Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Ardian Ramadani: Frankofonia, term ky pa të cilën nuk do të kishte kuptim frëngjishtja

| E enjte, 22.03.2012, 07:59 PM |


Frankofonia, term ky pa të cilën nuk do të kishte kuptim frëngjishtja

 

Nga Ardian Ramadani

 

Çelësi i suksesit të një kombi është konvertimi i gjuhës kombëtare në gjuhë ndërkombëtare. Pse? Sepse atëherë kur arrihet kjo, një komb i tillë ka arritur të përçojë vlera, të jetë i vijueshëm dhe të reflektojë në botën multilaterale dhe në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kombin francez dhe gjuhën frënge. Ky komb i madh, me ideale të pavdekshme demokratike, revolucionare, arriti që të konvertojë përmes udhëheqësve të mëdhenj gjuhën kombëtare në gjuhë ndërkombëtare. Pikërisht kjo gjë u arrit më Paqen e Ëesfalisë së vitit 1648, atëherë kur gjuha frënge u bë gjuhë e diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe kulmoi me Frankofoninë. Po shtrohet pyetje se ç`është Frankofonia?  Për të deshifruar këtë term, nisemi nga shkoqitja e termit frankofon. Frankofon quhet një person i cili flet frëngjisht. Kjo vjen nga frëngjishtja, franco-français, phonie-entendre/ecouter. Pra, të kuptosh frëngjisht, të dëgjosh, si dhe njëkohësisht të flasësh frëngjisht. Ndërsa frankofonia si term më i gjerë përfshin të gjithë frëngjishtfolësit, të cilët nuk e kanë gjuhë amtare gjuhën frënge ose nuk janë francez nativ, por që flasin gjuhën frënge dhe ndajnë vlerat e kulturës franceze. Termi Frankofoni për së pari herë haset më 1880, edhe atë për të përshkruar hapësirën gjeografike ku flitej kjo gjuhë. Është përdorur për së pari herë nga gjeografi i famshëm francez Onezim Rekly (Onesime Reclus). Ndërsa sot termi frankofoni simbolizon dhe inkarnon popujt ose grupet e folësve të cilët përdorin pjesërisht ose krejtësisht gjuhën frënge në jetën e tyre të përditshme ose në komunikim. Frankofonia përfaqëson njashtu edhe qeveritë, vendet ose instancat zyrtare të cilët përdorin gjuhën frënge. Pra, flitet për dy realitete, sipas asaj që ne shkruajmë frankofoni (popujt ose folësit) dhe Frankofoni (qeveritë dhe shtetet). Këtij realiteti do ti ndihmonte më tutje edhe thënia e famshme e Rivarolit mbi universalitetin e gjuhës frënge të vitit 1884, sipas të cilit “Ajo që nuk ishte e qartë, me siguri nuk mund të ishte franceze. Me këtë Rivarol poashtu tentoi që të përshkruaj gjuhën frënge si gjuhë sublime ndërkombëtare me peshë jashtëzakonisht të madhe, dhe lëshoi një mesazh të fortë i cili lexohet përmes rreshtave për një disperzim sa më të madh të gjuhës frënge në nivel ndërkombëtar.  Pas një pushimi të gjatë, termi Frankofoni do të kthehej përsëri për të mos vdekur kurrë më vitin 1962. Kësaj i paraprinë, një sërë aktivitetesh gjithëpërfshirëse për të sensibilizuar dhe mobilizuar institucionet e ndryshme, dhe shtetet e ndryshme për nevojën e formimit të një Organizate e cila do të rigruponte shtetet dhe popujt frëngjishtfolëse. Kësisoj duke u bazuar në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, të vitit 1948, Deklaratë kjo e cila e ka bazamentin në Deklaratën për të Drejtat e Njeriut dhe Qytetarët e vitit 1789, si dhe buron nga Revolucioni i famshëm Borgjez Francez, u formua një Asociacion Ndërkombëtar i Gazetarëve Francez më 1952. Ky asociacion ishte si uverturë e asaj qe më vonë do të institucionalizohej në Organizatë Ndërkombëtare të Frankofonisë. Kësaj të fundit i parapriu poashtu, edhe krijimi i unionit francez më 1946, me ç’rast vendet që ishin koloni franceze fituan autonomi. Nismat nuk u ndalën me kaq. Më 1954 krijohet Unioni Kulturor Francez i krijuar nga ana e kanadezëve frankofon. Pra, përmasat e gjuhës frënge ishin tejkontinentale. Më 1958 kemi dy ngjarje të rëndësishme, krijimin e Komunitetit Francez, si dhe krijimin e Asociacionit të sociologëve francez, poashtu në Kanada. Ky sensibilizim nga ana e kanadezëve frëngjishtfolës, i krijoi hapësirë Parisit që të angazhohet për krijimin e Asociacionit Ndërkombëtar për Kulturë Franceze për shtetet e jashtme, gjë e cila u bë realitet më 1960. Më 1961, nga ana e kanadezëve krijohet Asociacioni i Universiteteve Frëngjishtfolëse (AUPELF), e cila shërbeu si një revindikacion për vazhdimin e mëtutjeshëm të institucionalizimit të gjuhës frënge. Njëkohësisht në këtë kohë me insistim të Parisit zyrtar krijohet edhe Ministria e Kooperimit, e cila do të angazhohej për një bashkëpunim me shtetet që do të ndanin vlerat e gjuhës frënge gjetiu. Në këtë vit në kontinentin afrikan, poashtu kemi aktivitete të ndryshme, siç mund të përmendet këtu krijimi i Unionit afrikan dhe Malgash, i cili më 1966 do të transformohej në Organizatën e përbashkët Afrikane dhe Malgashe. Ndërsa më 1970 krijohet Agjencia e Kooperimit Kulturor dhe Teknik, krijohet  TV5 Evropa, më vonë TV5 Monde (Bota), e deri më 1997 me ç’rast zgjidhet për së pari herë Sekretari gjeneral i kësaj Organizate, z. Butros Butros Gali. Ky ishte pra, si hap i fundit i sensibilizimit dhe krijimi të asaj që quhet sot Organizatë Ndërkombëtare Frankofone, e cila përbëhet nga 53 shtete frëngjishtfolëse, nga 3 anëtarë të asocuar dhe katër anëtarë vëzhgues, si dhe me një numër gjigant prej 200 milionë frëngjishtfolësve. Më 1998 Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara i jep të drejtën apo statusin e vëzhguesit OIF(Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë). Kjo Organizatë me një buxhet vjetor prej 180 milion eurosh, me një organigramë tejet të konsoliduar, ka 600 persona që punojnë për të. Kjo Organizatë ka poashtu katër përfaqësues permanent të OKB në Gjenevë, ka përfaqësues në Unionin Evropian në Bruksel, dhe në disa sërë Organizatash tjera Rajonale. Shtetet frankofone në përgjithësi kanë një të kaluar të përbashkët me Francën, por ata gjithashtu kanë edhe objektiva të përbashkëta për të ardhmen siç janë: zhvillimi i demokracisë, përkrahja e të drejtave të njeriut, dialogimi mes kulturave dhe civilizimeve, zhvillimi ekonomik. Këto shtete kanë lidhje të veçanta me Francën përmes Organizmave zyrtar siç janë Agjencia Ndërqeveritare e Frankofonisë, përmes manifestimeve të ndryshme siç janë Samitet e Frankofonisë, Dita ndërkombëtare e Frankofonisë, si dhe shumë iniciativa tjera në nivel lokal. Sot termi “frankofoni” ka shumë kuptime, por mbi të gjitha ka kuptimin linguistik (ai që flet frëngjisht), kuptimin gjeografik (shtete apo popujt që flasin gjuhën frënge si gjuhë zyrtare, amtare, përditshmërisë, administrative), kuptimin spiritual (ndjenja për të qenë me një komunitet dhe një solidaritet për të ndarë vlera të përbashkëta), si dhe kuptimi institucional (një komunitet i organizuar institucionalisht me një bashkëpunim të madh). Kooperimi i këtillë i mundësoi gjuhës frënge që të flitet në pesë kontinente, si dhe të ketë statusin e gjuhës amtare (Francë, Belgjikë, Zvicër, Luksemburg, Monako, Andorrë dhe Kebek), gjuhë zyrtare (Benin, Burkina Faso, Kongo, Bregu i Fildishtë, Gabon, Guine, Mali, Nigeri, Senegal, Togo, Kanada, Burundi, Kamerun, ishujt Komore, Xhibuti, Madagaskar, Marok, Mauritani, Ruandë, Seshel, Tunis, Republika Demokratike e Kongos), gjuhë e mësimdhënies dhe sistemit edukativ (Algjeri, gadishullin e Indokinës, Amerikën e Jugut). Statusi i gjuhës frënge është i kënaqshëm edhe në Maqedoni, ku kjo gjuhë mësohet në mësimdhënie, shkolla fillore, të mesme, universitete dhe kjo është mjaft mirë. Andaj për në fund, pikërisht, për shkak se muaji mars është muaji i Frankofonisë, muaj ku nuk mungojnë aktivitetet dhe angazhimet e ndryshme, shfrytëzoj rastin t`i uroj të gjithë idolatruesve, frëngjishtfolësve, dashamirëve të gjuhës frënge si dhe përfaqësuesve të shtetit francez dhe korit diplomatik në Maqedoni, festën e Frankofonisë, festë kjo e solidaritetit, altruizmit dhe e respektit të ndërsjellë.

 

(Autori është profesor i gjuhës dhe letërsisë frënge, magjistër i diplomacisë dhe shkencave politike, si dhe opinionist dhe kolumnist i rregullt)