E diele, 25.10.2020, 04:33 PM (GMT)

Reportazh

Edhe një ligjëratë e bukur e profesor Engjëll Koliqit në Belo Horizonte

E premte, 14.03.2008, 08:06 PM


EDHE NJË LIGJËRATË E BUKUR E PROFESOR ENGJËLL KOLIQIT NË BELO HORIZONTE:

Nxënësit e Kolegjit Batist mësojnë ndryshimet e bukura të botës në histori dhe në gjeografi

Caio WERNECK
Caio WERNECK
Ishte përplot me nxënës të klasëve të shtata auditori i madh i kolegjit. Edhe mësimdhënësit u mahnitën me kulturën e lartë dhe të lashtë të popullit shqiptar. Profesor Koliqi u bë mik i dashur i fëmijëve të këtij kolegji, të cilët prisnin në radhë për t'i kërkuar autografin. Profesori i gjeografisë Leonardo Bento shprehu dëshirën që të jetojë në Kosovë.

Nga Caio WERNECK

Belo Horizonte, 14 mars 2008. – Profesor Engjëll Koliqi, dje ishte mysafir shumë i këndshëm dhe i nderuar në Kolegjin Batist Mineir, në Belo Horizonte, me ftesë të drejtorisë, për të mbajtur një ligjëratë për Kosovën, para nxënësve të klasëve të shtata. Shoqëruar nga profesoresha e nderuar – Dr Vera Lucia Alves Neves, edhe si përkthyese, por edhe si ligjëruese, profesorin kosovar e kanë pritur drejtuesit e këtij kolegji – Alesandra Duarte, Prof Leonardo Bento, José Geraldo etj.

Që në fillim, gjatë përshëndetjes së tij me nxënësit, u hetua përvoja e tij e edukatorit të vërtetë dhe për një orë, sa qëndroi në mesin e tyre, Prof Koliqi u bë mik i nxënësve, që prisnin në radhë të

Nxënësit, me profesoreshën Duarte duke ndjekur ligjëratën e profesorit kosovar
gjata, për të marrë autografin e profesorit të këndshëm të ardhur këtu nga shteti më i ri në botë – Republika e Kosovës. Gjatë ligjëratës së Tij, Prof Koliqi tha se Dardania ishte atje ku është sot Kosova, më shumë se dhjetë shekuj para Krishtit. Toka dardane – ka shtuar Ai – i ka dhënë njerëzimit personalitete shumë të rëndësishme, që do të mbesin përgjithmonë në histori. Nuk mund të harrohet perandori romak Konstantini, i cili ishte bir i tokës dardane. Ai me dekretimin e lirisë fetare, njerëzimit i dha aktin e parë të demokracisë. Shën Niketë Dardani ishte autori i Hymnit të Kishës Katolike – TE DEUM, që edhe sot këndohet në mbarë botën.

Duke kaluar nëpër mesjetë, profesori kosovar u ka shpjeguar nxënësve mitologjinë e serbëve, të cilët kishin falsifikuar historinë. Mandej ka folur për kohën dhe heroizmin e paparë të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Duke folur për fundin e pushtimit turko-otoman në Kosovë, Z. Koliqi ka shpjeguar marrëveshjet ruso-turke dhe padrejtësitë e fuqive të mëdha të kohës në dëm të popullit shqiptar, duke i copëtuar tokat shqiptare e duke ua falur shteteve fqinje. Këto padrejtësi – ka thënë ai – kanë vazhduar edhe në prag dhe mbas luftës së parë botërore, ndërmjet dy luftërave dhe mbas luftës së dytë botërore, kur Kosova iu la Jugosllavisë Komuniste.

Në ligjëratën e tij, profesori kosovar, u ka thënë të pranishmëve, mbas protestave të vitit 1968, që kishin dridhur mbarë Jugosllavinë, regjimi i Titos kish filluar të lëshoj pe ndaj shqiptarëve. Ishte lejuar përdorimi i flamurit kombëtar, ishin hapur shkollat shqipe në të gjitha nivelet, deri edhe Universiteti i Prishtinës. Në vitin 1974 – ka thënë ai – kur Kosovës i ishte njohur autonomia, kishin pasur qeverinë, parlamentin, presidencën dhe kushtetutën. Me vdekjen e Titos, në vitin 1980, serbët ishin kthyer te zanati i tyre i përhershëm i dhunës dhe kishin filluar torturat gjithnjë e më të ngjeshura e më të dendura mbi shqiptarët. Nuk durohej më dhe më 11 mars 1981, studentët e Universitetit të Prishtinës ishin ngritur në këmbë, për të përvetësuar shumë shpejt mbarë popullin e Kosovës, të kërkojnë përfundimisht mvetësinë nga Serbia.

Prof Engjëll Koliqi duke ligjëruar
Me ardhjen e kryekriminelit të Ballkanit – Slobodan Milošević në pushtet – ka thënë Koliqi – autonomia e Kosovës ishte syprimuar, pikërisht më 28 mars 1989, me votat e agjentëve të policisë sekrete serbiane, në Parlamentin e Kosovës. Populli i Kosovës, udhëhequr nga Dr Ibrahim Rugova, ishte organizuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), që nuk ishte thjesht një parti politike, por faktikisht ishtje një lëvizje kombëtare për liri, pavarësi dhe demokraci të Kosovës. Më 2 korrik 1990 deputetët e Parlamentit të Kosovës kishin shpallur pavarësinë nga Serbia. Më 7 shtator 1990 ishte aprovuar, në Kaçanik, Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Më 26 shtator 1991, megjithë kërcënimet serbiane, ishin mbajtur zgjedhjet e para demokratike. Parlamenti dhe qeveria kishin fuknsionuar kryesisht në ekzil. Meqë Beogradi kishte mbyllur parlamentin dhe institucionet tjera për shqiptarët, radiotelevizionin e Prishtinës, të vetmën gazetë të përditshme shqipe "Rilindja", mjekët shqiptarë i kishte larguar nga spitalet publike, mësimdhënës, nxënës e studentë i kishte larguar nga shkollat dhe fakultetet, kosovarët e kishin organizuar jetën në një sistem paralel të arsimit, shëndetësisë etj. Gjithçka ishte financuar vullnetarisht, duke derdhur, sidomos diaspora, nga 3% të të ardhurave të tyre, në Fondin e Republikës së Kosovës. Kur dhuna policore serbiane në Kosovë ishte shkallëzuar për së tepërmi dhe tashmë kish kaluar në një terror të rregullt shtetëror mbi shqiptarët, saqë në Drenicë – në shkurt-mars 1998 u masakruan pothuajse tërësisht familjet Ahmeti, Delija e Jashari – Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përfundimisht kapi armët dhe filloi luftën çlirimtare. Kryekomandanti Adem Jashari, që kishte rënë heroikisht, me rreth 20 anëtarë të familjes, kishte nxjerrur hakun disa fish, duke vrarë në oborrin e tij shumë policë serbianë. Çdo ditë e më shumë forcoheshin radhët e UÇK-së, saqë zonat e çliruara shumoheshin nga dita në ditë – anekënd Kosovës.

Bashkësia ndërkombëtare, duke parë me sytë e vet realitetin kosovar – ka thënë profesori kosovar – mbas të gjitha përpjekjeve për marrëveshje paqësore, të dështuara me fajin e Beogradit, duke parë se dhuna kishte mbërritur në shkallën e gjenocidit të hapur, duke vrarë pleq, graq shtatzëna e fëmijë, kishte vendosur të ndërhyjnë, dhe forcat e NATO-s, si aleate të UÇK-së, mbas bombardimeve 78 ditëshe (24 mars – 10 qershor 1999) e kishin detyruar Beogradin t'i tërheqë forcat ushtarake-policore nga Kosova, ku hynë trupat e NATO-s.

Gjatë ligjëratës
Mbas gati nëntë vjet protektorati nga OKB dhe mbas dy vjet bisedimesh të kota me Beogradin për zgjidhjen e statusit të Kosovës, kur Rusia kishte vënë veton në KS të OKB-së, liderët e institucioneve shtetërore të Kosovës, në koordinim me BE-në në Bruksel, me SHBA-të dhe me NATO-n,  më 17 shkurt 2008 kishin rishpallur pavarësinë e Kosovës. Nga dita në ditë, shumë shtete anekënd botës po e njohin Republikën e Kosovës, që së shpejti do të bëhet shteti më i fortë dhe më stabil në Ballkan – ka thënë kah fundi i ligjëratës së tij Prof Koliqi. Ai ka theksuar edhe origjinën kosovare të Shenjtëreshës së Dashurisë – Nënë Terezës.

Nxënësit e kanë ndjekur me shumë vëmendje ligjëratën e profesorit kosovar dhe në fund profesori i tyre – Leonardo Bento e ka falënderuar Z. Engjëllin për shpjegimet e sakta për ndërrimet e ngjara në Kosovë, në historinë dhe në gjeografinë botërore. Nxënësit e kanë cilësuar si shumë të afërt profesorin kosovar dhe e kanë rrethuar, duke e përshëndetur e duke i kërkuar autografe. Ai është treeguar shumë i afërt me ta dhe i ka ftuar që të vijnë në një ekskurzion në Kosovë.

Një foto për kujtim – me nxënës dhe mësimdhënësit e tyre

Duke u dhënë nxënësve autografin e tij

Prof Leonardo Bento i dashuruar në Kosovën

Nxënësit përcjellin me vëmendje ligjëratën



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora