E merkure, 24.04.2024, 10:09 PM (GMT+1)

Mendime

Ilir Çumani: Ku shkuan 40.000 eurot për jetimët...!?

E marte, 20.03.2012, 09:02 PM


LETËR E HAPUR, DREJTUAR AMBASADORIT TË MBRETËRISË SË ARABISË SAUDITE NË TIRANË, SHKËLQESISË SË TIJ,  ABDULLAH AL-ABDULKARIM

 

Nga Ilir ÇUMANI

Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëvë Shqiptarë

 

KU SHKUAN 40.000 EUROT

PËR  JETIMËT…!?

 

Javën e shkuar, mësuam nga media se Ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite  në Republikën e Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, Abdullah AL-ABDULKARIM, dhuroi në emër të Qeverisë  së tij, një Çek me vlerën 40.678,52 Euro për jetimët shqiptarë.

 

I nderuar Shkëlqesi Ambasador!

 

Si fillim, në emër të mbarë jetimëve shqiptarë dhe në emrin tim personal, më lejoni T’ju shpreh mirënjohjen dhe respektin e thellë  për mbështetjen e vazhdueshme dhe ndihmesën e Qeverisë  Tuaj për fëmijët jetimë në vendin tonë. Nga ana tjetër, urojmë që ndihma ndaj kësaj shtrese të jetë sa më prezente edhe në të ardhmen. Por…

 

A jeni i sigurtë  që shuma prej  40. 678,52   Euro e dhuruar  bujarisht nga Qeveria e Vendit tuaj  nga paratë e taksapaguesve  të popullit Mik Arab do të shkojë drejtëpërsëdrejti në ndihmë të fëmijëve jetimë të Shqipërisë….!?

A jeni i sigurtë se personi që ju i dorëzoni në mirëbesim këtë shumë jo me numër llogarie Bankare, (ashtu siç janë rregullat dhe ligjet fiskale në fuqi) por me çek në dorë, do t’i përdorë këto para për destinacionin e duhur në zbatim të projekteve konkrete dhe me transparencë të plotë ku përfituesit janë dhe  duhet të jenë  vetëm fëmijët jetimë….!?

 

A e dini Ju Shkëlqesi Ambasador se, për 21 vjet të tranzicionit në vendin tonë, kanë ardhur deri më tani 21.000.000.000 (Miliardë) Dollarë Amerikanë si ndihma bujare  dhe humanitare për projekte të shumta mbështetëse nga Banka Botërore, Institucionet e Bashkimit Evropian, Banka për Zhvillim dhe Rindërtim, Fondacione të ndryshme, Ambasada dhe organizma të ndryshme të bamirësisë, etj, etj…..!?

Këto kontribute të miqve dhe partnerëve tanë, qeverive dhe  taksapaguesve evropian dhe më gjerë,  gjatë gjithë këtij tranzicioni të tejzgjatur në vendin tonë,  kanë qenë ndihma për mbështetjen e shtresave në nevojë dhe veçanërisht  për invalidët, të sëmurët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të moshuarit e braktisur, por… edhe për  jetimët…

Mirëpo edhe pse ky kontribut ka qenë mjaft sinjifikativ, ajo që të bën përshtypje është fakti se përpjekjet e përbashkëta, rezultatet për zbutjen e varfërisë dhe realiteti  për integrimin social të këtyre shtresave të shoqërisë tonë nuk ka ndryshuar aspak, madje do të thosha se statusi social  i shtresave në nevojë në kushtet aktuale është tepër tragjik, madje i frikshëm….!  Është një realitet deri në dhimbjen therrëse  i nderuar Shkëlqesi Ambasador, që  ende edhe sot pas 21 vjetësh tranzicion, ku vendi im Shqipëria, anëtare me të drejta të plota në NATO dhe vend aspirant për anëtarësimin në Bashkimin Evropian,  vazhdon  të prezantohet përpara partnerëve tanë dhe  institucioneve ndërkombëtare  me situata dhe tabllo tepër të shëmtuara që lidhen me skemat e abuzimit me këto fonde, ashtu siç edhe pasqyrohet qartazi dhe pa asnjë ekuivok në disa materiale të ilustruara me dokumente dhe prova faktike të pakontestueshme që Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë tashmë i disponon.

 

Sipas statistikave dhe provave të dokumentuara që administron organizmi që unë drejtoj, vërtetohet qartazi si në dritën e diellit e gjithë tipologjia dhe skema e korrupsionit 21 vjeçar në shoqërinë shqiptare. Është një skemë e mirëorganizuar dhe tepër e sofistikuar me  abuzime pafund, e kthyer tashmë në sistem, ku përfshihet një rrjet i gjerë matrapazësh social dhe  që nuk ka kursyer edhe shtresat  më të pambrojtura siç janë jetimët, mbi kurrizin e të cilëve është abuzuar në mënyrë permanente nga individë spekullantë që vegjetojnë prej vitesh e vitesh në guaskën e Shoqërisë Civile. Kjo plagë e shoqërisë tonë i ka shtrirë rrënjët e thella si metastaza  në një sëmundje të keqe  pa kthim, e cila paralajmëron një fund fatal edhe për jetimët e gjorë, për këto krijesa krejtësisht të pambrojtura në shoqëritë  e brishta si kjo e jona, preh e njerëzve të pashpirtë e të pangopur.

 

Dhe së Fundi i Nderuar Shkëlqesi Ambasador, kemi vetëm një Lutje për Ju!

 

E dimë që nuk është detyra Juaj dhe për këtë më ndjeni, por…

Në emër të Allahut të Madhërueshëm,  nëse dëshironi vërtet  që ndihma prej 40. 678,52   Euro të shkojë në destinacionin e duhur, pra tek jetimët, lutemi, kthejeni atë mbrapsht  në zyrat tuaja dhe merrni përgjegjësinë e misionarit në shërbim të Zotit dhe ta mbikqyrni  vetë personalisht me specialistët e institucionit Tuaj të nderuar këtë fond, duke kontrolluar çdo qindarkë të kësaj ndihme, me qëllim që ajo t’ju shërbejë vërtetë  fëmijëve jetimë.

Ky do të ishte një gjest simbolik dhe njerëzor nga ana Juaj. Bëjeni këtë përpjekje me qëllim  që nesër të mos jetë vonë.  Në të kundërtën, atëhere edhe Ju padrejtësisht  mund të bëheni bashkëfajtor me të keqen  nëse këto para do të kenë të njëjtin fat me ato të  21.000.000.000 (Miliardë) Dollarëve  Amerikanë, ndihma që kanë mbërritur në Shqipëri në këto 21 vjetët e fundit të tranzicionit në Shqipëri, ndihma dhe para  për shtresat në nevojë,  të cilat janë gllabëruar sistematikisht  në mënyrë të egër dhe të pamëshirëshme edhe nga sekserët e OJF – ve tona që penetrojnë lehtë nëpër ambasada, të cilët japin “garanci” tek ju për këto organizata vendase apo individë abuziv dhe pa integritet moral  e njerëzor.

 

Prej vitesh e vitesh, këta sekserë  të huaj që për dreq e flasin shqipen më mirë se shqiptarët, në bashkëpunim me individë dhe OJF – të vendase - fantazma bëjnë pazare dhe  përfitojnë përqindje të majme  fitimi nga këto donacione të dhuruara prej jush nga të ashtuquajtura “projekte”.  Disa prej këtyre sekserëve të kollarisur që ndoshta padrejtësisht apo aksidentalisht gëzojnë edhe besimin Tuaj dhe të Ambasadorëve të tjerë të botës Arabe të akredituar në Shqipëri,  veprojnë prej 20 vjetësh në vendin tonë me fondacionet e tyre fantazëm  në “Ndihmë të Jetimëve”. Disa syresh prej tyre, janë specialistë dhe ekspertë jo të keq në fushën e menaxhimit të biznesit, ku falë aftësisë së tyre i gëzojnë bizneset që kanë ngritur me këto forma të pandershme duke përfituar nga pehlivanllëqet dhe bashkëpunime të tilla që kanë sjellë për pasojë viktimizimin dhe margjinalizimin e  përhershëm të shtresës më të pambrojtur të shoqërisë shqiptare, veçanërisht  të jetimëve.

 

Nëse jeni i interesuar Shkëlqesi Ambasador të dini se cilët janë përfituesit e Çekut  prej 40.678,52 Euro, Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë është i gatshëm  në çdo moment të vërë në dispozicionin tuaj, të publikut të gjerë dhe medias gjithashtu, materiale faktike që hedhin dritë dhe provojnë aferat abuzive me fondet e jetimëve.

 

Jetimët nuk mundet më të shkelen me këmbë pafundësisht.

 

Sinqerisht,

Ilir ÇUMANI



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora