E enjte, 18.04.2024, 05:11 PM (GMT+1)

Mendime

Adnan Abrashi: Një kushtetutë që mendon anglisht e flet shqip

E premte, 14.03.2008, 05:43 PM


NJË KUSHTETUTË QË MENDON ANGLISHT E FLET SHQIP

Nga Adnan Abrashi

Adnan Abrashi
Me afrimin edhe të aktit formale të aprovimit nga Kuvendi i Kosovës, Draft Kushtetuta e Republikës së Kosovës, është ende në diskutim publik. Bazuar në disa reagime të drejtpërdrejta të qytetarëve nëpër tubime popullore dhe ato publicistike në opinion, dhe, pa marrë parasysh se nga çfarë shtresash sociale na vinë ato, lirshëm mund të thuhet se, shumica nga këto shqetësime, vërejtje dhe sugjerime të paraqitura në Draftin e propozuar, janë tejet të qëlluara dhe plotësisht të bazuara. Ato, përveç se me plotë të drejtë, godasin në mangësitë tejet evidente cilësore dhe përmbajtjesore formale-juridike, nga ana tjetër, me interesimin e tyre të madh, tregojnë një vetëdisim të lartë të popullit tonë për rëndësinë e madhe që ka ky akt konstituiv formal në ndërtimin e bazave juridike të një shteti të ri sikurse është Kosova..
Nëse, gjatë diskutimeve publike rreth këtij Drafti, pak më me vëmendje përqendrohemi në psikologjinë e reagimeve spontane të masës së gjerë popullore, në to do të vërejmë një shkallë të ngritur të shprehjes së dyshimit dhe mosbesimit kolektiv e cila është drejtuar  si ndaj Draftit të ofruar për diskutim, ashtu edhe ndaj arsyetimeve “profesionale” të përpiluesve të tij.  Por, sado që këso forma të reagimit popullor janë emocionale dhe shprehin një dozë frustrimi, aspak nuk duhet kuptuar si mangësi kolektive të një kulture të komunikimit, por si një reagim të natyrshme preventivë, që e ka gjenezën në përvojat e hidhura të së kaluarës tonë të afërt përplot me këso far diskutime publike farse dhe mashtruese rreth amendamenteve, drafteve dhe ndryshimeve të ndryshme kushtetuese, të cilat më vonë, sikur thotë populli, na kanë dalë “kapuç me mangë”
Meqë, në këto diskutime publike për Kushtetutën e Republikës së Kosovës, janë dhënë mjaftë vërejtje dhe sugjerime tejet konstruktive, tejet të qëlluara, besa –besa, në disa raste, edhe më origjinale nga ato formulime të vetë ekspertëve që kanë marrë pjesë në  përpilimin e saj, unë si një jurist i zakonshëm, mund të konstatoj se plotësisht pajtohem me to. Por, në vazhdim, i japi vetes guxim, që përmes këtij artikulli, të ngacmoj një aspekt krejtësisht tjetër përmbajtjesor dhe tejet të rëndësishëm akademik dhe kulturor, për të cilin, lirshëm mund të them se jam edhe nga pak laik.
Shprehur figurativisht, fala është për stilin dhe gjuhën me të cilën “fletë” Kushtetuta e jonë në propozim.
Edhe nëse e kishim anashkaluar nevojën e patjetërsueshme të vlerësimit profesional të këtij akti sipas standardeve: fonetike, gramatikore, morfologjike dhe sintaksore të gjuhës shqipe, edhe vetë një qytetar i zakonshëm, intuitivisht mund të parandiejë se fjalitë dhe konceptet formuluese të kuptimeve normative konkretizuese, aspak nuk kanë intonacion  e kapshmërisë për veshin e një shqiptari. Në strukturën e brendësisë së fjalive të huazuar sintaksore, ndjehet qartë mungesa irracionale e një frymëzimi të përsiatur profesional. Të gjitha kuptimet, nocionet dhe frazat që e ndërtojnë tërësinë normative të këtij Drafti, nuk rrezatojnë ndjenjën e burimit të tyre të vërtetë nga një mendje krijuese ekspertësh që mendojnë dhe flasin shqip, por, thjesht, na shpalosen si përkthime të zbehta dhe joprofesionale të bëra nga një gjuhë tjetër. Andaj, së paku ashtu sikur po na propozohet  si draft, lirisht mund të konstatojmë se Kushtetuta jonë e re, “mendon anglisht dhe flet shqip”. 
Që të jetë befasia ime më e shprehur në këtë drejtim, ndikon vet fakti se në radhët e anëtarëve të Komisionit për përpilimin e Draft Kushtetutës së Republikës së Kosovës, janë emrat të ekspertëve më eminent të shkencës tonë juridike. Në mesin e tyre është edhe një doktor i letërsisë, para të cilit sinqerisht kërkoj falje publike nëse nuk ja kam qëlluar me këto vërejtje të cilat më tepër ndërlidhen me lëmin e tij të ngushtë.
Edhe një jurist më i zakonshëm në profesion e di se, kushtetuta si një akt formal dhe më i lartë konstituiv i një shteti, është bazament normativ mbi të cilin në harmonizim dhe përputhshmëri të plotë i nënshtrohen të gjitha ligjet dhe aktet tjera të përgjithshme juridike të një shteti. E thënë më Konkretisht, ajo imponon kushtetutshmërinë e akteve tjera juridike me vetveten. Kjo nënkupton pra, se, në rend të parë, përveç pajtueshmërisë materiale dhe parimore të nënakteve tjera, shumë pozicione normative të definimeve kuptimore dhe terminologjike, nga Kushtetuta, barten edhe në ligjet dhe aktet tjera pasuese juridike. Nëse struktura kuptimore e normave Kushtetuese, logjikisht, terminologjikisht, fonetikisht, gramatikisht, morfologjikisht dhe nga aspekti sintaksor, nuk janë adekuate, atëherë, këto mangësi, sipas një principi zinxhiror do të përcillet edhe tek aktet tjera më të ulëta juridike. P.sh. Draft Kushtetua në propozim, fare nuk dallon termin “GJYKATËS” nga “GJYQTAR”. Aty, edhe kur mendohet për “gjykatës”, përdoret termi “gjyqtar”. Edhe pse në shikim të parë këto terma, duken afërsisht të ngjashme me njëra tjetrën, ato nuk janë sinonime, por kanë kuptime krejtësisht të tjera në mes veti.
Gjykatësi është profesionist, jurist i diplomuar dhe me provimin e dhënë profesional të jurispondencës, i cili ka mandat të plotfuqishëm të gjykoj dhe të marrë vendim për një çështje juridike sipas dispozitave pozitive në fuqi. Ndërsa, “gjyqtari” në kuptimin juridik, është nëpunës i drejtësisë popullore, i zgjedhur në një organ gjyqësor për shqyrtimin dhe zgjidhjen e çështjeve të ndryshme penale dhe civile (gjyqtar porotë), ndërsa në kuptimin sportiv, “gjyqtari” është ai person që gjykon një ndeshje apo një lojë sportive...e kështu me radhë.
E tani, merrni me mend, nëse ta zëmë, ky gabim terminologjik, sipas obligimit të përputhshmërisë së saj me kushtetutën, formalisht përsëritet edhe tek ligjet dhe aktet tjera të përgjithshme ku rregullohen procedurat juridike?!!
Por, edhe pse këtë shembull e morra si krahasim, nëse e kemi parasysh prezencën kudo dhe në çdo instanca të shprehisë së “mbrapshtisë” tonë, prapë se prapë mendoj se një gabim i tillë kurrsesi nuk mund të ndodhi, sepse, gjithmonë te ne, më së pari aprovohen ligjet dhe aktet tjera më të ulëta juridike, e tek më në fund Kushtetuta?!!
Që prej kohës së instalimit të pushtetit të UNMIK-ut në Kosovë, nga viti 1999, në etikën dhe estetikën e legjistraturës së mirëfilltë kosovare, po ndodh një katastrofë dhe degradim total, si nga aspekti i kulturës së shkuarjes akademike juridike, ashtu edhe me vetë stilin e një niveli të ultë të komunikimit profesional.
Lirisht mund të konstatojmë se deri më sot, nuk ka ligj apo ndonjë akt tjetër juridik të aprovuar nga UNMIK-u, të cilin, si nga aspekti ortografik gjuhësor, ashtu edhe terminologjik dhe sintaksor, nuk e kanë “masakruar” apo devijuar përkthyesit tanë analfabet që punojnë në këto institucione ndërkombëtare.
Kjo shprehi e gabuar, fatkeqësisht, sikur duket, po shprehet edhe me Draftin e propozuar të Kushtetutës së Kosovës, mënyra e përpilimit të së cilës, nuk po dallon nga praktikat e gjertanishme të “copy-paste” dhe përkthimeve katastrofale gjuhësore të shumë akteve dhe dokumenteve tjera shtetërore. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora