E premte, 29.03.2024, 11:21 AM (GMT)

Kulturë

Ali D. Jasiqi: Poeti i dashurisë

E marte, 20.03.2012, 07:58 PM


Erotika në poezinë shqipe: Baki Ymeri

 

POETI I  DASHURISË

 

Nga Ali D. Jasiqi

 

Numri i poetëve dhe kritikëve rumunë që kanë shkruar për vlerat lirike të Baki Ymerit është i madh, por ai si pasojë e modestisë ende nuk i ka përkthyer të gjitha mendimet e tyre kritike për peshën e fjalës dhe shpirtin e tij poetik. Duke notuar në arkivin e Zemrës Shqiptare, i shkëputëm vetëm disa mendime duke ia dhuruar lexuesit për kujtim, së bashku me vlerësimet estetike të dy krijuesve shqiptarë (L. Topçiu dhe S, Zogaj):

 

Rrugëtimi retrospektiv, madje i përngutshëm, nëpër jetën dhe veprën e zotërisë së tij, më mundësoi të shoh, të ndjej dhe të vlerësoj distinkcionin dhe delikatesën lucide me të cilën din dhe mundet t’u afrohet katër çështjeve madhore të Europës: Dashuri, Moralitet, Drejtësi dhe Vërtetësi. Në lirikën e universit bakian, bukuruia femërore ka rezervuar një hapësirë të gjerë. Edhepse subtil, poeti lë të ndjejmë se nuk dëshiron të degdiset nga fuqia e saj joshëse. Femra mban në trupin e saj aq bukuri të fshehura që presin me padurim të zbulohen, ti vilen e të kultivohen. Një nga të drejtat sociale, morale, sentimentale dhe poltike të femrës, është e drejta për të dashur, ndërsa mesazhi sentimental i Baki Ymerit nuk është tjetër veçse shija e padurimit për ta parë, për ta ndjerë dhe për ta dashur. Bakiu i beson me sinqeritet dashurisë, e adhuron hijeshinë e femrës, duke qenë një poet i vërtetë i dashurisë, siç janë shqiptarët në përgjithësi, adhurues të bukurisë femërore. Një element i veçantë në lirikën e tij është përshkrimi i gjirit. Gjiri bëhet një prezencë e magjepsur që sjell në plan të parë misterin e relacionit interpersonal me karakter erotik.

 

Pa insistuar, ma merr mendja se në krahasim me kategoritë tjera intelektuale mashkullore, poetët mund të kenë një aftësi të veçantë për të dashur, që do ta quaja inteligjencë erotike. Mos posedon vallë poeti një finesë më të madhe në relacion me femrën, se sa tipi i intelektualit të thjeshtë? Inteligjenca presypuzon imagjinatë dhe kreativitet. Gruaja pret nga burri mbrojtje, stabilitet, imagjinatë dhe përkushtim. Por edhe senzualitet dhe stërhollësi kulturore. Poemat e dashurisë të Baki Ymerit dëshmojnë për një burrë inteligjent dhe sentimental. Ndërsa inteligjenca e tij duket drejtëpërsëdrejti proporcionale me vetë kapacitetin e tij të raportimit erotik ndaj femrës, senzualitetit dhe virilitetit: Puthja është arti/ që e ndez gjakun nën lëkurë.// E dashura ime është një zjarr i shenjtë/ lulja që sjell lumturi.// Grua, çfarë deti mban në zemër/ dhe kush je!/ O zot/ si e krijove femrën/ kaq të bukur e të ëmbël/ për ta puthur me mjaltën e shpirtit!” (Marilena Lica)

 

Baki Ymeri është ushtari i Dardanisë në trojet e Rumanisë. Ai ka atë pamje krijuese, fenomenologjike që ushtron intuitat përmes përshkrimit të mahnitjes së ndritur e të përditshme, duke qenë i mahnitur nga gjithçka, ngase ai e sheh fort mirë edhe detajin, për së afërmi, por edhe në distancë, si dhe në ansamblin e saj. Ai shkruan duke e mbajtur ritmin e melosit të brendshëm. Në njërën anë, zemërdlirësia më optimiste, në anën tjetër optimisti më i dashuruar. Ndërmjet dashurisë puro, të pafajshme të qenjes së brishtë dhe delikate, dhe asaj pasionale të burrit të përsosur, ekziston një raport i çuditshëm egaliteti nëpërmjet aspiratash që evoluojnë paralelisht, duke i përzjerë impresionet e bukurisë së botës me epshin e eksplorimit të ndjeshmërisë. Autori posedon një gamë senzacionesh, dëshirash dhe përgjërimesh në laboratorin intim, duke i zbuluar dhe duke i eksperimentuar sipas përmasave në të cilën do ta ndjejë dashurinë. Brishtësia e femrës dhe dielli i fjalëve të tij e shtojnë etjen për jetë. I dashuruar dhe duke evoluar në dy gjuhë, Baki Ymeri është pëllumbi i fjalëve të bukura, një mërgimtar që e dashuron vendlindjen, por pa e harruar edhe Kështjellën e Bukurisë, Bukureshti sipas tij duke qenë kryeqendra botërore e frymëzimit, ëndërrimtari që s’e harron prejardhjen, shqiptari që deshifron ngjashmëritë e gjuhës amtare me gjuhën atërore, duke kundruar me nostalgji nga vendlindja e tij, mënjanë, dhe nga Atdheu i Poezisë në anën tjetër. Nga kjo dashuri e madhe dhe e dyfishtë, siç ka qenë edhe ajo e pararendësve të tij, ai nuk lodhet për të na prurë trashëgimi dhe nyanca, ngjashmëri dhe diferenca, detaje dhe esenca që i përzjen në një mënyrë origjinale me besnikërinë e besimit të tij poetik. (Monika Mureshan)

 

Magjia e poezisë së Baki Ymerit na vjen si një dhunti e veçantë e shprehjes me një çiltërsi të hijshme, të hapur e transparente, dhe assesi si një “eksploatim” semantik i mbyllur. Vargjet kanë një erotizëm plot shend e verë. Shëmbëlltyrat e një ndjeshmërie të mëndafshtë hiperbolizojnë objektin e dashurisë që zgjon admirimin e një mrekullie të veçantë: “Nëpër Parajsë duke rendur/ Duke zbritur/ Mbi qylimin e erës/ Gjinjtë e saj dridheshin/ Dallgët e tyre më qëllonin/ Dhe përtoke më rrëzonin” (Këngë popullore). Dashuria ka këtu një shkëlqim të mahnitshëm. Ajo është gjenerator i energjive të mbara: “E dashur,/ Eja të bëhemi fqinjët e dritës!/ Ti as që e di/ Se përballë teje/ Gjenden rafte/ Bibliotekash të ndritura./ Eja! Të pëshpërita,/ Hapi këto libra të lashta/ Dhe lermë/ Të ta përkëdhel trofenë! (Fqinjët e dritës). Vërehet këtu një infuzion i çliruar elementesh folklorike që vijnë nga një lashtësi fabulative, nga përrallat e kulturës popullore, nga një e shkuar heroike e përjetësuar në kujtesën afektive, përzjerja e së cilës e pronëson artin poetik të krijuesit. Biografia e autorit është gurrë e poezisë së tij, burim i një autenticiteti dramatik që thellësohet sipas përmasave të njohjes, të vetëdijësimit të rrënjëve. Baki Ymeri është një poet i botës moderne, por nuk mund t’i harrojë apo mohojë rrënjët nga të cilat poezia e tij e shkëput lëngun e përmbushur me vitalitet të përbujshëm. (Victoria Milescu)

 

Rrallë herë kam patur fatin të njoh një temperament të këtillë të pasionuar pas bukurosheve të Bukureshtit dhe letërsisë, të cilës përndryshe i shërben edhe ai duke shkruar poezi, duke botuar krijimet e veta por edhe përkthime nga shqipja në gjuhën rumune dhe anasjelltas, duke jetuar përmes letërsisë, duke qenë i informuar vazhdimisht për autorët e këtyre dy vendeve, dhe duke kërkuar të deshifrojë lëngun lirik dhe kajmakun e vlerave, motivet dhe idetë, por sidomos ato rrugë që shpiejnë nga konkluzionet e ekzistencës së disa rrënjëve të përbashkëta farefisnore. Kërkoj në kujtesë dhe nuk gjej një term krahasimi. Nuk e gjej ngase nuk di askend tjetër të ketë shëtitur kaq shumë, gjithmonë i ngutur, madje edhe në kafene ku zakonisht njerëzit kthejnë të relaksohen, Baki Ymeri është në çdo çast i “armatosur” me lloj lloj revistash, librash dhe publikimesh përmes të cilave t’i demonstron fijet e vëllazërimit të lashtë rumuno/shqiptar, jo vetëm të kulturës bashkëkohore. Shqiptarët din t’i botojë dhe komentojë në shtypin rumun, ndërsa rumunët din t’i popullarizojnë në Kosovë, përmes artikujve apo përmes antologjive letrare të një niveli editorial të jashtëzakonshëm. Kështu duke ndenjur gjërat, e ndjej veten i detyruar të shtoj se përmes mënyrës së tij për të qenë dhe për t’u sjellur në shoqëri, në kompaninë e letrarëve nuk të mërzit, nuk krenohet, nuk insiston ta dëgjosh apo t’i besosh. Mu për këtë, sivëllezërit e tij rumunë që i shërbejnë shkrimit, e pranojnë me kënaqësi në kompaninë e tyre, si një lule të rrallë, e ftuar thuajse për rikonstituimin e një ylberi të mirëseardhur e të bukur si një buqetë lulesh të fushës. Baki Ymeri është një shembull të cilin duhet ta ndjekin edhe të tjerët. (Florentin Popescu)

 

Për Shqiponjën e Dardanisë në trojet e Rumanisë, femra është një zjarr i shenjtë, ndërsa për mua ai përfaqëson zjarrin e shenjtë të një misioni historik. Po filloj kështusoj, ngase me të arritur në mbarim të leximit, u mahnita fort, jo aq nga stili dhe trajtimi që i dallon poetët e përfshirë në antologjitë e tij, sa nga mënyra se si i bashkon të gjithë nën shenjën e ndjeshmërisë dhe të forcës për të mbetur kudo, në çdo rrethanë, me zemër në fërgëllimën a vatrës amtare. Baki Ymeri është shqiptar besnik dhe i qëndrueshëm porsi ushtari, dashamir i vlerave hyjnore siç është fluturimi ynë për në qiell. Ai ka këmbënguljen, guximin, qëndresën dhe durimin e lumenjve të malit që e marrin rrugën për në gjerësi të fushës, pa marrë parasysh shkëmbinjtë, me bindjen se, më herët apo më vonë, do ta zbusë me ujërat e tij etjen e atyre që e presin. Këtij njeriu të jashtëzakonshëm dhe madhështor, në çdo gjë që bën, poezia shqipe i ka borxh të madh, jo vetëm për vlerat, por edhe për prurjen e tyre në shpirtin e kohës së sotme rumune. (Mihai Antonescu)

 

Lakmia për t’iu rrekur magjepsjes është këmbëngulëse, dhe këtu, Baki Ymeri na e kujton Biblilin e gjuhës shqipe, Naim Frashërin e pavdekshëm, i cili në magjepsje, prante që të bëhej baltë e pluhur, për ta shkelur këmba e saj... I paepur - me zemër kristali në dorë e me shpirtin e florinjtë në buzë, porsi Ovidi, edhe heroi lirik i Poemave të mëndafshta, ka vajtur në qytetin e kapitjeve të ëmbla, për ta ndjerë ritmin e brendshëm të shtatit të hijshëm, që i përngjan një fushe të bukur me dredhëza të ëmbla. Kemi këtu një apostrofim aristik jashtëzakonisht përsonifikues, që reflekton përjetim të thellë ndjenjash të sinqerta të një bote të pasur dhe të pastër shpirtërore, e cila bukurisë i gjegjet pa hezitim. Në mjeshtrinë e të shkruarit të Baki Ymerit, ndjenja e përgjegjësisë që arti të jetë në funksion të lumturisë së vërtetë, është vazhdimisht e theksuar dhe e shtruar qartë: mirëkuptim reciprok, larg pasionesh të shfrenuara dhe devijimesh morale, që e lëndojnë dashurinë e devotshme. Kur ky kriter nuk zbatohet, acarohen inatet, dhe domosdo manifestohet ndjenja e hakmarrjes: “Tani është radha jote/ Të vraposh pas meje/ Dhe s’do t’i gjesh flatrat e mia/ Ngase aq shpirt kam vënë në to.” (Kaltrina). Bredharakut të pandalshëm, dashnorit të madh rebel dhe lozonjarit të ëmbël, në çast i pikon zemra sapo shfaqet frymëzimi dhe me gjithë afshin e shpirtit pyet:  “Kush është ky ëngjël/ Që po pret në dritare/ E pyeta hënën/ Dhe ajo m’u përgjegj/ Më mirë është mos ta dish!” (Fryti i ndaluar).  (Skënder Zogaj)

 

I dehur me ajrin e dashurisë, i prekur nga flatrat e saj, i ndjeshëm nga çdo manifestim subtil njerëzor, i magjepsur pas feminitetit, pas bukurisë së ndjenjave njerëzore, pas brishtësisë fizike, poeti përpiqet ta sjellë përjetimin e tij në formë vargjesh. Poeti gëzohet prej dashurisë, mbushet me energji e vitalitet. Poezia merr formën e një reaksioni verbal, e një gjesti verbal të një natyre tjetër. Poezia merr vlerat e një shpëtimi, e një arratie dhe mbetje në të tashme, një balsam dhe një lëndim njëherazi, një shenjë e vetmisë dhe e pranisë së një qënjeje tjetër.  (Tresha dashurie, Mjaltë, Mallkim me erëtima, Fuqia e dashurisë, Femra të stolisura në mëndafsh dhe ajër, Mall, Je këngë, Gjinjtë, Vargje dashurie, Brishtësi, Kolendër dashurie, etj.)  Përmendim vetëm një numër titujsh nga poezia erotike. Siç vihet re dhe nga ana sasiore paleta e këtyre poezive është zhvilluar ndjeshëm. Prirja natyrale, por dhe ku rezultatet janë më të arrira, është poezia e dashurisë.          Përgjithsisht obcioni i tij është poezia e shkurtër, thënë ndryshe i pëlqen të flasë pak, por në mënyrë sugjestive, mendimi është i përqëndruar, e foluara realizohet me një frymë. Posaçërisht poezitë e dashurisë janë shprehje e ngarkesave maksimale emocionale. Intesiteti i përjetimit i ngjesh mjetet gjuhësore, i ekonomizon dhe për pasojë ligjërimi ngjason me një të folur magjepsës. Baki Ymeri përbën një model jetësor që t’i përkujton modelet e Rilindjes Kombëtare, një jetë e martirizuar për një ideal të lartë. Do të përmëndja këtu ndihmesën e posaçme që ka luajtur për sensibilizimin e problemit të Kosovës në veri të Danubit, veçanërisht gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, në kohën kur Kosova kishte nevojë për sensibilizimin e saj (1989-1999). Bakiu është njeriu që shkriu jetën për historinë e shqiptarëve të Rumanisë, dhe mbi të gjitha për poezinë, këtë dhuratë hyjnore, që e ka bërë, dhe vazhdon ta bëjë të frytshme.  (Luan Topçiu)

 

BOX


 

Baki Ymeri në faqet e revistës Kosovarja (shkurt 2012)

 

B. Y. me dy nga bukuroshet e tij, më 1972 dhe 1992

 

Fragment nga biblioteka e Baki Ymerit në Bukuresht

 

B. Y. me Kaltrinën e tij në Brailë dhe pamje nga arkivi i tij në Bukuresht

Disa poezi kushtuar B. Y. në revitën Provincia Corvina (2012)

 



(Vota: 26 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora