerësues i aftë i ritmit të të nxënit në përputhje me kërkesat e natyrës së lëndës.

·         Duhet të përpiqemi që të mbajmë të ndezur luftën kundër të mësuarit me hope, që është shkaktari kryesor i dobësimit të ritmit të të nxënit.

 

11 . 1 – 2.  DISA PRAKTIKA DIDAKTIKE PËR TË MBAJTUR RITMIN E TË NXËNIT NËN KONTROLL TË VAZHDUESHËM NË NJË LËNDË TË CAKTUAR

 

Në shkollën 12-vjeçare jopublike”Matia”, Lezhë, u përpoqëm për të kërkuar e gjetur zgjidhje për këto probleme. Fakti që në këtë institucion arsimor ka kopsht, cikël të ulët e të lartë të nëntëvjeçares dhe të mesme, na dha mundësi që t’i shohim këto dukuri pedagogjike në të njëjtën kohë në të gjitha grupmoshat që përfshin arsimi parauniversitar.

Le të shikojmë si u përgatitën nxënësit si vetëmenaxhues dhe vetëvlerësues të ritmit të tyre të të nxënit në lëndë të ndryshme. Mësuesit e lëndëve i udhëzuan ata se si të analizonin përgatitjen e tyre ditore për mësim, që është një nga momentet kryesore të vetëmenaxhimit të të nxënit, me qëllim që të përcaktonin për çdo temë pikat e forta dhe të dobëta si dhe notën që parashikonin se do të merrnin të nesërmen po të pyeteshin nga mësuesi dhe atë e shënonin në një skedë të tillë.

 

N. N.

Data ...

Matematikë

7

Gjuhë e Lexim

9

Fizikë

8

Ed.Fizik

9

Kimi

7

Muzikë

10

 

Shënim: N. N.  =  emri e mbiemri i nxënësit

 

Kjo punë shënon fillimin e vlerësimit të përgatitjes ditore të nxënësit, që përbën bazën për të siguruar një ritëm normal të të nxënit. Mësuesi i lëndës, kur komenton notën e nxënësve që pyeten, shikon dhe vetëvlerësimin që ata i kanë bërë përgatitjes së tyre ditore dhe nëqoftëse nota e parashikuar nga nxënësi përputhet me vlerësimin e mësuesit, tregon se ai ka bërë progres në drejtim të vetëvlerësimit. E kundërta ndodh kur nota e nxënësve është më e lartë se vlerësimi i mësuesit. Kjo tregon se ata kanë gabuar dhe mësuesi duhet t’i ndihmojë që të thellohen për të gjetur pikat e dobëta që ata nuk kanë mundur t’i kapin vetë. Por nuk janë të pakta rastet që nota e mësuesit është më e lartë se parashikimi i nxënësit. Këtu bëjnë pjesë ata që maten shumë për të bërë vetëvlerësimin dhe ndjejnë përgjegjësi përpara vetvetes për çdo veprim që kryejnë. Skedën, pastaj e merr mësuesi kujdestar, i cili, pranë notës të parashikuar nga nxënësit, shënon notën që ka marrë nga mësuesit e lëndës, që i shërben atij për të parë ecurinë e çdo nxënësi.

 

N. N.

Data ...

Matematikë

7

Gjuhë e Lexim

9-9

Fizikë

8

Kimi

7-8

Muzikë

10

Edukim Fizik

8

 

Nota e dytë është vlerësimi i mësuesit.

 

Këto skeda përdoren për qëllime eksperimentimi, kurse në praktikën e përditshme do të shfrytëzohet libreza e re e notave. Rubrika “nota” ndahet në dy pjesë: P. Nx. = parashikimi i nxënësit dhe V. M. =vlerësimi i mësuesit. Siç shihet, edhe prindi informohet çdo ditë mbi cilësinë e punës të fëmijës së tij. Më poshtë po japim modelin e librezës së re të notave.

 

LIBREZA E NOTAVE

 

Lënda

Nota ditore

Firma e mësuesit

Firma e

Prindit

P. Nx.

V. M.

Matematikë

7

 

 

 

Letërsi

9

9

 

 

Fizikë

8

 

 

 

Kimi

7-

8

 

 

Muzikë

10

 

 

 

 

P. Nx. =  parashikimi i nxënësit

 

V .M.  =  vlerësimi i mësuesit

 

Në fillim, një pjesë e nxënësve, këtë punë e bëjnë pse u kërkohet, por me kalimin e kohës e kuptojnë vlerën e saj dhe i plotësojnë skedat pa hezitim.

Nxënësit, duke u aftësuar si vetëvlerësues i këtyre elementeve të ritmit të të nxënit, binden se, duke kërkuar e gjetur pikat e forta dhe të dobëta të punës që bëjnë, ata zbulojnë dhe lëkundjet që shfaqen në ritmin e tyre të të nxënit.

Për t’i orintuar nxënësit se ku do të mbështeten në vetëvlerësimin e tyre mbi shkallën e cilësisë së përvetësimit të dijeve të reja, ashtu siç rekomandojnë dhe pedagogët amerikanë, që cituam në hyrje të librit, iu dhanë disa modele kërkesash për notat zyrtare kryesore.

 

-Notën dhjetë, sipas kritereve të të mësuarit aktiv, kritik e krijues e merr nxënësi që është në gjendje të përpunojë në mënyrë të pavarur, krijuese dhe të shkrijë në një fjalën e mësuesit me të dhënat e tekstit e që për pasurimin e tyre do të kërkojë e të gjejë të dhëna të reja në burime të ndryshme, që ka aftësi t’i përdorë njohuritë e fituara sipas natyrës së lëndës në praktikën laboratorike e prodhuese, që është në gjendje të përcaktojë pikat e kontaktit në mes të lëndëve dhe të vendosë lidhjet në mes të tyre e disiplinave teknologjike, që është i aftë të bëjë analizën e fakteve e të dukurive të ndryshme, në raste të veçanta në mënyrë origjinale, që është në gjendje t’i shprehë ato me zë e me shkrim me një kulturë të lartë gjuhësore etj.

 

Po tetë? Nxënësi që vlerësohet me këtë notë duhet të njohë mirë materialin mësimor dhe të bëjë përpjekje për të konkretizuar përgjigjet që jep me shembuj të rinj, me materiale që merr nga jeta dhe është në gjendje që dijet e fituara t’i zbatojë në praktikë, që mund të bëjë analizën e fakteve e të dukurive të ndryshme dhe përfundimet që nxjerr mund t’i shprehë me gojë e me shkrim me një gjuhë të pastër dhe të kuptueshme etj.

 

Po pesë? Notën pesë e merr nxënësi që mund të riprodhojë qoftë edhe në mënyrë pasive materialin mësimor, që ka marrë dhe mund ta ilustrojë me shembujt  e tekstit, që është në gjendje që dijet e fituara t’i përdorë në zbatime të thjeshta dhe mendimet që ka i shpreh me zë ose me shkrim në një gjuhë të kuptueshme etj.

Me këto të dhëna, nxënësit njihen me vlerat e notave, gjë që e bën më të lehtë vetëvlerësimin e ritmit të të nxënit në një lëndë të caktuar.

Këto tri nota janë tepër delikate. Pikërisht këtu shfaqet fiktiviteti. Dhjeta veçon më të mirët, teta është bazë për të shkuar në shkollat e larta dhe pesa për të marrë klasën. Çdo njëra prej këtyre notave mund të merret shumë më lehtë, kur kërkohet vetëm riprodhimi i lëndës, se sa kur vlerësimi bëhet sipas kritereve të të mësuarit aktiv, kritik e krijues. Me këtë shpjegohet fakti se dhjeta e një mësuesi që përdor kritere të vjetruara kontrolli për vlerësimin e dijeve, ndryshon si nata me ditën me dhjetën e një tjetri që mbështetet në kriteret e reja, që kërkojnë të evidentohet shkalla e formimit logjik të nxënësve dhe jo kujtesa e tyre mekanike. (Këto shënime janë marrë nga libri i Bukurije Kavaçi, “Kontribut për të mësuarit aktiv, kritik dhe krijues në matematikë”, f. 231).

Mësuesit përgatitën për çdo notë kërkesat sipas natyrës së lëndës së tyre, që i ndihmoi nxënësit të orientohen në vetëvlerësim. Vetëpërshtatja me kërkesat e reja për çdo notë ndikoi pozitivisht në mobilizimin e nxënësve për të bërë një përgatitje gjithnjë e më serioze në një lëndë të caktuar.

 

11 . 1 – 3.  VETËVLERËSIMI I RITMIT TË TË NXËNIT VARET SHUMË NGA FAKTI SE SA MËSUESI KA PUNUAR PËR T’I PËRGATITUR NXËNËSIT SI VETËMENAXHER PËR STUDIMIN E LËNDËS SË TIJ

 

Kjo punë fillon me aftësimin e nxënësve si vetadministrues të mirë të kohës që kanë në dispozicion për të përgatitur mësimet dhe kjo realizohet duke zbatuar, sipas rekomandimeve të mësuesit, një rregjim ditor të studiuar mirë, ku gërshetohen me kujdes koha për të përgatitur mësimet, për të kryer detyrimet familjare dhe për argëtimin. Të gjitha këto duhet t’i nënshtrohen një vetëvlerësimi rigoroz nga ana e nxënësve. Mësuesi, kërkohet që t’i përgatisë ata si vetëmenaxherë të një kulture të re të të nxënit, që përfshin një gamë të madhe problemesh e veprimesh mësimore, që lidhen me natyrën e lëndës që jep. Nxënësit duhet të aftësohen për të kërkuar e gjetur të dhëna për zbulimin e dijeve të reja dhe për seleksionimin dhe analizimin e tyre, për t’i mbrojtur ato në debate mësimore dhe për të bërë korrigjimet e nevojshme në bazë të vërejtjeve të shokëve e të mësuesit etj. Këto veprime didaktike krijojnë bazën për vetëvlerësim dhe me kalimin e kohës bëhen pjesë përbërëse e sistemit të punës së tyre. Në kuadrin e vetëmenaxhimit të të nxënit, hyn edhe aftësimi i nxënësve për të bërë aplikacione të suksesshme, që i ndihmojnë ata për të përcaktuar saktë pikat e forta dhe të dobëta të dijeve që kanë marrë dhe në burime të tjera. Të gjitha këto shërbejnë për të realizuar vetëvlerësimin e ritmit të të nxënit.

 

11 . 1 – 4.  MËSUESIT QË LUFTOJNË PËR TË PËRGATITUR NXËNËS TË SUKSESSHËM NË LËNDËN E TYRE, DUHET QË T’I NDIHMOJNË ATA QË TA BËJNË SA MË SAKTË VETËVLERËSIMIN E RITMIT TË TË NXËNIT

 

Çdo mësues, sipas aftësisë që ka, përpiqet që të përgatisë nxënës të suksesshëm në lëndën e tij. Për t’ia arritur këtij qëllimi, është e domosdoshme që ai të interesohet për ritmin e të nxënit të klasës në përgjithësi dhe të çdo nxënësi në veçanti. Po të lihet pas dore ky problem, pasojat janë shumë të rënda. Çdo luhatje në ritmin e të nxënit ndikon në uljen e rendimentit të mësimit.

Mësuesi i lëndës është në kontakt të përditshëm me nxënësit, prandaj i ka të gjitha mundësitë për të kuptuar shkallën e mobilizimit të tyre. Nga studimet që janë bërë, del se mësuesi duhet të ndihmojë nxënësin që të formojë një ide të qartë mbi ritmin vetjak të të nxënit në lëndën e tij. Edhe ritmi i të nxënit është i matshëm. Ai konkretizohet në kontrollin e dijes, që pasqyron rezultatet e çdo nxënësi. Sot po përdoren gjithnjë e më shumë të nxënit ndërveprues, të nxënit kritik e krijues, të nxënit integral e global, të nxënit me bazë projektesh, që u japin nxënësve mundësi të mëdha për të fituar aftësi vetëmenaxhuese e vetëvlerësuese edhe për ritmin e të nxënit brenda orës së mësimit.

 

11 . 1 – 5.  MËSUESIT TË LËNDËS, KRAHAS PUNËS QË BËN PËR TË PËRPUNUAR DIJET E REJA, I KËRKOHET QË PËR ÇDO TEMË T’U MËSOJË NXËNËSVE EDHE MËNYRËN SE SI DO TË VEPROJNË PËR TË VETËVLERËSUAR RITMIN E PËRVETËSIMIT TË TYRE

 

Çdo mësues ka përvojën e tij për të bërë këtë punë. Megjithatë po japim një kujtesë nga përvoja e më të mirëve.

 

 

KUJTESË PËR MËSUESIN

 

që përpiqet të ndihmojë nxënësit se si të vetëvlerësojnë ritmin e të nxënit në lëndën e tij.

 

·         Shikoni me kujdes qëndrimin e çdo nxënësi ndaj punës mësimore në përgjithësi dhe lëndës që jepni ju në veçanti.

·         Studioni përparimin e tyre në lëndët tjera të përafërta nga shkalla e vështirësisë me atë që jepni ju. Bëni krahasimet e nevojshme dhe nxirrni përfundimet e rastit. Në diskutimet me kolegët për gjendjen e nxënësve të veçantë, përpiquni që të gjeni shkaqet përse në lëndën tënde është më dobët ky apo ai nxënës.

·         Ndiqni me kujdes qëndrimin e tyre në mësim, shkallën e aktivizimit, mendimet që japin për organizimin e proçesit të të nxënit etj.

·         Vëreni nga një testim në tjetrin çfarë progresi bën çdo nxënës ose në të kundërt pse është keqësuar.

·         Kërkoni të informoheni për situatën në familje dhe për shqetësimet që mund të ndikojnë në psikologjinë e nxënësve, që i çojnë ata në uljen e ritmit të të nxënit.

·         Duhen shikuar ndryshimet që mund të ndodhin në lidhjet shoqërore të nxënësve dhe pasojat që mund të kenë ato mbi sistemin e punës së tyre.

·         Kërkoni informacion se si e administrojnë kohën e lirë në familje.

·         Shikoni me kujdes se si punojnë nxënësit e talentuar për të përballuar mësimet dhe detyrimet që kanë për të zhvilluar talentin e tyre.

 

Mësuesi duhet të përgatisë dhe vetë këshillat për nxënësit se si mund të vetëmenaxhojnë kontrollin dhe vetëvlerësimin e vazhdueshëm të ritmit të të nxënit. Një model mund të jetë dhe ky që po paraqesim më poshtë.

 

 

KËSHILLA PËR NXËNËSIT

 

që luftojnë të bëhen vetëmenaxhues të aftë për normalizimin e ritmit të të nxënit.

 

·         Ritmi i të nxënit lidhet me cilësinë e menaxhimit të shfrytëzimit të kohës.

·         Në zonën tonë gjeografike, koha më e mirë për të përgatitur mësimet, është nga ora 9-11 paradreke dhe 16-18 pasdreke. Dihet se para e pas këtyre orëve mund edhe duhet të punohet për të plotësuar detyrat ditore. E rëndësishme është që kjo kohë të mos zihet me punë të tjera, por të shfrytëzohet për të mësuar lëndët më të vështira. Këto gjëra duhet t’i keni parasysh kur të përgatitni orarin e të nxënit.

·         Orari i të nxënit nuk mund të jetë si orari i mësimeve, i njëjtë për të gjithë. Atë secili e bën sipas kushteve që ka. Dihet se disa i përvetësojnë mësimet më shpejt dhe disa të tjerë më ngadalë, disa kanë krijuar boshlleqe në një lëndë e disa të tjerë kanë interesa të veçanta për një fushë të caktuar të dijeve, ka që ndjekin kurse shkencore, artistike sportive ose që kanë më shumë detyrime ndaj familjes etj. Pra, orari  i të nxënit bëhet në varësi të këtyre kushteve. Megjithatë, kur ta ndërtoni atë, duhet të keni parasysh edhe disa gjëra, që vlejnë pak a shumë për të gjithë. Lëndët duhet të gërshetohen me njëra-tjetrën në mënyrë të atillë që pas përgatitjes së matematikës të fillojë puna me gjuhën apo historinë dhe pas këtyre me fizikën ose kiminë. Në mëngjes lihet një farë kohe për të përsëritur ndonjë gjë të vështirë.

·         Ai që studion sistematikisht ka nevojë për më pak kohë për të realizuar përgatitjen ditore, sepse, duke vepruar në këtë mënyrë, zotëron logjikën e brendshme të lëndës dhe bëhet gjithnjë e më shumë zotërues i saj.

·         Për aktivitete jashtëshkollore, secili e gjen kohën e përshtatshme për të bërë këtë punë, por asnjëherë në dëm të përgatitjes ditore për mësim.

·         Po t’u lind dëshira për t’u marrë me diçka të veçantë, mos qëndroni shumë gjatë në pritje, këshillohuni me mësuesit apo specialistët tjerë dhe veni në lëvizje të gjitha energjitë tuaja krijuese. Në punë e sipër, ju do të gjeni vetë, në mënyrë të natyrshme, kohën dhe rrugët më të përshtatshme për të realizuar objektivin që i keni vënë vetes. Pritja në këtë rast është e dëmshme, por kjo nuk do të thotë që të nisni punë kuturu, pa njohur forcat që mund të gjenden në veten tuaj etj.

·         Të gjitha këto gjëra që thamë, duhet t’i kemi mirë parasysh, sepse ndikojnë fuqishëm për ruajtjen dhe përshpejtimin e ritmit të të nxënit.

 

11 . 1 – 6.  NXËNËSIT DUHET TË KUALIFIKOHEN DHE SI VETËKONTROLLUES TË DIJEVE QË MARRIN NË MËSIM A PRANË BURIMEVE TË NDRYSHME, QË ËSHTË ELEMENTI BAZË I VETËMENAXHIMIT