E marte, 23.04.2024, 07:13 AM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli: Rosenthal – Liria e shtypit

E merkure, 21.03.2012, 08:59 PM


ROSENTHAL: LIRIA E SHTYPIT

 

“Luftoni metër për metër për lirinë e shtypi”

1981

 

Nga Daniel Gazulli

 

PERSONAZHI

 

Abe Rosenthal (1922-2006), ka qenë një prej figurave ma të shqueme të shtypit amerikan. Në vitet 1976-1986 drejtoi gazetën ma të madhe e ma me ndikim në botë, “New York Times”. Fitues i disa çmimeve ndër ma të randësishmet, iu përkushtue veçanarisht mbrojtjes së lirisë së shypit.

 

VLERA E FJALIMIT

 

Fjalimi që po sjellim asht mbajtë në vitin 1981 në Colby College të Waterville, i ftuem të fliste mbi lirinë e shtypit.

Personalisht vlerën e këtij fjalimi nuk e shoh tek denocimi i përgjithëshëm për lirinë e shtypit, si një ndër të drejtat themelore të njeriut dhe në mbrojtje të demokracisë, e drejtë kjo e mohohueme jo vetëm në vendet diktatoriale, si bie fjala sot në Venezuelën e Chavez-it, apo Iranin e Ahmadinaxhad-it, por edhe në shtetet që proklamohen me të madhe demokratike. Liria e shtypit në këto vende asht e kushtëzueme, pra edhe e dhunueme, jo nga ndalimi i fjalës së lirë me ligj apo forma të tjera shtërnguese, por nga vetë prona e mjeteve të komunikamit, nga ndërhymja e politikës, nga presioni ekonomik dhe i afarizmit, nga vumja e vetëdijëshme në shërbim si qellim për të marrë pushteti e jo për kontrollin e tij, siç duhej të ishte detyra kryesore e shtypit të lirë.

Jetojmë në një kohë kur opinioni i vërtetë publik asht zhdukë nga faqet e shtypit e të mjeteve të tjera të informacionit; tashma ata janë zadhanës interesash, jo i problemeve komplekse që mbart realiteti i sotëm kudo në botë e jo vetëm tek na.

Fjala e shkrueme gjendet veçanarisht nën presionin e dinozaurit televiziv, që nga një mjet komunikimi e kontrolli të pushtetit, asht kthye në mjetin ma të fuqishëm për luftën për pushtet; në këtë rast duket se asht heqë dorë vullnetarisht nga e drejta e fjalës së lirë, bile edhe e mendimit të lirë.

Tashma gazetarët i shkruejnë artikujt e tyne të gjatë pa dalë nga zyra; edhe televizionet nuk asht se largohen shumë nga pallatet e pushtetit, sa per ndonjë filmim, po përsëri fjala asht e parapërgatitun simbas interesave që nbron ai TV. Jemi, as ma shumë e as ma pak, në privimin e vullnetshëm të lirisë së fjalës.

Në këto rrethana, që nuk janë shumë të ndryshme në Rusi apo SHBA, në Shqipni apo në Afrikën e Jugut, Rosenthal ban thirrje të luftohet metër për metër për lirinë e shtypit, për randësinë e pluralizmit të vërtetë, nëse nuk duem që jo vetëm të themi, por edhe të mendojmë ashtu si kanë vendosë të tjerët.

Ndoshta ndokush do të thonte, si në kangën e Gaber, “Me gjtihë këte liri që gëzojmë, dashki edhe lirinë të mendoni?” – një sarkazëm që i shkon ma së miri mediave shqiptare.

Po ja si i shtronte këto probleme Rosenthal 30 vjet ma parë e në një mjedis goxha të ndryshëm nga i joni.

 

FJALIMI:

 

Më lejoni t’ju tregoj një histori të shkurtë e të vërtetë për një reporter që e njihja. Çdo ditë i duhej të dilte për të krye detyren e tij në mënyrë ma të mirë që njihte e në të vetmën mënyrë që njihte: tue folë me njerëzit mbi çka i shqetësontete, për koston e jetesës, ç’mednonin për liderat e tyne, për politiken, për jetën.

Çdo mbramje reporteri kthehej në shtëpi, shkruente një artikull, e kështu, me kujdes, digjte shënimet e tij. Ishte mëkat, sepse kështu mund të harronte ato që nuk i kishte shkrue në artikull, por e dinte edhe se policia kishte leje ta batiste kurdoqoftë arkivin e tij.

Ishin të shumtë ata që as donin t’i flisnin, sepse trembeshin mos u nxirrte emnat. Ishin njerëz të pambrojtun e të friksuem, e reporteri e kuptonte frikën e tyne.

Disa të tjerë, pikërisht pse ndjeheshin të pafuqishëm për t’u mbrojtë, i flisnin për të vërtetat që përjetonin përditë. I besonin kur u thonte se do të pranonte edhe të shkonte në burg dhe emnat e tyne nuk do t’i nxirte..

Qeveria filloi ta konsideronte shumë të bezdisëshëm këtë reporter. E pyesnin për burimet e tij të informacionit, e natyrisht ai nuk u përgjigjej. E ndiqnin dhe spiunonin kudo shkonte, derisa u zemruen së tepërmi me të dhe i thanë: “Nuk mund të shkruash ma për ne, nuk të lejojmë të mbledhish informacion, largohu”!

Ai reporter isha unë, në Poloninë komuniste. Për herë të parë u shqetësova vërtetë se mund të përfundoja në burg, e ishte edhe hera e fundit, sepse vendosa të mos punoja ma në një shoqni totalitare.

Tashti, mbas njëzet vjetësh, jam drejtor i poasaj gazete për të cilen dërgoja korrispondencat nga Polonia. Kaloj shumicën e kohës tue u marrë me çështje organizative, por ka edhe një problem që gjithashtu më shqetëson  në çdo çast: ka të bajë me pyetjen nëse ka akoma gazetarë që duhet të djegin shënimet e tyne, apo mund të shkojnë në burg, nëse mund t’i bastisin pa pritë e pa kujtue, nëse njerëzit që kanë folë një herë me ne nuk do të pranojnë të japin ma deklarata, nëse gazeta të tjera do të jenë të detyrueme të mbyllen, nëse policia do të shqyrtojë thirrjet tona telefonike për të gjetë burimet tona të informacionit, nëse do të kemi leje të flasim si po administrohet drejtësia, e të na jepen informatat e nevojshme nga policia.

Në Nju Jork, jo në Varshavë.

Kjo nuk do të thotë se po bahemi totalitarë, por që procesi esencial i lirisë së shtypit asht nën shënjestër, dhe pikërisht nën shënjestrën e ligjvënësve dhe politikanëve që sigurisht nuk konsiderohen si anmiq të lirisë së shtypit. Ata po, mendojnë se shtypi amerikan asht si tepër i lirë për shijen e tyne.

Duen të ndalojnë me masa paraprake që shtypi të publikojë një lloji informacioni. Thonë se kjo nuk ka të bajë me gazeta të respektueme siç asht “Times”, apo “Washington Post”, po disa publikime skandaloze nga shtypi i dorës së dytë.  Pikërisht për mbrojtjen e këtyne gazetave të dorës së dytë, jo atyne kryesoreve, qé miratue amendamenti i parë i Kushtetutës.

Në mënyra të ndryshme Gjykatat kanë marrë përsipër të mbikqyrin çfarë mund të publikohet dhe kur, si të veprohet e si të mendohet.

Nuk jam i mendimit se ka një komplot gjyqësor kundër shtypit. Por jam i mendimit se ka njëfarë mëllefi  kundër shtypit, që vjen pikërisht nga virtyti i tij, se sa nga difektet e tij: virtyti i papëlqyeshëm që t’u thuhet njerëzve e vërteta mbi Vietnamin, mbi Watergate, mbi korrupsionin në qeveri e në ekonomi, mbi agresivitetin dh grindjet që janë pjesë e sistemit tonë.

Na kemi fajet tona, sigurisht kemi fajet tona. Ka edhe publikime që edhe unë i përçmoj dhe i dënoj.

Por ka ndryshim të madh në mes të ndjesh mëllef, apo edhe përbuzje për një lloji shtypi, me tentativen për ta kontrollue ate. Amendamenti i parë nuk asht hartue për ta mbrojtë shtypin nga admirimi i qeverisë, por nga përçmimi nga ana e qeverisë, në të gjithë sektorët e saj.

Çdo individ amerikan duhet t’i bajë vetes pyetjen: doni një shoqni ku gazetat të punojnë në gjendje frike se mos do të jenë të detyrueme të mbyllen?

Doni një shoqni ku zyrat e gazetës të mund të bastisen pa një dëgjim paraprak?

Doni një shoqni ku veprimtaria e policisë asht ba virtualisht sekrete?

Doni një shoqni që të jetë shuma e këtyne gjanava?

Ju lutem, mendohuni. Nëse përgjigja juej asht: “Jo, nuk duem një shoqni të këtij lloji”, atëherë luftoni, metër për metër, për lirinë e shtypit.

 

(William Safire, Lend Me Your Ears, Norotn, New York 1992)



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora