E diele, 04.12.2022, 02:49 AM (GMT)

Kulturë

Demir Krasniqi: Këngë satirike të grave nga Malësia e Gollakut

E hene, 19.03.2012, 08:02 PM


Nga folklori ynë:

 

KËNGË SATIRIKE TË GRAVE NGA MALËSIA E GOLLAKUT

 

Shkruan: Demir KRASNIQI

 

Në lirikën popullore të grave në Malësinë e Gollakut, pos cikleve të tjera të këngëve dasmore , kanë qenë shumë të zhvilluara edhe këngët satirike dhe humoristike . Po qe se e marrim parasysh kohën kur janë krijuar ato këngë dhe faktin se të gjitha krijueset dhe interpretueset e këtyre këngëve kanë qenë totalisht analfabete, atëherë nuk mund t’i ikim faktit se këto krijuese i takojnë kokave gjeniale të krijimtarisë popullore .

Këngët satirike dhe humoristike kanë qenë objekt thumbimi dhe kritikash nga të dyja palët e miqësisë, si nga ana e familjes së vajzës e cila do të shkojë nuse , ashtu edhe nga ana e familjes së djalit i cili do të martohej . Përmes këtyre këngëve , në thumb të kritikës dhe satirës janë vu veset, gjestet dhe sjelljet e këqija nga të dyja palët miqësore .

Në mesin e këngëve të zgjedhura nga ky cikël , e që janë mbledhur në vitet e 60-ta  dhe të 70-ta, nëpër trevat e ndryshme të Malësisë së Gollakut, në vazhdim do të shohim se cilat motive dhe tema do të thumbohen më shumë përmes këtyre këngëve .

Vargjet e këngës që i paraprinë këtij cikli, thumbojnë nusen për të cilën vajzat të cilat këndojnë , kanë vërejtur simptome të dembelisë nga ana e nuses së sapo ardhur në shtëpinë e djalit :

 

A E DI LULË ÇKA ASHT NUSNIJA

 

A e di Lulë, çka asht nusnija –

Nand’ herë n’ditjet, fshihet shpija?!

 

Nuk je çikë,me punue me grep,

Po je nuse, me ba hyzmet!

 

Mos ja ba, si njana n’ni ven –

Me i thanë vjehrrës – pse po rrenë?!

 

Mos ja ba, si njana n’kojshi –

Me i thanë vjehrrës – s’rri me ty!

 

Mos ja ba, si njana n’katun –

Me i thanë vjehrrës – po han shumë!...

 

N’shpi t’huej s’munesh me sundue,

Duhet me ungjë kryet e me punue!

 

Kënga në vijim, i këndohet nuses gjatë orëve të mbrëmjes së parë të ardhjes së saj në shtëpinë e djalit. Në thumb të kritikës dhe satirës, do të jetë nëna e nuses (vajzës), të cilën nga mllefi i tyre , përmes këngës e trajtojnë si grua të pamoralshme :

 

A PATËT DARSUM, A PATËT KANAGJEGJ?

 

A patët Luli, darsum, a patët kanagjegj?

A i thirri nana – jaranat  e vet?

 

Gjysa i kan ardhë, gjysa s’i kan ardhë;

Prej marakut t’tyne – s’mun ka hangër darkë!

 

Për ta shprehur mllefin ndaj babait të nuses , i cili gjatë kohës së qëndrimit të nuses “Nën unazë” dhe çejzimit të saj , iu ka sjellur telashe të mëdha familjes së djalit (dhëndrit) , vajzat të cilat këndojnë me defe në dasmën e djalit që do të martohet, ato do ta vëjnë në thumb të kritikës babain e nuses, duke mos i kursyer fjalët, shprehjet as figurat më të shëmtuara , madje edhe mallkimet :

 

BABA I LULËS – DYREKU I SHPISË

 

Baba i Lulës – dyreku i shpisë,

T’rafshin plumat e marrshalisë!

 

Plumat e marrshalisë, t’dokën pak –

T’huptë xhenazja me toprak!

 

Grueja e jote, t’daltë n’sokak,

T’i pshtjelltë zorrtë me pshellak!

 

Kut e kut, qent e mahallës –

Hajdi e hani zorrt e budallës!

 

Në rastet , kur babai i vajzës që i kërkohet për nuse , nuk pranon që t’a japë vajzën pa e pa vendin, shtëpinë dhe djalin për të cilin i kërkohet vajza për nuse , vajzat këngëtore do t’i këndojnë këngë satirike si vijon :

 

BABA I LULËS PA MILET

 

Baba i Lulës,pa milet,

Erdh e zgjedhi venin vet –

Kun behane sun i gjet!

 

Kur e prunë me pa n’oborr –

Ju ka doktë sikur n’Stamoll!

 

Kur e çuen n’odë – oda si kullë,

Kur e shtinë n’shpi – shpija me furrë!

 

Kur e çuen nëpër bashqe –

Rrethëm-rreth lule kulaçe,

Në mjedis, ni lulë bojëgjake!

 

Kur e çuen nëpër ara –

Krejt jeshil me drithna t’bardha!

 

Për sjelljet jo të mira ndaj miqve , babai i vajzës (nuses) , sërish do të thumbohet ashpër përmes këngës satirike :

 

BABA I NUSËS – DYREKU  I SHPISË

 

Baba i nusës – dyreku i shpisë,

Do ta vrasum me pluma t’alltisë!

 

Me pluma t’alltisë e birofshumë,

Me dyshek e rrotullofshumë!

 

Në rastet kur babai i nuses , do t’i ketë gjetë ndonjë behane djalit për të cilin po i kërkohej vajza për nuse, këtë do t’ia përkujtojnë nuses permes këngës, duke ia thumbuar në shenjë hakmarrjeje , jo vetëm babain, por edhe motrën dhe vëllanë e saj :

 

BABA I NUSËS – KRYET SI KALI

 

Baba i nusës – kryet si kali,

Na i gjajshe behane, der kti djali!

 

Vllavi i nusës asht i ngratë,

Ti pa motër, e na me kunatë!

 

Motra e nusës – lamshi i tjerrit,

Hyxhym bajke me ardhë mas kerrit!

 

Lum Lulija, pse se more –

E kam vllavin t’qasaj dore?!

 

Në rastet kur babai i nuses bënte ojna dhe nuk donte që t’ua jap vajzën me qëllim që ta shtyjë edhe ndonjë vjet , ai do të thumbohet ashpër permes këngëve satirike , duke e trajtuar atë si një njeri varfanjak , i cili nuk ka bukë të mjaftueshëm për ta mbajtur familjen, nuk e paguan tatimin (porezin), si njeri të pamoralshëm (dilenxhi), të cilin në vend të tatimit ia kanë marrë edhe gruan :

 

BE E BE AI BABGJYSH DERRI

 

Be e be, ai Babgjysh-derri:

“Nuk ta jap sivjet!”

Kur ju bitis buka t’mjerit –

Erdh na luti vet!

 

Erdh na luti vet,

Ai dilinxhija,

Se ja kish marrë gruen,

Porezxhija!

 

Ja kish marrën gruen,

E ja kish çue;

Te dera e stanicës

Ja kish palue!

Kush po kapërcejke –

Dorën po ja merrke!

 

Ani dilinxhijën me martue,

Dilinxhija thotë s’e due!

Tha shejtani ama mue –

T’ia çes shalën me e shilue!

 

Kënga satirike e radhës , i këndohet dhëndrit kur vjen për herë të parë mysafir në shtëpinë e nuses së tij, përkatësisht, tek miqt e tij:

 

ÇKA E KE ÇUE KRYET SI KALI

 

U ungjë dhandrri te trapazani –

Kryet përpjetë – sytë kah tavani!

 

Çka e ke çue kryet si kali –

Sa çivija i ka tavani?

 

A i ka nandë, a i ka dhetë ?

Me e lëpi qiellen s’munë me i prekë!

 

Natën e parë, kur vjen nusja në shtëpinë e djalit me të cilin do të martohet, po qe se nusja nga pamja fizike duket e zajftë , këngëtoret do ta këndojnë përmes satirës, duke ia përshkruar gjendjen familjare si varfanjake dhe koprace, e cila nuk i ka dhënë vajzës ushqim të mjaftueshëm :

 

ÇKA JE THA LULË, ÇKA JE TERË

 

Çka je tha Lulë, çka je terë,

A ke pasë naj gja me mjelë?

 

- E kem pasë ni qyqe dhi,

Kurr s’um lajke nana me pi!

 

Kurr s’um lajke nana me pi –

E marrke, e mjelke, e shtike n’dry!

 

Kur shkojke nana me nejtë te dajtë –

E kërkojsha ni lugë tamël thatë!

 

Kur shkojke baba, me e marrë nanën –

Unë e pijsha ni gjyveç tamël!

 

Në rastet kur nusja e sapo ardhur në shtëpinë e burrit, do të ofshajë qoftë nga lodhja e madhe , qoftë nga malli e mërzija që është ndarë nga familja e saj, këngëtoret menjëherë do ta thumbojnë përmes këngës satirike, duke i bërë pytje interne se për kend po ofshanë? Për t’ia larguar vëmendjen nga malli ndaj prindërve , ato ia adresojnë ofshamjet se gjoja po mërzitet për shoqet e veta që i ka lanë, por ato i preferojnë nuses që edhe ato vajza t’i merr këndej për t’i martuar me djemtë që presin në radhë për martesa:

 

ÇKA KI OJ LULIJE QI PO SHMON

 

Çka ki, oj Lulije, qi po shmon,

A e ki për babë, a për nanë?

 

-As se kam për babë, as për nanë,

Veç për nja dy shoqe qi i kam lanë!

 

N’ kofshin t’ mira, qitnaj n’ kit anë,

N’ kofshin t’ këqija, t’ i plastë ni zanë!

 

Në rastet kur nusja nuk mund ta mbajë qëndrimin e saj drejt nga lodhjet e mëdha, malli , pagjumësia dhe rrugëtimi i gjatë, këngëtoret do t’ia këndojnë babanë si një njeri të çmendur dhe torturues , kurse nënën e saj do t’ia krahasojnë me një shkinë (serbe) e cila vajzën e saj e paska dashur vetëm sa për hyzmet :

 

ÇKA KI OJ LULIJE QI PE MANË KRYET SHTREMTË

 

Çka ki oj Lulije, qi pe manë kryet shtremtë;

A mos t’ka trenue, qaj baba i trentë?!

 

Ani,kur e kish – qeni nuk e dojke;

I rajke me thupër, çikën e tranojke!

 

Pe çet nane-shkina, ni grusht kashtë –

Pe lypë Bukurijen, her’ mrena, her’ jasht!

 

Rrite, gjyshe-shkina, rrite e rueje apet;

Tjetërkujna çoja – le t’i bajnë hyzmet!

 

Në rastet kur nusja vjen e pa rregulluar mirë dhe vërehet se nuk i është vu dyzeni mirë, këngëtoret përmes satires do t’i thumbojnë shumë ashpër ato vajza, apo bija , të cilat kanë qenë të angazhuara për t’ia vu nuses dyzenin :

 

OJ LULIJA JONË KUSH TA NGJITI T’ KUQIN?

 

Oj Lulija jonë, kush ta ngjiti t’kuqin?

-Ani,qato çika, he, ma hangshin mutin!

 

Oj Lulija jonë, kush ta vnoj dyzenin?

-Ani, qato çika, he, e marrshin veremin!

 

Oj Lulija jonë, kush t’i ngjiti lirat?

Ani, qato çika, he, m’i marrshin t’ligat!

 

Oj Lulija jonë, kush ta ngjiti t’bardhët?

Ani, qato çika, he, i marrshin magarët!

 

Oj, Lulija jonë, kush ta ngjiti kanën?

Ani, qato çika, he, j a u kajsha nanën!

 

Kënga vijuese , flet për kohën kur është ndarë vadja e martesës së vajzës dhe tani baba i nuses do të satirizohet si një varfanjak i cili di të përpunojë vetëm çerepë të cilët i shet sa për t’iu ble bukë familjes dhe tani është në hall se si të përgatitet për përcjelljen e vajzës së tij për nuse , me ç’ rast nuk ka as çka të pret për mish :

 

DILNI,DILNI KUSH PO THËRRET

 

Dilni, dilni, kush po thërret?

-Baba i nusës, çerepë po shet!

 

Dil e vetne – ka sa po i shet?

-N’dash me miell, n’dash me bylmet!

 

-N’dash me miell, n’dash me bylmet,

Kam ni çikë me e ndreqë sivjet!

 

-Me e pre macën – kurrgja nuk çet,

Me e pre qenin – fikna krejt!

 

Është zakon , që nusja kur të vijë në shtëpinë e djalit me të cilin do të martohet, një kohë të gjatë të qëndrojë në këmbë duke ndejur paluar dhe me sy të mbyllur nën duvakun që ia mbulon kokën, sytë dhe fytyrën . Në rast se e vërejnë këngëtoret se nusja po i çelë sytë ndonjëherë , atëherë do ta këndojnë menjëherë kështu:

 

DUVAKI I HOLLË

 

Ta ka nxjerrë, oj Luli,baba –

Duvakin e hollë;

Mshili sytë, oj Lulije,

Se u bane horë!

 

Ta ka nxjerrë, oj Luli,baba –

Duvakin e bardhë;

Mshili sytë,o j Lulije,

Se u bane prrallë!

 

Mshili sytë, oj Lulije,

Se nuk ban me pa;

Don me i njoftë ti sonte

Bija edhe gra?!

 

Kënga vijuese i dedikohet nuses dembelicë , e cila përton që të punojë, të kujdeset për lopët, për kijet , për qenin, por që nuk përton për të ngrënë bukë:

 

HAJDE NUSE ME I LIDHË LOPTË

 

Hajde nuse, me i lidhë loptë –

Uh, vallahi s’ja u di kanoptë!

 

Hajde nuse, me i lidhë kijet –

Uh,vallahi s’ja u di fijet!

 

Çou,bre nuse,me e lidhë qenin –

Tybe n’Zotin, s’ia di venin!

 

Hajde nuse, me hangër buk –

Po vallahi, me ni pup!

 

Në rastet kur konstatohet se nëna e nuses është shkaktare që po e zvaritë kohën e martesës së vajzës së saj , atëherë asaj do t’i këndohet kënga satirike kështu:

 

HAJDE OJ LULI A PO VJEN

 

Hajde, oj Luli, a po vjen?

-Kam ni qyqe nane, nuk po m’len!

 

Kam ni qyqe nane, nuk po m’len;

Po, po m’çon çobaneshë me dhenë!

 

Dhenë e kingja,oj nanë, t’dalshin fare;

Qysh po don me m’nalë, rroktareshë pa pare!

 

Merri nano,dhentë e mshili në torishtë;

Djalit të hazdretit – çefin mos ja prish!

 

Gjatë ditëve sa do të qajë nusja tek prindërit e vet, motrat e djalit i cili do të martohet, ndiejnë dhembje për vajin e saj dhe në shenjë dhembje , do të shprehin mllefin ndaj babait të saj, duke ia nënçmuar tokën , oborrin, pemët dhe shtëpijat e tij , që nuk janë as për së afërmi sikur që janë ato të dhëndrit :

 

KAJË LULIJA JONË

 

Kajë lulija jonë, natën teri vonë,

Toka e babgjysh-derrit, sa oborri i jonë!

 

Sa oborri i jonë, me gurë t’sheqerit,

Rreth e rrethekueme me kojsija t’shehrit!

 

Kojsijat e shehrit çelin jargovan,

Shpijat tona janë t’marueme me pllan!

 

Nuk janë të rralla përgojimet, shpifjet dhe etiketimet të cilat iu bëheshin dhënduerve për të cilët ishin fejuar vajzat . Këto motive , mund të mirreshin si shkas për të qajtur dhe mërzitur vajzat të cilat do të shkonin nuse edhe më shumë, nga se ato nuk i lejonte kanuni që të shiheshin me të fejuarin deri natën e martesës dhe nuk e dinin fare se për kënd do të shkonin nuse :

 

KAN SUZANA ME MËRZI

 

Kan Suzana, me mërzi –

I kan thanë: ”Ismeti i zi!”

 

Kan suzana me marak –

I kan thanë: ”Ismeti a plak!”

 

Kur të vjen ndoni kunatë –

Mos e rrok, ti, ndo’ i lagraqë!

 

Kur të vjen ndo i kusherinë –

Mos e rrok ti ndo i pallzinë!

 

Kur të vinë ndo i drugaricë –

Mos e rrok ti, ndo i sakicë!

 

Në këngët satirike të dasmave , këngëtoret nuk do të harrojnë që përmes satirës t’ia përqeshin dhe nënçmojnë madje edhe fshatin prej ku do ta marrin nusen , duke e lavdëruar familjen e djalit që do të martohet, si familje shumë të pasur e cila madje ka edhe aeroplana me të cilët do ta marrin nusen nga terrenet e vështura :

 

KEÇEKOLLA SHPAT E GURI

 

Keçekolla, shpat e guri –

As s’hecë drama, as pampuri!

 

As s’hecë drama, as pampuri,

Veç magari kamtë si uri!

 

Ksaj Lulijes, moj, çka ti bajna?

Do ta marrum me bollana!

 

Pasi të jetë marrë nusja , tani përmes këngës satirike , do t’i përshkruhet babait të nuses , se gjoja ai vet i ka lutë për t’ua dhënë vajzën për nuse :

 

LULIJO O PËLLUMBI I BUTË

 

Lulijo, o pllumi i butë,

Baba yt, vet na ka lutë!

 

Na ka lutë në dinë e imanë –

Çikën teme, du me ja u dhanë!

 

Përmes vargjeve vijuese , mallkohet babai i nuses , të cilit ia kanl marrë për nuse vajzën më të mirë (lulën) , porse të tjerat që janë të këqija si kaçat e therat , ia kanë lënë në shtëpi :

PLAS O BEJAN  PLAS

 

Plas, o bejan, plas –

E mora, e s’ta lash!

 

Kaça e therra t’i lash te dera –

T’i nxjerrshin sytë, kur daltë pranvera!

 

Që nga momenti, kur ndahet vadja për përcjelljen e vajzës për  nuse , vajzat të cilat këndojnë në shtëpinë e djalit që do të martohet , do ta satirizojnë nënën e nuses , si një varfanjake e cila nuk do të ketë se me çka t’ia bëjë dasmën e çikës së saj :

 

DILNI, DILNI KUSH ASHT TE LAMA

 

Dilni, dilni kush asht te lama?

-Nana e nusës, po shet gjylpana!

 

Vetne, vetne me çka po i shet?

-Ja me miell, ja me bylmet.

 

Kam ni çikë, me e nreqë sivjet;

Me e pre macën – kurrgja s’çet,

Me e pre qenin – fikmi krejt!

 

Për t’u lavdëruar familjarët e djalit që do të martohet, se gjoja do ta marrin nusen me qerre të kuajve , vajzat që këndojnë, përmes këngës satirike do t’ia adresojnë nënës së vajzës që do të merret për nuse, se gjoja, ajo po kërkon që vajza e saj të shkojë nuse me qerre kuajsh !Pra, kjo këngë flet për kohërat kur nuset merreshin me qerre të qejve dhe që qerret e kuajve llogariteshin si një pasuri dhe e arritur shumë e madhe shoqërore :

 

NANA E NUSES N’ ZAVJAÇ ALL

 

Nana e nusës – n’zavjaç all

Kish çue fjalë – a kini kual?!

 

Kem kual e kemi gjoga –

Kur t’vimë te ju – dridhet toka!

 

Dridhet toka – dridhet mali,

Krushku i parë – Rexhep malltari!

 

Në momentet kur nxirret nusja nga familja e saj dhe futet në qerren e nuses për të udhëtuar për në shtëpinë e martesës, në rastet kur nusja do ta kthente kokën mbrapa për t’i parë familjarët dhe shtëpinë e saj , të cilëve po u kthen shpinën për jetë e mot, këngëtoret do ta satirizojnë përmes këngës, ku do t’ia përshkruajnë nënën e saj si lakmitare për të ardhur edhe ajo me vajzën e vet, do t’ia satirizojnë babanë , duke ia përshkruar si hajn i cili mund t’ia vjedh qilimin për t’ia shitur në pazar :

 

KUR HINE NË KERR OJ LULI

 

Kur hine në kerr, oj Luli,

Çka kqyre përmas?

Unë kujtova, nana e jeme,

Qi po m’vjen përmas!

 

Kur hine në kerr, oj Luli,

Çka kqyre përmas?

Po ma merr baba, qylymin –

Po m’ban Zoti, gaz!

 

Po m’ban Zoti gaz

E po m’koritë,

Po ma çon n’pazar

E me ma shitë?!

 

Edhe varinati i këngës vijuese , flet për të njëjtat motive :

 

KUR HYPE NË KERR OJ LULI

 

Kur hype në kerr, oj Luli,

Çka kqyre përmas?

-Po ma vjedh baba, kuferin,

Po m’ban Zoti,gaz?!

 

Po m’ban Zoti,gaz

E po m’koritë –

Po ma çon n’pazar

E me ma shitë?!

 

Kur hype në kerr, oj Luli,

Çka kqyre përmas?

Po ma vjedh nana, qylymin –

Po m’ban Zoti gaz!

 

Po m’ban Zoti,gaz

E po ma merr ftyrën;

Po ma çon te oda,

Ja u shtron mysafirëve!

 

Përmes vargjeve satirike , shpeshherë këngëtoret do ta këshillojnë nusen se si duhet të sillet nëpër shtëpi me fëmijët , me burrin dhe me vjehhrinë :

 

KUR TË LYPIN OJ LULI BUK’

 

Kur të lypin, oj Luli,buk’ –

Mos e rrok, ti, naj tërfurk!

 

Kur të lypin thmija – fli,

Mos e rrok, ti, naj kaci!

 

Kur të lypin, burri, pogaqë –

Mos e rrok, ti, naj lagraçë!

 

Mos ja ba si njana n’ni ven –

Me i thanë vjehrrit: ”Pse po rrenë?!”

 

Mos ja ba si njana n’kojshi –

Me i thanë vjehrrës: ”Moj rraspi?!”

 

Kënga në vijim vënë në thumb të kritikës një dukuri shumë të largët dhe primitive , kur kishte ndonjë familje e cila i detyronte edhe gratë që të shkojnë te ara për ta lavruar tokën :

 

KUR T’VJEN VAKTI ME DALË N’ARA

 

Kur t’vjen vakti me dalë n’ara –

Vet përmas – kijet përpara!

 

Po vjen vjehrri – puna e marë!

Të marë paç, o more, vjehërr!

 

Të marë paç, o more, vjehërr –

Tu mushtë goja plot me xehër!

 

Ungju n’diell, me pushue –

Vjen laknori,pa marue!

 

Vjen laknori, hiç pa kryp –

S’munet vjehrri me e përtypë!

 

Shpifjet, përgojimet , talljet dhe përqeshjet e gojëkëqijve në llogari të miqve të rinj e sidomos në dëm të çifteve të reja, të sapo fejuara nuk kanë pushuar ndër ne kurrë . Në këtë rast, do ta mësojmë një këngë të këtij mentaliteti , përmes së cilës gojëkëqinjët kanë shpifur shumëçka në dëm të nuses së sapo fejuar :

 

KUSH T’KA THANË E ZEZË E SARIHT

 

Kush t’ka thanë – e zezë,e sarihtë?

Ju thaftë goja  dhe ju ngriftë!

 

N’kofshin gra – metshin vejushka!

N’kofshin burra – ju raftë pushka!

 

N’kofshin çika –  u zezofshin!

N’kofshin djem’ – mos u martofshin!

 

Vonesen e nuses për të hypur në qerre në ditën kur shkojnë për ta marrë në familjen e saj , këngëtoret do ta godasin përmes këngës satirike, se gjoja për këtë vonesë është fajtore nëna e saj, prej të cilës vështirë se mund të ndahet vajza :

HAJDE OJ LULIJE, HAJDE MA

 

Hajde oj Lulije, hajde ma!

-Kam ni çyçe nane e sun pe la!

 

Merre oj Luli, bjere te na,

Na e çojna rroktareshë me gja!

 

Si mos t’dinë, oj Luli,me i ruejt loptë,

Na kemi me rrajë, me ja nxjerrë floktë!

 

I njëjti motiv i satirës do të na paraqitet edhe në vargjet e këngës vijuese, por këtu do të sulmohet edhe më ashpër nëna e nuses :

 

HAJDE LULË TE NA, A PO VJEN

 

Hajde Lulë, te na – a po vjen?

-Unë pata me ardhë, po nana nuk po m’len!

 

Jepja ni vërvishtë, Luli – gjuje sa atje,

Le t’i mshilet goja, mos t’munet me lehë!

 

-Vërrvishtin ja dhash e po vi,

Derën Fadil-agës, s’po ja di!

 

-Dera e Fadil-agës, gjinet vet,

Te dera e oborrit – xhami e mejtep!

 

Në disa vende , ku vajza do të shkojë nuse në ndonjë fshat më të afërt, shpeshherë praktikohej që një grup vajzash të afërme me familjen e nuses, të shkojnë tek shtëpia ku ajo ka shkua nuse , me qëllim që ta shohin se si po ju duket atje dhe si po pritet si nuse ! Shkuarjet e këtilla në familjen  e nuses , nuk do të kalojnë pa u thumbua mirë përmes këngëve satirike :

 

LEHI QENI – KRISI AVLIJA

 

Lehi qeni – krisi avlija,

Po thotë nusja – shoqet e mija!

 

-Ku po shkoni,oj rraspija?

Qe sa kesh e ju lash te shpija!

 

Dukuri tjetër permanente nëpër dasmat e grave , është mentaliteti i thjeshtë i nuseve të cilat e xhelozojnë njëra – tjetrën për shkaqe të veshjeve , apo për shkaqe të stolive të arit, se cila prej tyre do të ketë më shumë se tjetra :

 

MOS U SHTYNI ME INATI

 

Mos u shtyni me inati –

Veç qi asht Fatimja, si dukati!

 

Mos u shtyni me u inatçue,

Se Fatimja, si lulë ka lulue!

 

Kënga satirike e radhës e cila i atribuohet nënës së nuses , flet për kohën kur për herë të parë në historinë e dasmave tona fillojnë të merren nuset me vetura dhe krushqit do të udhëtojnë me autobus . Kjo tregon se tani më marrja e nuses me qerre të kuajve dhe udhëtimi i krushqëve këmbë nëpër rrugët e largëta e të vështura kanë pushuar për gjithmonë :

 

NANA E NUSËS N’PSHELLAK ALL

 

Nana e nusës, n’pshellak all –

Po na dvetë – a kini kual?

 

Çka po t’vyejn kualt, mori shkinë?

Vijna e marrum nusën, me limuzinë!

 

Çka po t’vyejn kualt, more pus?

Vijna e marrum nusën, me autobus!

 

Në rastet kur ka dyshime se nëna e nuses nuk po e këshillon bijen e vet për së mbari se si duhet të sillet me burrin dhe familjen e tij, por po e nxitë për të keq, asaj do t’ia përkujtojnë perms këngës satirike se si duhet të sillet ajo me vajzën e vet, për të mos ia prishur rehatinë :

 

NANA E NUSËS MOJ BUDALLË

 

Nana e nusës, moj budallë –

Afroe gojën se u bane prrallë!

 

Afroe gojën e ktheu për s’marë,

Se na çikën ta kena marrë!

 

Afroe gojën e dija renin,

Mos ja prish ti, çikës venin!

 

Në momentet kur do të nisen qerret dhe krushqit për të shkuar për ta marrë nusen , përmes këngëve satirike , këngëtoret do t’ia rrisin famën dhe lavdin familjes së djalit i cili po martohet dhe do t’ia përqeshin nuses shtëpijat e mbuluara me kashtë , me fieri dhe me dërrasa :

 

NISEN KERRET N’ORA NANDË

 

Nisen kerret n’ora nandë,

Do t’ia u  kallim shpijat me sanë!

 

Nisen kerret n’ora gjashtë,

Do t’ia u  kallim shpijat me kashtë!

 

Nisen kerret pa le dielli,

Do t’ia u  kallim shpijat me fieri!

 

Nisen kerret nëpër rrasa –

Do t’ia u kallim shpijat me drrasa!

 

Në vargun e këngëve satirike , të cilat këndohen në momentet e nisejes së krushqëve dhe qerreve për marrjen e nuses , do të thumbohet prapë familja e nuses e cila do të trajtohet si familje dembele dhe gjumashe që nuk di të zgjohet heret :

 

NISEN KERRET PA LE HANA

 

Nisen kerret pa le hana –

I gjajnë miqët nër jargana!

 

Veç baba i nusës ish kan çue –

Çonu robë, se na kan rrethue!

 

Jem rrethue e u bamë prrallë –

Kan ardhë çikën me ma marrë!

 

-As s’dojmë kafe, as s’dojmë bukë,

Robin tonë e llafet shkurt!

 

Me hyrjen në përdorim të automjeteve për marrjen e nuseve dhe udhltimin e krushqëve , do të hyjë edhe inati se kush do të ketë më shumë vetura e automjete në dasmën e tij ?! Lidhur me këtë dukuri, këngëptoret perms këngëve satirike do ta lavdrojnë dasmorin dhe do ta përqeshin familjen e nuses , të cilët sipas tyre , nuk do të kenë vend të mjaftueshëm për parkimin e veturave të krushqëve dasmorë :

 

NISU KERR PËR ME U NISË

 

Nisu kerr, për me u nisë –

N’Podujevë, për me i bastisë!

 

Niset kerri pa le hana –

I gjanë Pod’jevën, nër jargana!

 

Oj,Podjevë, ti, lshonaj lamat –

S’kan ku i lanë Prishtina, dramat!

 

Momenti i pranim – dorëzimit të nuses , akt ky që në Malësinë e Gollakut quhet :“Teslimi i nuses“, nuk do t’iu shpëtojë këngëtoreve pa e thumbuar përmes vargjeve satirike, ku ndër të tjera e etketojnë babanë e nuses si një derr :

 

NISU KERRI JONË-KU JE NISË

 

Nisu kerri jonë, ku je nisë –

Babgjysh-derrin me e bastisë!

 

Nuk bastiset babgjysh-sokoli,

Çet Lulijen pej oborri!

 

Pej oborri, tej n’livadh –

Teslim, shokë, ju koftë për hajr!

 

Ngone babgjysh-derrin çka kuveni :

“Robi i juve – gjaku i jemi!”

 

Kënga vijuese satirike , këndohet në “Ditën e grave” , qoftë të nuses, apo të vajzës së bërë me vaj , që ndryshe quhet edhe “Dita e çejzit”. Atë ditë, do të mblidhen shumë nuse nga i gjithë farefisi, miqësia dhe rrethina . Ato që janë më të reja , sipas zakoneve dhe traditave duhet të qëndrojnë të paluara në këmbë , të marrin dorë dhe të bëjnë temena . Mirëpo, këngëtoret po sa t’i vërejnë ato se po ulen dhe po përtojnë që të rrijnë në këmbë, menjëherë do t’i thumbojnë permes këngëve satirike, në stilin si vijon :

 

NUSET TONA KAN HANGËR TËRRSHANË

 

Nuset tona kan hangër tërrshanë,

Po pritojnë, oj motër, me nejtë n’kamë!

 

Nuset tona me krye n’hava,

Po pritojnë, oj motër, me marrë temena!

 

Nuset tona me krye përpjetë,

Po pritojnë, oj motër, me na ba hyzmet!

 

Nuset tona t’bame horë,

Po pritojnë, oj motër, me marrë dorë!

 

Nuset dhe kunatat shpeshëherë e xhelozojnë pamëshirshëm njëra – tjetrën, qoftë përkah bukuria, qoftë përkah veshja e dyzeni .Ja një këngë satirike e tillë, e cila e trajton bindshëm këtë ves të shëmtuar në mesin e nuseve tona:

 

NUSJA JONË E MIRË E MADHE

 

Nusja jonë e mirë e madhe,

Se kunata n’tri parë nalle!

 

-Kadal inxhe se po rrxohesh,

Se ngat meje s’mun afrohesh!

 

Nusën tonë e palojmë te polica,

Se kunata shkon me bollica!

 

Hazdret t’kemi pritë, moj Luli,

Hazdret t’kemi pasë;

 

Sa herë t’kem’ përmenë, oj Luli,

Zemra na u ka kënaqë!

 

Kur babai i dhëndrit (vjehrri i vajzës e cila do të shkojë nuse) , konstatohet se nuk i ka pru nuses rroba të kualitetit të lartë, ai do të thumbohet dhe kritikohet ashpër përmes këngëve satirike . Një shembull i këtillë do të këndohet me rastin kur shihet se ai i ka pru nuses një duvak me material shumë të dobët :

 

O RAMISH O SERBEZ

 

O,Ramish, o serbez,

Na e ke pru duvakun –bez!

 

Po na vjen inati pej kojshive –

Se na bezin, nuk ja u shtrojmë as thmive!

 

Kënga vijuese na e përkujton traditën e vjetër, kur krushqit që shkonin për ta marrë nusen gati se të gjithë ishin të armatosur. Satira e kësaj kënge i drejtohet babait të nuses i cili dikur kishte thënë se nuk mund t’ua jap vajzën edhe disa kohë, nga se ajo është ende e re :

 

OJ BATLLAVË LSHONAJ NI LIVADH

 

Oj Batllavë, lshonaj ni livadh –

T’i vjerum mashinkat nëpër mal!

 

Na thojke baba i Lulës –

Çika e jeme asht e re!

 

Hajde e kqyre sonte –

Jallaj, qysh asht ngrehë!

 

Kur gratë e kerrit të nuses (bullat) që shkojnë në shtëpinë e prindërve të nuses për ta marrë atë, gjatë pritjes së tyre do të vërejnë se vajzat (shoqet) e nuses nuk kanë sjellje të mira dhe nuk i presin mirë, do t’iu tregojnë atyre përmes këngës satirike se po qe se edhe nusja është me sjellje sikur ato, më mirë të mos niset fare me to :

 

1157. OJ HANËM FILIZ

 

Oj  hanëm, filiz,

Oj hanëm filiz,

N’kofsh si qito shoqe –

Te na mos u nis!

 

Hiç mos u nis

Me ardhë te knena,

Qiso kryefortash –

Boll tek kena!

 

Boll tek kena,

Qi na e kallin shpinë;

Dalin e përlahen,

O me krejt kojshinë!

 

Me rastin e pranim – dorëzimit (testimit) të nuses , është zakon që të shtihet me pushkë për t’ua bërë me dije dasmorëve se nusja iu dorëzua . Këtë akt, këngëtoret do ta shfrytëzojnë që përmes këngës satirike t’ia thumbojnë nënën e nuses e cila sapo ka hypë në qerre dhe sapo është nisur për të shkuar tek burri i saj :

 

OJ NANA E NUSËS – VEJUSHKA

 

Oj,nana e nusës, oj vejushka –

A e njeve, kur kërsiti pushka?

 

Kur kërsiti pushka e çiti tim –

Çikën tane, ta banën teslim!

 

Kur kërsiti pushka e çiti flakë –

Çikën tane e muerëm kunatë!

 

Po këtë akt të teslimit të nuses , këngëtoret do ta shfrytëzojnë që permes këngës dhe satires , t’ia thumbojnë dhe përqeshin edhe babain e nuses së sapo pranuar :

 

ORE BABA I LULËS, O KAURR

 

Ore, baba i Lulës, o kaurr,

A kujtojshe qi s’vjen dita kurrë?!

 

Qi s’vjen dita kurrë- çikën me ta marrë,

Ki me nejtë si qeni vetun nër hamar!

 

Ki me nejtë ti vetun, si qeni për gardhi,

Qitnja ni trohë bukë, o, qati zagari!

 

Me këngët satirike , këngëtoret nuk do ta kursejnë as dhëndrin që sapo ka hyrë në gjerdek dhe për t’ia qitur vetin prej hujit , ato do t’ia këndojnë këngën me të cilën do t’ia përqeshin nusen deri në skajshmëri :

 

ORE DHANDËRR,O BUDALLË

 

Ore dhandërr, o budallë,

Kqyre mier, se çka ke marrë!

 

E ke marrë ni urumi,

Qi  s’ t’ çon mallë me e kqyrë me sy!

 

E ke marrë ni zhgade grue,

Qi nuk din as me gatue!

 

E ke marrë ni presnjaki –

Mallë e kan  robt, bukë  me u ngi!

 

E ke marrë ni zhabulajkë,

Hem e keqe, hem gubajkë!

 

-Mjera unë, pse jam martue,

E nuk di ktu qysh me rrnue?!

 

-Ore msit,ore i marrue,

Kqyr sa mier, um ke martue!

 

-Ore msit, të raftë mortaja,

A po e sheh ku  t’ çon paraja?!

 

-Ore msit,ty, të raftë lija,

A po e sheh ku  t’ çon lakmija?!

 

Edhe kënga vijuese , flet për aktin e dhëndrit në momentet kur ai hyn në gjerdek tek nusja e vet, gjithnjë me qëllim që t’ua qesin vetin prej hujit si dhëndrit , ashtu edhe nuses :

 

ORE DHANDËRR, ORE BUDALLË

 

Ore dhandërr, ore budallë,

A pe din kan e ke marrë?!

 

E ke marrë ni rrogtaricë,

Nashta e çojnë me ruejtë bollicë!

 

-N’ koftë për juve, rrogtaricë –

Mue po m’ doket si kralicë!

 

-E kam marrë, unë, ni hyri,

Pej tana shoqev’ m’ ka pëlqy’!

 

Me rastin e pranim – dorëzimit (teslimit) të nuses , nuk do të pushojnë këngët satirike permes të cilave pamëshirshëm do të thumbohen dy prindërit e nuses , të cilëva ua morën vajzën më të mirë, kurse të këqijat ua lanë në derë :

 

PLAS MORE BAGJYSH DERRI

 

Plas, more, babgjysh-derri,

Plas, javash-javash,

Se t’ mirën  t’ a muer dylberi,

E t’ keqën ta lash!

 

Plas, mori, gjyshe-shkina,

Plas, javash-javash,

Se t’ mirën në kerr e shtina,

E t’ keqën ta lash!

Se sat ë shpra janë femrat në shprehjet e tyre permes këngëve satirke, sidomos ndaj prindërve të nuses , kjo mund të shihet në sulmet që iu bëhen atyre permes këtyre këngëve . Në rastin vijues , ato dalin në rolin e dhëndërit  i cili nuk zgjedh mjete për ta përulur e ofenduar dinjitetin moral të vjehhrit të vet:

 

PLAS O I BIRI I QENIT

 

Plas, o i biri i qenit,

O, gurbet!

Kur t’u bitis buka –

Erdhe e lute vet!

 

Fryni era,

E reshi bora;

Plas, more babgjysh-derri,

Se çikën ta mora!

 

Permes vargjeve satirike të këngës vijuese , këngëtoret do ta vëjnë në thumb të kritikës babanë e nuses , i cili gjoja se ankohet për shkuarjen e vajzës së vet – nuse, pas së cilës nuk ka se kush t’ia mbajë pllugun , nuk ka se kush t’ia korrë arat, nuk ka se kush t’ia prashitë misrin , nuk ka se kush t’ia herrë arat, nuk ka se kush t’ia bëjë hyzmetin, nuk ka se kush t’ia ruaj delet dhe nuk ka se kush t’ia ruaj lopët :

 

PO KAN BABA I LULËS

 

Po kan baba i Lulës,

Po nihet te na –

Mjeri unë, i mjeri,

Pllugin kush ma mba?!

 

Po kan baba i Lulës,

Edhe u ba horë –

Mjeri unë, i mjeri,

Arat kush mi korrë?!

 

Po kan baba i Lulës,

E s’po i teren sytë –

Mjeri unë, i mjeri,

S’ka kush me prashitë!

 

Po kan baba i Lulës,

Lotët nuk po i terë –

Mjeri unë, i mjeri,

Arat kush mi herrë?!

 

Po kan baba i Lulës,

Edhe po pisket –

Mjeri unë, i mjeri,

Kush um ban hyzmet?!

 

Po kan baba i Lulës,

Po dojnë me lanë mentë –

Mjeri unë, i mjeri,

Kush mi ruen dhentë?!

 

Po kan baba i Lulës,

Nuk po i teren lott –

Mjeri unë, i mjeri,

S’ka kush mi lshon loptë!

 

Në thumb të kritikës dhe satirës tani do të jetë edhe nëna e nuses e cila e ka edhe një bebë të vogël, të cilën nuk ka se kush të kujdeset për te ! Këngëtoret nuk e kursejnë as moralin dhe sjelljet e nënës së nuses , duke e përshkruar atë si një nënë të çmendur e cila e ka ndëshkuar vajzën e vet fizikisht me perajkë dhe me tërplote :

 

PO KANË  NANA E NUSES

 

Po kan nana e nuses,

Po nihet te na –

Qyqja unë e mjera,

Çikën kush ma mba?!

 

-Ani, mbaje vet,

Mori hallajkë;

A e din kur um rrehshe,

Mue me perajkë?!

 

M’ rrehshe me perajkë,

E me tërplote,

Kurrë  ma nuk do t’ vi

Te shpija jote!

 

Aktin e largimit të vajzës nga nëna e saj për t’u martuar dhe mërzijën e nënës për mungesën e vajzës, këngëtoret do ta satirizojnë me faktin se edhe nëna e nuses dikur kishte ikur nga nëna e vet :

 

PO KANË  NANA E NUSËS TE NI GURI

 

U ungjë nana e nuses,

Po kan te ni guri;

Fort po i dhimet çika,

Qi po i shkon te burri!

 

Mërzitu, mërzitu,

Se s’ kie çka ban;

Kalle ni cigare

Edhe pi duhan!

 

Kalle ni cigare

Edhe qitja timin;

Për at’ çikë sugare –

Nashta e hjek idhnimin!

 

Mërzitu, mërzitu,

Ti,mori bejane;

Edhe ti qishtu

E ke lanë nanën tane!

 

Dëshirën e babait të vajzës së martuar , për të shkuar një natë dhe për ta vizituar vajzën e vet, këngëtoret do ta satirizojnë duke e përqeshur vizitën e tij me qëllim që t’i shohë poçat elektrike dhe rrymën , të cilat babai i nuses nuk i ka dhe ai ndriçohet me llampën e vajgurit :

 

PO THOTË  BABGJYSH DERRI

 

Po thotë  Bagjysh-derri –

T’ shkoj ni natë e t’ bujë;

T’i shoh aletrikat

Qysh kallën me strujë

 

Qysh kallën me strujë,

E me magnet;

Vllavi jem,

I ka marue vet!

 

Në vargun e shpifjeve , etiketimeve dhe përgojimeve që iu bëhën vajzave të fejuara nga ana e gojëkëqijve , është edhe shpifja e përhapur se gjoja nusja (Xhezidja ) ia paska gushat dhe çelet :

 

PO THOTË LULJA MOS MI PREKNI RRUEZAT

 

Po thotë  Lulja –

Mos mi prekni rruezat;

Na kanë  thanë Xhezidja

I ka gushat!

 

Po thotëë  Lulja –

Mos ma prekni telin,

Na kanë  thanë Xhezidja

I ka çelet!

 

Po ban teli:firi fiu –

N’ u  idhnoftë Lulija,

Giu, giri-giu!

 

O, me temena me na kallxue –

Lum Lulija, a mos je idhnue?!

 

O, këtë  temena ti qi na e bane –

Ja bane aminin, nanës tane!

 

Bylbyl në minder,

Bylbyl në minder,

Prej Lulijes –

Shumë faleminderë!

 

Ja se si përshkruhet ardhja e babës së nuses për mysafir në shtëpinë ku është e martuar vajza e vet, ku përmes satirës ai përshkruhet se po udhëton me gomar si ndonjë lypsar i cili do të kërkojë konak tek dhëndrri i vet . Lexoni se si i përshkruhet pritja , muhabeti dhe fjatja e tij në këtë rast :

 

PO VJEN BABA I LULËS

 

Kush po vjen përpjetë –

Arës për ugar?

Po vjen baba i Lulës,

Hypun në magar!

 

Hypun në magar-e,

Po çet salltanat –

Lum Ramish-aga,

A po m’ banë  konak?

 

-Konakin-konak,

Unë ta kam gjet-e,

Te kamtë e kualve –

Ki me fjetë!

 

Te kamtë e kualve –

Hiq mos u tut,

Gjith’ natën t’ marojnë

Kuleçë me nahut!

 

Në rastin tjetër , ardhja e babës mysafir tek vajza dhe dhëndrri i vet, do të përshkruhet si një njeri havdall , i cili udhëton me një kali topall dhe vjen me qëllim që t’iu kërkojë misër për bukë të familjes së vet :

 

PO VJEN BABA I NUSËS  ME KALI TAPALL

 

Dilni,kqyrni –

Kush po vjen havdall ?

-Po vjen baba i nuses,

Me kali tapall!

 

Me kali tapall –

Zhivaj nëpër lloç,

Po vjen baba i nuses,

Me lypë kallamoq !

 

-Ik, oj çyçe,

Mos t’ shohin katuni!

-S’kam çka baj,

Se m’ diqën thmija uni!

 

Në këngën vijuese , babai i nuses , do të përshkruhet si një shitës i çerepëve , i cili nuk ka bylmet , as tlyen për ta përcjellur vajzën e vet për nuse :

 

PO VJEN BABA I NUSES ME NI KERR ÇEREPË

 

Te dera e oborrit,

Ni za i shterrt po çkrepë -

Po vjen baba i nuses,

Me ni kerr çerepë!

 

Dilni e dvetne

At’ bosharet –

Kta çerepë,

Me çka po i shet?!

 

-N’ dash me tlyen,

N’ dash me bylmet;

Kam me e ndreçë

Ni çikë sivjet!

 

Se sa nënçmohet dinjiteti moral i babës së nuses , në rastet kur ai shkon mysafir tek vajza e vet, si pritet e si trajtohet në familjen e dhëndrit të tij, këngëtoret do ta satirizojnë tej mase , duke i përdorë shprehjet dhe krahasimet më banale ndaj tij:

 

PO VJEN BAGJYSH DERRI

 

Po vjen Bagjysh-derri,

Për me bujtë ni nat’,

I ka hypë magarit,

E po çet salltanat?!

 

Po çet salltanat,

Ka shumë e ka pak –

Ore Dhanërr,

A po m’ banë  konak?

 

-Konakun – konak,

Unë ta kam gjetë;

Te dera e Çenefit –

Ki me fjetë!

 

-Te dera e Çenefit –

S’po m’ merr gjumi!

-Bjerma Lulë, beshikun –

Ta përkuni!

 

Kit beshikun,

Nuk pe nxenë;

Ja shtroj dërrasat,

Renë me renë!

 

Dërrasat e Çenefit –

Jorgan e minder;

Glacat e pulave –

Kafe me shiqer!

 

Në këngën vijuese do të mësojmë për momentet kur dhëndrri do të hyjë tek nusja në gjerdek , me ç’ rast këngëtoret do ta përshkruajnë imagjinatën e nuses e cila për këpucët e dhëndrit do të mendojë se janë dardha , kurse dhëndrri do ti duket herë si milic, herë si doktorr, herë si konduktor i autobusit e herë si pylltarë (shumar) :

 

PO VJEN DHANDRRI ME KPUCË TË BARDHA

 

Po vjen dhandrri, me kpucë të bardha,

Kujton Lula, qi janë dardha!

 

Po vjen dhandrri, me kpuca “Shpic” –

Kujton Lula, qi asht milic!

 

Po vjen dhandrri,me flokë shoshorr –

Kujton Lula, qi asht doktorr!

 

Po vjen dhandrri, n’ tesha “kanger”-

Kujton Lula, qi asht kondukterr!

 

Po vjen dhandrri, me kmishë të bardhë –

Kujton Lula, qi asht “shumar”!

 

Ardhjen e dhëndrit sëpari tek miqtë – familja e nuses , do ta satirizojnë edhe këngëtoret tek familja e nuses, të cilin e paraqesin si njeri që i ka humbë njëra opingë :

 

PO VJEN DHANDRRI NËPËR LAMË

 

Po vjen dhandrri nëpër lamë,

I kish hupë njana apangë!

 

Shujë qyqan, se po t’ niejnë katuni –

Ta marojmë ni apangë prej zhguni!

 

Po vjen dhandrri nëpër fushë –

Thujmi Lulës, kajë sa t’ duesh!

 

N’ dash me kupë e n’ dash me krisë –

Se t’ ka lanë loja e çiknisë!

 

Hyrjen e dhëndrit në gjerdek , këngëtoret do ta satirizojnë duke e kënduar përmes figurave të ndryshme krahasuese, nga të cilat nusja do të hutohet që në kontaktin e saj të parë me te :

 

PO VJEN DHANDRRI -VETLLAT SI GARDH

 

Po vjen dhandrri, vetllat si gardh,

Kujtojnë hallki, qi asht tapall!

 

Po vjen dhandrri, vetllat si drapën,

Kujtojnë hallki, qi asht gjarpën!

 

Po vjen dhandrri, me marak,

Kujton Lula, qi asht plak!

 

Nashta asht Lulë, për marak,

Tana shoqet t’i plasë n’ bark!

 

Po vjen dhandrri, kundrat me tel,

Kujton Lula, qi asht naj gjel!

 

Në rastet kur këngëtoret kanë të dhëna se nusja nuk e ka përfunduar tërësisht çejzin dhe punën e saj , ato do ta satirizojnë nusen duke e kënduar edhe gjatë rrugës në qerrin e saj :

 

PO VJEN KERRI TUJ KËRSITË

 

Po vjen kerri tuj kërsitë,

Po vjen Lula, tuj qëndisë!

 

Ku je kan, oj Luli,

Qi nuk ke qëndisë?

-Jam kan tu ja ba,

Nanës, rangët e shpisë!

 

Këngë satirike me të madhe iu këndohen edhe ardhjes së dhënduerve nëpër dasmat dhe ahengjet e ndryshme familjare, sidomos atyre të cilët janë të njohur si koprrac dhe që iu dhimbsen paratë për t’ua blerë ndonjë dhuratë miqëve të tyre :

 

PRITUM,  PRITUM TERI  N’ TERR

 

Pritum,  pritum teri n’terr,

As ni dhanërr, nuk na erdh!

 

Erdh  Hasani – flok’t tallaz,

Na i kish pru pesë killa gaz!

 

Edhe ata ju kish pas derdhë –

Krejt katunit i kish dhanë erë!

 

Në rastet kur nusja duket se është e zajftë nga shëndeti , këngëtoret përmes satirës do t’i drejtohen me këtë këngë :

 

SA SHUMË KOKE THA OJ LULI

 

Sa shumë  koke tha, oj Luli,

Sa shumë koke terë;

Ani, a ke pasë, oj Luli,

Ti naj gja me e mjelë?

 

Valla i kem pasë, oj kunatë,

Nja dy t’ shkreta dhi;

Po si i mjelke nana, oj kunatë,

Marrke e i shtike n’ dry!

 

Për ato gra dhe nuse të cilat më parë e kanë përgojuar nusen duke e përqeshur dhe etiketuar në mënyrat më të ndryshme, në momentin kur këngëtoret e vërejnë se në mesin e tyre ka edhe të atilla, të cilat kanë ardhur për ta pa nusen , menjëherë do ta këndojnë përmes satirës së tyre :

 

SHUMË  TË KAN  KESHË OJ LULI

 

Shumë  të kan  keshë, oj Luli,

Shumë  të kan  sha!...

Ku po i marrin sytë, oj Luli,

Për me ardhë, me t’ pa?!

 

Ku po i marrin sytë

E magjupit?!

T’ kemi zgedhë ma t’ mirën,

Pej shehrit të Shkupit!

 

Aktin e përcjelljes së vajzës për nuse nga ana e prindërve të saj, këngëtoret do ta satirizojnë duke përqeshur prindërit e nuses në mënyrë shtazarake :

 

TEJ KU T’ QITI , LULI , NANA

 

Tej ku t’ qiti, Luli, nana?

Mue m’ qiti  tej n’ ulicë,

E u kthye si zagaricë!

 

Tej ku t’ qiti, Luli, baba?

Mue m’ qiti tej n’ ni ven,

E u kthye bash si qen!

 

Tej ku t’ qiti, Luli,vllau?

Mue m’ qiti  teri n’ prrue,

E u kthye si langue!

 

Aktin e përcjelljes së vajzës për nuse , nga ana e prindërve , vëllazërve dhe motrave  të saj , këngëtoret dasmore e satirizojnë deri në pakuptimësi dhe pamëshirësi, duke përdorur gjithfarë figurash e krahasimesh deri në banalitet :

 

TEJ KU T’ QITI, OJ LULI, BABA

 

Tej ku t’ qiti, oj Luli,baba?

-Mue m’ qiti tej tu talla,

Edhe u kthye si budalla!

 

Tej ku t’ qiti, oj Luli,nana?

-Mue m’ qiti tej tu sana,

Edhe u kthye sikur zana!

 

Tej ku t’ qiti, oj Luli, vllavi?

-Mue m’ qiti tej tu mullari,

Edhe u kthye si magari!

 

Tej ku t’ qiti, oj Luli,motra?

-Mue m’ qiti tej tu porta,

Edhe u kthye si kaçurota!

 

Njëra ndër këngët më domethënse satirke , që ka një filozofi dhe porosi të veçantë , është kënga në vazhdim, nga e cila mund të mësohet shumë çka :

 

TRI SHEJA NUSJA NA I PRUNI

 

Tri sheja, nusja – nanës ia pruni,

Tri lira – nanës ia pruni -

U çuditën krejt katuni!

 

U çuditën, po bajnë sehir -

Ni parë gërrshanë e ni peshqir?!

 

Pe vetë nana – nusën, çka m’ ke prue?

-Tybe nanë, drejt me t’ kallxue,

Unë, tri lira-djalin ta kam pague!

 

Kto gërrshanë, nanë, ti kam prue –

Ti, qatë guhë pak me e shkurtue!

E peshqirin, unë ta dhash –

Duert pej djalit, fshijë qitash!

 

Po i thotëë  djali – nanë, fol ma pak,

Se po e han ndo ni dajak!

 

Vajin e babait për të bijën të cilën e ka përcjellur për nuse dhe që për të mos iu ra në sy familjarëve të tjerë, ai del nën lamë dhe qanë, këngëtoret dasmore do ta satirizojnë duke e mashtruar dhe duke i premtuar se atij do t’ia blejë dhëndrri një palë këpuca , për t’ia hequr opingat prej këmbëve :

 

U DALË BABA I LULËS E PO KAN NËR LAMË

 

 

U dalë baba i Lulës,

E po kan nër lamë –

Haj medet për mue,

M’ ka hupë ni apangë!

 

Ktheu e hi mrenda,

More bosharet;

Se ty, ti blenë dhandrri,

Kundrat si n’ qytet!

 

Mallin dhe mërzinë e babait për vajzën e përcjellur për nuse , ai do ta shuaj diku larg shtëpisë për të mos u hetuar nga familjarët tjerë. Por këtë vaj, këngëtoret dasmore do t’ia këndojnë përmes satirës së mprehtë, duke ia përshkruar momentet e marrjes së vajzës së tij , me shumë dasmorë, me këngë e me valle dhe me shumë vetura :

 

U DALË BABA I LULES PO RREZITET

 

U dalë baba i Lules, po rrezitet –

Për çikën e vet, po mërzitet!

 

Mërzitu,mërzitu –s’ki çka banë,

Gjithmonë rroktaricë, ty, s’ un ta lamë!

 

Çikën,e ke ditë ti, qi ta marrim,

Shpijen s’e ke ditë ti, qi ta kallim!

 

Kush ta kalli, o bosharet –

Vllavi i jem, me krushqi t’ vet!

 

Nuk ta kallim me çibrit,

Po me lojë e me gjymysh!

 

Nuk ta kalli me ushtarë,

Po me krushq e me kangatarë!

 

Nuk ta kalli flaka e benzina,

Po me drama e me limuzina!

 

Edhe vajin e nënës për vajzën e saj që e përcolli për nuse, e cila po qante larg shtëpisë – ulur mbi një gurë , këngëtoret dasmore pamëshirshëm do ta satirizojnë duke ia ndjellur kobin burrit të saj, përkatësisht babait të nuses se gjoja ai ka vdekur nga mërzia dhe tani nëna e nuses ka mbetur vejushkë :

 

U UNGJË NANA E NUSES

 

U ungjë nana e nuses,

E po kan mi guri –

Mjera unë e mjera,

Çika m’ shkoj te burri!

 

Mos e kajë çikën,

Ti, mori arushë;

Po, ti kaje vetën –

Qi je metë vejushkë!

 

Për ta shfryrë mllefin ndaj vëllait të nuses , i cili disa herë kishte qenë kundër përcjelljes së motrës së tij për nuse , së paku edhe ndonjë vjet, këngëtoret dasmore do t’i hakmerren duke i kënduar këngë satirike , përmes të cilave do ta trajtojnë atë si qenin e lidhur në zingjir:

 

ORE VLLAVI I NUSES,  O KAURR

 

Ore vllavi i nuses, o kaurr,

A kujtove qi s’vjen dita kurrë ?!

 

Qi s’vjen dita kurrë , motrën me ta marrë;

Si qenin n’ zingjirë, ty kemi me t’ lanë!

 

Si qenin n’ zingjirë, kem me  t’ lanë për gardhi;

Deri sa të kthehet kjo Lulija, s’ pari!

 

Nga kjo që u tha dhe u prezantua deri këtu , u pa qartazi se çfarë motivesh dhe çfarë temash janë trajtuar në këngët satirike dasmore të grave të Gollakut. Vlenë për t’u theksuar se përkundër këtyre satirave kaq të mprehta dhe kaq të ashpra që janë përdorur tradicionalisht nëpër dasmat e Malësisë së Gollakut, kurrë askush nuk është hidhëruar qoftë nga meshkujt, qoftë nga femrat dhe nuk mbahet mendë që të ketë pasur pasoja ndonjëherë nga përdorimi i këtyre këngëve .

Në kohët e sotme , këto këngë shumë pak përdorën dhe tani i takojnë vetëm së kaluarës , nga se tani dasmat moderne konsumojnë krejtësisht tjera këngë.lojëra e valle dhe ato zhvillohen në një ambient e mentalitet krejtësisht tjetër .

 

*****

Këngët i mblodhi, i shënoi dhe i komentoi : Demir KRASNIQI – Gjilan .

 

Gjilan, më 18. 03. 2012.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora