E premte, 22.11.2019, 03:21 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Kohë monumentesh!

E diele, 25.03.2012, 05:05 PM


Kohë monumentesh!

 

Nga Elvi Sidheri

 

Për të mos t’u ngatërruar absolutisht me një kohë relative monumentale që s’ka as edhe një lidhje të vetme me rastin tonë.

Që Ballkani apo Europa Juglindore siç preferohet haptazi të quhet tashmë këtu e ca kohë nëpër korridoret e të ashtëquajturës Europë Fisnike, që ky rajoni ynë gadishullor pra, përbën një monument gjigand të unicitetit të tij madhështor, këtë vështirë se dikush t’a kundërshtojë dot!

Ne jetojmë përveçse në një kohë monumentesh edhe në një monument të madh.

Cepi ynë i kontinentit  të moshuar Europian, shquhet për shumë primate jo rrallë të pakëndshme, por ai sidoqoftë qëndron lart në monumentalitetin e tij!

Monumentalitet që i dedikohet shumëllojshmërisë se popujve, fateve, jetëve që janë ndërlidhur jo rrallë forcërisht me njëri-tjetrin në këtë Ballkanin tonë dhe që pas qindra viteve në këtë ekzistencë të tillë, vështirë se kësaj gjendje mund t’i dilet në krye.

Pra monumenti i parë dhe kryesor ballaknik, është pse jo, vetë BALLKANI!

Një statujë e vërtetë çmendurie kolektive, amnezie të gënjeshtërt historike, shpëlarje gjaqesh, lufte me kromonzonet e ADN-ve respektive dhe domosdo edhe pak tis të një ajri tejet të veçantë që vetëm në këto vise mund të thithet nga hundët shumë të ndjeshme të banorëve të këtij rajoni, të cilët ndoshta prandaj enden përherë në të njëjtën gjendje të pandryshueshme dehjeje  të pakthjellueshme.

Se ç’ka në ambientin tonë që i shtyn ballkanasit që zbudallepsjen t’a konsiderojnë sot e kësaj dite gjë të nderuar, deri diku edhe të lavdërueshme dhe si pasojë gjithmonë të gjendemi para fakteve të kryera të perfektësimit të këtij efekti që si lëndë e pastër narkotike vjen e na shfaqet më pas shesheve të rajonit me “vepra” që pa dyshim të rinxjerrin po tek ndërveprimi pasojë-shkak i konsumit të substancave të ndaluara hipnotizuese...

Sepse të dhënat mjeksore na mësojnë që përdorimi i këtyre substancave, edhe në kohë të shkurtër, shkakton efekte të frikshme në sjelljen e individit fatkeq që bie pre e tyre!

Po kur largqoftë, popuj të tërë, të mëdhenj, të rinj e vocërrakë delirojnë kolektivisht.....ç’i bëhet në të tilla raste për largqoftë?

Ish-lideri ynë autokratik, dikur na thoshte se feja përbënte një opium të rrezikshëm për popullin.

Dhe ndaj ai e gjeti të rëndësishme që t’a ndalonte fare religjionin dhe rrjedhimisht t’a shpallte fe shtetërore kultin e tij dhe një rrugë e shumë punë, edhe t’i hiqte qafe rivalët fetarë, po fundja edhe të ngratin popull në mungesë të ndonjë perëndie të mëshirëshme, mos t’a linte thatë dhe t’i ofronte vetveten si objekt të ri adhurimi.

Për fat, ajo periudhë megjithë dritëhijet e saja na la shëndenë dhe opiumimi i Shqiptarëve nga ajo anë përfundoi.

Lëndët e reja narkotike tonat u bënë ato që gjerësisht njeh edhe bota e përparuar...pasurimi i shpejtë, djegia e çdo etape zhvillimi, arritja e perëndimit me çdo kusht etj.

Dhe sadoqë për t’i realizuar këto qëllime mjaft fisnike për një popull që historinë gjithmonë e ka ndjekur në pikë të vrapit për të mos t’a lënë t’i iki përfundimisht pas çdo rasti të humbur, për t’ia dalë me këto objektiva pra, u desh që shpesh të gjeheshin mënyra origjinale dhe inovative, sido të jetë, pas njëzet vitesh ato zgjidhje e provuan veten të suksesshme.

Ne Shqiptarët më tepër se gjithçka, sot rezultojmë ende të dehur nga liria dhe asgjë më tepër.

Kjo dehje s’na ka dalë as pas kaq vitesh dhe nuk pritet të esëllohemi as për ca kohë, për shkak të një etje të pamatë për të eksploruar skutat më të largëta të limiteve të lirisë që më në fund na është lejuar...

Shumë prej gabimeve të këtyre viteve mund të gjejnë shpjegim tek ky arsyetim po ashtu!

Por për fat, akoma të paktën, kufirin tonë shtetëror e etnik nuk e kanë kaluar erërat narkotike që fryjnë nga çdo anë, tjetërkund rreth nesh.

Kujtoj që vite më parë, një banor i mitur në moshë, nga Ish Republika  Jugosllave që na kufizohet në perëndim, pyeste...”Sa Maqedonas ka në Shqipëri?-Treqindmijë?”.

Adoleshenti në fjalë me siguri s’kishte faj dhe s’mund të them me bindje se shqetësimi i tij kryesor të kenë qenë vëllezërit e imagjinuar që ndoshta jetonin në numër më të madh se i deklaruari në Shqipëri!

Por opiumi indoktrinues sidoqoftë e kishte kapur edhe atë.

Sepse sadoqë historiografia botërore ia njeh meritën në fjalë të shpëlarjes kolektive të trurit kombëtar Gjermanisë Naziste, për habi ka kaluar në heshtje dhe nuk studiohet si fenomen ende, trushpëlarja ballkanike ku mos më shume a më pak, hyjnë me të drejta të plota gjithë popujt e gadishullit me pak përjashtime të rëndësishme si i joni.

Dhe duke u rikapur me fillin e shkrimit, dozat e narkotizimit të jetës sociale të popullsisë tashmë kanë arritur nivele maksimale alarmi, me shfaqjen e monumento-manisë!

Ishte dikur në kryeqytetin i Ish Republikës Jugosllave, një lumë i bukur që në gjuhën proto-Indoeuropiane apo edhe në dialektet Ilire ndoshta quhej Bardar (I bardhë) dhe emrin e të cilit as Sllavët nuk kishin arritur t’a deformonin ashtu si edhe emrin e vetë qytetit ku ky lumë i lashtë rridhte gjarpërueshëm mespërmes.

Anës lumit sidomos nga bregu sllavofon i qytetit, më parë gëlonin kafe të gëzueshme, muzikë dhe të rinj (jo vetëm sllavë), që korrnin frytet e një jete të bukur buzë lumit.

Bregu tjetër, me ca përjashtime, qe lënë gati totalisht në harresë, në kontrast total me anën përballë ku duke përfituar edhe nga një fatkeqësi natyrore, ishte përfituar për të ndërtuar nga e para jo vetëm infrastrukturën por edhe përbërjen etnike të qytetit, duke sjellë nga ana e anës, sllavët e trojeve lindore pranë ish-nënës së mohuar Bullgare, të kombinuar me mjaft sllavë të tjerë të “importuar” me zell nga njerka e dashur Serbe.

Por një ditë prej ditësh, pas ndryshimit të rradhës qeveritar dhe stafetës relative mes Filo-Jugosllavëve majtistë dhe Filo-Bullgarëve djathtistë, kur këta të fundit e rigjetën veten në pushtet, vendosën që dukshëm t’i japin një evoluim identitetit të tyre anonim, me një sulm të mirëpërqëndruar drejt antikitetit.

Dhe meqë nga antikiteti s’njihnin gjë tjetër veç asaj që kishin lexuar në libra historie dhe ku rraca e tyre s’kishte qenë as periferikisht protagoniste, vendosën që ca histori, sipas traditës më të respektuar dhe mirëkultivuar sllave, t’a shkruanin vetë.

Kështu pas disa vitesh nga kjo llampë e ndezur në trurin e akademikëve Ish Republikas Jugosllavë, anës Vardarit, dhe jo vetëm nga krahu de fakto sllavofon, mbinë si kërpudha të ndotura pas një shiu kimik, një sërë monumentesh.

“Sepse ne historinë kur s’e bëjmë me fakte, e bëjmë me monumente”-duket sikur mendonin.

Teoria ishte edhe e thjeshtë tej mase, mjaftonte që të ndukeshin një e nga një të gjithë personalitetet e fqinjëve, qofshin edhe sllavë, që kishin patur fatin të lindnin apo edhe t’u binte rruga nëpër viset e kontrolluara tashmë nga ky shtet në kërkim të identitetit.

Plani ishte perfekt dhe sulmi nisi menjëherë.

Prej 1945-ës sidoqoftë kishte nisur asimilimi historik i secilës figurë Bullgare, ashtu si edhe Ski-ja në mbiemra ende përpiqej të dallonte identitetin e ri vendas nga i supozuari i huaj i Ov-Ev bullgarofon.

Kujtdo që i pati rënë në mendje ideja gjeniale e shtimit të kësaj pjesëze nëpër mbiemra, sido të jetë, ndonjë ditë do i nevojitet të shpjegojë një engimë të re të porsalindur....

Të jenë vallë edhe Polakët 40 e ca milionësh, dhe të njohur botërisht për mbiemrimin e tyre karakteristik me Ski, me origjinë të largët po nga Ish-Republika Jugosllave? Edhe maqedonë antikë atëherë do jenë sipas së njëjtës teori!

Dhe po aq Ish Republikas Jugosllave do ketë qenë sipas po kësaj vijë llogjike edhe Çajkovski, duke gjykuar Ski-në në mbiemrin e tij....

Që kur Marshalli hungarez nga Kroacia, pati krijuar shtetin e ri eksperimental përmbi fantazmat e përplasjes serbo-bullgare për territoret e Maqedonisë se epërme, patën kaluar vite.

Por ndërkohë heronj fqinjësh të modelit Protogjerov, Dellçev, Car Samuil etj nga krahu bullgar, apo tip Pitu Guli nga ana vlleho-shqiptare, ishin ngrënë e gëlltitur komplet nga shteti i ri në sajim e sipër.

Përralla e bukur e Aleksandrit të Madh, kishte kohë që stisej dhe tashmë i erdhi koha që të qëndisej mirë në veshjen e Ish-Republikës që përveçse Jugosllave donte të quhej edhe Antike!

Sa hap e mbyll sytë, një alamet monumenti u ngrit buzë lumit, një Aleksandër që duket sikur po kap qiellin aq lart sa e kanë vënë.

Sepse larg e larg edhe teoria e Ish-Republikës Jugosllave dhe Antike, synon vetë qiellin.Aty e ka limitin!

Një ditë s’do habitur po dëgjuam se veç hebrejve edhe Ish-Republika dhe veçanërisht ana sllavofone e saj, janë popull i zgjedhur i Zotit.

...Gjë kjo që nuk i pengoi që në vitet 40-të, të mbi 9000 hebrejtë e qytetit t’i shfarosnin në masë në bashkëpunim të ngushtë me vëllezërit bullgarë.

Rreth komandantit të madh, u ngulën monumentet e të gjithë bullgarofonëve të mundshëm që patën bërë historinë komite të vendit, ndërsa në secilin kujtim të tyrin e patën deklaruar veten si 100% bullgarë, në një kohë kur nocioni maqedonas as kishte ekzistuar.

Dhe si për t’a kurorëzuar veprën, u gjet edhe një Perandor Ilir, Justiniani, që ndër të tjera, si nje detaj i parëndësishëm, si vendlindje kishte pasur Lychnidin (Ohrin e sotëm sllav), që as edhe historiani më i guximshëm Ish-Republikas, s’ka guxuar ndonjëherë t’a përfshijë në hartat e Maqedonisë Antike.

Kështu kunja me tre copë fqinjë ishte nxjerrë mirë.

Kuadri plotësohej me ndonjë Princ Marko nga Prilepi që si në heshtje iu qe marrë Serbëve po ashtu.

Me një goditje që do të ishte admiruar edhe nga një vjedhës historik si Lupin-i dora vetë, ishin përvetësuar mite e heronj nga të Shqiptarëve, Bullgarëve, Grekëve, Serbëve dhe të gjorëve Maqedonë të Vërtetë antikë, të cilët shihnin t’u përdhosej në këtë mënyrë trashëgimia, toka dhe historia e tyre.

Të mos ishte se Gjergj Kastrioti ka jetuar vonë relativisht dhe faleminderit Zotit, është nga figurat e vetme që Shqiptarët nuk lëshojnë, edhe atij do i ishin sulur.

Fundja Pollogu i shumë betejave të tij ndodhet në Ish-Republikë, të ëmën e kishte po ashtu nga ato troje.....i plotëson të gjitha kushtet e një çertifikimi të një sulmi të fuqishëm.

Pastaj se ka qenë në krye të një Lidhje Arbërore, se bota e njeh vetëm për hero kombëtar të Shqiptarëve etj, kush e çan kokën!

Po aq sa çahet koka se deri në 1945 sllavofonët e Ish-Republikës janë vetëquajtur me zgjedhje të lirë, ekskluzivisht Bullgarë, po aq ka rëndësi edhe kjo!

Pastaj kolegë në këtë fushë kanë sa të duash.

Nga Boshanjakët me po aq identitet inekzistent, tek Helenët e dyshimtë të ditëve tona, secili dikur, qoftë edhe nëntokë, ka tentuar të nxjerri ca të tijin Heroin Tone Kombëtar.

Sepse kjo mbidoza e norkotizimit nuk ka lindur në Ish-Republikë!

Ajo ka gjetur terren prej shekujsh në Serbi e kryesisht në mes të Helenëve të supozuar të pas pavarësisë të 1821-shit, që u arrit me luftën gati ekskluzive të Shqiptarëve, të cilët më pas edhe ndërtuan shtetin modern Grek.

Ish-Republika Jugosllave Antike, është vetëm fundi i zinxhirit të narkotizimit ballakanas.

Narkotizim që me periudha ka zënë vend deri tek Kroatët e kulturuar që dikur u zgjuan me mendjen e mbledhur top se meqë jetonin në ish-territore Ilire, edhe ata sllavishtfolës, do na ishin trashëgimtarë të gjakut Ilir.

Apo këto substanca të rrezikshme narkotike janë thithur lehtshëm edhe nga Sllovenët e qytetëruar, të cilët sot e kësaj dite deri tek ngjyrat për këpucë i quajnë Ilirija.

E çfarë ndodh këtej nga ne?

Për fat nuk rezulton që të na interesojnë këto lloje narkotikësh.

Nuk vuajmë nga pasojat e tyre, si gjumi i papritur me ëndërra megallomane lashtësie të paverifikuar, as nga ndryshimet e humorit për shkak të  periudhave të kthjelltësisë që bëjnë që fqinjët tanë herë pas here të kuptojnë sa e hidhur është të gënjejnë veten.

Neve nuk kemi spazma emocionale lidhur me identitetin tonë dhe si rrjedhojë as vjellje mashtrimesh historike.

Dhe në fund nuk përfundojmë keq në koma identitare dhe shtetërore për këtë shkak.

Por monumento-mania që në vëllime narkotizuese që ka kapur fqinjët, do ishte mirë të na kujtonte se historia jonë nuk ka filluar as në 1443-in e Skënderbeut e as në 1912-ën e pavarësisë.

Në sheshet tona për turp të Zotit, veç një skulpture bastarde fashiste pa asnjë kontakt me realitetin të një Mbretëreshe Teuta, e cila kacavirret në tarracën e një banke ekonimke, as edhe një monument tjetër s’lidhet me lashtësinë tonë.

Nuk ka skulpturë të Mbretërve tanë Ilirë, të Bardhylit, Gentit, Agronit, Batos, Pirros së Epirit, vetë Teutës së Madhe që sfidoi pa u tundur vendit Perandorinë Romake në apogjeun e saj.

Nuk kemi statuja të denja të Justinianëve perandorë të Bizantit, nuk kemi po aq monumente ku të nderojmë Dioklecianin nga Dalmacia Ilire, apo edhe Kostandinin e Madh nga Dardania.

Por ndërkohë edhe nëpër paketimet e çajrave të cilësisë së ulët serbe, mund të gjesh adresa si Ulica Cara Konstanitina në Nish.

Sepse fqinjët tanë njihen për shpejtësinë e tyre në fushën e vjedhjes.....

Nuk po zgjerohem të flas për princërit e mëdhenj të tokave Arbërore etj.

Ato monumente nuk do bien nga qielli po s’qemë ne që do t’i ndërtojmë, duke respektuar kështu historinë tonë dhe vetveten së pari!

Ndryshe do vazhdojmë të sodisim fqinjët tek krijojnë nga asgjëja historinë e tyre të supozuar!



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT