Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nehat Jahiu: Gjuha e bukur amtare shqipe

| E enjte, 22.03.2012, 08:38 PM |


GJUHA E BUKUR AMTARE SHQIPE

 

NGA NEHAT JAHIU

 

Edhe gjuha shqipe që ne orizarasit e kemi gjuhë amtare, gjuhë të të parëve tanë, është një gjuhë e lashtë, autoktone dhe me rrënjë të thella. Edhe pse gjuha jonë ishte, ka qenë dhe është autoktone, ajo në shumë raste dhe në shumë kohëra u përbuz dhe u nënçmua në tejmasë duke u injoruar shekuj me radhë nga të gjithë pushtuesit që pushtuan këtë vend duke u munduar me metoda të llojllojshme që ta zhdukin, por kjo gjuhë e lashtë, e bukur dhe shumë e ëmbël asnjëherë nuk u zhduk edhe në Orizare, sepse banorët e Orizares ishin shqiptarë dhe thellësisht e ruajtën në zemrat e tyre dhe e përcollën gjeneratë pas gjenerate. Orizarasit gjuhën e tyre e ruajtën në toponomastikë, në epikë, në legjenda, rite, mite, etnologji, numizmatikë, me varre e adete varrimi, me gjenealogji, me histori, me hartografi etj. Po kush dha kontribut më të madh për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe tek populli shqiptar në tërësi, po edhe në Orizare. Merita më e veçantë për ruajtjen e gjuhës do ti takoj nënës shqiptare orizarase edhe pse jeta e saj ishte me shumë mundime e sakrifica. Ajo ishte shkollë, abetare, mësues e mësuese, pedagoge që ua mësoi gjuhën amtare fëmijëve në djep. Ajo ishte një mësuese, një pedagoge, një poeteshë, një këngëtare e pashkolluar e analfabete, por me zell, dashuri krijoi vargje, këngë, këshilla e tjera për t’ua dhuruar fëmijëve në djep. Kjo pra ishte nëna shqiptare orizarase që e ruajti me një xhelozi të madhe gjuhën shqipe, gjuhën tonë amtare që sot e flasim ne orizarasit.

 

Disa karakteristika të së folmes së Orizares

 

Pushtuesit e ndryshëm që pushtuan këto troje shekuj me radhë ndikuan që në gjuhën shqipe të futen shumë fjalë të huaja edhe pse banorët e fshatit Orizare me një xhelozi të madhe ruajtën gjuhën e tyre amtare shqipe. Orizarasit huazuan shumë fjalë në të folmen e tyre edhe një numër jo edhe të vogël barbarizmash. Këto barbarizma të panevojshme patën një ndikim sidomos në theksin e fjalëve, në sintaksën e fjalive, në leksik dhe në toponimi. Njëherit s’duhet harruar edhe atë se nga ana e pushtetit u përdorën forma të ndryshme përmes mjeteve administrative, represive (të dhunshme) që toponimet në vendet e banuara me shqiptarë të përdoren në gjuhën sllave. E folmja e Orizares sot ruan autoktoninë e saj natyrore dhe bënë pjesë në zonën dialektore të gegërishtes. Edhe e folmja e gegërishtes që e flasin orizarasit ka veçoritë e saja dalluese sikurse edhe të gjitha të folmet e gjuhës shqipe, pra ka veçoritë e saja dalluese edhe nga të folmet e tjera. Të gjitha këto ndryshime të folmes së orizarasve krahasuar me gjuhën letrare dhe me disa të folme të tjera të gegërishtes do të vërehen në lëmin e fonetikës e të leksikut të saj. Kjo sidomos vërehet ku përshkruhen veç e veç zanoret, togjet e zanoreve, bashkëtingëlloret, togjet e bashkëtingëlloreve, por ka edhe karakteristika morfologjike, sintaksore dhe leksikore. Është karakteristike në të folmen popullore të Orizares që dallohen nga shumë fshatra të komunës së Likovës dhe Kumanovës ku është dominant përdorimi i zanores “ë” e që në kohën e fundit ka filluar edhe kjo të humbas. Për shembull: shtëpi- shpëj, xhami-xhamëj, mulli-mullëj, qershi-qërshëj, mirë-mëjr, pi-pëj, prita-prëjta, shëtita-shëtëjta, fshi-fshëj, rrotull-rrotëll, hekur-hekër, vetull-vetëll, ylli-illi, dy-di, dylli-dilli, diell-dill, pi-pëj, qeni-çeni, qepa-kepa, ujku-uki, qerrja-kerri, qafa-çafa, qethje-çethje, qull-çull, iriq-iriç, qengj-kinxh, gjeta-xheta, gjashtë-xhashtë, gjyshe-xhishe, gjak-xhak, këmba-kama, pëllëmba-pëllama, dhëmbi-dhami, pjeshka-peshka, pluhur-pluhën, pjergull-pregëll, tjetër-qetër, atje-agje, djali-gjali, djepi-gjepi, djathi-gjathi, gjiza-xhiza, djeg-gjeg, shoku-shoçi, krahu-krahi, kryja-krëjët, shi-shëj, ka-kavi, thika-thëjka etj.

 

Marrë nga monografia “ Orizarja ndër shekuj”, 2010