E merkure, 24.04.2024, 10:10 PM (GMT+1)

Kulturë

Lutfi Alia: Era lozanjare

E shtune, 17.03.2012, 06:33 PM


ERA LOZANJARE

 

(Mbas botimit në tre numëra rradhazi të shkrimit interesant për

Nobelisten Shqiptare Nënë Tereza, Prof Dr Lutfi Alia, del para

lexuesve të ZSh-së, me një Cikël poetik, me 9 vjersha lirike).

 

Nga:  Prof. Dr. Lutfi Alia  (Siena-Itali)

 

1. MALLI

 

Ashtu si digjet shkretëtira,

nga etja për ujë,

Si dhëmb zemra,

nga uria për oksigjen,

Si thahen lulet pa ujë e pa diell,

ashtu me bën të vuaj malli dashuror,

i mbetur pezull mes dëshirave dhe kujtimeve,

(Ndaj u bëra pirat,

e vodha këshillat e Nerudës).

 

Drejt teje rend çdo ditë,

të bëj me Ty,

Atë ,që pranvera bën me qershitë.

./.

2. TË DUA...!

 

Nata tinzare,

e shaloj kalin e territ.

Rendi në galop të çmendur.

 

Ndërsa Unë e Ti.

Mbyllur në botën e dashurisë,

Rrethuar nga muret e heshtjes munduese,

Fshikulluar nga tisi i ëndërrave,

Përplasur në shtratin e mjergullt të natës,

Mbuluar me puthje përvëlimtare.

 

I magjepsur,

Nga shkëlqimi i syve ngjyrë gështenjë,

Psherëtijë kur vështroj minzat tua,

E një thirrje jehonë me del nga shpirti:

-Të dua...!

 

E gjitha kjo, jetuar në një çast,

Ndezur zjarr përgjithmonë,

Në netët e gjata senese *

Nën detin e yjeve vezullimtarë.

./.

*Unë banoj në qytetin që quhet SIENA, por banoret quhen senes (jo sienes).

 

3. TI JE SHEHERAZADIA IME

 

Këtë mbrëmje gazmore,

Do të bëhem ortak në lojrat tua dashurore,

O e bukura Sheherazade.

 

Të jetojmë së bashku,

Si dikur në një mijë e një netët,

Kur i shkrimë deshirat tona,

Në fare të ndezur i shndërruam ëndërrat.

 

Përjetuam në atë dhomë një mijë mëkate,

Pa hapsirë e pa kufi,

Ku asgjë s’ishte ndaluar në dashuri.

 

Rendin ditët njëra pas tjetrës,

Ne të dy, mbetemi rrethuar nga terri i thellë.

Përqafuar e fort shtërnguar,

Me dëshira të përbashkëta,

Për të dëgjuar zërat e trupave tanë,

Te çlirojmë emocione, mendime e ndjenja.

 

Në netët e gjata jetuar së bashku,

Të ndjek kur ti qesh në valët e gëzimit,

Kur më flet me zë të ëmbël,

Kur përplaset në mure vrulli dashuror,

Në shtrat vërtitemi të lidhur mes nesh,

Të përkëdhel

Të puth,

Të shijoj.

 

Fshihem mes flokëve tua gështenjë,

E në përleshjen tonë dashurore,

Gjithmonë fitimtar,

Është nuri i bukurisë tënde.

./.

 

4. DRITË SPIRALE

 

Kur zbret nga shtrati,

Të imtat tua ngjyrë hëne,

Fshehin fërfëllimën e sirenës,

Bardhësinë e trupit tënd të lakuriqt,

Metamorfozën e formave të bukurisë.

 

Luajne me ndërgjegjien,

Me ëndërrat,

dhe dëshirat.

 

I dehur nga pasionet,

Hy në mjergullën e dashurisë.

Të zbuloj me përkëdhelje delikate,

Të mbuloj me të puthura zjarr,

E Ti, e thërmon në copa-copa natën.

 

Për rreth,

shpërndanë dritë spirale.

./.

 

5. NJË URIM PËR DITLINDJE

 

Oh vashëz e adhuruar,

Mbretereshë,

dhe skllave e ëndërrave të mia.

Këtë mbrëmje, ndjej mallë per Ty,

Më mundon mungesa tënde.

 

Ti o vesa e freskisë mëngjezore,

Hirushja e netëve ëndërrimtare,

Simfonia e ditëve plot me dashuri,

Principesha e parajsës tonë të vogël,

Shtojzovalle e një mijë e një netëve,

Që ke pushtuar hapsirën senese.

 

Këtë natë me prit deri vonë,

Kur të arrijë pranë si një fantazëm,

I padukshëm, në mëdyshje, misterioz.

Së bashku me flladin e lehtë të mbrëmjes,

Do të hy në dhomën tënde boshe,

Do t’i ndez një e nga një qirinjt e bardhë,

Në rradhë do t’i lidh së bashku,

Me venë të kuqe do t’i ngre dollit e urimit,

Do të dhurojë puthje sa vitet e tua,

Për tortë të ndajmë dashurinë tonë,

E para se të iki si një hajdut,

Do të këndoj një serenatë për ditlindjen.

./.

 

6. KUR TI ME PUTHE

 

Atë mbrëmje,

Kur ti me puthe,

U ndal vrapi i kohës.

Unë, i ndriçuar,

Nga flaka që shpërtheu nga sytë e tu,

dhe buzëqeshja jote,

që përkëdheli mendimin tim.

 

Zemra u ndal papritur.

Një drithërim e lehtë,

më përshkoj trupin.

 

Kënaqësia lindi e ngrohtë,

e ndriçoj udhën time,

dhe dashurinë tonë senese.

./.

7. PO TË PRES

 

I ulur në një stol,

në kopshtet e Shën Agostino,

Rri i fshehur nën degët e varura të pishave.

 

Me padurim pres të takohemi,

por ti nuk ke ardhur ende.

 

E di që don të bëhesh e hijëshme,

por si gjithmonë po të them,

mos u preokupo se flokët janë të pakrehur,

se të mungon i kuqi ngjyrë çiklamin.

 

Mos vono të bëhesh më e bukur,

eja ashtu siç je,

Dashuria dhe hëna,

Nuk kanë nevojë për truke.

./.

 

8. FLOKËT E TUA

 

Kur më zbret nga rruga Galluzza,

e përmbyt hapsirën bukuria jote,

Në substancën tënde fshehur buzëqeshja,

i përkedhelur trupi nga vrulli i erës,

që modelon linjat e tua të bukurisë.

 

Era lozonjare,

t’i përkëdhel flokët e gjatë valë-valë,

që derdhen lehtë mbi supet e tua delikate.

 

Në këtë bukuri shkëlqimtare,

po të kishte parë Botticelli,

Do t’i kish pikturuar ngjyrë gështenjë,

flokët e Venerës.

 

Ndërsa unë,

do të isha bërë për gjithmonë,

Pirati i dashurisë tënde.

./.

 

9. UNË, TI DHE HËNA

 

A e kujton atë natë,

kur flladi i puthjeve,

i shkundi shpirtat tonë,

e nga lart, hëna e fildishtë,

hyri nga dritarja me dritën e zbehtë?

 

Na njohu menjëherë!

U befasua nga zjarri i dashurisë sonë.

...E turpëruar...,

iku të fshihej prapa reve.

----------------

(Për ZemraShqiptare, nga redaktori ynë në NJ, USA, Zeqir Lushaj, mars 2012)



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora