E marte, 19.03.2024, 04:43 AM (GMT)

Kulturë

Demir Krasniqi: Këngë elegjike të femrave nga Malësia e Gollakut

E diele, 25.03.2012, 05:02 PM


Nga folklori ynë :

 

KËNGË ELEGJIKE TË FEMRAVE NGA MALËSIA E GOLLAKUT

 

Shkruan : Demir KRASNIQI

 

Këngët elegjike të femrave nga Malësia e Gollakut, ndonëse në numër nuk janë të shumta , burimi i tyre mund të karakterizohet në tri kategori të krijimtarisë së tyre :

1.Kategorinë e parë të këtyre këngëve e përbëjnë këngët të cilat i kanë krijuar dhe kënduar femrat të cilat kanë qenë totalisht analfabete dhe koha e lindjes së tyre është shumë më e hershme se sa ato që do të lindin më vonë. Këngët elegjike të cilat janë krijuar në kohët e analfabetizmit , zakonisht përbëhen prej strofave me nga dy vargje dhe meloditë e tyre janë shumë më të thjeshta .

2.Kategorinë e dytë të këngëve elegjike të këtyre trevave e përbëjnë këngët të cilat ndoshta edhe nuk mund të jenë autoktone , nga se ato shpeshherë  janë të ndikuara dhe të adaptuara nga programet e radiostacioneve të ndryshme . Pra, lindja e disa prej këtyre këngëve ndërlidhet ngushtë me paraqitjet e para të radio – aparateve dhe tranzistorëve të parë në trevat malore , në kohët kur ende nuk kishte rrymë elektrike . Nga këto ndikime më tepër janë adaptuar meloditë e këngëve të ndryshme mbi të cilat pastaj janë përshtatur tekste dhe ngjarje të ndryshme elegjike, e shumë më pak janë adaptuar tekstet e atyre këngëve .

3.Kategorinë e tretë të këngëve elegjike të Malësisë së Gollakut e përbëjnë këngët e krijuara gjatë kohës kur fillon shkollimi i femrës shqiptare e deri në ditët e sotme .Këngët e kësaj kategorie dallohen dukshëm si nga ana artistike tekstuale, po ashtu edhe nga koloriti i ritmeve dhe melodive të tyre .Këto këngë zakonisht janë të përbëra nga strofat me nga katër vargje, dukuri kjo që në këngët e më hershme burimore vështirë se mund të gjendej .

Ciklin e këngëve elegjike të cilat do t’ua prezantojmë brenda këtij studimi, e kemi mbledhur nëpër fshatra të ndryshme të Malësisë së Gollakut , gjatë viteve të 60-ta e këndej dhe në mesin e tyre do t’i gjejmë të gjitha kategoritë e krijimtarisë së tyre si që u cek më lartë .

Kënga e parë, të cilën e kemi marrë në këtë studim, është këndua dhe mbledhur nga trevat e Malësisë së Gollakut, por ndoshta mund të jetë bartur, apo adaptuar nga ndonjë krahinë tjetër shqiptare përmes programeve të radio stacioneve të ndryshme . Në vargjet poetike të kësaj kënge të sajuar me strofa prej katër vargjeve , mund të konkludohet lehtë se krijuesi , apo krijuesja e saj anonime ka qenë e shkolluar dhe e arsimuar mjaftë mirë dhe po ashtu melodia e saj është shumë nostalgjike dhe e zhvilluar artistikisht .

Në këtë këngë elegjike trajtohet një dukuri shumë e dhimbshme e së kaluarës sonë historike , kur djemënia shqiptare pa vullnetin e tyre shkonin për të shërbyer nëpër ushtritë e huaja, prej nga shumica nuk u kthenin më kurrë të gjallë në shtëpitë dhe familjet e tyre. Një tragjedi të këtillë, do ta përjetojë shumë rëndë edhe një vashë e re , të cilës i dashuri i saj kishte shkua në shërbim ushtarak prej nga nuk i ishte kthyer më kurrë i gjallë dhe kujtimin për te, ajo do ta ruaj përgjithmonë vetëm përmes letrës të cilën i dashuri ia kishte shkrua pak kohë para se të ndërronte jetë:

 

Ç’ KE TI MOJ MEJRO

 

Ç’ ke ti, moj Mejro,

Qi po  rrin tuj qajt-e?

A po qanë për nanën,

A për babën plak-e?!

 

- As s’ po qajë për nanën,

As për babën plak-e;

Por, po qajë për dashuninë –

Dashuninë e par-e!

 

Dashuninë e par-e,

Që m’ ka shku ushtar-e;

Ushtar më ka shkue,

Letër s’ më ka que !

 

Mbas tri – katër vitesh,

Nji letër më mbrrini;

Zemra se ç’ më dridhej

Mue prej mallëngjimi!

 

Kur e hapa letrën,

Nisa me e lexue;

Lott për faqesh m’ shkojshin,

Se çka m’ kishte shkrue!

 

- Martou, ti, moj Mejro,

Se unë jam martue!...

Se unë jam martue

Me tokën e zez-e!

 

- Ani, n’ dash me ditë, unë,

Vorrin ku e kam –e;

Në nji skaj të lumit –

Qyqja ku këndon –e !

 

Edhe vargjet e elegjisë vijuese na japin të kuptojmë se krijuesja anonime e kësaj kënge i takon femrave të shkolluara e cila derdhë vaj e lot për një vajzë të re fatkeqe e cila vdes mu në lulën e rinisë , kur ishte në vlug të shkollimit bashkë me shoqe të veta .

Ndarja e saj e kobshme dhe e hershme nga një sëmundje e pashërueshme, do të mbetet plagë e pashërueshme jo vetëm për nënën dhe babanë e saj, por edhe për gjithë shoqet e saj, shkollën dhe arsimtarët e saj .

Momenti më tragjik dhe më pikllues i kësaj kënge është amaneti i i fundit i vajzës (nxënëses) , të cilin ia lë kujdestarit të klasës së saj përmes të cilit e porositë që të mos ia fshijë emrin nga ditari i shkollës dhe që banka e saj të ngjyroset me të zi për të mos u ulur pas saj në te asnjë nxënës tjetër :

 

 

DITË E PREMTE NË PRANVERË

 

Ditë e premte në pranverë,

Zemrën nanës ja kam therrë!

Ja kam plasë zemrën e barkit –

O,qysh m’u nda çika prej shtratit?!

 

Amanet, babës ja kam lanë –

T’ ma maron nji vorr të gjanë!

Vorr të gjanë me dy prezore –

O, t’i shoh shoqet kah  t’ vinë prej shkolle!

 

Ato vinë tue bisedue –

Unë i pyes – a kan  kalue?

-Shembullore, si gjithmonë,

Vetëm ti po na mungon!

 

Amanet, o kujdestar –

Mos ma fshijë emnin n’ ditar!

Bankën teme lyeje me t’ zi –

Mos me u ulë  n’ ta asnji fëmi!

 

Elegjia tjetër, daton që nga kohërat më të hershme kur nuk kishte shkollim të femrave shqiptare dhe kur nuk kishte as mjek adekuat, as barëra për shërimin e tuberkulozës e cila nga kushtet e vështira të jetesës dikur i kishte kapluar shumë familje shqiptare .

Si motiv kryesor dhe shkaktar i fitimit të kësaj sëmundje, në rastin konkret kur viktimë është një femër – vajzë e re në këtë këngë, përmendet frika e madhe nga milicia e Serbisë e cila dikur bënte kërdi mbi popullatën e pambrojtur shqiptare dhe frika nga prania e tyre iu kishte hy në palc të kurrizit të gjithë të rinjve shqiptarë .

Por, si motiv i dytë i frikës ishte edhe prania e mjekëve (doktorëve), të cilët me praninë e tyre nëpër meset e ndryshme shqiptare, shkaktonin panikë tek popullata, sidomos tek brezat e rinjë , të cilët nuk ishin mësua ende që një mjek mantelbardhë të iu flet në gjuhën shqipe :

 

DUEL SEVDIJA  N’ KAPIXHIK

 

Duel Sevdija,n’ kapixhik-e,

Ni motorr me dy milic-e!

 

Dy milic me ni doktorr-e,

Çpejt u futën në oborr-e.

 

Pej milicëve u trishtova,

Pej doktorrit u frigova.

 

U frigova, m’ rroki kolli,

Më çoj nana te doktorri.

 

M’ tha doktorri:”S’ka ilaçë kolli,

Veç kacija e tarrnakopi!”

 

Kur mi shtinën gërrshant  n’ bark,

M’ rrehke zemra si sahat!

 

Kur um çitën  n’ sllamaricë,

Si me m’ çitun  n’ teneshirë!

 

II.

Oj, çeizit tem, moj, i daltë  flaka,

Ani, shumë kam pas unë kmisha e jaka!

 

Ani, shumë kam hjekë tu i la te vada,

Ani me korita e me perajka !

 

Ani,lajsha, lajsha e pushojsha,

O, u ungjsha n’ guri e vajtojsha!

 

Ani, amanet, oj nane, po ta len Sevdija:

“Me ma çkepë çeizin, o nëpër baskija!

 

Ani, le ta shohin, ani gra e bija,

O, çka kan punue, ani duert e mija!”

 

Amanet, more bab-o, po ta len Sevdija:

“Me ma marue vorrin, ani te xhamia!

 

Ani, le ta shohin krejt shoqet e mija,

Ani, le ta din-o, qi ka dekë Sevdija!”

 

Ani, hini kerri, ani n’ fun katuni,

Ani, kjo Sevdija, o në shkumë sapuni!

 

Ani, hini kerri, ani në oborr-e,

Ani, kët’ Sevdijën, ani e lshuen n’ vorr-e!

 

Edhe elegjia në vazhdim, daton që nga kohërat e analfabetizmit të femrës shqiptare e cila trajton vdekjet e hershme të vajzave nga sëmundjet e pashërueshme , mungesa e mjekëve dhe e barërave shëruese . Në rastet e tilla, vajzat vajtonin me zemër e me lotë për fatin e zi të ndarjes së shoqes së tyre nga shoqëria , nga familja dhe nga kjo jetë :

 

HAJDE RRIMË OJ SHOQJA JEME

 

Dushku i dhive – bari i dhene,

Hajde rrimë, oj shoqja e jeme!

 

Shoqe jena përgjithmonë,

Veç egjeli kur t’na ndanë!

 

O, egjel, egjeli i shkretë,

Pse s’na dhe ymër për dy mi’ vjet?!

 

Dy mi’ vjet e soll ni natë,

Marojmë vorret ngata-ngatë!

 

Ngata-ngatë, nër ni bojli,

Tek mrizojnë dhenë e dhi!

 

Tek mrizojnë, tek kan  mrizue –

Ta shoh nanën, te dajtë  tuj shkue!

 

T’i shoh kingjat tuj ladrue,

T’ a niej qyqen n’ rrem tuj knue!

 

Në këngët elegjike të femrave në Malësinë e Gollakut, nuk janë të rralla motivet e sëmundjeve të ndryshme, trajtimet e tyre nëpër spitale,operacionet kirurgjike , ndarja nga shoqet, ndarja nga familja, ndarja nga puna...etj.

 

KESH E LIGË E RASHË  N’ KREVET

 

Kesh e ligë e rashë n’ krevet,

M’ pikuen lotët e m’ ranë n’ jastek.

 

Mora rrugën me tfillue –

Nër doktorr, po dojnë me m’ çue!

 

Shoqet e mia, po rrinë te shpija –

Unë,e mjera, po marr nekcija!

 

Shoqet e mia, pe fshijnë oborrin –

Unë, e mjera, pe pres doktorrin!

 

Shoqet e mia, po rrinë në shpi –

Unë, e mjera, n’ operaci!

 

Shoqet e mia po rrinë n’ sokak –

Unë, e mjera me gërrshanë n’ bark!

 

Edhe dy elegjitë vijuese , trajtojnë jetën e vajzave të reja të cilat për shkaqe të sëmundjeve të ndryshme ndaheshin që në moshë të re nga kjo jetë dhe nga shoqet e tyre, me të cilat kishin kalua pjesët më të mira të jetës dhe me të cilat kishin lidhur besën që të mos ndahen kurrë për së gjalli ! Por, vajzat e vetëdijshme se në këtë jetë nuk do të jenë të përhershme , më në fund ua lenin amanet prindërve të tyre që edhe në amshim t’ua marojnë varret ngata – ngat me njëra tjetrën , në mënyrë që as në amshim të mos ndahen mes veti !

Se sa janë dashur dikur vajzat në mes veti dhe sa e kanë përjetuar rëndë ndarjen e tyre për shkaqe të vdekjeve të hershme , më së miri flet lutja e tyre shpirtërore :”Ishalla desim për nji natë dhe na i marojnë varret ngata – ngatë!”:

 

LULË E KUQE, LULË BOJË PEME

 

Lulë e kuqe, lulë bojë peme,

Hajde rrimë, oj shoqja jeme!

 

Shoqe jemi përgjithmonë,

Veç egjeli kur t’ na ndanë!

 

O,egjel, egjeli i shkretë,

Qysh s’na le me rrnue naj vjet?!

 

O,naj vjet, o naj natë,

Marojmë vorret ngata-ngat!

 

Ngata-ngat me ni penxhere,

Shohim lulat pej pranvere!

 

Ngata-ngat nër ni lejthi,

Ku mrizojnë dhenë e dhi!

 

I nijmë kingjat tuj blegrue,

Shohim edhat tuj ladrue!

 

Shohim barin tuj gjelbrue,

Shohim dushkun tuj dushkue!

 

Shohim babën tuj livrue,

Shohim vllaun në shkollë tuj shkue!

 

Shohim motrat tuj çeizue,

Shohim nanën, te dajtë tuj shkue!

 

I thojmë nanës – udha e marë,

Boll marak pata me ardhë!

 

Burgu i zi, s’po m’ len me dalë,

Drrasat frymën ma kan nalë!

 

Si në dvetshin dajtë për mue –

Mesa jote, tu ka burgue!

 

Të dy veshtë ju kan shurdhue,

Të dy sytë ju kan çorrue!

 

Të dy duert ju kan ligshtue,

Të dy kamtë ju kan shtangue!

 

Zemra e saj i ka pushue,

Dheu i zi e ka mbulue!

 

MAROJMË VORRET NGATA-NGAT

 

Lulë bojë kuqe, lulë bojë peme,

Hajde rrimë, oj shoqja e jeme!

 

Shoqe jena e jena kan,

Veç egjeli kur t’na ndanë!

 

O egjel, egjeli i shkretë,

Lena  t’ rrnojmë edhe naj vjet!

 

Edhe naj vjet edhe naj natë,

Ishalla desim për ni natë!

 

Ishalla desim për ni natë,

Mrojmë vorret ngata-ngatë!

 

Ngata-ngatë me ni penxhere –

Shohim lulat prej pranvere!

 

Shohim lulat tuj lulzue,

Shohim nanën, te dajtë tuj shkue!

 

Nanë,moj nane,udha e mbarë,

Shumë selam dajës po i baj!

 

Dheu i zi s’po m’ len me dalë –

Edhe unë, nanë,  t’ isha ardhë!

 

Kamë e duer mu kan  marrë-

E përjasht s’po mujë me dalë!

 

Sëmundjet e ndryshme , trajtimi i të sëmurëve nëpër spitale, malli, mërzia e të rejave gjatë këtyre trajtimeve , vizitat familjare nëpër spitale, janë temat më të shpeshta të cilat kanë zënë vend në këngët elegjike të femrave të Malësisë së Gollakut. Kënga vijuese e thurur me strofa prej katër vargjeve , na bënë të kuptojmë se krijuesja e saj anonime ka qenë vajzë e shkolluar :

 

NË SPITAL MË SHKOJ  T’ RITË

 

Me ditë nana, sa shumë jam mërzitë –

Në spital, oj nanë, më shkoj  t’ ritë!

Më shkoj  t’ ritë, oj nanë, më shkoj vera -

Tan tue pritë vizitën te dera!

 

Prita,prita, oj nanë, tej  n’ ora dymdhetë -

Mue kërkush, oj nanë, s’ um  erdh n’ posetë! (fjalë serbe = vizitë)

Ktheva e rashë  n’ at’  t’ shkretin krevet- (fjalë serbe = shtrat)

Loti-lotin, oj nanë, s’po ma pret!

 

Zani i vllaut,oj nanë,mu ka diftue –

Prej terase,unë e kam ndigjue!

Me dalë jasht, o vlla, s’po m’ len rojtari –

Pa t’ marrë ngryk,o vlla, s’po m’ hiqet malli!

 

Shko kallxoj, o vlla, nanës te shpija –

Shumë të fala, thujë, po të banë  bija!

Qe gjashtë muej, o vlla,te shpija s’jam kan –

M’ ka marrë malli, o, me thirrë oj nanë!

 

Çka po m’ vyen,oj nanë, xhamperi me vija –

M’u kalb’ trupi,oj nanë, tuj marrë nekcija!

O, krevet, o ty të raftë fundi –

Qysh po bie e s’po m’ merr gjumi!

 

Njëra ndër këngët më të rrënqethshme elegjike të cilën e kemi shënuar në vitet e 70-ta të shekullit të XX-të, pa dyshim është kënga vijuese e cila trajton një temë shumë të prekshme shoqërore të kohës kur vajzat e reja malësore sapo e fillonin shkollimin e tyre, nga shkaqet dhe kushtet e ndryshme ishin të detyruara që të ndahen nga rruga e shkollimit të mëtutjeshëm .

Data dhe dita më e pikllueshme për vajzat që përjetonin një fat të tillë, ishin mbrëmjet e semimaturës dhe ato të matures: 15 Maji dhe 20 Qershori, kur ato përfundimisht do të ndaheshin nga shkolla, shoqet e tyre dhe arsimtarët e tyre !

Vajzat e pa fat, ndarjen nga shkolla, nga bankat e shkollës, nga arsimtarët e tyre, do ta përjetojnë shumë rend dhe do ta këndojnë çdo motiv të shkollimit të tyre me lotë në sy dhe me vargje shumë të prekshme të këngëve të tyre , siç na e përshkruan kënga vijuese :

 

SHKOLLËN KUJT IA LASH

 

I hypa vaporit –

Po më çon javash;

Tuj mendue, tuj kujtue,

Shkollën kujt ja lash?!

 

Shkollën ja u kam lanë,

Shoqev’ amanet –

Për me shkue rregullisht,

Siç jam shkue vet!

 

Erdh Pesumdhetë Maji,

Prej shkollës me u lshue;

Zemrat tona, mori shoqe,

Kurrë s’ kan  me u harrue!

 

Erdh Nizet Qerrshori,

Prej shkollës me u nda;

Zemrat tona,mori shoqe,

Kurrë s’ kan  me u pa!

 

Mblodha nji tufë lule,

Emnin  s’ ja u kam ditë;

Thujmi shoqev’  t’ mia,

Mos me u mërzitë!

 

Mblodha nji tufë lule –

Lule dreniçare;

Ja u dhash për kujtime

Të gjithë arsimtarëve!

 

Shumë lule t’ beharit,

Ja dhamë kujdestarit;

Mos me na i shlye emnat,

Për jetë prej ditarit!

 

Shumë lule të mollës,

Ja lamë  për kujtim;

Bankave të shkollës –

Ku msuem shkrim-lexim!

 

Lamtumirë,moj shkollë,

Dhe ju shoqe t’ mija;

Libra e fletore,

Se po shkojmë te shpija!

 

Na pret fakullteti,

Diploma e diftesa;

Po na pret gurbeti,

Po na pret martesa!

 

Lamtumirë,shoqni,

Dhe ti o mësuesi Shaqë;

Qysh jem kënaqë n’ rini –

Kurrë  s’ kem me u kënaqë!

 

*****

Këngët i mblodhi, i shënoi dhe i analizoi : Demir KRASNIQI

Gjilan , më 23 Mars 2012.



(Vota: 8 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora