E premte, 29.03.2024, 05:50 AM (GMT)

Mendime

Elida Buçpapaj: Rasti Demjanjuk dhe rasti unik i Shqipërisë

E marte, 20.03.2012, 07:37 PM


RASTI DEMJANJUK DHE RASTI UNIK I SHQIPËRISË

 

Nga ELIDA BUÇPAPAJ

 

Përpara disa ditësh vdiq John Demjanjuk, në moshën 92 vjeçare, i dënuar si kriminel nazist, paçka se nuk e pranoi asnjëherë fajin duke thënë se ishte vetë një viktimë eNazizmit.

 

John Demjanjuk lindi e u rrit në një fshat të Ukrainës në një kohë kur vendi tronditej nga kriza e urisë dhe spastrimet e Stalinit. Me fillimin e Luftës të dytë Botërore atë e mobilizojnë me trupat e Ushtrisë të Kuqe, ku plagoset dhe pasi e kthejnë përsëri në front kapet peng nga forcat gjermane, të cilat pastaj e detyrojnë që të punojë në kampin e shfarosjes Sobibor, si një "Roje burgu" — rangu më i ulët i atyre të burgosurve që pranonin të bashkëpunonin me trupat SS, por mjaftueshëm për ta dënuar dhe etiketuar si kriminel nazist.

 

Me mbarimin e Luftëstë Dytë Botërore John Demjanjuk emigron në SHBA, merr shtetësinë amerikane dhe ndërton atje jetën deri kur, më 1983, e zbulojnë si „kriminel lufte", kohë prej nga filloi një gjyq që zgjati 30 vjet dhe nuk rezulton të ketë mbaruar ende -ku John Demjanjuk gjykohet në tri kontinente, në SHBA, Izrael dhe Europë dhe në maj të 2011 dënohet nga gjykata e Mynihut në Bavierë me 5 vite burg pas 18 muaj gjykimi e 90 seancash. Në Mynih ai u dërgua në një shtëpi pleqsh muajt e fundit si i sëmurë terminal, ku edhe vdiq më 17 mars, duke mos e pranuar asnjë herë fajin. Në gjyqin kundër John Demjanjuk nuk pati asnjë dëshmitar që të vërtetonte se ai kishte qenë roje në kampin e shfarosjes. E vetmja provë ishtenjë kartë identiteti SS për të cilën John Demjanjuk insistonte se ishte një fallsifikim sovjetik i KGB-së.

 

Yehuda Bauer, një historiani Holokasutit nga Jeruzalemi tha se "Rasti i John Demjanjuk ilustron parimin se, edhe kur është fjala për një kriminel nazist të rrangut më të ulët, ai duhet të gjendet dhe të dënohet. Rëndësia nuk është tek dënimi apotek koha që duhet të mbahet në burg një person i tillë, e rëndësishme është që krimi të vijë në vemendjen e opinionit publik." Ndërsa Dieter Graumann,presidenti i Këshillit Qendror të Hebrejve në Gjermani me vdekjen e JohnDemjanjuk shtoi se "Një vdekje është tragjike, por në rastin konkret duhet thënë se ishte e rëndësishme gjykimi dhe dënimi i tij, sepse drejtësia nuk e njeh statusin e kufizimit të dënimit për shkak të moshës dhe mosha e madhe nuk e mbronte dot John Demjanjuk nga dënimi. Kjo nuk ishte hakmarrje por drejtësi," shtoi ai.

 

John Demjanjuk vdiq i vetëm larg familjes dhe fëmijëve të cilët jetojnë si shtetas amerikanë në Clevelend të SHBA. Ai i shpëtoi dënimit me vdekje në Izrael, sepse u konfondua me një tjetër kriminel që kishte kryer masakra në kampin famëkeq të Treblinkës.Atij iu hoq dy herë shtetësia Amerikane dhe u dëbua nga Amerika dhe rasti i John Demjanjuk u komentua edhe nga drejtësia e SHBA, si një reflektim i vendosmërisë së qeverisë amerikane për t’i sjellë kriminelët e luftës përpara drejtësisë, pa marrë parasysh se Demnjanjuk asnjëherë nuk e pranoi se kishte qenë „Roje burgu" në kampin e shfarosjes Sobibor. Të vetmin „faj" që pranoi ishte se kishte gënjyer kur kishte thënë se kishte lindur në Sobibor të Polonisë në vend të fshatit të tij në Ukrainë, nga frika se e kthenin mbrapsht.

 

E solla shembullin e John Demjanjuk, si një rast i trishtë, për të hedhur një paralele me nomenklaturën e shtetit komunist shqiptar që kreu genocid për 50 vite rresht, ndërkohë që edhe sot e kësaj dite për atë periudhë të zezë të historisë nuk ekziston asnjë fajtor, asnjë gjyq dhe asnjë gjykim apo dënim.

 

Rasti i John Demjanjuk dëshmon se si Gjermania distancohet nga e shkuara kriminale, ndërsa në Shqipëri e shkuara diktatoriale gjatë këtyre 20 viteve tranzicion është krejtësisht temë tabu, dhe Shqipëria rezulton një vend ku nuk ka ndodhur dekomunistizimi si proces i kapërcimit të trashëgimisë kriminale përmes dënimit të krimeve dhe pastrimit të aparatit shtetëror. Dekomunistizimi është i ngjashëm me denazifikimin, i cili iu kërkua Gjermanisë me detyrim prej Perëndimit, ndryshe nga dekomunistizimi i cili është penguar nga pseudoelitat e periudhës totalitariste në Shqipëri, ku krimet as nuk dënohen dhe as nuk zbardhen dhe ku ish eksponentët e diktaturës edhe sot e kësaj dite kanë pushtuar pika kyçe të administratës politike.

 

E djathta akuzon të majtën se është bërë strehë e vijimësisë së ish nomenklaturës përmes bijve dhe nipave, ndërsa e djathta vetë është bërë strehë e njerëzve me dosje dhe ishzyrtarëve të lartë të regjimit komunist.

 

Dhe pikërisht këtu qëndron shkaku i vërtetë se përse Shqipëria është vendi me një tranzicion kaq të mundimshëm, kur vendet e ish bllokut lindor tashmë kanë kohë që janë anëtare të BE-së dhe NATO-s.

 

Dënimi dhe zbardhja e krimeve të diktaturës komuniste është kthyer e rikthyer këta njëzet vjet me dhjetëra herë në qendër të debateve të qarqeve politike dhe opinionit publik,por pengesë kryesore në fakt është bërë vetë politika e cila ka probleme me të shkuarën e saj, duke mbajtur peng të ardhmen e shqiptarëve.

 

Jemi i vetmi vend në Europën Lindore që kemi rehabilituar pas 1997 ish eksponentët e diktaturës pas gjyqeve qesharake për kafe, ndërsa janë mbyllur sytë përpara krimeve kundër njerëzimit, genocidit dhe shfarosjeve pa gjyq të kundërshtarëve politikë dhe persekutimit të familjeve të tyre, të ekzekutuara për gjysmë shekulli nga regjimi komunist.

 

Jemi i vetmi vend ku njerëzit me dosje kanë 20 vjet që janë në majat e pushtetit politik e mediave,dhe klasa politike bën veshin shurdh ndaj të gjitha kërkesave e orientimeve që vijnë nga Perëndimi për të hedhur dritë mbi periudhën më të egër atë të terrorit komunist.

 

Jemi i vetmi vend ku edhe sot e pas njëzet vjetësh pjesa më e madhe e shtresës së të përndjekurve politikë, viktimat më tragjike të diktaturës, kanë shkuar në atë botë pa u dëmshpërblyer as moralisht dhe as materialisht dhe në administratën shtetërore, në parlamentin e Shqipërisë e në qeveri ushtrojnë aktivitetin eksponentë me hipoteka prej sistemit totalitarist.

 

Jemi i vetmi vend ku nuk kemi ligj që i dënon krimet e diktaturës komuniste, ku nuk kemi ligj që i merr në mbrojtje, ua jep pafajësinë, i rehabiliton viktimat e regjimit totalitarist.

 

Jemi i vetmi vend ku nuk kemi ligj që të kërkojë pastërtinë e figurës së zyrtarit publik, ku Ligji i Lustracionit u përgatit në mënyrë selektive, si mënyrë për hakmarrje por jo për të vënë drejtësinë në vend..

 

Jemi i vetmi vend në Europën Juglindore ku drejtësia nuk ekziston, ku fajtori nuk ndëshkohet, duke rrezikuar kështu sistemin dhe themelet e shtetit të së drejtës, ku historia e periudhës totalitariste nuk zbardhet, ku nuk ekziston asnjë muzeum i diktaturës, asnjë datë zyrtare, asnjë monumet që flet për tragjedinë kombëtare, ku data e rrëzimit të diktaturës kujtohet vetëm nga një parti, ku elitë ka mbetur ajo që gjatë diktaturës ka qenë superstruktura e regjimit, që vazhdon t’i mbajë të pushtuara vendet kyçe dhe më e keqja është se ka mbetur po aq dogmatike dhe persekutuese sa ka qenë në kohën e diktaturës, sepse korifejtë e kulturës shqiptare vazhdojnë të torturohen, të rivriten e të mbahen të burgosur në burgjet e ndërgjegjes së ndyrë të politikës, sepse janë të mbuluar nga heshtja dhe indiferenca që merr kontekst kriminal.

 

Jo më kot një ish historian i regjimit komunist, kunat i njërit prej xhelatëve kryesorë të diktaturës, Arben Puto, në moshën 88 vjeçare ka dalë me një libër ku i rietiketon si tradhtarë e kuislingë Konicën, Fishtën e Koliqin, ashtu si veproi për gjysmë shekulli terrori komunist. Jo më kot, gjatë njëzet vjet tranzicion nuk është bërë as përpjekja më e vogël për të rishkruar historinë nën dritën e fakteve apo për të rehabilituar personalitetet e artit dhe kulturës, të vrarë apo ekskomunikuar gjatë diktaturës, përkundrazi i kanë ridënuar përmes indiferencës dhe heshtjes. Me heshtje mbulohen dhe veprimtarët antikomunistë jashtë atdheut. Me luftë politike dhe me presion të të gjitha ngjyrave shpërblehen intelektualët e angazhuar që nuk e pranojnë këtë farsë politike, ku gjithçka ka mbetetur në mëshirën e fatit, me destinacion harresën kolektive.

 

Gjithçka ka mbetur në mëshirën e fatit. Jo më kot e përjashtuan nga politika Pjetër Arbnorin, i cili për nga vuajtjet që kishte hequr e tejkalonte Nelson Mandelën dhe duhet të ishte Nobelist i Paqes. Politika bëri gjithçka që t’i fshehë krimet. Pjesa më e madhe e viktimave nuk jetojnë më. Viktimat e terrorit komunist u përdorën nga politika vetëm për farsa elektorale, sepse politika vetë u komprometua duke vendosur në krye të drejtësisë njerëz të inkriminuar, siç është rasti i Fehmi Abdiut dhe sot të gjitha palët pranojnë se nuk ekziston drejtësia por nuk e pyesin kurrë veten se përse nuk egziston kultura e ndëshkimit të fajit.

 

Denoncimi i krimeve të komunizmit është bërë në mënyrë spontane nga viktimat vetë, apo familjarët e tyre me sakrifica të panumurta, siç është rasti i priftit françeskan Zef Pllumbi me librin e tij "Rrnoj për me tregue" dhe jo nga shteti. Dhe ata intelektualë që kanë ndërmarrë nisma në favor të dënimit të krimeve janë ekskomunikuar nga njerëzit e ish diktaturës që kanë njëzet vjet në rradhët e të djathtës.

 

Për qëndrimin mohues që ka mbajtur klasa jonë politike ndaj asaj tragjedie kombëtare që ka ndodhur në Shqipëri për pesëdhjetë vjet, meriton që të largohet nga politika, sepse, pa u vënë drejtësia në vend, në Shqipëri nuk mund të vendoset shteti i së drejtës.

 

E ardhmja e Shqipërisë nuk mund të mbetet në duart e politikanëve të komprometuar gjatë periudhës së diktaturës. Shqipëria duhet të distancohet nga e djeshmja diktatoriale përmes dënimit dhe zbardhjes së krimeve, hapjes së dosjeve dhe largimit nga politika të emrave të konsumuar.

 

Rasti i John Demjanjukut është shembulli i asaj që do të duhej të kishte ndodhur në Shqipëri gjatë këtyre njëzet viteve tranzicion, ku në fakt Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha kanë mbizotëruar skenën mediatike si shprehje e pushtetit të tyre të nëndheshëm ndaj politikës.

 

Nuk flitet për hakmarrje, flitet për drejtësi, e cila duhet të vihet në vend, aq më tepër kur sot Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, që e bën jo vetëm të jetë një vend i privilegjuar, por edhe të jetë i obliguar për të përmbushur detyrime e plotësuar standarte.

 

Nuk mund të ketë harresë, nuk ka harresë të krimeve, nuk harrohet terrori i diktaturës për gjysmë shekulli. Ka kujtesë, sepse vetëm duke kujtuar, ne nuk do të lejojmë që të ripërsëritet historia, sepse duke kujtuar viktimat e diktaturës, duke kujtuar se si një populli i gjithë u kthye në një viktimë të një grushti njerëzish, ne do të njohim vlerat e vërteta të demokracisë, që bën të funksionojë meritokracia dhe kërkon si domosdoshmëri njerëzit më të përkushtuar dhe me integritet të pastër.

 

Këtu nuk është fjala për interesat e njërës palë, këtu bëhet fjalë për interesat kombëtare të të gjithë shqiptarëve, që brezat e ardhshëm të kenë një shtet i cili u garanton atyre një jetë të qetë e të sigurt, sipas standardeve të sistemit demokratik.

 

Prandaj klasa politike e ka për obligim të vendosë drejtësinë dhe asnjë shqiptar nuk duhet të ketë frikë nga drejtësia.

 

Nuk do të ketë më harresë, harrim për hir të një pakice të komprometuar, por do të ketë bashkërendim pluralist dhe bipartizanizëm për të vendosur pikat mbi "i". Ne shqiptarët nuk kemi asnjë arsye që të mbetemi robër të krimeve të kryera nga nomenklatura e kuqe, as peng i politikanëve me ndërgjegjë këllirë, të cilët shkaktuan drama kombëtare për interesa vetjake edhe gjatë këtyre njëzet viteve tranzicion.

 

Tani është koha e rizgjimit kombëtar. Vetëm duke qenë bashkë. Asnjëri prej nesh nuk është i tepërt. Ku mund të amnistohen vetëm ata që hedhin dritë dhe i bashkohen lëvizjes për rizgjimin kombëtar, që nis duke dënuar dhe zbardhur krimet, duke rehabilituar viktimat përmes shtetit të së drejtës dhe duke e kthyer në prioritet të prioriteteve integritetin e zyrtarit të lartë të administratës publike, përmes Ligjit të Lustracionit, jo si mjet të politikës për të larë hesapet, por si metodologji për të sjellë në krye të institucioneve shqiptarët më të mirë. Ligji i Lustracionit ndëshkon personat përgjegjës dhe assesi viktimat. Viktima janë edhe ata që nën torturë u detyruan të bashkëpunojnë, porse e vërteta duhet të zbulohet lakuriq. Jo si instrument plagosës, sepse boll jemi të plagosur, por si mjet shërues, rehabilitues. Sepse si thotë Buda as hëna, as dielli dhe as evërteta nuk mund të fshihen, apo si thotë i madhi Vaclav Havel se "E vërteta dhe dashuria duhet të triumfojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjet’’. Ky është objektiv strategjik kombëtar i shqiptarëve, që ne gazetarëve na vendos të parëve përpara përgjegjësisë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora