E marte, 19.03.2024, 10:33 AM (GMT)

Kulturë

Nehat Jahiu: Eh, sa e bukur është jeta në fshat

E diele, 25.03.2012, 04:55 PM


NEHAT JAHIU

 

EH, SA E BUKUR  ËSHTË JETA NË FSHAT...

 

Eh, sa e bukur dhe e dashur është jeta në fshat. Të paharruara janë ato mbrëmje para se të perëndonte dielli mbi ato bjeshkë të larta dhe të bukura të Karadakut të lashtë legjendar. E vashat dhe djemtë e fshatit ngjiteshin Guzgabrit plak. E sa të bukura ishin tufat e deleve aty tek lëndinat mbi vreshtat. Rreth e rrotull vraponin qengjat rreth tufës duke lodruar me atë zë të bukur e të ëmbël. E si mund ta harrojmë zërin e bukur të fyellit që aq bukur lozte bariu me te.

Jehonte kënga shpat më shpat. Eh sa bukur e ëmbël këndonin bilbilat në degë të ferrës. I këndonin vendlindjes deri natën vonë e s’ngopeshin dot me këngën e tyre të bukur.

Eh, sa e këndshme ishte gurgullima e zërit të ujit që rridhte si lot syri nëpër shkëmbinjtë e përroit. E si mund të harrohen këto bukuri që i ka natyra në fshat. E kush mund t’ia dhuroj këto bukuri. Askush, jo askush. Këto ia fali vetëm e dashura perëndi. O zot si mund të harrohet vjeshta e bukur dhe e dashur me arat e mbushura plot e përplot me bereqet. E fshatarët e mi dukeshin si bletët nëpër ara duke mbledhur bereqetin e tyre. Gëzoheshin dhe qeshnin si fëmijët me verën e bereqetshme, me verën e mbarë.

Të gëzuar ishin, sepse e kishin ujitur bereqetin e arës së tyre me djersën e ballit. Sa e ëmbël ishte jeta në fshat kur mbrëmjeve shkonim për të marrë shalqi. Mbusheshin arat me pleq, të rinj e të reja, fëmijë, kafshë, shpend e çfarë jo... Gumëzhinte fusha deri natën vonë.

 

Të paharruara mbeten ato kohëra që kurrë s’do të shlyhen nga zemra. Eh mëngjes, mëngjes i bukur në fshat. Kush mund ta harroj atë peizazh të bukur që ia falje fshatit tim Orizarës me tërë atë bukuri dhe erë të këndshme që syri dhe zemra s’të ngopej dot. Sa natyrë e bukur në fusha e male. Ti shikosh ato pyje dhe lëndina mbushur me bar e gjethe.

Kullosën e tufën e deleve duke kullotur, qentë rreth tufës, bariu me fyell në dorë, zëri i ëmbël i këmborëve. Ushtonte fusha e mali.

O sa bukur. O sa kënaqësi. Kur të shikoj vendlindja ime.

 

Më dukeshe e bukur, e stolisur si një nuse, ndër nuset më të bukura. Veshur me dimija e fustan të bardhë. Vendlindja ime e dashur më dukeshe se si ti nuk ka më të bukur, më dukeshe nuse, nuse me duvak të bardhë. Sa të dashur dhe punëtorë ishin bujqit e vendlind sime kur i shihje nëpër ara pjellore që kishte vendlindja ime. Të bukur dukeshin livadhet e jonxhet mbushur me lule.

 

E gjithë kjo e begaton fshatin tim, i jep një pamje dhe bukuri që rrallë mund ta shoh syri i njeriut. Një mrekulli e vërtetë. Sa të bukur janë lisat e Përzhalit që ishin rritur dhe ushqyer mu në këtë mal të vendlindjes sime të lashtë që moshën e kanë të moçme sa vet historia e popullit të lashte shqiptar dhe autokton të Orizares. Po, po rrënjët e këtyre lisave janë të thellë dhe të ngulitur thellë në këto male dhe në këtë dhe që e ruajtën trungun s’bashku me rrënjët edhe pse shumë herë u plagosën, u dogjën, por prapë mbetën gjallë dhe të paluhatshëm në tokën e trojeve të tyre stërgjyshore.

 

LISI

 

E prenë lisin në degë

trung e rrënjë mbet,

Rrënjët në tokë i shtrëngoi

thellë në dhe i lëshoi.

 

Sa herë gjaku pikoi mbi lis

u mbush trungu me degë e pip,

sa herë degën e shkurtuan

rrënjët trungut ia forcuan.

 

E prenë lisin e na e shpuan

po për tokë s’mund e shtruan

u mbush lisi plot me degë

trupin lart e lëshoi përpjetë.

 

Edhe Përroi i Madh që e ndan fshatin përgjysmë, ka historinë e vet që e mbajti mbi supet e tij me shumë rrebeshe dhe në kohë të ndryshme. Për Orizaren dhe orizarasit shirat dhe breshrat e bënë që ky përrua të rebelohej shumëherë. Gjatë stinës së verës shpeshherë doli nga shtrati i tij dhe i vërshoi arat e fshatarëve që edhe këto i ndan ne dy pjesë. Ashtu siç e ndanë edhe vet fshatin.  Fshatarët për ti mbrojtur arat nga vërshimi i përroit i kanë zënë me dhe, gardhe etj.

Përroi i Madh nuk ka ndonjë burim diku në male. Ai vjen vetëm kur ka të reshura. Shtrati i tij shtrihet që nga mali e deri në takimin e tij me lumin e Likovës.

Përroi në të dy anët është mbjellur me pemë që zbukurojnë shumë pamjen e fshatit dhe arat e tij. Është një bukuri që të kënaq syrin kur ta shikosh. Eh “Përroi i madh”, “Përroi i madh” do të mbetesh i paharruar dhe në kujtesë të vitit 2001, kur në gjirin tënd i përqafove trimat më të mirë të lirisë që e mbronin vendlindjen tënde Orizarën. Tek ti ata kishin istikamin, tek ti ishte “Pika e vdekjes”. Aty tek ti derdhën djersën dhe gjakun e tyre të njomë bijtë më të dashur të kombit për të mos lënë e këmbën e huaj për ta shkelur vendlindjen tënde Orizarën e lirisë. E aty të rriten pa i këputur dora e huaj…

Ata donin që Orizaren ta shihnin me kokën lartë, sepse ajo nuk është jetime, por ka djemtë e saj që kurrë s’do ta lënë ta ulë kokën dhe të mposhtet para këmbës së huaj.

Frymëzimi dhe dashuria për ti kapur armët, për të luftuar dhe për ti mbrojtur tokat e tyre të lashta gjakoi në zemrat e tyre të njoma që ta shohin Orizaren të lirë dhe të pashkelur nga çizmja e huaj. Ata për vendlindjen e tyre ishin futur në front të luftës ku kishte erë baroti dhe erë lirie. Ata ishin ballë për ballë me vdekjen, për Orizaren dhe për popullin e saj shumë të përvuajtur.

Dashuria e tyre ishte që të vdisnin për te dhe për lirinë e saj. Dashuria dhe ideali i luftëtarëve të lirisë ishte që gjakun dhe eshtrat e tyre të falen vetëm për te, për atdhe, vendlindje, liri, barazi...

Ata orizaras dhe të të gjitha vendeve tjera të banuara me shqiptarë u dolën zot dhe sakrifikuan jetën e tyre, u lanë amanet nënave të tyre që së paku një pikë loti të mos ta derdhnin për ta, po nëse do të pikojë ndonjë lot, por le të jetë loti i krenarisë për Orizaren dhe gjeneratat që do të vijnë pas tyre.

E nesërmja e saj si dëshmi do të jetë djersa, sakrifica, gjaku dhe eshtrat e bijve dhe bijave që ti futin themelet e vendlindjes thellë e më thellë në tokën e saj të lashtë, në tokën e saj arbërore, në tokën e të parëve të saj ilire. Pra, edhe Orizarja shekuj me radhë nxori patriot të mëdhenj të penës dhe të pushkës që kurrë nuk u pajtuan me padrejtësitë që iu bënë Orizares dhe popullit të vet që iu bënë nga pushtues të ndryshëm dhe në kohëra te ndryshme shekuj me radhë. E gjithë kjo la dëshminë e vet historike që shumë patriotë, atdhetarë të idealit kombëtar nuk u pajtuan që të jenë nën thundrën e të huajve në tokën e tyre.

Shumë prej tyre përjetuan arrestime, burgosje, rrahje, dëbime, plagosje, vrasje, likuidime e çfarë jo... Të gjithë këta banorë të Orizares që përjetuan këto golgota i bërën në shërbim të vendlindjes dhe atdheut të tyre.

Edhe lufta e vitit 2001 përveç shkatërrimeve të mëdha që i solli edhe Orizares si edhe shumë vendeve tjera të banuara me shqiptarë edhe gjatë kësaj lufte pati maltretime, arrestime, burgosje, plagosje, vrasje...E tërë kjo, ishte një sakrificë për të mbrojtur pragun, nderin...

 

Veshur fusha e male me gjelbërim. E ti vendlindja ime ma ngritje zemrën peshë.

 

Degët mund të prehen, por rrënjët futen edhe më thellë në tokë.

 

Një pamje nga lufta  gjatë vitit 2001, Ushtria Çlirimtare Kombëtare

 

Një pamje nga një shtëpi e granatuar gjatë vitit 2001

 



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora