E marte, 23.04.2024, 12:50 PM (GMT+1)

Kulturë

Skënder Zogaj: Ku të shkojmë e nga të shkojmë

E enjte, 22.03.2012, 08:50 PM


Recension letrar – Ku të shkojmë e nga të shkojmë

 

Rexhep Shahu: “Lis i vetëm në fushë” – poezi, botoi SHB “Albdesing”, Tiranë 2011

 

Nga Skënder Zogaj

Vëllimet poetike u ngjajnë nuseve të motit që vijnë mbuluar me duvakun e bukur, por bukuria e vërtetë e tyre shijohet pasi tu hiqet duvaku. Vëllimi poetik i Rexhep Shahut, “Lis vetëm në fushë”, sipas duvakut (kopertinës) në shikimin e parë nuk të krijon ndonjë përshtypje bukurie, për më tepër le shumë për t’u dëshiruar, me titullin arkaik përfundi një ilustrimi të beftë që i ngjitet ballinës së librit si një etiketë.

Mirëpo, përshtypja ndryshon shpejt, që në leximin e vjershave të para të librit, të cilat e trajtësojnë figurshmërinëe kryetitullit “Lis i vetëm në fushë”, që është një metaforë e plotkuptimtë treviale: lis-vetmi-fushë, e arsyetuar me përmbajtjen e pasur e të ngjeshur aforistike, stilin origjinal e shumështresor dhe simbolizmin që përshkon gjithë vëllimin poetik. Ideja iniciale ngjizet në brengën e përbotshme gjithënjerëzore, që ka të bëjë me fenomenin e ikjes së kohës dhe të plakjes së njeriut, që autori i fikson në vargun përkushtimor dedikuar babës: “Po plakem fëmijë / jetim pa ty…” që shërben si lajtmotiv i ligjërimit poetik-filozofik për Lisin vetmitar, jetim në një fushë të pa anë, në të cilën zhvillohet lufta e pamëshirshme e përplasjeve të fuqishme të dallgëve: “Si kuaj të zi nisur për luftë / Turfullojnë e rendin radhë e pa radhë…/ Bregun synojnë dallgët e çmendura / Si në çdo luftë ku s’fitohet gjë…” (Si kuaj të zi nisur për luftë). Kemi të bëjmë me shfaqjen e dëshirës së flaktë për arritje në kepin e shpresës së mirë, që supozohet se ekziston në magjinë e fshehtë të ëndrrës sonë, aty ku dallgët e çmendura yshtin shqetësimin gjenetik dhe jetën e bëjnë paradoks reagimesh instinktive që manifestohen si mbrojtëse të kërkesave të detyrueshme jetësore. Mirëpo, këto kërkesa të detyrueshme nuk janë të përcaktuara, dhe lakmia lehtë I përthekon dhe njeriun e mban në pengun e përjetshëm. Përmes apostrofimesh të shumta personifikuese dhe figuracionit të pasur përshkrues, Shahu ndjeshëm e zbërthen lakminë njerëzore që, gjithmonë synon lavdinë : “Me veten e kanë dhe e bëjnë stuhinë / Dhe rendin ta shalojnë lavdinë / E në fund në zalle shterojnë” (Po aty)

Ndërkohë që Lisit i bien gjethet, autori brenda vetes ditë e natë sheh dhe dëgjon ulërimat e tyre ngjethëse. Shprushja emocionale e gjamës së natyrës që manifestohet rreth “Lisit të vetëm në fushë” ka të bëjë me dhembjen universale, vetminë – dhëmbë akulltën që kafshon shpirtin e poetit: “Jemi të gjithë vetëm në këtë botë / Dhe kemi nevojë për diketjetër //…Drurë prej rrufeje shituar, / Pas syve që s’i gjejmë dot më…” (Jemi të gjithë vetëm). Rezonanca artistike e këtyre vargjeve është fare e thjeshtë por shumë e pastër dhe fiktive, e shprehur me stilizim mjeshtëror të gërshetimit të fjalëve në vargje dhe ndërlidhjen e vargjeve në strofa, që formësohen në modelin e thurjeve filigranike, me insistim të rreptë për ta krijuar profilin e saktë të figurës së dëshiruar.

Këtë mënyrë të ligjërimit autori e zotëron fort mirë për të realizuar përmbajtje njëkuptimore dhe me përcaktim funksional të qartë : “Na lini të jemi të pa emra sonte / Mos na kërkoni pasaportë, / Eva është kjo, unë jam Adami / Dashnorët e parë në Botë.” (Na lini).
Kryepersonazhi lirik, Lisi i vetëm, rrënjët e padukshme i ka të mbjella në tokë, në ajër dhe nën lëkurën e trupit të poetit, i cili ndjek fushëbetejat e një qielli dimëror ku ëndrra është e hirtë, sepse është larg syve të së dashurës së tij dhe gjithçka është e shkretë. Motivi erotik është shumë i pranishëm gjithandej vëllimit dhe gjithnjë i trajtuar me pasion të fortë adhurimi: “Me mi nxjerrë sytë e ballit, me m’i qorrue krejt / e di se prapë kanë me më ardhë sytë / se nuk mundem mos me të pa ty / e sytë e tu përmes të cilëve  shoh botën…” (Me m’ikëputë krahët)

Poeti e thotë me bindje të thellë se: “…njeriu e ka për detyrë të dashurojëdhe t’i kujtojë e t’i nderojë dashuritë… Asgjë tjetër s’do kisha dashur të bëjë në jetë”. Mirëpo,kur kthen kokën dhe sheh çoroditjet dashurore, bëhet egërshan i pashoq, ngeh zërin dhe denoncon me përbuzje veprimet neveritëse: “Shësht…dëgjo si derdhet e frikshme qeshja e kurvave / derdhet kërcënuese nga kulla në kullë / nga zyra në zyrë, nga selia në seli // merr pastaj bulevardin bri tribunave të lehjes…” (Trishtimi yt).
Në kujtesën e autorit ndodh ekstaza sublime e kujtesës kolektive, kur sheh hamendje të shumta dhe zgjimin e ngadalshëm të shoqërisë shqiptare. Heroi lirik i Shahut i përket mendësisë provinciale të anës së bregut të Drinit, ku ndjehet aq mirë, mbi shelgje ulur e me këmbët në ujë. Prej atje e shikon jetën urbane i bindur se, ata që shkojnë duke u shkëputur prerazi nga ruralja, e kanë gabim, sepse edhe provinca ka vlera të shumta e shumë të dobishme të nevojshme për integrimin funksional dhe kodifikimin e procesit të mirëfilltë zhvillimor modernist.

Autori është këmbëngulës në pikëpamjet e veta, por edhe mirëkuptues i mendimeve ndryshe, sepse siç vëren Xhevahir Spahiu: “ Ai jeton nën hijen ePikëllimës. Fati i këtij mali është edhe fati i tij. Të dy bashkë hedhin sytë në largësi për tëgjetur një shteg drite.”
Në vëllimin “Lis i vetëm në fushë” autori Rexhep Shahu është një përligjës i saktë i pikëpamjeve të Umberto Ecos, përkitazi me kërkimin e të veçantës në mënyrën e funksionimit të së përgjithshmes, dhe rasteve në të cilat ai e sheh të përgjithshmen në të veçantën. Në rastin e parë kemi të bëjmë me alegori, në të cilën e veçanta shërben vetëm si shembull, si emblemë e së përgjithshmes, kurse në rastin e dytë shpaloset natyra e vërtetë e poezisë: shprehet një rast i veçantë pa menduar fare për të përgjithshmen, ose pa aluduar për të. Mjeshtria krijuese e Rexhep Shahut pikërisht këtu vjen në shprehje të plotë sepse përmes – elementit të veçantë e përfaqëson edhe elementin e përgjithshëm, jo si ëndërronjëse si hije, por si kallëzim të gjallë dhe të vazhdueshëm të një të panjohure: “Ku të shkojmë zemër, nga të shkojmë... / si të ikim prej këtu ku ka veç lakmi, / ku s’pjerdh kush për shpirtin, s’pjerdh kush për njeri, / ku të gjithë kërkojnë t’i duash e askush s’të do…” (Ku ta lëshojmë spirancën).
Gamën e pikëpamjeve dhe të veprimeve trajtuese të shumicës së ndjenjave të veçanta dhe disa pamjeve të caktuara, që e deshifrojnë kodin semiotik të poezive të këtij vëllimi, Izet Duraku i sheh tek – “Pamjet apokaliptike që autori i kundron me një qetësi të admirueshme”, ndërsa Sadik Bejko te Rexhep Shahu shquan – “…fjalën e mirë, të saktë, harmoninë e vargut, të figurës..” që shtjellohen lehtë dhe ngjallin mbresa të forta, sikur uji që rrëshqet nëpër duar dhe e pi toka e kallur nga etja, sikur ajri që përkëdhel edhe kur nuk e sheh, si drita që u jep shkëlqim syve. Pra, kemi në duar një libër të veçantë, të një autori që tashmë ka vulën e vet prej poeti.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora