Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Vizita e zyrtarëve shqiptarë në Uashington

| E enjte, 22.03.2012, 07:59 PM |


VIZITAT E ZYRTARËVE SHQIPTARË NË UASHINGTON

 

Nga Frank Shkreli

 

Marrëdhënjet amerikano-shqiptare, duke u bazuar në rrjedhën e tyre gjatë 20 vjetëve të fundit si dhe në deklaratat e shpeshta nga zyrtarë të lartë amerikanë dhe shqiptarë janë në një nivel të shkëlqyeshëm. Midis dy vendeve ka bashkpunim të ngushtë në të gjitha fushat dhe nuk ekziston ndonje çështje që të vejë në dyshim ecjen e tyre në drejtim të duhur në të ardhmen. I vetmi përjashtim që mund të vihet re është shqetsimi amerikan në lidhje me mirëvajtjen politike në Shqipëri, dhe sidomos marrëdhënjet, shpesh të acaruara, midis forcave të ndryshme politike të vendit.

 

Kohët e fundit, zyrtarë dhe përfaqsues të rrymave të ndryshme politike nga Shqipëria kanë vizituar Uashingtonin dhe janë takuar edhe me segmente të ndryshëm të komunitetit shqiptaro-amerikan, pasi edhe ky komunitet, fatkqesisht, shpesh duket se pasqyron atmosferën politike në Shqipëri, me gjithë të mirat dhe të këqiat e saj.  Edi Rama i Socialistëve, Kreshnik Spahiu i Aleancës Kuq e Zi dhe Lulzim Basha i Demokratëve ishin ndër zytarët shiqptarë që kanë vizituar kohët e fundit Shtetet e Bashkuara. Të gjithë këta, siç ka ndodhur edhe me vizita të tilla të udhëheqësve shqiptarë më përpara, edhe ata zhvilluan takime të ndryshme në Kongresin amerikan, në Departmentin e Shtetit, si edhe takime të tjera në nivel vendor, siç ishte takimi i Lulzim Bashës me kryetarin e Bashkisë së Uashingtonit, gjatë vizitës së tij të fundit në SHBA.

 

Vizita të tilla zyrtare e jo-zyrtare midis dy vendeve mike siç janë Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara janë shumë të nevojshme dhe krejt normale - pasi kishim pritur 50-vjetë për shkëmbime vizitash të tilla midis dy popujve miq. Por është e nevojshme që për lexuesin shqiptar të zbardhen disa gjëra në lidhje me këto vizita, pasi nga vet zyrtarët dhe nga media zëdhënse dhe përkrahse, të mos them partizane të tyre, na del sikurë këta politikanë këthehen nga Shtetet e Bashkuara në Shqipëri mbretër të “kurorëzuar’’ nga Uashingtoni zyrtar, ose si njerëz që nuk u përfillën fare nga Uashingtoni zyrtar dhe vizitat e tyre dështuan, ashtu siç i paraqet media kundërshtare.  Asnjëra nuk është e vërtetët.  Unë përmenda personat që bënë vizitat e fundit në Amerikë, por fakti është se të gjithë politikanët shqiptarë gjatë 20-vjetëve të fundit, si dhe media që i përfason ata, janë fajtorë për këtë manipulim dhe keq-interpretim të fakteve.

 

Siç mund të jenë në dijeni të gjithë ata që lexojnë median shqiptare përkrahse dhe zëdhënse të politikanëve ose të partive të ndryshme, gjatë ose pas një vizite të tillë nga një zyrtar shqiptar në Uashington - duket sikurë politikanët shqiptarë kanë ardhur ose janë ftuar në Uashington për qëllime të caktuara politike.  Deklaratat nga vet politikanët mbi vizitën dhe takimet si dhe përshkrimet e tyre në median përkrahëse të Tiranës të takimeve të tilla, paraqitet me aq seriozitet sa duket që bindë jo vetëm politikanët shqiptarë  por edhe mediat që i përkrahin ata - se me të vërtetë Uashingtoni zyrtar po i përkrahka këta, duke ofruar mbështetje të pa diskutueshme politike për ta. Po të bazohesh në këto interpretime, del sikur nga një vizitë e vetme në kryeqytetin amerikan, një politikan shqiptar këthehet në atdhe si i ''zgjedhuri'' dhe i ''bekuari'' i Uashingtonit.   Mendimi ose interpretimi i këtyre vizitave nga media shqiptare dhe nga vet këta vizitorë se Uashingtoni -në një mënyrë ose në një tjetër- bën ose prishë karjerën e ndonjë politikani, ose që zyrtarët dhe kongresistët amerikanë përkrahin programe politike të ndonjë individi ose partie është jo vetëm i gabuar, por për më tepër nuk është i ndershëm as nuk është i sinqertë.  Bile bile, nganjëherë shkohet mëtej duke interpretuar kështu rëndësinë e këtyre vizitave edhe si ndonjë ndryshim të mundshëm të politikës amerikane ndaj Shqipërisë.  Për këtë janë fajtorë të gjithë pa dallim, përfaqsuesë të pozitës dhe të opozitës dhe të gjithë ndërmjet.

 

Marrëdhënjet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara janë tepër të rëndësishme dhe nuk guxohet të luhet me to ose të manipulohen ato në këtë mënyrë për qëllime të ngushta për hir të ndonjë karjere politike ose interesash partiake.  Gjatë karjerës sime, në periudhën post-komuniste, unë kam patur fatin të marrë pjesë në dyzina takime e mbledhje midis zyrtarëve amerikanë e shqiptarë, si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në Shqipëri. Asnjëherë dhe në asnjë rast nuk kam qenë dëshmitarë që ndonjë antar i Kongresit ose zyrtar amerikan i çfardo niveli qoftë, gjatë takimeve të tilla, të jetë shprehur kategorikisht në përkrahje të një individi ose partie politike shqiptare, e lere më të mbështesë programin politik të tyre.  Në përkrahje të Shqipërisë, po, por kurr në përkrahje të një individi ose grupi politik kundër një tjetër individi ose grupi politik, siç paraqitet shpesh në median shqiptare.

 

Marrëdhënjet e Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, siç ndodhë edhe me çdo vend tjetër të botës, janë me popullin shqiptar dhe jo me ndonjë politikan individual, parti ose grupim politik.  Ato janë të interesuara në procesin politik të vendit, ashtuqë ai proces të jetë i drejtë dhe gjithëpërfshirës.   Si një vend që ia do të mirën Shqipërisë dhe kombit shqiptar, Shtetet e Bashkuara, mbi të gjitha, dëshirojnë uljen e tensioneve politike në vend, në interes të fateve madhore të kombit.  Shtetet e Bashkuara, megjithë propagandën komunsite anti-amerikane për pothuaj 50-vjetë - janë të vetdijshme dhe mirënjohëse ndaj ndjenjave pro-amerikane të kombit shqiptar.  Edhe Shqipëria, megjithë problemet e saj, ka përkrahur pa mëdyshje politikën amerikane në luftën kundër terrorizmit  dhe merr pjesë në luftën në Afganistan, në kuadër të NATO-s.

 

Politikanët shqiptarë, si përfaqsues të popullit të vet, nuk duhet të abuzojnë me këtë nder dhe privilegj që u ka akorduar atyre votuesi shqiptar.  Kur zyrtarë të Shteteve të Bashkuara takohen me politikanë shqiptarë, ata takohen me ta si përfaqsues të popullit shqiptar dhe jo si individë ose pëfaqsues të ndonjë grupimi politik ose partie politike.  Ka ardhur koha që edhe politikanët shqiptarë në takimet e tyre zyrtare me autoritetet e qeverisë dhe të Kongresit Amerikan - por edhe në takime zyrtare në vende të tjera - mbi të gjitha, të paraqiten dhe të sillen si përfaqsues të denjë të interesave të popullit dhe të kombit shqiptar dhe jo të interesave politike personale ose partiake.