E enjte, 18.04.2024, 04:16 AM (GMT+1)

Mendime

Elida Buçpapaj: Më 22 mars, 20 vjet më parë kur raportoja për Zërin e Amerikës

E diele, 25.03.2012, 05:54 PM


MË 22 MARS, 20 VJET MË PARË KUR RAPORTOJA PËR ZËRIN E AMERIKËS

 

Nga ELIDA BUÇPAPAJ

 

E kujtoj 22 marsin 1992 sikur ka ndodhur dje. Të gjithë sytë e botës ishin drejtuar nga Shqipëria, vendi i fundit ku u rrëzua diktatura më e egër në kampin e ish-Lindjes, diktatura më staliniste, më kriminale që kishte mbjellë vdekjen dhe frikën. Më kujtohet Tirana e kallur në terrin e blackout-it dhe në grinë e varfërisë, ku Ramiz Alia kishte përdorur politikën e „Tokës të djegur", me qëllimin e njohur të despotëve "Après moi le déluge" – pas meje le të vijë fundi i botës, por në fakt në Shqipëri, bota po rilindte atë 22 mars, dhe ata 1milion shqiptarë që votuan pro PD në fakt votuan kundër diktaturës dhe pro lirisë, të munguar për gjysmë shekulli, ku njeriu u depersonalizua në mënyrën më tragjike prej frikës nga terrori i cili përmes luftës të klasave i çoi shqiptarët në vëllavrasje. Paçka se thuhet se Ramiz Alia e dorëzoi pushtetin në mënyrë të butë, kjo është një rrenë klluqe, pasi Ramiz Alia deri në minutën e fundit ushtroi represion të egër. „Butësia" e tij lidhej vetëm me interesat e tij të ngushta, sepse e kishte kuptuar shumë mirë se, nëse do të përdorte dhunën në mënyrë masive, fati i tij do të përfundonte si epilog i saj. Dhe ai zgjodhi rrugën më perfide, për të mbijetuar duke molepsur demokracinë shqiptare.

 

Unë kisha filluar të raportoja për Zërin e Amerikës bashkë me Xhevdet Shehun në prag të zgjedhjeve të 22 Marsit 1992. Shkrimet e mia të para mezi i kisha botuar tek Rilindja Demokratike, e cila mbahej nën kontrollin e egër të njerëzve të Ramiz Alisë, në gazetën Atdheu e Kosova. Më dukej makabre që Arben Puto të drejtonte Komisionin Shqiptar të Helsinkit, kërkoja rrëzimin e ngrehinës së Sigurimit të Shtetit nga themelet dhe hapjen e Dosjeve. As që nuk bëhej fjalë për hakmarrje, kërkonim të ndërtonim një botë krejt ndryshe nga ajo që kishim jetuar. Këtë kërkonte ai det shqiptarësh që votoi për lirinë më 22 marsin e 1992.

 

Zëri i Amerikës asaj kohe dëgjohej vetëm në valë të shkurtëra, por ishte një burim drite e trimërie, ishte si Zëri i Zotit që ne shqiptarëve na jepte energji diellore për të vrarë frikën! Elez Biberaj, Frank Shkreli, bashkë me ekipin e Zërit të Amerikës të asaj kohe, Xhevdet Hoxhën, Idriz Lamaj, Isabela dhe Zamira Islami kishte hyrë në shtëpinë e çdo shqiptari duke ia dridhur themelet sistemit totalitarist.

 

Më kujtohet, kur jepja reportazhet, nuk kisha asnjë mjet, nuk kisha as diktofon. Njëzet vjet më parë Shqipëria ishte më se një bunker, në izolim të plotë dhe në antitezë të plotë me këtë sistem multimedial që jetojmë sot. Më 1992 nuk ekzistonte për shqiptarët mrekullia Apple, nuk ekzistonin Iphonët, Youtube, dhe telefonia fikse ishte privilegj. Ne nuk kishim as telefon në shtëpi, paçka se Skënderi ishte nëndrejtor i përgjithshëm i RTSH, por dëshira për të treguar të vërtetën ishte sublime. Më kujtohen si sot reportazhet e atyre ditëve, njëri prej tyre i dedikohej një vjetorit të vrasjes së 14 vjeçarit Spartak Deliu. Nuk e kisha hequr nga mendja dot asnjë çast mbresën e rëndë të gjakut të tij në trotuarin pranë Lidhjes së Shkrimtarëve, në rrugën e Kavajës. Shkuam me Skënderin në shtëpinë e prindërve të tij dhe i raportoja Zërit të Amerikës duke qarë. Tani që kanë kaluar 20 vjet nga ajo kohë, them me bindje se, nëse kam arritur diçka në gazetari, kjo i dedikohet së pari Zërit të Amerikës, prej nga mësova se e vërteta është e shenjtë dhe gazetari e ka për detyrë që ta tregojë këtë të vërtetë deri në fund.

 

Zëri i Amerikës u kishte dhënë zemër atyre 1milion shqiptarëve atë mëngjes të 22 marsit që ta rrëzonin diktaturën me superfuqinë e votës, të cilën Ramiz Alia nuk do të mundte më ta manipulonte si bëri më 31 marsin e 1991. Ajo ishte Pranvera e lirisë shqiptare që nuk ka asgjë të përbashkët me 21 janarin e 2011. Sepse më 22 marsin e 1992 sovrani popull triumfoi mbi regjimin barbaro-despotik. Nuk ishin politikanët që e orientuan popullin drejt Europës, ishte populli shqiptar që i orientoi politikanët. Natyrisht, Sali Berisha mbetet edhe sot lideri më populist, më karizmatik dhe me ndikimin më të madh. Si i tillë ai ka meritën dhe rolin më të madh për arritjet dhe për mosarritjet në përmbushjen e vullnetit të sovranit që atë 22 mars, me verdiktin e tij, rrëzoi sistemin.

 

Ne bashkë me Xhevdet Shehun e dhamë lajmin e fitores më 23 mars në emisionin e orës 7:00 të mëngjesit të Zërit të Amerikës. Ishte një fitore e paralajmëruar. Si për të patur edhe bekimin e Zotit, sepse liria në fakt është e bekuar nga Zoti, 23 marsi 1992 binte ditë Bajrami dhe rrugët e Tiranës gjëmonin nga klaksonët e burive dhe Tirana flakëronte nga flamujt e kuq. Ishte dita më e bukur për shqiptarët, sepse besuan se jeta e tyre do të ndryshonte për të mirë në sajë të lirisë. Ata nuk parashikuan se klasa politike për hir të pushtetit i harron dhe nuk përmbush detyrimet që kishte ndërmarrë para atij uraganit njerëzor, që nuk e meritonte as vitin 1997, që nuk e meritonte as eksodin nga atdheu, që nuk e meritonte as Gërdecin, as 21 janarin, që nuk e meriton as mungesën e shtetit të së drejtës, i cili sot pas njëzet vitesh është i çalë duke reflektuar gabimet dhe fajet e politikanëve.

 

Në përmbyllje të këtyre rradhëve që kujtojnë atë ditë historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, si gazetare nënvizoj edhe një herë rolin e Zërit të Amerikës që vazhdon të jetë një bashkudhëtar luajal i shqiptarëve në rrugën e tyre për konsolidimin e demokracisë. Dhe, ndërsa ka mbushur 70 vjet nga dita kur doli në eter, edhe sot e kësaj dite vazhdon t’i trimërojë shqiptarët për të mbrojtur lirinë dhe vlerat e saj, të cilat janë të pacënushme dhe të patjetërsueshme.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora