E enjte, 06.10.2022, 03:11 PM (GMT+1)

Kulturë

Gjekë Gjonaj: Kolë Berisha, mbrojtës i të vërtetës shkencore për shqiptarët e Kosovës

E merkure, 21.03.2012, 09:01 PM


Kolë Berisha, mbrojtës i të vërtetës shkencore për shqiptarët e Kosovës

 

Nga Gjekë Gjonaj, Ulqin

 

Me rastin e vizitës familjare që më bëri  miku im i dëshmuar, juristi, politikani e veprimtari i denjë i çështjes kombëtare  Kolë M. Berisha (ish nënkryetar i  dytë i Lidhjes Demokratike të Kosovës,   ish kryetar i Parlamentit të Kosovës,  ish deputet në Parlamentin e Kosovës  dhe ish i burgosur politik)  në Ulqin , më 14 qershor 2011, më dhuroi librin e tij  më të ri  ” Djajtë nuk flenë”,  botuar nga Shtëpia Botuese ” Rozafa” në Prishtinë në vitin 2008.

 

Në këtë libër vëllimor  prej 619 faqesh, të ndarë  në kapitujt e nënkapitujt,  veçohet fryma e analizës kritike  dhe e polemikës intelektuale   me  tezat hegjemoniste serbomëdha, falsifikimet  e anatemat e pabaza dhe gjenocidin serb  ndaj shqiptarëve të Kosovës.  Këtë libër  të Berishës e  konsideroj si vepër monumentale për arsye se  autori, duke mos qenë  me profesion historian, por siç shprehet ai me modesti, që është karakteristikë e njerëzve të mëdhenjë, ”një ish mësues dhe jurist fare i zakonshëm”,  mori guximin intelektual  dhe shleu  një detyrim  kombëtar dhe me sukses, duke iu kundërvënë   publikisht  platformës  antishqiptare të krerëve të Kishës Ortodokse Serbe (institucion fetar që është i zhytur në shovinizëm deri në skajshmëri dhe i cili është dorë e djathtë e politikës ditore serbe) ”  Memorandumi për Kosovën”, promovuar më 7 gusht 2003 në Beograd, si udhëzim suprem kombëtar për interesin dhe politikën e Serbisë e të serbëve kur është fjala për Kosovën. Veç kësaj autori  me këtë libër sukseshëm  zhveshi  dhe shembi programet ekspansioniste serbe.

 

Deri sa po i hedhë në letër këto mendime krejt spontanisht  më erdhi ndër mend thënia e Emil Zolës “ E vërteta dhe drejtësia janë mbi të gjitha, se vetëm prej tyre varet madhështia e kombit”. Kolë  M. Berisha me këtë libër historiografik   mendoj se arriti të nxjerrë në pah të vërtetën shkencore për shqiptarët   e Kosovës  dhe të demantojë, me gjuhën e argumenteve  të pamohueshme e të qëndrueshme, propagandën  e trinomit serb: Kisha Ortodokse  Serbe, Shoqata e Shkrimtarëve  të Serbisë dhe Akademia e Shkencave të Serbisë  se gjoja ”  Kosova kurrë  nuk ka qenë dhe nuk do të jetë shqiptare”.

 

Kolë M. Berisha besnik i parimeve të së vërtetës historike dhe mbështetur në një dokumentacion të pasur, me logjikën e fortë  jep në këtë vepër deduksione të rëndësishme, bindëse dhe të argumentuara.  Berisha në këtë libër  po ashtu   provoi të demaskojë,  mitologjinë serbe  për Kosovën, orientimet për zgjidhjen e krizës së Kosovës, përpjekjet ” kushtetuese dhe jokushtetuese”, ” ligjore dhe joligjore” të Beogradit zyrtar për të mbajtur Kosovën edhe më tutje si ” krahinë” ( koloni të saj),  të pavërtetat për ” pronësionë mbi Kosovën”, shterpësinë e mendimit ” shkencor” e të  njoftojë lexuesin  me spastrimin etnik: Nga  kokat serbe-në tokat shqiptare, me  ”dhuratat ” komuniste për shqiptarët,  me krimet e instutucionalizuara gjenocidale kundër populllit shqiptar në Kosovë,  me ” ndryshimet demokratike”  në Serbi pas rënies së Sllobodan Millosheviqit dhe  me bombardimet e NATO-s  kundër ” popullit të  pafajshëm serb”. Autori  madje i sugjeron bashkësisë  ndërkombëtare   që të  njohë Kosovën e pavarur. ” Bashkësia ndërkombëtare , nëse dëshiron një Ballkan të qetë, duhet ta njohë edhe formalisht pavarësinë e Kosovës. Vetëm një Kosovë e pavarur do t’i ndërpriste  njëherë e përgjithmonë aspiratat e Beogradit për rishtrirjen e pishtetit mbi Kosovën . Dhe , vetëm një Kosovë e pavarur do  evropianizonte Ballkanin e nuk do të lejonte ballkanizimin e Evropës”,  shkruan Berisha.  Ai  në vazhdim   pohon me kompetencë  se:  ” Shqiptarëtg kurrë nuk do t’ua falin serbëve ato krime që i kryen mbi shqiptarët gjatë shekujve të kaluar, e sidomos ato nga viti 1912, respektibvisht nga viti 1981, përkatësisht gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar . Shqiptarët kurrë nuk do të pajtohen me ata që kanë bërë krime mbi ta, mbi foshnjet e tyre, mbi prindërit e tyre, mbi fëmijët e tyre, mbi motrat dhe mbi vëllezërit e tyre”.

 

Libri i Kolë M. Berishës ” ”Djajtë nuk flenë” jo me gjuhën e letërsisë, por me atë të historisë, troket fort  ndërgjegjen e serbëve të sotëm, të historianëve, intelektualëve, klasës  politike të këtij vendi. Janë ata, që i kanë shtrembëruar faktet  historike, kanë dhunuar arsyen e shëndoshë dhe vazhdojnë edhe sot të fyejnë, të urrejnë mijëra viktima të pafajshme, duke i përbaltur ata dhe popullsisë shqiptare të Kosovës. Populli serb ka nevojë të mësojë këto të vërteta të hidhura.

 

Veprën ” Djajtë nuk flenë” duhet përkthyer në gjuhën  serbe, që populli serb  dhe rinia e këtij vendi të mos vazhdojë  e t’u besojë  programeve politike  serbe  kundër popullit shqiptar në Kosovë, sespe  siç  konkludon historiani shqiptar Jusuf Buxhovi ne librin e tij    ” Historia e Kosovës” i cili çmendi Beogradin : ”Në mesjetë nuk ka pasur shtet serb, e as Kishë Ortodokse Serbe, por vetëm krahina, ( zhupani)  që në histori janë të njohura si pushtuese  dhe  në dëm të  etnisë arbërore, mbi të cilën  pastaj është ndërtuar miti serb” .



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora