Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Beqë Lokaj: Jeta

| E premte, 23.03.2012, 08:29 PM |


Beqë Lokaj

 

JETA

 

Jetova, por jetë s´bëra. Jetën time nuk ia dëshiroj askujt. Ndoshta brezat e ardhshëm, që vijnë tani e tutje, do ta kenë më mirë. Pashë vëtem terr e mosgjë. Thonë se njeriu lind për të përjetuar një jetë normale, por nëse nuk e bën jetën si duhet, atëherë asaj nuk i thuhet jetë. Pse? Sepse jetë bëjnë edhe qenjtë, por asaj i thonë jetë qenjsh, apo jetë qençe. Edhe ajo qenka jetë - jetë e pa jetë. Shkrepje rrufeje, e asgjë tjetër përveç se një krisme të krisur. Ka mendimtarë që thonë se jetën duhet pranuar ashtu siç vjen, qoftë e bardhë me të mira, qoftë e zezë më të zeza. Për dikend jeta qenka e vrazhdë, me shumë padrejtësi, me shumë vuajtje, me shumë paqartësi e me shumë zhgënjime.

Ka që thonë: “Të meditosh pozitivish, natyrisht se eshtë më mirë se të mendosh negativisht, mëgjithate, edhe më mirë është të mendosh e të jeshë realist”. Për mendimin tim, pasuria, respektivisht begatia më e madhe për njeriun, është logjika e sinqertë, e shëndoshë dhe fisnike, e cila krijon energji pozitive, jo vetëm për vetvete, por edhe për të tjerët, për rrethin ku jeton e vepron. Nuk paska gjë më të vështirë në ketë botë të ndodhive, se të lindesh e të rritesh në robëri, pa e parë madje asnjë ditë të bardhë e të mbarë. Unë, por edhe të tjerët, shpesh jemi konfrontuar, jemi ndeshur me thëniet e të moshuarve, se “Pa atdhe s´ka fe”. E njëjta gjë duhet të vlejë edhe për fjalë tjera të urta. E them pa fije dyshimi, se pa atdhe jeta nuk paska fije vlere.

Ata që sot e kanë humbur mendjen pas pasurisë, nuk mund të shkojnë larg, sepse një ditë zjarri i apokalisës mund t’ua përbijë krejt pasurinë, dhe mo dhashtë zoti, madje edhe mendjen, sepse ata nuk i besojnë as njeriut dhe as zotit. Ata njerëz që nuk i vejnë në rradhë të parë interesat e atdheut, por interesat vetjake e të pasurisë, e paskan dënuar vetveten, por jo vetëm vetveten, por edhe pasardhësit e vet, duke i detyruar që të jenë të robëruar, të poshtëruar, të shtypur, të burgosur, të masakruar e përdhunuar. Nuk kisha dëshiruar më shumë në ketë botë, se sa ta shoh një ndryshim, sado i vogël qoftë, edhe keto pakë ditë që më kanë mbetur, ta shoh një ditë të bardhë.

Kohëve të fundit, tani veçsa ka filluar, dhe unë po e ndjej për ditë e më shumë, se ora biologjike me tik-takët e sajë, po m’i vjedh gati pa u hetuar, çdo ditë, çdo orë e çdo çast, një nga një. As unë, por askush tjetër, nuk ka mundur e as që mundet t’i dalë para fatit e t’i thotë: ”O zot! A po më thua pse më ke dërguar në ketë botë të çudirave? Mos vallë vetëm sa për t’i larë mëkatet e për ta zbukuruar vdekjen?

Po, po u deshka që njeriu të mësohet, e t’u bëjë ballë, si të mirave, poashtu edhe zhgënjimeve, mossuksesit, dhembjeve e trishtimeve. Natyrisht që të ”mendosh pozitvisht” ngjall kureshtjen, që jetën ta akceptosh ashtu si vjen, deshe apo s´deshe. Tjetër s´di që të them, e përjetova ketë jetë pa jetë. Por dua ta them edhe një gjë: frikësohem se ky dimër sivjet do të jetë shumë i ashpër, do të ngrijnë shumë zemra të pafajshme. E sa për vete, unë s’e kam fare gajle atë punë, pasi nuk e kam ndër mend armikun me e pritë këmbëkryq. Malush Gjini nuk dorëzohet dhe lidhet i gjallë. Lidhja, me pak gajret më dërgoi te varret. As varri s´më pranoi. U desh të kthehem prap e të vdes si duhet, një ditë me gajret. Më mirë i vdekur e me gajret, se sa kufomë e gjallë e pa hyrë në dhe.

Kësaj here, në atë kohën tonë, më ka ra të dëgjoj nga të moshuarit, se filani ishte burrë i fortë. Kjo thënje s´ka të bëjë fare me fuqi fizike, por burrë i fortë eshtë ai që e mban fjalën, nuk flet mbarë e prapsht sipas interesit vetjak, ka sjellje fisnike, nuk ipet e nuk lakmon djersën e huaj, i përmbahet rregullave të qytetarisë, pa u luhatur në çdo rrethanë, sidomos në ketë kohë që jemi duke e përjetuar. Ata njerëz që jetën e tyre e kanë shfrytëzuar duke patur respekt për të tjerët, dashuri, bëmirësi, miqësi, ata kanë arritur më se largu. Për mua ka qenë me rëndësi t’i shiqoj njerëzit si jetojnë e si vepronjnë, e jo ç´thonë zhurmaxhinjtë, të dalë gjë nga mosgjëja.

Nëse don që ta arrish një dëshirë, duhet të bësh përpjekje që atë deshirë ta arrish më të mira, e jo duke i bërë keq dikujt. Njërëzit që nisen për të bërë një të keqe, pa dyshim se do të ishte në interes të keqëbërësit e të dëmtuarit, të ndalet pak e t’ia vejë gishtin kokës, e t’i analizojnë se ç´dobi ke ti nga ajo e keqe, ç´dhembje do t’i shkaktosh dikujt, sa e rëndë do të jetë ajo dhembje, si do të ndihesh t’i gjatë jetës tënde, duke e bartur dhembjen e të keqen që ia ke shkaktuar dikujt, në krah e në qafë, si një hajmali.

Më në fund, duhet ta kesh para sysh edhe një gjë, se e keqja kthehet me të këqija dhe e mira më të mira. Edhe një gjë kam mundur ta vlerësoj, sa ma ka lejuar mendja ime, sidomos gjatë kësaj kohe të krisur të kthesave të mëdha historike, se dikush atdhetarizmin e paska të lindur me traditë, e dikush po e përqafoka sa për sy e faqe, po ata që nuk e kanë të lindur me traditë, nuk mund ta mbajnë. Posa ta nuhasin karrigen e pasurinë, atdhetarizmin e hedhin pas shpine, habiten dhe kthehen prap aty ku kanë qenë, në zero.

Aq më keq kur ideali njërëzor nuk definohet te aspirata e kombit, por për interesat e lojërat e tyre fitimprurëse. Dallaverexhinjtë, dogmatizmin e ngatërrojnë me atdhetarizëm. Pastaj, konsideroj se tinanët e tiranija kanë jetë të shkurtër. Dimri sado i ashpër që të jetë, e din se pas dimrit vjen pranvera, shkrihet akulli e bora, rriten ujërat e lumenjtë, e pastrojnë dheun nga mbeturinat e plehurinat, i rrokin përpara dhe i hedhin në fund të pusit. Aty mbyllen në guacën e turpit, njëherë e përgjithmonë.

 

(Prolog i romanit Gjyshi im)