Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Viktor Gjikola: "Barra e vrame"

| E diele, 18.03.2012, 05:33 PM |


Viktor Gjikola

 

"Barra e vrame"

 

"Po,-tha grueja,-se asht me barrë të vrame, edhe mbasi ta mbajnë prindja prej shpijet të burrit të dekun tu ju dhanë burrit të dytë, fëmija e parë që të lejë, do t'i nepet shpisë së burrit të parë…"

 

Posi e përse institucioni i barrës së vrame ka hyrë në Keopsin e të drejtës zakonore shqiptare?!

"Se asht nji prrallë grash,-thotë At Gjeçovi në shënimin e vënë në dorëshkrimin e tij,- e dishmon arsyeja dhe ditunia. Aq asht i ngulitun besimi i barrës së vrame ndër shqyptarët e maleve sa s'ka burrë që mundet t'ua mbushë mendjen ndryshe. A me nder a me dhunë, shpia e burrit të parë ia ka marrë shpisë së burrit të dytë fminë dhe pas 5-7 vjetësh"

 

1.

 

Drafti i është paraqitur kuvendit për vendim-marrje fill pasi pleqtë mentarë e të urtë bashkë me ndërmjetësit kanë pirë kafenë e pajtimit të një gjakmarrje të zgjatur e të nisur për shkak të një gruaje të vejë.

Tragjizmi i saj do të ketë qenë vërtetë tronditës. Ndoshta dhjetë varre, ndoshta më shumë. Një fëmijë i vejushës së re të martuar me burrin e dytë e ka vënë përballë sulmeve integritetin moral të saj, mundet lindja jashtë kufijve normalë të një shtatzanie, në rastin tonë para kohe.

 

Hamendjeve dëshpëruese për jeranin(të dashurin) ose vetë rebelimi i burrit të dytë ndaj gruas-viktimë e ka bërë atë të bjerë në gjak. Palët e konfliktuara në mjegullnajen e ngjarjes nuk e kanë pranuar gjyqësimin e pleqve dhe vazhdimi ka qenë fatal.

 

Burrat e shquar të maleve e kanë vrarë mendjen për të parandaluar hapjen e një gjame të re. Ata e dinin mjaft mirë se në krejt relievin e Kanunit të Lekë Dukagjinit, vajzat martoheshin fort të reja, e ndërkohë, po kaq të reja, piskama e një vrasje do t'i shpallte vejusha, thuajse adoleshente. E veja kësodore gjendej në prag të shkeljes së moralit të saj dhe ,akoma më keq kur vazhdonte marëdhëniet me të dashurin e saj…

 

Folklori i begatë i Veriut me një lirizëm brilant, sa do ta kishte zili kushdo, e përcjell mallin e ndezur për të dashurin: „ Në hije të bojlisë kush po qan/ Qanë Bardhoka për jaranë/ Qan Bardhoka n'hije t'bojlisë/ Po i shin lott me skaj t'shamisë/ N'skaj t'shamisë po i shin' pa nda/ Nis bojlia për me u tha/Dushku n'tokë i paska ra…

 

Lotët e saj e kanë tharë bojlinë sa gjethet e kthyera në trajtë dushku kanë rënë dhimbshëm për tokë. Larg saj, i marrë nizamë a ndoshta i ngujuar,i dashuri me mungesën e tij e dramatizon gjendjen shpirtërore të vejushës

Bardi  e ka përjetuar thellë shpirtit të tij dhe pastaj e ka derdhur në këngë e kenduar  në odat e kullave, ndër dasma e festa. I shpalosur në këto mjedise, erosi i saj është bërë pjesë e ndërgjegjes estetike të malsorëve .

Juristët popullor që shkëmbejnë vizita te njëri- tjetri e kuvendojnë rreth projektit të institucionit të Barrës së Vrame për t’ja paraqitur ligjvenësit (Kuvendit të Flamurit a të Krahinës), ishin vetë bartës të ketyre vlerave shpitërore.Sa e sa Bardhoka, poete të dasmës shqiptare, kishin shprehur me magjinë e zërit të tyre dashurinë për atë që donin.

 

Është e vlertë të themi se, vajzat e gratë,mund të këndonin çfarë të donin ato vetë ,jashtë çdo privimi e censure. Erosi i gegëve ka një fond të pasur që  tregon se sa i bukur e derdhnin në vargje ndenjat e tyre poetet e brishta të viseve të serta..

 

Po sjell si shembull një distik nga Mirdita: „ Ba me di sa fort të due/ Shet martinën e më merr mue...“

 

Trimi i dashuruar(ndoshta i dashuri i vejushës) për mjedisin është krejt anonim, por vasha e don aq shumë sa po ta dijë ai këtë të vërtetë , shet armë (gjëja më e shtrejtë e shqiptarit), e merr atë për grua.  Të udhëhequr nga fjala e urtë: A ka burrë që me shun zjarmin se me i fry, i fry kushdo...

 

Hartuesit e draftit kanë si qëllim të vetëm parandalimin e konfliktit. Por ‚që Kuvendi të thoshte me një zë: "Mirë e keni pleqnue, or burra!", hartimi duhej bërë me kujdes, me argument të saktë.

 

Debati ka qenë i gjatë ,deri atëbotë që njëri nga pleqtë ka thënë: "Grueja e ndame, a e marrun me fjalë, ka barrën e huej".

 

Ndërkaq janë hedhur binarët e këtij institucioni nga më të çuditshmit në tërë historinë e të drejtës zakonore shqiptare.

 

2.

 

Oponenca ka reaguar ashpër. Dikush ka këmbëngulur se kjo s'ka kurrëfarë arsye që të kalojë në Kuvend. Si është e mundur që, barra në shtatin e gruas ,të vritet e ngjallet përsëri ,e të lindë tre vjet pas vdekjes së burrit. Barra që dëmtohet, dihet përse dëmtohet dhe kur vritet nuk ngjallet më.

 

Mazhoranca është vënë në mbrojtje të projektit duke thënë "…tue e que fminë që i lind, shpisë së burrit të parë, na e lajmë nji zjarrm të pafikun e pa dalë faret. Trojet i trashëgon kjo fmi e nuk mbetet shkret ,por dhe ndër vllazni ndalet ngatrresa". Pas një grimë heshtje, mbrojtja është rrëzuar. E kjo ka  ndodhur pas një pyetje lakonike: "Po në qoftëse grueja e dhënë me fjalë, lind vajzë?!...

 

Juristët popullorë kanë ulur kryet të zënë ngushtë. Kanuni nuk i jep tagër një femre të trashëgojë tokë e ajo (toka) shkret se shkretë mbetet. Është dashur të shoshitet sërish në log të kuvendit, deri kur është marrë konsensusi për argumentin, të cilin Gjeçovi e sjell kështu:

 

"Barra e vrame asht si pushka shqiptare me gurë, me ju lag falma, baruti që asht mbrenda jet i dekun, me ja pertri barutin falmes, pushka ndez e shprazet. Si të martohet grueja me barrë të vrame me burrë të dytë, i përtrihet e i ngjallet fmija, i len…" Fëmija që lind shkon tek shtëpia e burrit të parë,e po të jetë djalë ka tagrin si çdo mashkull tjetër në kodin familjar të së drejtës zakonore shqiptare; atë mbi trashëgiminë, armët dhe pjesëmarrjen në kuvend.

 

Rregullimi i rreptë i këtyre  mardhënieve e bën çështjen të pa apelueshme. Kushti që i vihet gruas së vejë kur ndahet nga shtëpia e burrit të parë është që ajo të thotë fjalën e vet nëse është apo nuk është shtatzanë. Kjo nuk është gjë tjetër veçse marrja në mbrojtje e moralit femëror, sepse nuk kërkohet asnjë provë tjetër (ekzaminimi) veçse fjalës së saj.

 

Vejusha mund të martohej tre vjet pas ndarjes dhe mund të lindëte tre vjet e gjysmë nga kjo ndarje, ndërkohë që jeton (bashkëjeton) me burrin e dytë vetëm tre muaj (!)…

 

Në këto rrethana, që nuk kanë  ndodhur rrallë në malet tona, po të mos ishte ngritur ky insitucion, konflikti do të ishte përhapur rrufeshëm. Çuditërisht, asgjë nuk ndodh, paçka se fëmija është ilegal, sepse gruaja është dhënë me fjalë. Ç'ndodh?

 

Fëmija shkon tek shtëpia e burrit të parë dhe kështu normaliteti familjar vazhdon. Jo vetëm kaq, por dhe opinioni e përcjell në heshtje, pa më të voglin përgojim. Vetëm për këtë arsye, bashkëjetesa me burrin e dytë nuk është aspak e kërcënuar. As më e vogla ftothtësi me shtëpinë e burrit të parë, por as me prindërit e nënës së barrës së vrame.

 

3.

 

Raste të rregullimit të këtyre mardhënieve nëpërmjet institucionit në fjalë kanë ndodhur shpesh ne Malet e Veriut deri në mesin e shekullit XX-të. Edhe sot njihen raste,psh, të një burri rreth të 60-ve në një fshat të Mirditës, që jeton në këtë fshat edhe sot, dhe jeton këtu, pikërisht se është quajtur, ose më mirë te themi, ka statusin e barrës së vrame. Me tagrin që i ka dhënë e drejta zakonore është kthyer në shtëpinë e burrit të parë të nënës së tij pas tre vjetësh. Procesi është mbyllur me një seancë shumë të shkurtër, ku është paraqitur vetëm një provë. Ajo ka qenë dëshmia se gruaja është dhënë me fjalë. Vetëm kaq, dhe trasferta është bërë menjëherë. Vendimi ka qenë i formës së prerë. Në këtë mënyrë kontributi i këtij institucioni, krejt primitive në pamjë të parë, u ka prerë udhën komflikteve dramatike. Pasi ashtu, si ka vënë re Kadareja në librin e tij "Eskili ky humbës i madh", gjakmarrjet në malet tona vazhdonin gjatë kur ato fillonin për punë grashë.

 

4.

 

Nuk ishte Helena, ajo që rrëmbeu princi i pashëm Parid. Jo, ajo ishte "hija" e saj. Helena realisht ishte në Egjipt. Kështu thotë tragjediani grek Euripidi.

 

Por, ai e dinte fort mirë pse u dogj Troja e përse u flijua Ifigjenia. Bukuroshja greke e kishte tradhëtuar Menelaun dhe nderi i grekëve duhej çuar në vend me çdo çmim.

 

Poeti tragjik, megjithëse e njeh mirë të vërtetën, nuk e përllom ballin e vet. Ai bën çmos të retushojë këtë  njollë, që tronditi dhenë. "Në Trojë- thotë poeti,- nuk ishte Helena, ishte hija e saj. "Keqkuptimi" ndezi furtunën e Trojës. Ajo jetonte në Egjipt dhe nuk e shkeli kurrsesi kurorën me Menelaun, sepse greket nuk janë të pabesa.

 

"Hija" e merr në mbrojtje greken e pabesë, këtë mollë sherri me përmasa mbimitologjike. Ashtu si në shumë përkime të tjera në kulturat e popujve më të lashtë ballkanas "hija" e Helenës me „Barrën e vrame“, përkojnë me njëra tjetrën, në mënyrën se si merret në mbrojtje nderi i një gruaje.

 

Tagri që i jepet gruas në këtë institucion të së drejtës dokesore, flet jo vetëm për mbrojtjen që i bëhet asaj, por edhe për një tolerim gati brutal, flet për një gjenerim civilizues për kohën në të cilën u ngrit.

 

Barra e vrame. "Kjo fjalë veç në gojën e grave të kombit tonë ndihet", thuhet ne Kanunin e Lekë Dukagjinit. Ashtu si të gjithë kanunet në tërësi ,edhe ky institucion në veçanti tregon identitetin tonë si komb. Varroset Kostandini dhe ngrihet nga varri për të mbajtur fjalën e dhënë…

 

Kombi ynë beson edhe se ka barrë të vrame, edhe se shqiptari ngrihet nga varri për të mbrojtur kështu nderin e besën. Është kondicioni shpirtëror i shqiptarit, që i mbart të dyja.

Barra e vrame, si institucion krejt I veçantë, e vret intoleranën dhe sjell në kohën tonë mesazhe tolerance , mirëkuptimi e pajtimi.