Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilia S. Karanxha: Familja Breu në zanafillat e ikonografisë kastriotiane

| E diele, 18.03.2012, 05:05 PM |


FAMILJA BREU NË  ZANAFILLAT E IKONOGRAFISË KASTRIOTIANE

 

NGA ILIA S. KARANXHA

 

Studimet albanollogjike mbi  ikonografinë e  Skëndërbeut  prej vitesh  i kanë dhënë një peshë të madhe problemeve që lidhen me portretin e parë e  me saktë me portretin autentik të heroit tonë.   Një çështje parësore mbete në këtë drejtim   raporti mes medaljeve të  Skënderbeut dhe portretit që na trasmetohet nga Historia e  Marin Beçikemit(Barletit).  Nuk mund ta konsiderojmë të zgjithur këtë problem as nga e ashtuquajtura vepra e tretë e Barletit: Përmbledhja..(Compendium..1555)  ku falenderohet valla  Petro Ëngjëlli(1444-1511 ose 1512) se kishte ruajtuar  imazhin (simulacrum = statujën, shëmbëlltyrën)  e  të madhit Skëndërbe  dhe atë të kryepeshkopit Pal e së fundi shumë të ndriturit  kardinal Ëngjëlli.

Me këtë deklaratë mëndja të shkon tek medaljet e  Skëndërbeut si  dokumente të  hershme qysh me gjallje të Heroit tonë kombëtar. Mirëpo po të kemi parasysh botimin e Historisë të Skëndërbeut më 1522 dhe jo më 1510 atëhere del akoma më e qartë se Compemdium..është një vepër apokrife pra  e falsifikuar nga Ëngjëllorët ashtu si kanë bërë edhe me një sërë dokumentash e vepra të tjera  përfshi këtu  edhe të ashtuquajturat Statute të Katedrales së Drishtit të cilat  u  ribotuan së fundi edhe në Tiranë (2009).

Sidoqoftë problemi:  “portreti nga medaljet apo medaljet nga portreti” mbetet akoma i hapur  në shkencën albanollogjike në mungesë të dokumentave autentike. Në  literaturën bashkëkohore mbizotëron  mendimi i realizimit të medaljeve në gjysmën e parë të shek XVI (Armand1883; Pollard1984, Toderi-Vannel 2008) e ndokush i shtyn ato në treçerekun e tretë të shek. XV (Voltolina1998) pra në vitet e fundit kur jetonte Skëndërbeu.  Albonologu  ynë V. Malaj(1968) i cili nuk injoron as të parin arbëresh që i përmënd këto medalje,  P. Leonardo De Martino(L'arpa d'un italo-albanese 1881),  mbetet në mëdyshje, mirëpo  priret  më shumë nga shek. XV.  Sugjerimet (F. Kenner1898, Dh. Dhamo1967, K. Frashëri 2002, F. Hudhëri 2005) mbi angazhimin e Gentile Bellinit(1429-1507) në portretizimin e heroit tonë nuk janë parë në raport me  kushtet historike apo  ikonografike që lidhen me jetën dhe veprën e këtij artisti të madh.

Pavarsisht nga përpjekja e  mendimeve  për primatin se nga vjen shëmbëlltyra e Skëndërbeut  studiuesi Economopoulos  Harulla(1997) duke ju referuar imazheve më të hershme të heroit tonë  mendon  se  në vepra  Pagëzimi i Selenëve (1507 ?)  e piktorit të shquar venecian V. Carpaccio(1465-1526)  burri i gjunjëzar në plan të parë   mund të jetë Skënderbeu. Sugjerimi nuk duhet injoruar krejt megjithës Harulla  nuk mer  shumë për bazë veprën tjetër  të Carpaccios Adhurimi i Magëve(sot në National Gallery të Londrës) ku pak a shumë takohet e njëjta figurë.  Një tjetër  studiues i mirënjohur i artit turk e persian F. R. Martin në grafikën e piktorit të shquar fiorentin Antonio Pollaiulo ndryshe  Antonio Benci(1431-1498) në portreti që mban  mbishkrimin  El Gran Turko  realizuar rreth vitit  1460 shikon heroin shqiptar  Gjergj Kastrioti Skëndërbe. Debatet në lidhje me këtë grafikë janë të shumta aq më tepër që me fjalët “el gran turco” në atë kohë  nënkuptohej sulltan Mehmeti II si pushtuesi i Kostandinopojës por po të kemi parasysh portretin që  realizoi G. Bellini për Mehmetin e II mes tyre nuk ka asnjë farë ngjasimi. Përsa i përket  mbishkrimi ai është  shtuar nga një dorë  e më vonshme dhe jo nga A. Pollaiuolo. Kjo grafikë (24.9x18.7cm) ruhet  sot në dy kopje njëra në Berlin dhe tjetra e ngjyrosur në Stamboll Muzeu Topkapi.

Si do që të jetë  dëshira për të gjetur  shëmbëlltyrën  e Skëndërbeut në ndonjë vepër të hershme në  rilindjen italiane  mbetet gjithmonë e madhe.

Duke lënë mënjanë pretendimet strikte  për autenticitetin e shmbëlltyrës së Skëndërbeut,  të cilat për kohën kur po flasim nuk kishin atë vlerë  që duam t'i japim sot,  gjejmë në Augsburg të Gjermanisë  një pikënisje të  vërtetë të ikonografisë kastriotiane.  Në themel të kësaj ikonografie të pasur  qëndron ideja tekst-imazh e cila u përdor për ilustrimin e vepërës të Marin Beçikemit (Barletit) (Des allerstreytparsten vn theüresten Fürsten  vnd Herrn Georgen Castrioten genannt Scanderbeg Herzogen zu Epiro und Albanien...Veprat kalorsiake të më luftarakut Princit dhe Zotit Gjergj Kastrioti  i qojtur  Skëndërbe  dukë i Epirit dhe Shqipërisë ...  ) të përkthyera  për herë të parë në gjuhën gjermane nga Johan Pinciani e të botuar në shtrypshktonjën perandorake  me editorin e shquar  Heinrich  Steiner më 21 shkurt 1533.

Për të krijuar një ide shteruese mbi këtë vepër të çmuar për  historiografinë e ikonografinë e  heroit shqiptar  në bashkëpunim me bibliotekën universitare  Georg August të Göttingen-it  jo vetëm që siguruam një variant të plotë  të saj  në PDF  por  në të njëjtën kohë duke marë pjesë në projektin e dixhitalizacionit librar (DigiWunschbuch)  u bë e mundur edhe publikimi  i saj  në rjetë, duke qënë kështu  tashmë e  konsultueshme nga të gjithë studiuesit kudo që ndodhen.

Falenderoj me këtë rast përgjegjësen e këtij projekti dotoktoreshën Martina  Lange-Rein  jo vetëm për mirëkuptimin e bashkëpunimin e frutshëm por edhe  për konditat e arsyeshme ekonomike që më   ofroj të cilat nuk i gjeta në shumë biblioteka të tjera  evropiane që dispononin të njëjtin   edicionion.

Një problem më vehte në lidhje me ikonografinë që shoqëron veprën ka qënë përcaktimi   i artistit apo artistëve që u angazhuan për ilustrimin e saj mbasi asnjëra prej grafikave nuk përmban ndonjë monogram apo emrin e ndokujt.  Referimet që na trasmetoi  G. Petrovitch(1881) duke u bazuar në veprën e Andresen : Der deutsche Peintre - Graveur  sipas dizenjove të grafistit  të shquar gjerman Hans Schäufelein(1482-1539) dhe gdhëndjeve të Hans Burgkmair(1500-1562) nuk patën  ndonjë  mbështetje nga studiuesit që pasuan.

Në fillim të shek XVI në rrethin e artistëve të shquar që  nxitnin përpara rilindjen në qytetin e Augsburgut e që ishin angazhuar  nga  vetë perandori Maksimilian I  bënin pjesë  H. Burgkmair-Plaku(1473-1531), Leonhard  Beck (1480-1542) , H. Schäufelein e pak më vonë aty  nga viti 1513 me këtë reth u bashkua edhe Jörg Breu -Plaku(1475-1537) të cilit ju besuan gjithashtu  një sërë grafikash për të zbukuruar  faqet e librave fetare  me lutje të perandorit  por shtovi  edhe një sërë dizenjosh në anët e këtyre librave.

Fillimisht Breu punoi me shtëpinë botuese të Erharld Ratoldit (1447-1528) e më pas me  edtitorin Henrich Steiner (nga viti  1524) duke treguar aftësi të jashtëzakonshme në ilustrimin e librave  fetare  apo umanistikë që botuan këtë editorë të shquar në Augsburg.  Për  Steiner ai realizoi më shumë se 360 grafika dhe  duke filluar nga viti 1530 pranë tij filloi të punonte edhe i biri Jörg Breu – i Ri (1510-1547) i cili më 1534 mori titullin e mjeshtrit por edhe drejtimin e punishtes të të jatit.

Ja pra ky aktivitet i shquar i familjes Beru në Augsburg i shryvi studiuesit e shumtë  të shikojnë  edhe në veprën e Skëndërbeut kontributin e kësaj familje. Heinrich Röttinger(1909) ishte i pari që njohu  krahas veprimtarisë të të jatit edhe atë Jorg Breut të  Ri në zbukurimin e veprës të Skënderbeut. Në favor të kësaj teze u shprehën ndëkohë edhe studiues të tjerë (Dodgson 1903-1911, Hollstein 1957-1987 etj.) Studimet dhe ribotimet e këtyre veprave të artit vazhdoinë akoma sot  me synimin  drejt një zgjidhje totale të  problemit.  Publikimi i ndonjërës prej tyre në literaturën shqiptare është përcjellë gati gjithmonë me  diçiturën e rëndomtë  përgjithësuese dhe pak të përgjegjëshme:  Grafika të shekullit të XVI.

Është referuar fakti që libri përmban 106 grafika por bazën e  vërtetë  e përbëjnë vetëm 40,   shumë prej të cilave përsëriten më shumë se një herë në situata të ndryshme shpesh duke ndryshuar edhe nëntitujt.Nuk kemi llogaritur këtu gërmat e shumta të ksilografuara apo fashot me zbukurime që hetë pas here mbyllin apo çelin nën- kapitujt.   Mes përsëritjeve p.sh.  ksiliografija që paraqet marshimin e një ushtërie,  grafikë e Breut të Ri,  me karakter disi të përgjithshëm,  është ripërsëritur në tekst 11 herë(32v,  41r,   44v, 66v, 103v, 113r, 148v, 154v, 191r, 218r dhe 225r). Fillimisht ilustron  marshimin e ushtërisë të sulltan Muratit,  pastaj atë    sulltan Mehmetit II por edhe marshimin e ushtërive të Skëndërbeut.

Si krijime të  Jorg Breut – Plakut në studimet më të fundit janë  njohur  vetëm 5 grafika. Tre prej të cilave botohen për herë të parë në Historia : Rindërtimi i qytetit të Lezhës(f. 60r dhe 137r ),  Barbarët paguajnë për rikthimin e robërve  të tyre (f. 70v, dhe 141v); Kampi turk përballë qytetit të Sfetigradit (f. 82r,  230v, dhe 233v) . Dy ksilogrfitë e  tjera janë riqarkulluar nga botime  në vepra të mëparshme.  Nga vepra e Justinianit mbi historitë e Torgo Pompeut botuar po në Augsburg(1531) ksilografia që paraqet vdekjen  e mbretit Agatokle  është riqarkulluar edhe  në veprën e Historisë të Skënderbeut për të ilustruar vdekjen e Gjon Kastriotit(f.7r ) por edhe atë të Mbretit Alfonso V të  Napolit(187v) .

Nga Jorg Breu i Ri  janë njohur 24 ksilografi si krijime të tij që kanë zënë vend në veprën e Historisë prej  të cilave  9 janë riqarkulluar nga botime të më parshme e kanë të bëjnë kryesisisht me  pamje kalash e qytetesh të cilat  në një  variant pak të ndryshuar janë përdorur për të ilustruar edhe ato shqiptare. Si grafika më të shquara të tij mund të përmëndim  portreti i Skëndërbeut  në ballinë (njihen 2 variante); Ëndra e Voisavës(f.1r); Dylyftimet e Skëndëbeut me tartarin(f.4r); Dylyftimi i Skëndërbeut me  dy kalorsat persianë(f. 5r, 67v, 95r e 158r); Skëndërbeu mbi kalë duke mbajtur fjalim(34r, 38v, 56v, 76v dhe 173v), Sulmi i befasishëm mbi kampin turk(52v, 91r, 119v, 129v e 180v); Vdekja e Skëndërbeut(f. 237v) etj. Dimesionet e pjesës më të madhe të grafikave me luhatje të vogla janë 9.7x 15.6cm. Në ndonjë rast opinjonet për atribuimin e ndonjë grafike ndahen mes të Atit dhe birit. Kështu p.sh. ksilografija me fshatarin që lëron tokën para qytetit të Dibrës fillimisht e botuar në vepra e Justinianit(1531)  e më pas e riqarkulluar në vepra e Skëndërbeut   i atribuohet herë Breut-Plak dhe herë Breut të Ri.

Për 11 ksilografi të tjera të cilat nuk i janë atribuar ndonjërit prej artistëve që folëm duket  e vështirë të mendohet angazhimi i ndonjë piktori  e skluptori tjetër përveç fam. Breu. Janë të gjitha kushtet që edhe këto ksilografi t'i atribuohen Breut -Plak.

Një prej këtyre ksilografive e kemi gjetur të publikuar  më 1531  në veprën e Christoph von Swarzenberg mbi Ciceronin: Vepra të rinisë (Von Gebürlichen wercken- Augsburg 1531) për të ilustruar  bashkëbisedën mes Fabrizios dhe Piros mbi kompllotin e mjekut  të tij. Kjo grafikë duket shumë pak e ambientuar në periudhën e Pirros  dhe është evidente që ishte pregatitur për të paraqitur luftrat e evropianve kundra turqve pra shumë më e përshtatshme për veprën e Skëndërbeut për të ilustruar nënkapitullin mbi  kalimin e Moisiut nga ana e  sulltan Mehmetin  dhe rikthimin e tij tek Skëndërbeu(f. 169r).

Pavarsisht nga riqarkullimet e ksilografive nga një vepër tek tjetra dhe përshtatjet  e tyre sipas situatave  të ndryshme, një fenomen shumë i rëndomtë  për kohën,  duhet thënë se pjesa më e madhe e grafikave në veprën e Skëndërbeut  u pregatitën  nga fam. Breu – at e bir, qëllimisht për ilustrimin e saj.  Jetohej në një kohë kur në Gjermani reziku turk ndjehej gjithmonë e më pranë. Humbjet e vazhdueshme të princave të krishterë, përparimi i ushtërive turke drejt Ballkanit   në fillim të shek. XVI  ngrinte tensionin e ankthin  edhe në vendet gjermane.

Më parë se në gjuhën italiane, portugeze, franceze dhe angleze- shkruan studiuesi gjerman Johannes Irmscher(1968)- Vita e “panagjerikut kombëtar shqiptar”, Barletit, u përkthye në gjermanisht  dhe në sajë të mënyrës së paraqitjes  hiperbolike dhe deklamative në frymën e Rilindjes nga biografi prej Shkodre, kjo gjeti në Gjermaninë e epokës së humanizmit një jehonë të gjërë.

Ky vlerësim sintetizon  aspektet historiografike dhe filologjike mirëpo   ndërkohë ilustrimi i saj me një sërë  vepra arti e bën atë njëkohësisht edhe veprën e parë e më të çmuar në fillimet e ikonografisë kastriotiane.

 

 

Firenze 15.III.2012