E premte, 29.03.2024, 10:44 AM (GMT)

Mendime

Robert Martiko?: Vrit Babanë Tënd

E shtune, 24.03.2012, 03:45 PM


VRIT BABANE TEND!

 

E VERTETA RRETH HERONJVE TE HESHTUR SHQIPTARE

 

Nga Robert Martiko?

 

Më ndodh shpesh këtu në Perëndim, ku jam duke kaluar një pjesë të jetës time, të më pyesin me kurreshtje rreth cilësisë së ditëve të mëparshme të kaluara nën Diktaturë... E kur tregoj të vërtetën: që jeta e harxhuar në Shqipëri në Kohën e Komunizmit përbënte një frymëmarrje të vijueshme gazrash të helmuara të aspiruara ne Ferr, dalloj që bashkëfolësi të befasohet, zakonisht, duke më kundërdrejtuar menjëherë vërejtjen: “Ka shumë bashkëpatriotë të tu, që përbetohen për të kundërtën. Thonë që jetonin më mirë dikur.”

“Po!” - iu përgjigjem. - “Kanë shumë të drejtë. Dhe kjo për arësye se ndjenjat e tyre jo vetëm burojnë prej instiktesh të mirëfillta shtazarake, por ato gjenden gjithashtu të farkëtuara edhe prej Shkollave të famëshme Marksiste, ku në themel qëndronte Lufta e Klasave, Përgjimi i Përhershëm i Fqinjit apo Syri i Famshëm, Vigjilent... (Lexo: spiun). E më pas, vetëm nëse dalloj interes në sytë e bashkëbiseduesit, vijoj të shtoj dy tre fjalë më shumë edhe për Shpellën e Platonit, ku, sipas filozofit, njeriu vijon të jetojë brez pas brezi, në errësirë i kënaqur e i lumtur me erën e gjithfarë djersash trupore të përngjajëshme me ato të paraardhësve të tij.

Parë në këtë prizëm pervers e djallëzor, përse të mos u kthehemi e tu rikthehemi sërishmi, madje edhe në ditët e sotëshme të famëshmëve HERONJ TE HESHTUR SHQIPTARË. Përse të mos vijojmë ti shikojmë ata si objekte të denjë për të lavdëruar e mburrur për hyjneret e tyre.

Si kriminelë, tinzarë, frikacakë e vllavrasës të mirëfilltë!..

Sepse e vërteta qëndron se këta lloj lëtyrash, sëbashku me admiruesit e tyre të ditëve të sotëshme, nuk janë të pakët në numër. Të parët sigurisht, nuk kanë të bëjnë fare me Lorencin e Arabisë, Bel Boidin, Nathan Halen, Xhon Andrenë, Zonjushën Doktor, Xhiakomo Kazanovën, Pesëshen e Kembrixhit, Mata Harin, Klaus Fuksin, Çiftin Rozenberg, Aldrih Ames, apo Rikard Sorgen. Nuk u hodhën nga sigurimi shqiptar për të kryer spiunazh industrial, as për të zbuluar sekretin e bombës atomike apo ndonjë lloj sekreti tjetër me karakter ushtarak. Detyra e tyre qe sa e ndyrë po aq edhe e thjeshtë. Të përgjonin bashkatdhetarët e tyre. SHQIPTARËT! Në mënyrë që çdo fjalë e thënë në mirëbesim e sinqeritet prej të arratisurve, të bëhej shkak ndëshkimi me zjarr e hekur ndaj farefisit të tyre në Shqipëri.

Gjë e bukur! Për nder! Aq e bukur sa s’ka ku të vejë më...

Nuk mund ta konceptoj se si ende vijojnë disa, edhe në ditët e sotëshme, të mbulojnë me aureola heronjsh ca lamashë pa fytyrë si ata që derdhën gjak të pastër shqiptari... Me sa duket admiruesit duhet të kenë qënë vetë spiunë, jo të jashtëm por të brendshëm, kuptohet, në zemër të një Shqipërie të vrarë, martirizuar e varfëruar deri në palcë. Kjo është arësyeja që e fillova këtë artikull me të verbërit e ndodhur në Perëndim. Që vijojnë të thonë se dikur kalonim mirë... Ngaqë e shikojnë jetën si diçka materjale dhe jo shpirtërore, ideale e morale, në radhë të parë! Nuk arrijnë të kuptojnë se gjithë populli shqiptar u poshtërua e u shkelmua pa mëshirë për gjysëm shekulli. E ca më shumë u degradua moralisht pikërisht, ajo pjesa që i shërbente sistemit. Ku, për të thënë të vërtetën, edhe ata, për hir të detyrave të poshtra që morën përsipër, me qindra herë ndien frikën në zemër nga tekat e pa parashikuara të një të çmenduri në Kulmin e Piramidës, që mund ti hidhte me kokë poshtë drejt e në humnerë... Qenë me të vërtetë aq të pandjeshëm nga ndjenjat njerëzore, saqë nuk arritën të kuptojnë asgjë?! Nuk ma merr mendja.

Para një viti shkrimtari Petraq Pali shkroi një libër për jetën e tim eti, Dino Martikos. Ku edhe këtij iu propozua nga Sigurimi i Shtetit në vitin 1947 për tu dërguar në Perëndim i ngarkuar me një mision agjenturor. Të cilin ai e refuzoi me kurajo, duke pranuar burrërisht edhe pasojat që nuk vonuan të mbrinin për të dhe gjithë familjen e tij. Dy burgje. Jo pak!... E më pas erdhi vdekja e tij në burg.

E megjithatë, nuk është kurrë vonë! Kush dëshiron të paktën tani, në këtë moshë të kaluar, ku fare pak kohë i ka mbetur për të jetuar, le t’ja kërkojë Petraq Palit këtë libër. Të kuptojë me të vërtetë se çdo të thotë patriotizëm i vërtetë, zemërmadh... Dhe jo bollshits! Te mësojë se çdo të thotë humanizëm i vërtetë njerëzor. Se çdo të thotë të duash shqiptarin. Të lexojë rreth heroizmit, ndershmërisë, sinqeritetit, bukurisë shpirtërore të ilustruar me dhjetra raste konkrete nga jeta e Dino Martikos. Të mësojë se çdo të thotë besë dhe besnikëri e vërtetë e një individi, i cili ishte gati të sakrifikonte edhe djalin e tij, për të mos spiunuar mikun, shokun apo të panjohurin!

E më në fund lexuesi, sipas piketimeve gjeniale të një filozofi të madh gjerman, Fredrih Niçes, të konkretizojë konceptin e MBINJERIUT, që i pathyer deri në vdekje, vlen shumë më tepër se sa një hero, i cili në mjaft raste nuk është veç një produkt i çastit. Siç tregoi vetë historia, shumë prej tyre, byroistë zyrtarë të lartë e gjeneralë me pupla, aq sa tundej vendi kur kalonin rrugës apo që sokëllinin, bërtisnin, kërcënonin e të përpinin me vështrimin e tyre të rëndë, në duart e Hetuesive e Sigurimit u kthyen në kokoshë të tredhur e pula të lagura...

Duke përfunduar këtë artikull do të doja të shtoja se të gjithë ata, që adhurojnë heronjtë e heshtur ose që vetë vehten e tyre e kalojnë sot në heshtje si spiunë të së djeshmes, fare bukur mund të admirojnë gjithashtu një individ të rrallë karakteri të moçëm shqiptar si Pjetër Meshkalla, i cili e provokoi vetë burgimin e tij të dytë, ngaqë i dërgoi një xhahili si Mehmet Shehut një letër tepër provokuese... Ndoshta, e bëri këtë veprim edhe në përputhje me thënien e një eruditi francez, i cili vë në dukje se në kohë poshtërimi të përgjithshëm, diktaturash, vendi më i përshtatshëm për një xhentëlmen të ndërgjegjes është BURGU.

Nuk mund të harroj gjithashtu një mik të tim eti edhe ai i pathyer në hetuesi si Dilaver Premti. Mbasi, nëse pranojmë se edhe në Shqipëri në kohën e poshtërimit të përgjithshëm, mbarëpopullor mbeti sado pak, diçka nga fara madhështore e parardhësve tanë, kjo u shfaq pikërisht në trajtën e këtyre lloj MBINJEREZVE të VERTETE dhe jo në trajtën e kapadainjve trukokoshë të dhekares e kodra pas bregut...

E shkruaj këtë artikull për të theksuar se tinzarëve që ende bëjnë fjalë për heronjë të heshtur (lexo: vllavrasës mjeranë), të kuptojnë në thellësi se nga u buron ligësia dhe ndërtimi i tyre negativ. Dhe pikërisht, nga hijet e paraardhësve! Ndryshimi i mentalitetit vjen gjithmonë prej atij individi mendjendritur që disponon një mëndje të hapur. I cili rrëmben një thikë për të vrarë babanë e tij, i cili e ka e mbyllur pa e kuptuar në Shpellën e mësipërme, në Zemër të Malit. Në mënyrë që të mos pësojnë të njëjtën gjë edhe pjellat e tij... Duke jetuar përjetësisht në terr!

Dhe natyrisht bëj fjalë për një vrasje jo të vërtetë. Por SIMBOLIKE! Ngaqë kjo pikërisht do të përbënte RILINDJEN E VERTETE TE KOMBIT...

 

ROBERT MARTIKO

Shkrimtar



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora