E marte, 19.03.2024, 11:11 AM (GMT)

Kulturë » Kozeta

Keze Kozeta Zylo: Festa e 7 Marsit dhe 80 vjetori i ditëlindjes së shkrimtarit të shquar z. Naum Priftit

E shtune, 24.03.2012, 05:02 PM


Festa e 7 Marsit dhe 80 vjetori i ditëlindjes së shkrimtarit të shquar z. Naum Priftit

 

Nga Keze Kozeta Zylo

 

Festa tradicionale e 7 Marsit, Dita e shenjtë e Mesuesit u prit me dashuri nga mësuesit, nxënësit dhe prindërit e shkollave shqipe në Staten Island dhe Brooklyn, në dy prej lagjeve të bukura të New Yorkut.  Të festosh Diten e 7 Marsit jashtë Atdheut dhe ahengjeve në nje shkollë publike amerikane të programuar në orë të zakonshme mësimore, ku nxënësit recitojnë, flasin dhe këndojnë vetëm shqip është një ndër detyrat që i ke përmbushur Atdheut tënd, Atdheut ku kemi rrënjët tona të përjetshme.

Ndonëse mësuesëve veterane që kanë dhënë mësim në Shqipëri iu mungonin lulet gjithë aromë të mimozave ,atyre iu mbushën duart me lule të freskëta të dhuruara nga nxënësit, lule që ishin rritur në tokën e Amerikës, vendi që i priti me dashuri dhe mirësi të veçantë.  Pasi prezantuesja e programit znj. Suada Hasa ka ftuar pjesëmarrësit të këndojnë dy himnet atë amerikan dhe shqiptar ka ftuar z.Qemal Zylo themeluesin e shkollave shqipe dhe të TV Alba Life për të përshëndetur pjesëmarrësit.

Z.Zylo pasi iu ka uruar gjithe mësueseve si Bejlerit, Miskut, Bollatit, Racanellit, Melos, Kajushit etj,… festën e tyre dhe i ka falënderuar përzemërsisht për punën e tyre të pakursyer ka thënë se dita e sivjetshme e 7 Marsit për nxënësit dhe mësuesit e shkollës sonë ka surprizën e këndshme, sepse do të festojmë së bashku 80 vjetorin e ditëlindjes së shkrimtarit të shquar z.Naum Prifti.  Z.Naum Prifti ka 60 vjet që shkruan dhe boton libra, ku një kontribut të veçantë ka dhe për ju të dashur fëmijë dhe që ju jeni njohur herë pas here me tregimet dhe përrallat e tij aq të dashura.

Shkolla Shqipe është krenare që sot në këtë ditë të shenjtë feston ditëlindjen e tij dhe i uron jetë të gjatë dhe krijimtari të pashterrshme.  Fjala e tij u ndërpre nga duartrokitjet dhe ndërkohë iu dhurua nga një buqetë me lule të freskëta z.Naum dhe bashkëshortes së tij fisnike znj.Rina.  Ndërkohë në ekran ishte shfaqur portreti i shkrimtarit dhe fragmente të ndryshme nga krijimtaria e tij.

Programin e ka hapur nxënësja e talentuar plot jetë Dea Bejleri e cila dhe pse e vogël është një përkushtuese e denjë e aktiviteteve, ajo ndër të tjera tha: Këtë 7 Mars sivjet e kemi shumë të veçantë, nga se midis nesh kemi shkrimtarin e shquar ZOTIN NAUM PRIFTI ndaj nga zemrat tona të vogla edhe pse larg Atdheut i urojmë në gjuhën shqipe, që ai aq ëmbëlsisht shkruajti tërë jetën: “Gëzuar ditëlindjen e 80-të dhe të rroni sa malet”!

Programi ishte i mbushur me vjershëza të bukura shqipe dhe këngë të ëmbla për mësuesit, prindërit dhe Shqipërinë.

Me shumë krenari dhe gjithë seriozitet nxënësi i dashur Samedi recitoi këto vargje: “Ju jeni shqiponja/ edhe ne shqiponja/ mijëra vjet tok rrojmë/ nëpër trojet tona.

Ndërsa Elsaida recitoi ëmbëlsisht për mësueset: “Mbushet klasa shpejt/ lule plot aromë/ Këndojmë të gezuar/ për mesuesen tonë.

Nxënësja inteligjente Adea Balidemaj që vjen së bashku me motrën dhe vëllezërit e saj nga New Jersey përshëndeti të pranishmit me këto vargje: “Jam ulur në tavolinë/  Rri dhe mendoj/ Një vjershë të bukur/ për ty po krijoj”.  Të katër fëmijët kishin përgatitur një album rreth Shqipërisë me Flamurin kuq e zi ku përshëndesnin nga shkollat shqipe gjithë mësuesit në Mëmëdhe dhe në të gjitha trojet ku japin mësimin e abetares.

Midis prorgramit u shfaq dhe dokumentari i përgatitur nga producenti i TV Alba Life z.Zylo rreth historikut të shkollës Shqipe në Korçcë.

Kurse pianistja dhe këngëtarja Kristina Melo e cila interpretoi poezinë “Edhe unë si Marigoja” në një aktivitet madhështor kulturor në Manhattan, i uroi z.Naum Prifti 80 vjetorin me këto vargje: “Gëzuar ditëlindjen xhaxhi shkrimtari/ Të urojnë nxënësit e shkollës shqipe/ Nga librat e tua ne mësojmë/ Që kurrë Shqipërinë mos ta harrojmë/!  Ditëlindjen bashkë e festojmë/ Se pena juaj shkruajti një jetë/ E gjithë një zëri ju urojmë/ Gëzuar, Gëzuar 80 vjet”!

Shumë emocionuese ishte kur nxënësit u bashkuan të gjithë si në korr ne vargun e fundit: “Gëzuar, Gëzuar 80 vjet”!

Edhe nxënësit simpatikë Lis dhe Dea Zeneli me një shqipe të kulluar interpretuan me hijeshi dhe komentuan me fjalë të thjeshta përrallën nga Naum Prifti që ata kishin lexuar.

Edon Greva interpretoi me dashuri për natyrën e bukur si: “Lulet kanë çelur/ ngjyra-ngjyra plot/ sa është zbukuruar/ gjithë natyra sot”!

Sibora Boba një nxënëse që premton shumë lexoi me kujdes për ditën e parë të shkollës shqipe, punën e madhe të Rilindasve tanë që arritën deri në atë ditë dhe njëkohësisht mosasimilimin tonë.

Në fund klasa ushtoi nga himni i Gjuhës Shqipe që ka dhe këto vargje:  “Është gjuhë e Ilirisë/ që në lindje të njerëzimit/ do t’i këndojmë Shqipërisë/ Kryezonjës së Naimit/. Pastaj atmosfera e gëzuar u mbush me këngën si: “Me abetaren, ABC-n mësojmë, të mësuar nga nxënësit e mësuese Kajushit.

Në këtë program kishte ardhur për të përshëndetur dhe flautistja e talentuar zonjusha Makbela Adamovi, një talente e re që premton shumë, e cila debutoi mjeshtërisht në koncertin e muzikës klasike në Manhattan të organizuar nga TV Alba Life dhe një grup artistësh, koncert që siç u shpreh konsulli Mishto shpalli vitin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Pas gjithë kësaj feste kaq të këndshme dhe patriotike fjalën e ka marrë shkrimtari i shquar z.Naum Prifti i cili ka falënderuar themeluesit e shkollës dhe gjithë mësuesit për këtë punë të shkëlqyer dhe njëkohësisht foli dhe për krijimin e shkollës së parë shqipe në Korçe për të cilën Kombi ynë përulet me respektin më të madh në çdo 7 Mars.

Ai tha se martirët e gjuhës shqipe luftuan deri në pikën e fundit të gjakut ë tyre për të mbajtur gjallë atë.

Ndonëse ka pretendime që shkollat shqipe rezultojnë më herët, por me dekret dhe të dokumentuar është vetëm shkolla shqipe e themeleuar në Korçë në vitin 1887.

Fjala e tij frymëzoi gjithë nxënësit dhe mësuesit që ta vazhdojnë këtë punë të bukur, pasi vetëm kështu ruhen dhe mbahen në zemër traditat e shkëlqyera të popullit tonë të lashtë.

Me emocion u mirëprit dhe falënderimi i zonjës Rina, bashkëshortetes fisnike të shkrimtarit e cila foli me dashuri nëne për nxënësit, mësuesit si dhe me po aq delikatesë foli fjalë zemre për z.Naum.  Dashuria e tyre e pastër ka filluar qysh në bangot e shkollës dhe qëndroi e pastër si ujët e bjeshkëve.  Ajo foli me krenari që në krah të saj kishte një bashkëshort shembullor si dhe një shkrimtar shumë të dashur për femijë dhe të rritur.

Pas fjalës së tyre nxënësit mundoheshin kush e kush të merrte fotografi me shkrimtarin Prifti dhe të kishin një kujtim të bukur me të.  Z.Prifti ishte i shoqeruar nga bashkeshortja dhe vajza e tij simpatike Ela.

Festa e sivjetshme e 7 Marsit do të mbahet gjatë në kujtesën e nxënësve ngase ata me krenari dhe dashuri festuan së bashku ditëlindjen e 80 të shkrimtarit të shquar Naum Prifti, të cilit i uruan nga zemrat e tyre të vogla: “Jetë të gjatë”!

 

Mars, 2012

Brooklyn, New York



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora