E enjte, 25.04.2024, 04:31 AM (GMT+1)

Kulturë

Flet Presidentja e Institutit të Promocionit të librit “Toena”, Irena Toçi

E diele, 18.03.2012, 04:14 PM


Domosdoshmëri e kohës, bibliotekat publike

 

Nga Albert ZHOLI

 

Ajo është një grua e qetë, por mjaft punëtore dhe sistematike në punë. Pasi bashkëshorti i saj, Fatmir Toçi u zgjodh deputet i PS-së në zgjedhjet e fundit parlamentare, ajo mori në dorë shtëpinë botuese më të madhe në vend “Toena”, duke e drejtuar po aq me sukses dhe kur e kishte i shoqi. Në këtë periudhë drejtimi të “Toena”, Irena shpalosi jo vetëm vlerat e saj si organizatore, por edhe si intelektuale, pasi në shumë promovime ajo ka qenë prezantuesja e librave të shkrimtarëve dhe poetëve më të mirë të hapësirave mbarëshqiptare. Krahas punës ajo është dhe një nënë shembullore dhe e papërtuar. Në bisedat me të kurrë nuk mund t’i shmangesh debatit mbi librat, mbi të rejat në këtë fushë si dhe perspektivat e librit në Shqipëri. Në këtë bisedë ajo nxjerr në pah problematikat serioze të librit në kohën ë e tashme, por dhe rrugët që duhen gjetur për të çuar librin tek lexuesi, si dhe rolin që duhet të luajë politika shqiptare për përhapjen dhe ndihmën në përkthimin dhe çuarjen e librit në duart e lexuesit në të gjithë trojet shqiptare. E në rast se sot Shqipëria ka nevojë për një model të ri ekonomik dhe social, kjo nevojë vjen, në radhë të parë, nga ajo që ka atdheu ynë për të mos e humbur rininë dhe kapitalin e saj njerëzor, thekson në këtë bisedë për “Telegraf”, znj. Irena Toçi.

 

Ju kini një nga entet më të fuqishme dhe më të rëndësishme botuese, aq më tepër një institut që merret edhe me menaxhimin e librit, ç’mund të na thoni për shfrytëzimin e librit te ne?

 

Libri është pjesë e natyrshme e vlerave më të mira krijuese në fushën e artit dhe të kulturës, mirëmenaxhimi dhe vënia në eficiencë e të cilave duhet të jetë një nga pikësynimet kryesore të çdo qeverie, për sa kohë ai, libri, është një nga faktorët që luan rol tejet të rëndësishëm në përcaktimin e identitetit tonë kombëtar.

 

Çfarë problemesh e kanë shoqëruar ecurinë e editorisë private gjatë viteve të fundit?

 

Problematikat që e kanë shoqëruar ecurinë e editorisë private gjatë viteve të fundit në raport me institucionet shtetërore përkatëse janë të shumta dhe ende të pazgjidhura.

Së pari, në listën e këtyre problematikave do të rreshtoja politikat e munguara gjatë gjithë këtij 20-vjeçari në mbështetje të përçimit të vlerave të krijuara nga autorët shqiptarë jashtë kufijve shtetërorë dhe përtej gjuhës shqipe. Në të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit, në Greqi, në Maqedoni, në Slloveni, në Kroaci, Serbi, Bullgari, Turqi por edhe në vendet më të fuqishme të Evropës, Gjermani, Francë, Spanjë, Itali, Suedi, Norvegji, apo në shtete të tilla të botës si Brazil, Argjentinë, Izrael etj. funksionojnë Qendrat Kombëtare të Librit ose janë të miratuara fonde të mjaftueshme për përkthimin e autorëve vendas në çdo gjuhë tjetër të mundshme të botës. Nëse kjo do të bëhet e mundur edhe në Shqipëri, duke krijuar një Qendër Kombëtare të Librit, apo duke miratuar një fond të mjaftueshëm në buxhetin e shtetit të çdo viti për përkthimin e autorëve shqiptarë në gjuhë të tjera, do të arrinim t’i krijonim atyre mundësinë të ndiheshin të barabartë mes të barabartëve, do t’u jepnim stimulin për të krijuar një letërsi me tema më universale, do t’i jepnim dinjitet kulturës sonë të shkruar dhe do ta bënim atë njohur për këdo në botë.

Pra, problemet janë të shumta?

Një problem tjetër akut është vënia në eficiencë e bibliotekave publike, numri të cilave jo vetëm që është rrudhur gjithmonë e më shumë duke përfunduar në rreth 35 nga 2400 të tilla para viteve ‘90, por edhe u është shkurtuar në mënyrë drastike fondi i buxhetit që shërben për pasurimin e vazhdueshëm të tyre me tituj të rinj. Mosfunksionimi i këtyre bibliotekave, bën të pamundur kontaktin me librin dhe kulturën e shkruar bashkëkohore të pjesës më të madhe të popullsisë, që nuk ka mundësi financiare për ta blerë librin, por që do të dëshironte ta lexonte atë. Jemi në kushtet që numri i lexuesve të rregullt ulet çdo ditë edhe për shkak të krizës ekonomike dhe duhet menduar seriozisht se boshllëku që krijohet për shkak të mos kontaktit të rregullt me librin kthehet në një fenomen të zakonshëm dhe të rrezikshëm për qytetarinë.

Mund të na sqaroni pak përjashtimin nga lista e subjekteve të tvsh-së të enteve botuese?

Një problem tjetër i madh është krijuar që prej vitit 2005, kur entet botuese u përjashtuan nga lista e subjekteve të tvsh-së duke hequr tvsh-në për librin në momentin e shitjes së tij në librari. Madje, ky operacion pa sens financiar është trumbetuar si një ndihmesë e madhe për konsumatorin, në këtë rast lexuesin, i cili nuk do të paguante më taksa për leximin. E vërteta në fakt është krejt tjetër, të gjithë botuesit shqiptarë që i prodhojnë librat e tyre në shtypshkronjat shqiptare u paguajnë në çdo rast këtyre të fundit 20% më shumë për taksën e vlerës së shtuar dhe detyrimisht e pasqyrojnë këtë pagesë në çmimin e shitjes së librit në librari sepse nuk kanë asnjë mundësi ta zbusin atë për sa kohë nuk janë subjekt i tvsh-së. Librit, pra duhet sa më shpejtë që të jetë e mundur ose t’i hiqet tvsh-ja edhe në prodhim ose – gjë që është më e logjikshme – të ribëhet subjekt i tvsh-së, por këtë herë i tvsh-së së diferencuar në mënyrë preferenciale nga 0-4%, siç e kanë edhe shtete të tjera të Evropës dhe rajonit. Nuk duhet harruar se që prej fillimit të funksionimit të këtij ligji, për librat që prodhohen jashtë kufijve shtetërorë nuk paguhet 20% i tvsh-së kur hyjnë në tregun shqiptar. Kjo krijon një disfavor shumë të madh për tipografët vendas, të cilët vetë shteti i shkurajon në punën e tyre duke favorizuar prodhuesit e huaj.

Së fundi, qarkullimi i librit në rajon ende has në një numër të madh problemesh për sa kohë ai trajtohet thjesht edhe vetëm si mall. Nuk duhet të harrojmë në asnjë moment se në rajon, në shtetet fqinje, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, por edhe në Greqi e Itali punojnë e jetojnë gati po aq shqiptarë sa edhe brenda kufijve shtetërorë. Ministritë përkatëse të Shqipërisë, ajo e financave, ajo e ekonomisë në bashkëpunim me ministritë e kulturës dhe atë të arsimit duhet të bëjnë temë të takimeve bilaterale me ministritë përkatëse të këtyre shteteve edhe lëvizjen pa pengesa të librit në këto vende. Në këtë rast do të bëhet i mundur kontakti me më shumë lexues dhe do të ritet efikasiteti i ndikimit të kulturës së shkruar.

Si mund të zgjidhen këto problematika që ju theksuat?

Shpresojmë se të gjitha këto problematika mund të bëhen të zgjidhshme nga një forcë politike me vullnet të mirë për t’i dhënë kulturës së shkruar vendin që meriton në shumësinë e vlerave të tjera krijuese kombëtare. Nuk mund të ketë politika të reja në qoftë se ato nuk zhvillohen brenda kornizës së një modeli të ri ekonomik dhe social.

Bibliotekat e shkollave

Libra kot, për të mbushur xhepa, por jo mendjet e fëmijëve

Nga ana tjetër pasurimi i bibliotekave të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme nga Drejtoritë Arsimore të rretheve që janë në varësi të Ministrisë së Arsimit, është një proces i dështuar dhe burim korrupsioni gjatë viteve të fundit. Ky proces ka degraduar në shpërdorimin e fondeve nga këto drejtori për pasurimin e bibliotekave të shkollave me libra që s’kanë asnjë lidhje logjike me mirëdukimin e fëmijëve në kohën e lirë. Ky proces ka shërbyer për të kthyer në xhepin e botuesve pranë politikës së qeverisë aktuale paratë e fondeve të taksapaguesve, për të zbrazur magazinat e tyre nga numri i madh i kopjeve të librave të pashitur prej vitesh dhe për më keq për të keqformuar apo deformuar edukimin e brezit të ri me lloj- lloj titujsh të panevojshëm apo të dëmshëm për moshën e tyre. Nëse do të bëhej një investigim i thjeshtë qoftë edhe nga media apo nga autoritet përkatëse të tatimeve do të gjenin me dhjetëra shkelje në zbatim të këtij procesi.

Pabarazi intelektuale

Në të gjitha vendet e botës funksionojnë Qendrat Kombëtare të Librit ose janë të miratuara fonde të mjaftueshme për përkthimin e autorëve vendas në çdo gjuhë tjetër të mundshme të botës. Në Shqipëri mungon një institucion i tillë, çka përbën një shkelje të të drejtave të njeriut për formim dhe informim. Nëse kjo do të bëhet e mundur edhe në Shqipëri, duke krijuar një Qendër Kombëtare të Librit, apo duke miratuar një fond të mjaftueshëm në buxhetin e shtetit të çdo viti për përkthimin e autorëve shqiptarë në gjuhë të tjera, do të arrinim t’i krijonim atyre mundësinë të ndiheshin të barabartë mes të barabartëve, do t’u jepnim stimulin për të krijuar një letërsi me tema më universale, do t’i jepnim dinjitet kulturës sonë të shkruar dhe do ta bënim atë njohur për këdo në botë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora