E enjte, 28.03.2024, 01:05 PM (GMT)

Mendime

Tri pyetje, tri përgjigje për Janullatosin

E hene, 17.03.2008, 06:11 PM


Shkruar nga T.O. (Tirana Observer) 

Janullatos - Berisha
1. Presidenti Bamir Topi deklaroi pak ditë më parë në një intervistë për "Ora News" se është duke parë dhënien e nënshtetësisë shqiptare të kryepeshkopit Janullatos. A është normale dhënia e kësaj nënshtetësie?

2. Ditën e diel kryepeshkopi Janullatos ishte prezent në ceremoninë e organizuar në Boston me rastin e 100-vjetorit të dorëzimit të Fan Nolit prift. Përse një pjesë e opinionit e kanë kundërshtuar me forcë prezencën e tij, kur dihet që ftesa ka qenë nga krerët e kishës autoqefale në Boston?

3. A ka ardhur koha që Kisha Autoqefale shqiptare të ketë në krye të saj një prift shqiptar dhe përse duhet bërë një gjë e tillë?

Jeteshkrimii

Emri: Anastas
Mbiemri: Janullatos
Grada Shkencore: profesor doktor në Teologji
Grada Kishtare: Kryepeshkop i Tiranës Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë.
Datëlindja: 4 nëntor 1929
Vendlindja: Pire, Athinë
Ka studiuar për Teologji në universitetin e Athinës dhe në Hamburg e Marburg të Gjermanisë.
1960: Merr gradën e parë kishtare dhjak.
1972-1997: Pedagog teologjie në universitetin "Kapodistria" të Greqisë
1992: Kryetar i Komunitetit Ortodoks në Shqipëri.
2001: Kandidat për çmimin "Nobel" për paqen
Ka marrë titullin "Honoris Causa" nga 15 universitete teologjike dhe psikologjike në të gjithë botën.
Autor i disa vëllimeve me temë fetare dhe psikologjike.
Flet anglisht, frëngjisht, gjermanisht, greqisht dhe latinisht.
Anëtar Nderi i disa organizatave fetare ndërkombëtare.
Në 16 vite të drejtimit të Kishës Shqiptare, janë ndërtuar mbi 140 kisha dhe kishëza të reja, janë restauruar rreth 90 manastire e kisha monument kulture dhe janë riparuar 141 kisha.

Deklarata per Janullatos

Prof. dok Ylli Popa, 22.04.2003
"Është meritë e Kryepeshkopit Janullatos, që duke rimëkëmbur Kishën Ortodokse, ai kontribuoi shumë në rivendosjen e ekuilibrit edhe të harmonisë midis besimeve fetare në vendin tonë. Një gjë e tillë na intereson të gjithëve edhe me siguri do t'i pëlqente edhe Imzot Fan Nolit".

Mitropoliti i Korçës, Imzot Johan Pelushi, 08.12.2006
"Unë besoj dhe jam dëshmitar që gjatë këtyre 15 viteve është punuar drejt konsolidimit të Kishës Autoqefale Shqiptare. Pa dyshim dhe këtë e them haptazi kudo, rolin kryesor në konsolidimit të Kishës Autoqefale e ka pasur Kryepeshkopi Janullatos"

At Nikoll Marku, 05.12.06
"Anastas Janullatos nuk përfaqëson kishën Ortodokse shqiptare dhe se është një person nxitës konfliktesh ndërfetare në Shqipëri, me politikat e tij shoviniste greke. Kërkojmë gjithashtu nga Këshilli i Evropës ndërhyrjen e tij autoritare ndaj Greqisë".

Presidenti Bamir Topi, 9.03.2008
"Ne kemi vlerësim për zotin Janullatos, i cili realisht ka zhvilluar një veprimtari që i takon të zhvillojë në krye të kishës ortodokse dhe besoj që ka qenë edhe në një pozicion ku i ka shërbyer Shqipërisë në arenën ndërkombëtare".

Kryeministri Sali Berisha, 10.03.2008
"Prania e Kryepeshkopit të Shqipërisë Anastasios Janullatos, përbën një hallkë e rëndësishme në marrëdhëniet shqiptaro-greke. z.Anastas ka meritë në gjallërimin e kishës greke ne Shqipëri".


Arben Puto
Akademik

 
1.    Unë mendoj se po. Dhe normale po më duket, se është e dëshirueshme. Peshkopi Janullatos ka tani gati 20 vjet në krye të kishës ortodokse shqiptare dhe më duket se është një lëvizje e arsyeshme nga ana e tij. Ai ka kombësi tjetër, kombësi greke, por derisa është krye të kishës ortodokse shqiptare, mirë është që të ketë nënshtetësi shqiptare. Megjithëse dua të theksoj që Kushtetuta e Shqipërisë nuk vë si kusht që në krye të një bashkësisë shqiptare  të jetë një klerik doemos shqiptar. Nuk e vë këtë, po të lexoni një nen që ka të bëjë me fetë, me bashkësitë fetare, atëherë do të shikoni që shteti thotë që nuk ka asnjë fe zyrtare, që komunitetet fetare janë të pavarura etj., dhe nuk ve si kusht që të jetë medoemos me orgjinë shqiptare. Por unë nga ana ime e përshëndes këtë përçapje të Peshkopit Janullatus, sepse do që të jetë më i angazhuar në kishën autoqefale shqiptare, do që të tregojë, se është vërtet i angazhuar në autoqefalin e kishës shqiptare. Unë e përshëndes dhe  e quaj normale që t'i jepet  nënshtetësia shqiptare, por mua më duket që peshkopi Janullatus ka marrë një pozicion shumë të drejtë, ai e quan kishën shqiptare autoqefale, dhe kishën greke quan aleate. Ai ka dhënë prova të mjaftueshme të angazhimit të tij në mbrojtje të kishës autoqefale.

2.     Unë mendoj se është një akt për t'u përshëndetur, është një akt që tregon se peshkopi Janullatus thekson disi më tepër vendosmërinë e tij, angazhimin e tij, për respektimin e autoqefalisë së kishës ortodokse shqiptare. Mund të ketë vërejtje sigurisht, ka sektorë të ndryshëm të opinionit, të cilët nuk e pranojnë këtë gjë. Po të nisemi nga dëshira, edhe unë vetë do të dëshiroja që në krye të kishës autoqefale të ishte një shqiptar si Noli, i cili e filloi këtë punë një shekull përpara, por s'duhet t'i vëmë faj faktorit të jashtëm. Ne e kemi të qartë se feja ka qenë persekutuar gjatë regjimit komunist, aty është origjina e kësaj dhe në '90, kur u hap vendi, kur u vunë në vendin e vetë besimet fetare, nuk kishin funksionuar rregullat kanonike, procesi ishte ndërprerë. Dhe nuk qe e mundur që në bazë të këtyre rregullave të vihej një ideal nga kisha shqiptare dhe nga kjo pikëpamje unë them që  ka qenë zgjidhja e arsyeshme, por e  imponuar. Donin të gjithë, dhe unë nuk e përjashtoj që të jetë në krye një si Fan Noli, por këto janë rrethanat që peshkopi Janullatus është vënë në krye të kishës shqiptare. Ka qenë një zgjedhje shumë pozitive duke marrë parasysh personalitetin e peshkopit Janullatus. Është një intelektual i nivelit të lartë,  është jo thjesht kishtar, është filozof e autor veprash edhe me këtë horizont të gjerë ka mundur të ruajë pozicionin e arsyeshëm në këto kushte. Unë mendoj që peshkopi Janullatus e kryen me korrektësi këtë detyrë. Dhe me këtë të shpresojmë që tani që janë të gjitha hapësirat për respektimin e rregullave kanonike, një ditë të vijë në krye të kishës një shqiptar, siç është për shembull peshkopi i Korçës.

3.     Kushtetuta nuk thotë ndonjë gjë shprehimisht që duhet të jetë në krye të bashkësisë të komunitetit fetar qoftë mysliman apo ortodoks, një shqiptar. Kështu që kjo është një arsye e imponuar, por më duket mua e arsyeshme në  këto kushte, sepse këtë e ka bërë realiteti shqiptar. Ky është produkt i realitetit shqiptar. U bënë rreth 30 vjet që u mohua çdo besim shqiptar dhe u mbyllën të gjitha institucionet fetare, dhe kështu u ndërpre procesi.


Jorgo Bulo
Akademik
 

1.    Unë nuk jam jurist dhe nuk i njoh ligjet me imtësi. Por nëse nga pikëpamja ligjore nuk ka problem, atëherë është normale marrja e nënshtetësisë. Për mendimi tim, në këtë rast duke pasur parasysh dhe statusin që ka Janullatos, vetëm nga pikëpamja juridike mund të ketë probleme.

2.     Nuk e di kush e ka kundërshtuar një vizitë të tillë. Të paktën nga sa kam para mediat, nuk më ka rezultuar një gjë e tillë. Por unë mendoj se hirësia e tij është faktikisht në krye të kishës që themeloi Fan Noli. Në këtë aspekt ai është i detyruar të respektojë dhe të nderojë figurën e Fan Nolit. Ndaj pjesëmarrja e tij më duket normale në një aktivitet të tillë. Pjesëmarrja e tij i bën nder atij që themeloi Kishën Autoqefale të Shqipërisë, pra Fan Nolit.

3.     Unë do të dëshiroja që në krye të kishës të ishte një shqiptar, por dihet që për rrethana të ndryshme, si ajo e mungesës së klerikëve që plotësojnë kushtet për t'u vënë në krye të kishës shqiptare është pranuar kandidatura e Janullatosit. Mendoj se  Kisha Autoqefale do të duhet të mendojë pak më gjatë për këtë punë. Të arrijë të nxjerrë dhe të përgatisë klerikë të aftë, që nesër të jenë në krye të saj. Me sa jam informuar për këtë çështje përpara se të vendosej kandidatura e Janullatosit një kërkesë për të marrë drejtimin e Kishës Shqiptare u është bërë dhe personaliteteve shqiptare që jetojnë në diasporë. Ka pasur mes tyre klerikë të aftë që ishin në lartësinë e duhur. Realisht nuk di për çfarë arsyesh nuk e kanë pranuar një gjë të tillë. Pra ka pasuar kandidatura. Tani mendoj se ka ardhur koha që pas 15-20 vitesh në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë të jetë një klerik shqiptarë me përgatitjet e nevojshme për këtë detyrë. Mbase nuk do të jetë në përmasat e Fan Nolit, por gjithsesi orientimin dhe rrugën që është ndjekur e ka të qartë në këtë drejtim.
 

Kiço Blushi
shkrimtar, gazetar

1.    Sigurisht që është normale. Dhënia e nënshtetësisë duhej të ishte kryer vite më parë. Ky veprim nuk na nderon ne as si shtet e as si shoqëri. Kryepeshkopi Janullatos është kreu i kishës autoqefale të Shqipërisë qysh kur u hapën kishat e xhamitë, pra, prej gati 17 vjetësh, ndaj nuk është as serioze dhe as e denjë për një shtet e për një shoqëri që pretendon të integrohet në BE, të vazhdojë të gjykojë, lidhur me të, me një mendësi tipike komuniste. Aq më tepër që ai nuk erdhi në krye të Kishës me "kokën" e vetë, po me miratimin e autoriteteve të atëhershme të kohës, e konkretisht të Berishës që atëhere ishte President... Ndaj dua të besoj se nuk gjykon me "jo" populli, aq më pak nuk gjykon kështu populli që i përket besimit kristian, sidomos ortodoksët shqiptarë, po disa krerë të indoktrinuar, të mëkuar me ideologjinë e vjetër, jo dhe aq me ideologjinë nacionaliste, se sa me nacional-komunizëm, me atë fryme primitive që zotëronte e ende fryn, mjerisht, në korrentet e në korridoret e Ballkanit të sotëm. Duhet pranuar se pa kontributin e kryepeshkopit Janullatos nuk e dimë se si do të ishte sot kisha ortodokse shqiptare, po e sigurt ama është se nuk do të ishte kaq e lulëzuar sa është sot. Fakti që kryepeshkopi është grek, nuk është provë se ai është i prirur të jetë antishqiptar, se deri më tani nuk ka asnjë provë të tillë,  po ama e sigurt është që dhënia e nënshtetësisë, do ta bënte atë që të ndjehej edhe më shumë shqiptar!

2.    Vetë fakti që Hirësia e tij Janullatos ka shkuar në Boston dhe ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në kujtim të dorëzimit të Fan Nolit prift, tregon jo vetëm respekt, po edhe nderin që ai i bën kësaj figure madhore të kulturës e të Kishës sonë.
Komentet që qenkan bërë andej këtej kanë lidhje me atë mendësi atavike, primitive, nacional-komuniste që përmenda më lartë. E quaj turp! Kryepeshkopi ka vajtur në këtë ceremoni për të nderuar Fan Nolin dhe trashëgiminë tonë e jo për ta turpëruar dhe poshtëruar atë! Njëkohësisht vajtja e tij në këtë ceremoni tregon se ai e respekton dhe e nderon jo vetëm Nolin, po edhe autoqefalinë e Kishës sonë, kështu që kjo më duket se as nuk ka nevojë për koment të mëtejmë...

3.    Koha nuk ka ardhur, koha  ka qenë dhe, natyrisht, edhe është! Por këtë nuk e ka penguar ardhja e Janullatosit, pasi në atë kohë, sipas statutit të Kishës sonë autoqefale nuk mund të bëhej dot asnjë shqiptar i këtushëm kryepeshkop, pasi nuk i plotësonte kushtet...Ata priftërinj shqiptarë që ishin jashtë, kryesisht në Amerikë, nuk pranuan të vinin në Shqipëri e në krye të Kishës...Pra është absurd ajo që lihet të nënkuptohet andej-këtej sikur hirësia e Tij Janullatos ka ardhur nga Greqia me qëllim për të "zaptuar" kreun e kishës sonë. Këto hamendje dashakeqe, në të vërtetë synojnë të rrënojnë e dëmtojnë Kishën tonë dhe autoqefalinë e saj të padiskutueshme. Sepse autoqefalinë e Kishës në fund të fundit e mbrojnë vetë besimtarët, jo priftërinjtë dhe as kryepeshkopët.

Ermal Hasimja
universiteti evropian i tiranes

1.    Nëse një shqiptar kërkon nënshtetësinë greke, italiane apo amerikane pas disa vitesh jete në vendet përkatëse, përse nuk do të duhet ta kërkonte nënshtetësinë edhe Janullatosi? Në fakt pyetja që ju bëni nënkupton diçka tjetër: a mund t'i japim nënshtetësinë një kryepeshkopi grek, të cilin një pjesë e shqiptarëve e shohin si uzurpator të postit që mban? Kësaj pyetjeje mund t'i përgjigjen vetëm besimtarët ortodoksë dhe strukturat drejtuese të Kishës Ortodokse Shqiptare. Nëse Janullatosi do ta merrte nënshtetësinë, kjo do ta bënte të panevojshme pyetjen tuaj të tretë: a duhet të kemi një prift
shqiptar në krye të kësaj kishe!

2.    Asociimi i kujtimit të Nolit me personazhin e Janullatosit është plotësisht i papranueshëm për shumë shqiptarë. Kjo duket se është arsyeja kryesore. Është fjala për një asociim të sforcuar që prek ndjeshmëritë nacionale, për aq sa ato depërtojnë në strukturimin e identiteteve fetare.

3.    Historianët përgjithësisht na thonë se ky ishte synimi themelor i themeluesve të kësaj kishe. Një synim jo thjesht fetar, por edhe patriotik. Ndarja nga kisha ortodokse dhe themelimi i një kishe të pavarur shqiptare synonte edhe mbylljen e kanaleve të ndikimit të politikës shqiptare përmes strukturave fetare. Duhet thënë se kontekstet nuk janë të njëjtat sot. Në kohën e Nolit identiteti shqiptar rrezikohej nga tretja në identitetet fqinje përmes fesë si katalizator. Sot, kjo është shumë e vështirë të ndodhë. Shqiptarët e konsiderojnë veten shqiptarë, edhe nëse janë ortodoksë. Presioni madhor për ndryshimin e identitetit nuk vjen më nga feja, por nga xhepi. Çështja e pasjes së një kryepeshkopi shqiptar sidoqoftë është çështje që u përket vetëm besimtarëve ortodoksë shqiptarë dhe askujt tjetër, për aq kohë sa Janullatosi merret vetëm me fenë dhe nuk përzihet me gjëra të tjera.

Aleksander Cipa
analist

1.    Ngritja e çështjes së dhënies apo vonimit të nënshtetësisë për kryepeshkopin zyrtar të ortodoksizmit në Shqipëri, mbetet një rrezik politizimi. Në aktin dekretues të Presidentit, pra në firmosjen e kërkesës së bërë ose të përgatitur për t'u bërë prej Hirësisë së tij, ka vetëm, diçka normale. Burokracia kishtare përmes kanoneve të saj triumfon ndaj një nevoje të menduar ndryshe, prej ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Dasia mes kësaj nevoje dhe këtyre rrethanave do të vijojë të mbetet një realitet i prekshëm ende në Shqipëri. Delikatesa në marrëdhëniet e shumicës së shqiptarëve dhe përkatësisë etnike greke të kryesuesit të Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare, pra Kryepeshkopit Janullatos, sipas të gjitha gjasave, do të vijojë të mbartet edhe për një kohë të ardhme. Legalizimi i nënshtetësisë shqiptare të Hirësisë nga ana e Presidentit të Republikës, padyshim që është diçka normale, ndonëse e paragjykuar kur vihet në diskutim e drejta ortodokse shqiptare për të trashëguar një hierarki kishtare prej klerikëve me kombësi shqiptare dhe që në kohë të sotme meriton të ketë edhe një Kryepeshkop shqiptar. Kisha Ortodokse shqiptare është më e vjetër se shumë kisha të tjera të popujve të rajonit, ndonëse fatkeqësisht autoqefalia e saj është e re. Ky kompleks natyral, ndoshta e bën edhe të debatueshëm aktin normal të lëshimit të nënshtetësisë për kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, me kombësi greke.

2.    Mendoj se ka lidhje me meritat autoqefalizuese që mbart personaliteti dhe vepra e Fan Nolit në raport me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Hirësia e tij Janullatos, në karrierën e vet klerikale e kapërcen shtatin e krijuesit të Kishës, pra të Im Zot Nolit. Ka qenë kjo një ndër arsyet që Hirësia e tij Janullatos e ka përthyer vlerësimin e vet për Nolin më së shumti në vlerat e tij si veprimtar, si filolog dhe aktivist të shumëshquar kombëtar dhe jo si një personalitet të karrierës së lartë klerikale. Së paku ky ka qenë një argument i përcjellë prej shumicës së fansave të tij religjionarë, në Shqipëri, së shumti, ky ka qenë argumenti gati zyrtar i  shërbestarëve të institucioneve të sotme kishtare në vend. Pesha thelbësore që ka Kisha e Shën Gjergjit në Boston në varësi me vlerat autoqefaliste të ortodoksisë shqiptare, pas 16 vjetëve të ardhjes së Hirësisë Janullatos në cilësinë e Kryepeshkopit, rikonfirmohet sërish. Tashmë me më tepër autoritet, pasi pranohet zyrtarisht edhe prej vetë personalitetit  klerikal të përbotshëm, Janullatos. Kjo është një nojmë e rëndësishme nderuese për at-themeluesin e Kishës sonë ortodokse, Im Zot Nolin. S'kish si ndodhte ndryshe. Ankimtarët ndaj vizitës nderuese të Hirësisë Janullatos në kishën e Shën Gjergjit në Boston kanë arsyen e tyre. Por personalisht mendoj se ftesa prej krerëve të sotëm të kishës shqiptare në Boston, pra ftesa prej adhurimtarëve pasardhës të kryepeshkopit tonë shpirtëror (në këtë pikë ndihem vetiakisht dhe shpirtërisht vetëm pjesëtar i grigjës noliane), lehtëson në një farë mënyre edhe diçka prej ndërgjegjes së vetë Hirësisë Janullatos si pasues institucional i kryesimit të Kishës Autoqefale Shqiptare.

3.    Koha, mendoj se është kapërcyer, por jo se është humbur krejt. Kryepeshkopi aktual, personaliteti Janullatos, për shkak të dimensionit që përfaqëson, për shkak të investimit që ka kryer dhe për shkak të shërbesës që përfaqëson, është praktikisht hierarku që mbart këtë përgjegjësi dhe mundësi konkrete. Në këtë kërkesë të shumëshprehur shqiptare, arsyetimi i mëtejshëm i tij do të shtonte transparencën dhe do të shkarkonte ngarkesa negative që shpesh akumulohen dhe amplifikohen mediatikisht dhe mentalisht. Për shkak të dritësisë dijesore që mbart dhe për shkak të valencës së lartë intelektuale që përfaqëson, Hirësia e tij duhet ta sjellë si çështje të dorës së parë dhe kontribut po të dorës së parë, nevojën e mbërritjes së trashëgimtarit të tij ortodoks shqiptar në krye të Kishës që fatlumturisht është pjesë e kurorës së autoqefalizmit kishtar në botën e krishterë. Këtë liri ai e ka sot më tepër se kurrë, për ta shndërruar në një akt kontribues në vëllazërimin paqësor të popujve ballkanas. Nga ana tjetër, mendoj se një kontribut të pakryer Hirësia e tij ka edhe kujdesin institucional dhe moral ndaj ortodoksëve shqiptarë në hapësirën shqiptare, brenda hapësirës administrative të Shqipërisë dhe përreth saj, veçanërisht për ortodoksët shqiptarë në Republikën e Maqedonisë. Kujdese të tilla konkrete, do të çlironin mjaft emocione dhe ndjenja pozitive ndër shqiptarë e më së shumti ndër besimtarë të religjioneve të tjera të këtij vendi.


Alfred Peza
drejtor i “ora-news”

1. Rrënjët e raporteve mes Shqipërisë, Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe Janullatosit (kjo histori meriton më shumë se një forum modest si ky, madje ndoshta më shumë se një libër) duhen kërkuar në fillim të viteve '90, atëherë kur Hirësia e Tij erdhi në krye të njërit prej besimeve kryesore fetare të shqiptarëve. Një besim me një histori të veçantë, në krye të të cilit ka qenë një prej mendjeve më të ndritura të Shqipërisë së gjysmës së parë të shekullit të kaluar, Imzot Fan Noli. Para se t'i përgjigjemi pyetjes, nëse duhet dhënë apo jo nënshtetësia shqiptare dhe nëse kjo është apo jo normale, besoj se duhet që më parë të marrin përgjigje pyetjet: Përse në kishat shqiptare meshat janë mbajtur pas 1990 në gjuhën greke; përse askush nuk jep asnjë informacion zyrtar nga Kisha Ortodokse rreth ndërtimit të Katedrales së këtij besimi në mes të Tiranës; përse Kisha Ortodokse nuk u distancua nga një prift që strehonte në shtëpinë e Zotit arkivolet me eshtrat e shqiptarëve, duke i konvertuar në ushtarë grekë të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore; përse u ndryshua gati në fshehtësi të plotë ajo pjesë e rregullores së vitit 1928 të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, sipas të cilës kjo kishë duhet të drejtohet nga shqiptarët; përse edhe pas 18 vjetësh, pretendohet se nuk është përgatitur personeli i duhur shqiptar për të drejtuar Kishën Ortodokse kur kjo kohë i mjafton një njeriu për të përfunduar 10 shkolla për astronaut për të shkuar e për të ardhur jo vetëm nga Hëna, por edhe nga Marsi? Nëse të gjitha këto e shumë pyetje të tjera dikujt i duken normale, atëherë edhe dhënia e nënshtetësisë shqiptare për Hirësinë e Tij Janullatos, është normale. Hirësia e Tij ka merita të jashtëzakonshme në fushën fetare dhe ai është një personalitet i padiskutueshëm i fushës së tij, madje me përmasa që e kalojnë kufirin e Greqisë dhe Shqipërisë. Por, ndonjëherë, në Ballkan çështje si kjo, nuk shkojnë në përpjestim të drejtë me vlerat individuale të padiskutueshme të një personi. Ashtu sikundër, për shembull, çështja e pavarësisë së Kosovës, çështja çame, çështja e emrit të Maqedonisë në Tiranë, shihen krejt ndryshe në Athinë, e kështu me radhë.   

2. Pak ditë më parë, studiuesi Nasho Jorgaqi ka botuar një libër me dy vëllime rreth Nolit, ku mund të gjendet shumë fakte dhe dëshmi rreth veprimtarisë së tij e, mbi të gjitha, rreth ngritjes në Boston të Kishës Autoqefale shqiptare në Boston. Merret vesh se Noli e bëri këtë, veç të tjerash, edhe për arsyen shumë të fortë e të kuptueshme për atë kohë, që Kisha Ortodokse Autoqefale shqiptare të mos binte në duart e grekëve, të cilët ortodoksinë e kanë ngatërruar (në ndonjë rast, qarqe të caktuara ekstremiste e bëjnë edhe tani), me çështjet e shtetit, kombit, përkatësisë nacionaliste, qytetërimit, etj. Sigurisht që kohët kanë ndryshuar, por jo të gjitha realitet dhe ndjeshmëritë e shqiptarëve. Me këtë e shpjegoj se përse një pjesë e opinionit atje e kanë kundërshtuar praninë e Janullatosit në ceremoninë e organizuar në Boston me rastin e 100-vjetorit të dorëzimit të Fan Nolit prift. Përsa i përket ftesës që kanë bërë krerët e Kishës Autoqefale në Boston për Hirësinë e Tij, kjo është çështje e tyre. Por, më duhet të shpreh dyshimet e mia rreth disa qëndrimeve jo shumë të qarta nga ana e At Artur Liolinit në vitet e fundit rreth kësaj çështje. Koha do t'i shpjegojë më mirë disa gjëra, për të cilat, jemi të pasigurt, apo të paqartë sot.

3. Koha që Kisha Autoqefale Shqiptare të ketë në krye të saj një prift shqiptar ka kaluar. Se përse nuk ecet me kohën në këtë drejtim, besoj se pak më lart i hodha disa teza. Ajo që druaj unë, është nëse Hirësia e Tij Janullatos (dhe jo vetëm ai), pasi të ndodhë kjo, a do të ketë të njëjtën këmbëngulje dhe shqetësim për mos marrjen e nënshtetësisë shqiptare?!

Arben Muka
Radio "Deutsche Welle"

1. Kërkesa për shtetësi shqiptare nga ana e kryepeshkopit Janullatos është brenda të drejtës që ka gjithkush banor i globit, për ta fituar atë në bazë të kritereve dhe ligjeve të këtij vendi. Nëse do ta marrë Presidenti në konsideratë apo jo këtë kërkesë, nëse ai do ta miratojë apo refuzojë tani apo dikur, kjo është një çështje ekskluzivisht e z. Topi. Mendoj se akti i dhënies së nënshtetësisë një kleriku të rëndësishëm nuk do të kishte ndonjë efekt negativ, apo do të përdorej për nisma a angazhime kundër interesave të besimtarëve shqiptarë, ose interesave kombëtare në tërësi.

2. Unë kam ndjekur lajme dhe informacione nga veprimtaritë krejt të veçanta që janë zhvilluar në SHBA, ku në qendër ka qenë një figurë shumëdimensionale, si ajo e Nolit të madh. Nuk kam konstatuar ashtu sikundër dhe ju që kundërshtimi për pjesëmarrjen e Kryepeshkopit Janullatos atje të ketë qenë argument i mjaftueshëm për t'u bërë pjesë e lajmeve që vijnë nga Bostoni. Protokolli i aktiviteteve me rastin e 100-vjetorit të dorëzimit të Fan Nolit prift, nuk mund të zbehë rëndësinë që ka përmbajtja e tyre për historinë e Kishës Autoqefale Shqiptare, për historinë e kombit shqiptar në tërësi.

3. Pavarësisht se i takoj një besimi tjetër, e them hapur se kam dëshirë që në krye të Kishës Autoqefale Shqiptare të jetë një klerik 100 për qind shqiptar. Koha e rindërtimit dhe rigjallërimit të kësaj Kishe në fillim të viteve '90 tashmë është kapërcyer dhe gjatë kësaj periudhe me kontributin dhe të vetë kryepeshkopit Janullatos është konsoliduar një kastë e re klerikësh shqiptarë, të mirë edukuar dhe me reputacion brenda komunitetit të besimtarëve ortodoksë. Klerikë, që jam i bindur se janë të gatshëm të marrin çdo përgjegjësi dhe angazhim hierarkik brenda kishës, në bazë dhe të statutit dhe paketës së rregullave që janë në fuqi. Dorëzimin e stafetës e shikoj si një proces të pavarur, si një çështje që i takon vetëm komunitetit ortodoks shqiptar, dhe në shërbim të plotë ndaj tij. Si një zgjedhje që do t'i vlejë vazhdimësisë së nxitjes së frymës së tolerancës dhe të bashkëjetesës mes besimeve fetare në Shqipëri.


Plator Nesturi
analist

1. Dosja Janullatos është një çështje e mbarsur në Presidencë për disa mandate radhazi dhe Presidenti Topi është i fundit në radhë që deklaron se do të shqyrtojë kërkesën për nënshtetësi shqiptare të kryepeshkopit të Kishës Ortodokse. Ju pyesni a është normale marrja e nënshtetësisë? Ky debat i ushqyer në media herë pas here, është shndërruar në një paradoks që nuk i bën nder as politikës që e mban peng këtë çështje, as shoqërisë civile e shtypit dhe që veçse ndikon në departizimin e opinionit publik duke tronditur balancat e harmonisë fetare. E ndërsa ne diskutojmë pa fund e në formë ciklike sa herë hapet kjo temë, duke zbërthyer nene të autoqefalisë pa harruar edhe retorikën patriotike, nuk kuptojmë se shndërrohemi në qesharakë në imazhin që përcjellim. Për ta thjeshtuar shembullin le të gjykojmë se si do ta përcillte këtë lajm media e huaj. Padyshim do të na ironizonte ashtu siç bën dhe media jonë për lajme butaforikë nga vende të humbura. "Shqiptarët nuk pranojnë t'i japin shtetësinë Kryepeshkopit të tyre Ortodoks", ky do të ishte titulli sensacional që do ta bënte argëtues lajmin për çdo lexues jashtë Ballkanit. Argëtues, pasi çdo i huaj nuk mund ta kuptojë se çfarë ka kaq të rëndësishme te nënshtetësia shqiptare, sa kjo i mohohet edhe kreut të kishës, kur vetë shqiptarët, të shpërndarë si zogjtë e korbit nëpër botë, kërkojnë me ngulm të pajisen me dokumente e të marrin nënshtetësinë e vendeve ku shkojnë për t'u ndier qytetarë me të drejta të plota. "A është normale t'i mohohet kjo kryepeshkopit?", do të pyesin të huajt, ndërsa "a është normale të barabitet me ne?", shprehen ndër shqiptarë.
Nuk është e vështirë të kuptohet se problemi i dhënies së shtetësisë është shndërruar në një armë politike. Në pafuqishmërinë e vetë, e drejta për të pajisur me pasaportë shqiptare një shtetas të huaj është instrumenti i vetëm që ka në dorë shteti ynë, dhe këtë po e përdor kundër kreut legal të Kishës Ortodokse, që njëkohësisht është dhe Presidenti Botëror i Këshillit të Kishave. Megjithatë ne akoma bëjmë pyetjen, a është normale që Hirësia e Tij, Anastasio, të ketë shtetësinë shqiptare. Por a është normale që në morinë e shtetasve të huaj, që kanë marrë pasaportën me shqiponjë, një pjesë e tyre na dalin nëpër listat e të kërkuarve për terroristë? A kemi bërë ndonjëherë pyetjen se sa shtetas të huaj kanë marrë shtetësinë tonë dhe me çfarë procedurash iu është dhënë kjo një pjese prej tyre? Po pasaporta diplomatike apo shërbimi a kanë përfituar këta shtetas të huaj dhe për çfarë shërbimesh iu është dhënë kjo e drejtë?
Fiksimi pas dosjes Janullatos dhe debati rreth saj nuk është koincidencë. Shkas duket se është bërë neni që përcakton se në krye të Kishës Autoqefale duhet të jetë një shtetas shqiptar. Pa marrë parasysh faktin se për hir të konjukturave, ekstremet e politikës shqiptare bëjnë marrëveshje deri në abrogimin apo ndryshimin e neneve të Kushtetutës, ky nen i Kishës Ortodokse, megjithëse i bërë nga njerëzit, nuk është ndryshuar. Kryepeshkopi Anastasio, i cili erdhi për të rindërtuar kishën kur asaj i mungonte njëkohësisht kasta e lartë drejtuese, nuk tentoi ta ndryshojë këtë nen. Thjesht bëri kërkesë për nënshtetësi, në përputhje me ligjet e vendit. Edhe pse kanë kaluar kaq vite që dosja e tij mbetet "për shqyrtim", as ka tentuar të stimulojë grigjën, pra komunitetin ortodoks, që të ushtrojë presion ndaj autoriteteve për marrjen e nënshtetësisë. Atëherë pse kjo zhurmë?
Debatet nëse duhet apo jo ta marrë shtetësinë shqiptare kryepeshkopi Anastasio nuk ka dalë brenda komunitetit ortodoks. Atëherë kur kjo çështje nuk e shqetëson këtë komunitet, përse debati mbahet i ndezur nga pjesëtarë të komuniteteve të tjerë fetarë apo njerëz që e deklarojnë veten ateistë? Me çfarë guximi këta i japin vetes të drejtën se janë rojtarë të kombit dhe mbi këtë të drejtë "patriotizmi" kërkojnë të bëhen dhe kujdestarë të një komuniteti fetar kur nuk i ka ftuar askush?  
Nuk mund të mos mendohet se kjo "përkujdestari" ka prapavijë politike nga segmente të caktuar. Në vitet e para '90, debatet mbi Kishën Ortodokse ishin të frymëzuara pikërisht nga politika. U krijua deri një Komitet për Mbrojtjen e Autoqefalisë dhe fjalën e hapjes e mbajti Presidenti i atëhershëm Berisha. Madje eksponentë të asaj lëvizjeje i gjejmë edhe sot në krye të disa institucioneve shkencorë.   Porse deri tani këta "zhurmuesa" kanë qenë fatmirësisht minorancë. Sidoqoftë, zgjerimi këtij debati sipas kësaj fryme veçse do të hidhte tisin e mosbesimit, ndërsa ende mburremi se ekziston harmonia fetare në Shqipëri.  Vetë zgjatja e procesit të nënshtetësisë për kryepeshkopin nga ana e autoriteteve, do të ndihmonte ata që duan ti vënë zjarrin kësaj tolerance.

2. Përsëri kemi dy pamje të ndryshme, ndonëse jetojmë në të njëjtin realitet. Sipas informacioneve, ceremonia në Boston ka shkuar për mrekulli, ka patur shumë pjesëmarrje dhe Kryepeshkopit Anastasios i është rezervuar një pritje e ngrohtë nga organizatorët dhe besimtarët. Ndërkohë nëpër forume kanë plasur sërish polemikat. Kam përshtypjen se këto lloj polemikash janë të nxitura, të stisura dhe më së tepërmi i shërbejnë zbrazjes së mllefeve primitivë ballkanikë sesa  i shërbejnë shëndoshjes  së harmonisë dhe emancipimit demokratik.

3. A nuk është më mirë që këtë çështje ta lemë vetë në dorë të Kishës Autoqefale se sa të ushtrojmë presion nga jashtë? Çuditërisht ne nuk ushtrojmë kaq presion ndaj veprimeve anormale të qeverive shqiptare, paaftësisë dhe shkeljes së të drejtave prej saj, çka ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën tonë, dhe këtë po e bëjmë vetëm ndaj institucionit të njërit prej tre feve në Shqipëri.  Hirësia e Tij, Anastasios, më ka vënë kurorë në kishë kur jam martuar dhe kjo nuk më ka shqetësuar të dija se çfarë shtetësie kish. Përkundrazi, jam ndier i nderuar.
 

Edlira Gjoni
analiste

1. Dhënia e shtetësisë për z. Janullatos nuk mund të jetë kurrë në kushtet e sotme një "çështje e thjeshtë e normale". Ky peshkop grek që ka "uzurpuar" ortodoksinë shqiptare ka një marrëdhënie të acartë perceptimesh me shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë; ashtu si edhe brenda dhe jashtë vetë ortodokzismit. Nëse ka një çështje për të cilën grekët luftojnë fort, ajo është feja. Nëse ka diçka që shqiptarët e luftojnë po kaq fort, ajo është mosrënia pre e identifikimit si grekë apo nëngrekë. Janullatos përfaqëson ortodoksinë greke. Si i tillë, ai mbart në vetvete helenizimin, për të cilin çdo shqiptar është shumë i indoktrinuar të mos e ketë. Prandaj dhënia e nënshtetësisë për këtë zotëri thellësisht grek me mantel ortodoks, nuk mund të shihet kurrë si thjeshtësisht e pranueshme nga çdo shqiptar, aq më tepër nga ortodoksët e mirëfilltë. Në të gjitha vitet e eksperiencës së tij në Shqipëri, Janullatos ka përsëritur me dhe pavetëdije shfaqjen e tij publike si bartës i ortodoksisë shtetërore, jo asaj fetare.

2. Festa e 100-vjetorit të themelimit të katedrales së Shën Gjergjit në Boston ishte një festë shumë më tepër se sa fetare. Ashtu siç është emri i saj, vendosur për Gjergj Kastriot Skënderbeun; ashtu siç ishte kur Noli e themeloi për të promovuar shqiptarizmin, jo ortodoksinë. Reagimet do të ishin patjetër kundërshtuese, sepse ajo katedrale është themeluar nga një gjigant i shqiptarizmit. Po Noli do të ishte ngritur nga varri për të përsëritur se "herezitët na lanë pa atdhe"; kurse 100- vjetori me prezencën e Janullatosit e sillte Nolin në tokë si një qenie thjeshtësisht priftërore në nderim të ortodoksizimit. Nuk është fare e vërtetë. Noli është vigani i shqiptarizimit, i letrave, kombësisë, politikës, ekzistencës së lartë shqiptare. Janullatos është vetëm një prift. Një peshkop pa emër që nuk mundet kurrë të marrë përsipër zbehjen e figurës së Nolit, duke e "nderuar në përkujtim" në 100-vjetorin e Shën Gjergjit. Por reagimi i shqiptarëve të Amerikës ka qenë i nxituar. Mos vajtja e tyre në katedrale apo largimi prej saj në momentin që morën vesh se aty do të vinte Janullatos, nuk ishte mënyra më e mirë për të nderuar Nolin. Jo! Ata duhet të kishin shkuar të gjithë, të dyndeshin në kishë, t'i vijnë në ndihmë asaj, shpirtërisht dhe financiarisht. Se Noli e hapi për shqiptarizmin...dhe nuk ka  nevojë 100 vjet më pas t'i mësojnë e t'i nderojnë ortodoksinë!

3. Koha që Kisha Autoqefale shqiptare të ketë në krye të saj një prift shqiptar ka ardhur e ka kaluar me kohë. Kishën autoqefale shqiptare e themeloi një shqiptar këtu e kusur vjet më parë. Nuk ka tregues më të mirë për të vërtetuar se nuk ka nevojë ortodoksia shqiptare t'ia mësojnë fenë që nga fillimi. Prania e huaj në shumicën e praktikemeve fetare në Shqipëri po tregon se efektin primar të saj ka përçarjen dhe shkaktimin e disa lloj dëmeve mes shqiptarësh (që realisht ndihen të dhunuar me mbirjen e shumë prezencave dhe ndërtesave fetare në të katër anët dhe meset e Tiranës). Mbase është më mirë që shqiptarët të lihen rehat në shqiptarizimin e tyre, edhe atë fetar. Tingëllon më pak trazues se çdo term tjetër fetar, që sjellin veç dilema moralesh e identifikimesh të dyzuara.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora