E premte, 19.04.2024, 11:44 AM (GMT+1)

Kulturë

Mark Vuji: Vetëvlerësimi mësimor (II)

E shtune, 17.03.2012, 06:58 PM


VETËVLERËSIMI MËSIMOR

OSE

TË NXËMË, TË SILLEMI E TË KOMUNIKOJMË ME TË TJERËT, DUKE KONTROLLUAR RREPTËSISHT VETVETEN, MBËSHTETUR DHE NË DRITËN E OPINIONIT SHOQËROR

 

NGA PROF. AS. DR. MARK VUJI

 

KAPITULLI I PESTË

 

MËSIMDHËNIA E INTEGRUAR KRIJON HAPËSIRA TË GJËRA PËR NXËNËSIT QË APLIKOJNË VETËVLERËSIMIN E PËRVETËSIMIT TË  LIDHJEVE NDËRLËNDORE

 

Mësimdhënia e integruar krijon mundësi për të aktivizuar nxënësit që të kërkojnë dhe të gjëjnë lidhjet në mes të pjesëve të një lënde, në mes të lëndëve me njëra-tjetrën e të secilës prej tyre me proceset teknike e teknologjike përkatëse, si dhe për të bërë vetëvlerësimin e cilësisë së përvetësimit të tyre, të aftësive e të formave të të menduarit logjik, që kanë përdorur për t’i zbuluar ato.

 

Shënime paraprake

 

Mësimdhënia e integruar, kur organizohet nga mësues të aftë, krijon mundësi të tjera për ta kthyer nxënësin nga një dëgjues e riprodhues pasiv të dijeve, në një kërkues e përpunues aktiv, kritik e krijues edhe të lidhjeve në mes të tyre. Kjo nuk është një stoli didaktike, por një kërkesë e dorës së parë për forcimin e potencialit intelektual krijues të brezit të ri. Këtu përfshihen tri fusha të ndryshme studimi: lidhja në mes të pjesëve të një lënde, në mes të lëndëve me njëra-tjetrën dhe secila prej tyre, me proceset të ndryshme teknike e teknologjike të prodhimit. “Pajisja e të rinjve, - thuhet në broshurën e IKS, “Çështje të kurrikulës së re, kurrikula e integruar, ide, sfida, sugjerime”, -me aftësitë e duhura për të qenë të suksesshëm në një botë gjithnjë e më globale e të ndërvarur, si: aftësia për të zbuluar, për të kuptuar dhe për të bërë lidhje, aftësia për të zgjidhur probleme mbi bazën e këndvështrimeve të ndryshme, aftësia për të përfshirë informacione nga fusha të ndryshme në vendimarrjet tona etj. dhe për të shmangur marrjen të copëzuar e pa lidhje,të fakteve të shkëputura dhe për të shndërruar dijet e fituara në një armë të fuqishme në proçesin e mëtejshëm të njohjes. Gjithnjë e më shumë po forcohet bindja se kurrikula e integruar është një ndër zgjidhjet më të mira për problemet e mësipërme.” (fq.6).

Në këtë kapitull do të trajtohen disa nga çështjet më kryesore, që lidhen me mundësitë që krijon të mësuarit e integruar për të aplikuar vetëvlerësimin e përvetësimit të  lidhjeve ndërlëndore.

1. -Integrimi ndërlëndor kërkon mësues me kualifikim të lartë.

2. -Integrimi dhe vetëvlerësimi janë fryt i bashkëpunimit në mes të mësuesve.

3. -Vetëvlerësimi i ndërgjegjëson nxënësit se sa i kanë përvetësuar lidhjet ndërlëndore, aftësitë dhe shprehitë e të menduarit logjik, që lidhen me to.

4. -Vetëvlerësimi i lidhjeve të pjesëve të ndryshme brenda lëndës, fuqizon integrimin (fusha e parë).

5. -Në fushën e dytë të integrimit, përfshihen lidhjet ndërlëndore.

6. -Fusha e tretë, ose integrimi i lëndëve mësimore me teknikat dhe teknologjitë e sferave përkatëse të prodhimit.

7. -Realizimi i integrimit i çfarëdo fushe qoftë, shoqërohet me një mendim didaktik nga mësuesi krijues dhe vetëvlerësim të kujdesshëm nga nxënësit.

8. -Integrimi i mësimit me shtypin e shkruar dhe elektronik dhe vetëvlerësimin.

9. -Kërkimet në terren ndihmojnë për të integruar dijet që merren në mësim me proçeset teknike e teknologjike të prodhimit.

10. – Integrimi në metodë.

11. –Format e vetëvlerësimit të të nxënit integrues të shoqëruara me vetëvlerësimin, ndikojnë shumë në formimin e përgjithshëm shkencor të nxënësve.

 

Le të zgjerojmë më tej njohjen tonë rreth këtyre problemeve.

 

5 – 1.  INTEGRIMI NDËRLËNDOR KËRKON MËSUES ME KUALIFIKIM TË LARTË

 

Realizimi i lidhjes në mes të lëndëve në mësim, arrihet nga mësuesi që punon në mënyrë intensive për vetëkualifikimin e tij. Është fakt se në shkollat e larta, ata janë përgatitur si specialistë të një lënde të caktuar dhe kanë mangësi në drejtim të njohjes të pikave të lidhjes së saj me disiplina të tjera, që jepen në shkollë dhe në mënyrë të veçantë me sferat e prodhimit, që u përkasin. Kur të gjithë mësuesit të plotësojnë këtë kërkesë, atëherë nxënësit do të kenë një përfitim më të plotë. Psh, kur mësuesi i matematikës i bën të qarta lidhjet që ka një kapitull i caktuar me një pjesë të fizikës, ai krijon terrenin për kolegun e tij që të veprojë më me lehtësi, sepse nxënësit i njohin këto lidhje në këndvështrimin matematik dhe tani, atyre u mbetet që të përpiqen ta shpjegojnë fenomenin sipas parimeve të fizikës. Kur ndodh kështu, kemi të bëjmë me një vlerë të psikodidaktikës moderne. Të mendojmë për një çast sikur për 12-vjet, po të punohet në këtë mënyrë në arsimin parauniversitar, nxënësit do të formoheshin në një nivel krejt tjetër shkencor nga ai i sotmi, ose në atë shkallë përgatitjeje që kërkon shekulli 21. Për të kuptuar rëndësinë e këtij problemi, mjafton t'i hedhim një sy imagjinar celularit që kemi në dorë dhe do të bindemi se ai është rezultat i lidhjes në me të dijeve të shumë shkencave, që të gjitha së bashku kanë krijuar një mekanizëm terësor komunikimi global. Po kështu mund të konceptojmë se si këto lidhje kanë bërë të mundur të krijohen fluturues ndërplanetarë etj.

 

5 – 2.  INTEGRIMI DHE VETËVLERËSIMI JANË FRYT I BASHKËPUNIMIT NË MES TË MËSUESVE

 

Integrimi nuk mund të arrihet pa një bashkëpunim në mes të mësuesve të një shkolle dhe mund të themi se ky duhet të jetë shumë cilësor që nxënësit të arrijnë të kuptojnë shkallën e përvetësimit të lidhjeve në mes të dijeve, që përpunohen në lëndë të ndryshme, pra, që të realizojnë vetëvlerësimin. Të gjithë mësuesit duhet të gjurmojnë pikat e lidhjes së lëndëve të tyre me të tjerat dhe t'ua bëjnë të njohura kolegëve. Ne mendojmë se ky bashkëpunim brenda shkollës është mjeti më i mirë për të kapërcyer këtë vështirësi. Autorët e teksteve, që, siç dihet, janë njohësit më të mirë të lëndëve, duhet të punojnë për t'u ardhur në ndihmë mësuesve që të realizojnë këtë kërkesë. Ata, në aparatin pedagogjik të teksteve, duhet të japin në mënyrë konkrete për çdo temë të një lënde pikat e lidhjeve me disiplinat tjera.

Sot, mjaft mësues dhe nxënës kanë internet në shtëpi, që mund të shfrytëzohet për t'u thelluar në njohjen e lidhjeve ndërlëndore aq të nevojshme për të ndërtuar një mësim në mënyrë të re. Në këtë drejtim, departamentet e lëndëve duhet të nxjerrin pikat e lidhjeve në mes të disiplinave të ndryshme shkencore dhe t'ua vënë në dispozicion mësuesve. Çdo mësues kërkohet që të punojë në mënyrë individuale për të zbuluar edhe vetë lidhjet e lëndës së tij me shkencat tjera. Në fillim duhet të punohet për kapitujt më kryesorë dhe pastaj, me kalimin e kohës, secili mund të plotësojë kënaqshëm kulturën e tij në drejtim të njohjes së plotë të lidhjes në mes të lëndëve.

 

5 – 3.  VETËVLERËSIMI I NDËRGJEGJËSON NXËNËSIT SE SA I KANË PËRVETËSUAR LIDHJET NDËRLËNDORE, AFTËSITË DHE SHPREHITË E TË MENDUARIT LOGJIK, QË LIDHEN ME TO

 

Mësuesi duhet t'i ndihmojë nxënësit që të bëjnë një vetëvlerësim të saktë të përvetësimit të këtyre lidhjeve, me qëllim që të ndërgjegjësohen për punën që kanë bërë e duhet të bëjnë për zotërimin e tyre të plotë. Ndodh që në lëndët tjera nuk janë përpunuar akoma ato tema që kanë lidhje me atë që jepet në mësimin e ri. Kjo nuk prish punë, sepse, kur të zhvillohen ato, nxënësit do ta kenë më lehtë që të bëjnë lidhjet me temën e zhvilluar më parë, sepse tani ajo përforcohet në një këndvështrim të ri.

 

5 – 4.  VETËVLERËSIMI I LIDHJEVE TË PJESËVE TË NDRYSHME BRENDA LËNDËS, FUQIZON INTEGRIMIN (Fusha e parë)

 

Fusha e parë e integrimit, ose lidhja organike në mes të temave dhe kapitujve të ndryshëm të një lënde, ka rëndësi të madhe për të siguruar unitetin logjik të dijeve. Kur një gjë e tillë mungon, ato copëzohen. Kjo ndodh atëherë kur mësuesi i shikon temat e kapitujve si të veçuara. Siç dihet, kjo ka qenë një nga të metat më të mëdha të të nxënit tradicional. Tani kërkohet që mësuesi t'i nxit nxënësit që t'i dallojnë mirë lidhjet në mes temave e kapitujve deri në atë shkallë sa ata të jenë në gjendje për të bërë saktë vetëvlerësimin e përvetësimit të tyre si dhe të shprehive të të menduarit, që lidhen me to. Kjo do të thotë që ne duhet të përgatisim nxënës të aftë që të dinë t'i kërkojnë dhe t'i gjejnë këto lidhje gjithnjë e  në mënyrë më të pavarur, sepse kjo përbën një bazë të mirë për të realizuar formimin e tyre shkencor.

Këto probleme që lidhen me fushën e parë të integrimit, duhet t’i vlerësojmë shumë, sepse ato shtrihen në të gjitha lëndët.

 

5 – 5. NË FUSHËN E DYTË TË INTEGRIMIT, PËRFSHIHEN LIDHJET NDËRLËNDORE

 

Kjo është fusha më e gjerë, që përfshin të gjitha lëndët që jepen në shkollë. Në librin “Mësimdhënia me në qendër nxënësin-1”, fq.128, thuhet: “FUSHAT E MUNDSHME KURRIKULARE PËR T'U INTEGRUAR janë provuar e kanë dalë si të frytshme për kurrikula të integruara, fushat e studimit që përfshijnë:

-Artin, matematikën dhe letërsinë,

-Shkencën dhe matematikën,

-Historinë, gjeografinë, letërsinë dhe shkencat humane,

-Edukimi mjedisor, shëndetësor dhe letërsinë,

-Studimet sociale, shëndetësore dhe artet,

-Edukimi fizik, artistik, shëndetësor dhe artet,

-Shkencat, studimet sociale dhe artet.

Gjithsesi, pavarësisht nga ndërhyrjet e mësipërme, parë në optikën e synimeve dhe të qëllimeve edukative, këtyre ndërthurjeve mund t'u shtohen të tjera lidhje, si dhe në të kundërt, disa prej tyre mund të jenë pak të qarta për t'u zbatuar.”

Lidhjet ndërlëndore janë të shumta, të larmishme dhe të natyrshme, prandaj edhe mund të konkretizohen, sidomos kur mësuesi i shfrytëzon ato për të krijuar situata problemore si dhe për zgjidhjen e tyre. Përpunimi aktiv, kritik e krijues i këtyre lidhjeve ndërlëndore në mësim, u jep mundësinë nxënësve për të kuptuar shkallën e cilësisë së përvetësimit të tyre brenda orës së mësimit. Kur një gjë e tillë bëhet mirë, ndikon pozitivisht në realizimin e mësimdhënies me në qendër nxënësit, sidomos për klasat e larta të arsimit bazë dhe të shkollës së mesme. Mësimi duhet të ndërtohet në atë mënyrë që nxënësi të vihet në kërkim të këtyre lidhjeve dhe, pas një diskutimit, që bëhet nën udhëheqjen e mësuesit, ata mund të bëjnë vetëvlerësimin e përvetësimit të tyre, aftësive dhe  të shprehive të të menduarit logjik, që kanë përdorur për t'i zbuluar ato. Po japim disa mendime rreth mundësisë së realizimit të këtij problemi, më shumë për diskutim.

 

 

KUJTESË PËR MËSUESIN

 

që lufton për përgatitjen e nxënësve si vetëvlerësues të përvetësimit të lidhjeve ndërlëndore dhe të aftësive e të shprehive të të menduarit logjik, që aplikohen për t'i përpunuar ato.

 

·         Integrimi ndërlëndor është i vështirë dhe kërkon, që vetë mësuesi të përgatitet mirë, me qëllim që t'ua lehtësojë nxënësve punën për të kuptuar lidhjet, që kërkohen për t'u konkretizuar.

·         Është e domosdoshme që të sigurohen mjetet mësimore, që bëjnë të mundur të evidentohen mirë përpara nxënësve mekanizmat e formimit të lidhjeve të ndryshme ndërlëndore.

·         Mësuesi duhet të kontrollojë brenda orës së mësimit se sa i saktë është bërë nga nxënësit vetëvlerësimi i cilësisë së përvetësimit të lidhjeve bazë dhe të aftësive e të shprehive të të menduarit, që janë përdorur për përpunimin e tyre.

·         Aplikimi i reflektimit në fund të orës së mësimit, duhet të shfrytëzohet mirë për të parë saktësinë e vetëvlerësimit nga nxënësit të përvetësimit për të gjitha llojet e lidhjeve ndërlëndore.

·         Lidhjet ndërlëndore duhet të kalojnë edhe nëpër proçesin e aplikacionit, jo vetëm me ushtrime e problema, por edhe me veprimtari të tjera praktike, me qëllim që të kuptohet dhe funksioni i tyre teknik e teknologjik.

·         Në fund të orës, ose edhe në momente tjera, mësuesit mund të përdorin dhe miniteste, që shërbejnë për të saktësuar vetëvlerësimin e përvetësimit të lidhjeve që kërkohen.

·         Vetëvlerësimet e sakta që bëjnë nxënësit për të gjitha llojet e lidhjeve ndërlëndore duhet të riaktivizohen herë pas here që të mos t’i fshijë pluhuri i harresës, sepse këto përbëjnë thelbin e formimit të tyre shkencor.

 

Më poshtë po japim një model, që pasi modifikohet nga mësuesi, sipas natyrës së lëndës së tij, mund t’u jepet nxënësve që edhe ata të orientohen, kur punojnë për të realizuar këtë kërkesë të të nxënit modern.

 

 

KËSHILLA PËR NXËNËSIT

 

që kërkojnë të dinë se si mund të veprohet për të realizuar vetëvlerësimin e përvetësimit të lidhjeve ndërlëndore.

 

·         Ndiqni me vëmendje udhëzimet e mësuesit për mënyrën e zbulimit të lidhjeve ndërlëndore.

·         Kur, në një lëndë tjetër, është e zhvilluar tema që ka lidhje me mësimin e ditës, përpiqu ta rikujtosh, që të gjesh vetë lidhjen, ose me sa më pak ndihmë nga mësuesi.

·         Këto lidhje duhet t'i rishikosh shpesh, sepse ato përbëjnë thelbin e formimit tuaj shkencor.

·         Kur të zgjidhësh problema ose ushtrime, kujtoni lidhjet në mes të lëndëve që keni mësuar, sepse ka shumë mundësi që ato do t’u ndihmojnë për të gjetur zgjidhjen. Shiko me vëmendje se ku përqëndrohet formulimi i problemës dhe udhëzimi i mësuesit etj.

·         Gjatë përsëritjes, gjithnjë mbështetuni tek këto lidhje, në mënyrë që të mënjanoni të mësuarit mekanik.

·         Kini kujdes që vetëvlerësimi për përvetësimin e lidhjeve ndërlëndore dhe të shprehive të mendimit logjik, që lidhen me to, të jetë sa më i saktë, në mënyrë që të pasqyrojë realisht gjendjen tënde.

 

5 - 6.  FUSHA E TRETË, OSE INTIGRIMI I LËNDËVE MËSIMORE ME TEKNIKAT DHE TEKNOLOGJITË E SFERAVE PËRKATËSE TË PRODHIMIT

 

Kjo është një fushë shumë e rëndësishme, që ende shfrytëzohet pak e që duhet eksploruar sa më shumë që të jetë e mundur, sepse përfaqëson lidhjen e mësimit me të gjitha llojet e prodhimit njerëzor, që nga gatimi i bukës së përditshme dhe deri tek veprat e mëdha të teknikës dhe teknologjisë në shkallë botërore. Edhe në këtë drejtim, mësuesit në detyrë, duhet të luftojnë për të njohur lidhjet e lëndës së tyre me prodhimin, kurse studentët, që janë në auditore të universiteteve, duhet të pajisen dhe me kulturën e integrimit të lëndëve të profilit që ndjekin me teknologjitë e sektorëve të ndryshëm të prodhimit. Kjo është një kërkesë parësore e filozofisë arsimore të shekullit 21.

Dihet se disa mësues nuk janë të përgatitur për të realizuar këtë kërkesë parësore të programeve të reja. Lufta për të plotësuar boshllëqet, është rruga më e mirë për të kapërcyer këtë vështirësi.

Nxënësit nuk duhet të vuajnë mangësitë tona. Autorët e teksteve, edhe për këtë punë, duhet të ndihmojnë. Në aparatet pedagogjike mund të jepen orientime që t'i ndihmojnë mësuesit që të realizojnë, për një kohë, qoftë edhe pjesërisht, lidhjet në mes të lëndëve që japin dhe teknologjive të prodhimit.

Lidhja me botën e madhe të prodhimit, bëhet në përputhje me mundësitë që jep mosha e nxënësve dhe përgatitja e tyre e përgjithshme. Mësuesi, këto lidhje të nivelit të lartë të lëndës së tij me botën e madhe të prodhimit, duhet t'i bëjë me mjeshtri të madhe didaktike. Disa krijojnë listat e qëndrave të punës, që gjinden në afërsi të shkollës, të shoqëruara dhe me disa karakteristika që mund t’u shërbejnë për të bërë lidhjen e mësimeve me teknologjitë e prodhimit. Për të realizuar me sukses lidhjet në mes të lëndëve të ndryshme me sektorët e prodhimit, ka shumë rëndësi bashkëpunimi i mësuesve me specialistët për të tërhequr prej tyre informacionin më të ri të mundshëm. Siç e kemi përmendur edhe më lart, kur nxënësit mbaruan impiantin e enëve komunikuese, pyetjes: “Ç'përfituan nga kjo punë?”, ata i'u përgjigjën shkurt: “Këtë ligj nuk do ta harrojmë kurrë!”. Kjo tregoi se vetëvlerësimin ata e realizuan me cilësi të lartë dhe pa shumë vështirësi, sepse çdo gjë e kryen me duart e tyre, duke vënë në lëvizje mendimin teknik. Pyetjes tjetër: “Pse stacioni i ujësjellësit është vendosur lart në kodër?”, ata, edhe kësaj pyetje iu përgjigjën po me saktësi. “Kjo u vendos më lart,- thanë ata, -sepse në çdo pallat 10-12 katësh, në sajë të  ligjit të enëve komunikuese, uji ngjitet deri në katet më të larta, pa pasur nevojë për elektropompa, dmth pa bërë shpenzime të tjera.”. Kjo tregoi se vetëvlerësimi ishte bërë me saktësi.

Kërkimet në terren kanë vlera të mëdha formuese. Në një muze etnografik, nxënësit, në mbarim të studimit të Historisë së Shqipërisë, u njohën me krijimtarinë e popullit tonë në shekuj, si: me veshjet, paisjet e shtëpive, me veglat e punës dhe mjetet e luftimit, me një fjalë u bë integrimi i historisë me etnografinë dhe me trashëgiminë në fushën e teknologjisë. Ata, shumë gjëra të dëgjuara dhe të para në revista, i gjetën në muze.

Zbulimi i këtyre lidhjeve ndërlëndore në këtë formë, bëri të mundur që nxënësit të konsolidonin dijet në këtë lëndë të forcojnë bindjen për cilësinë e përvetësimit të tyre. Ky proçedim shërbeu për të ngritur cilësinë e vetëvlerësimit të informacionit që kishin marrë në klasë dhe në muze.

 

5 – 7.  REALIZIMI I INTEGRIMIT I ÇFARËDO LLOJI QOFTË, KËRKON MENDIM DIDAKTIK KRIJUES NGA MËSUESI DHE VETËVLERËSIM TË KUJDESSHËM NGA NXËNËSIT

 

Mësuesi, për të ndërtuar mësimin mbi parimet e të nxënit integrues, duhet të jetë krijues dhe të kërkojë e të gjejë mënyrën më të mirë që t’ua lehtësojë nxënësve punën, për të bërë me cilësi vetëvlerësimin e përvetësimit të të gjitha llojeve të lidhjeve për të cilat po diskutojmë dhe të shprehive të të menduarit logjik që kanë zbatuar gjatë përpunimit të tyre. Shkalla e përgatitjes të nxënësve, për të dalluar se ç’ka dinë e ç’ka nuk dinë, është një tregues i mirë për të gjykuar mbi formimin e tyre të përgjithshëm. Në këto raste, nxënësi nuk kufizohet vetëm me të dëgjuarit dhe të riprodhuarit të gjërave që thuhen në mësim, por tani kërkon lidhjet në mes të gjërave që mëson, të cilat i gjen dhe i seleksionon, i analizon, i përgjithëson dhe i mbron përpara mësuesve, shokëve të klasës e, në mënyrë të veçantë, dhe përpara njerëzve të prodhimit. Kur veprohet kështu, vetëvlerësimi nxit mendimin parashikues teknik e teknologjik. Në këto proçedime zbulohen edhe talentet. Kur fizikanti i madh, Nikola Kapllani, ishte i vogël dhe mësuesi i dha të bënte, me mjete rrethanore, një mulli uji. Ai, tregojnë shokët e tij, pat thënë se, kur të rritem, do të ndërtoj mullinjë që të lëvizin rrota të mëdha dhe, me të vërtetë e mbajti fjalën. Ai u bë shkencëtar i nivelit të lartë.

 

5 – 8.  INTEGRIMI I MËSIMIT ME SHTYPIN E SHKRUAR E ELEKTRONIK DHE VETËVLERËSIMI

 

Integrimi i mësimit me shtypin e shkruar dhe elektronik, është një fushë tjetër, ku nxënësi, sipas udhëzimeve të mësuesit, kërkon e gjen lidhje në mes të temave e kapitujve të ndryshëm që përpunon me materialet që botohen nëpër gazeta apo revista transmetohen në radio e televizion dhe sidomos në internet. Nxënësi nuk mund të përballojë, jo vetëm leximin, por as sigurimin e të gjithë shtypit. Në këtë rast, mësuesit krijues përdorin rekomandimin, që ua lehtëson atyre shumë punën. Mësuesja e letërsisë shrytëzoi suplimentin e Gazetës Shqiptare të datës 14. 09. 2009, ku kishte shumë materiale të panjohura për Lasgushin e Bajronin. Kështu mund të shfrytëzohet shtypi nga çdo mësues për lëndën e tij. Kjo punë ndihmon nxënësit për të bërë vetëvlerësime cilësore.

 

5 – 9.  INTEGRIMI NË METODË

 

Ne pamë më lart kur diskutuam për të nxënit ndërveprues se si integroheshin format e të nxënit ndërlëndor, global, me bazë projektesh etj., për të realizuar studimin e një problemi, dmth se këtu kemi të bëjmë dhe me integrimin në metodë, që e gjallëron shumë proçesin mësimor dhe duhet të praktikohet shpesh. Edhe anasjelltas, të nxënit integral ndikon shumë për realizimin e të nxënit interaktiv, kurse të nxënit ndërveprues dhe kritik, gjallëron të nxënit integral etj.

Ky integrim në metodë ndihmon që nxënësit të realizojnë vetëvlerësime gjithnjë e më cilësore.

Si përfundim, mund të themi se integrimi në metodë është një çelës didaktik shumë i fuqishëm për të zhvilluar mendimin logjik të nxënësve në të gjitha lëndët.

 

5 – 10.  FORMAT E TË NXËNIT INTEGRUES TË SHOQËRUARA ME VETËVLERËSIMIN, NDIKOJNË SHUMË NË FORMIMIN E PËRGJITHSHËM SHKENCOR TË NXËNËSVE

 

Të nxënit integrues është një komunikim psikodidaktik i nivelit të lartë, që kur shoqërohet dhe me vetëvlerësimin, ndikon shumë për formimin e përgjithshëm shkencor të nxënësve. Ai duhet shtrirë në të gjitha lëndët, sepse krijon një mjedis shumë tërheqës për nxënësin dhe të pazëvendësueshëm për realizimin e të menduarit sistemik. Vetë logjika e brendshme e të nxënit integrues dhe vetëvlerësimi, krijojnë për nxënësit mundësi të mëdha për të gjykuar mbi cilësinë e punës që bëjnë dhe i aftëson ata si parashikues të zhvillimeve të mëtejshme të personalitetit të tyre, pra, e pasuron vetëvlerësimin dhe me një element të ri.

Është e domosdoshme që të përdoret në të gjitha format e mundshme reflektimi, që, siç dihet, hedh dritë, jo vetëm mbi cilësinë e përvetësimit të dijeve, por dhe të lidhjeve logjike ndërlëndore, gjë që u jep mundësi nxënësve të kuptojnë cilësinë e punës që bëjnë, por edhe kaq nuk është e mjaftueshme. Çdo lidhje e përvetësuar duhet t'i nënshtrohen edhe aplikacionit. Kjo i jep dorën e fundit vetëvlerësimit, dmth e saktëson atë. Të nxënit integrues e aftëson nxënësin që të pasqyrojë ndërvartësitë që ekzistojnë në botën e madhe social-ekonomike edhe përtej kufijve të shkollës. Kjo bën që vetëvlerësimi të pasqyrojë më gjerësisht jetën.

Nxënësi, duke zbatuar parimet e të nxënit të integruar, forcon aftësitë për të kapur lidhje të reja, që kanë të bëjnë me struktura të caktuara, me të cilat do të ndeshet në jetën shkollore dhe pas saj. Ajo që pranohet, -thuhet në broshurën “Çështje të kurrikulës së re”, Tiranë 2007, kurrikula e integruar ide, sfida, sugjerime”, f. 11, është ideja që do të vijë një kohë që nxënësit  do të shohin vetë ndërlidhjen dhe ndëvartësimin që ekziston në botën reale. Por fatkeqësisht faktet tregojnë se të nxënit e tyre sot varet nga ajo që ne u mësojmë. Në se ne u  mësojmë nxënësve ndërlidhjen dhe integrimin, ata mësohen t'i shohin gjërat në këtë këndvështrim. Në se u mësojmë ndarjen dhe mungesën e vazhdimësinë në kohë të gjërave, ata mësohen t'i mësojnë gjërat jashtë lidhjes dhe ndërvarësisë së zhvillimit të tyre në kohë, pra, dhe të dhënë një herë e përgjithmonë.”

Vetëvlerësimi bëhet më i saktë, kur informacioni merret në kuadrin e përgjithshëm të lidhjeve të sendeve dhe dukurive të ndryshme. Vetëvlerësimi duhet të pasqyrojë dhe sa nxënësi ka fituar aftësi për të kërkuar, gjetur dhe interpretuar lidhjet brenda pjesëve të një lënde e të lidhjes së saj me disiplinat tjera shkencore e me prodhimin dhe sa është aftësuar për komunikim ndërpersonal. Po në atë broshurë, që paraqitëm më lart, f. 25, thuhet: Integrimi si metodë niset nga premisa se të nxënit duhet të organizohet në mënyrë të tillë që të reflektojë botën reale dhe nxënësi lehtësisht të gjejë vetveten në të. Ajo bazohet në kuptimin e botës si sistem, në të cilin kuptimi i plotë i çdo teme e çështjeje ose lënde mund të realizohet vetëm nëpërmjet të eksplorimit të lidhjeve të tyre të ndërsjella me dukuritë tjera të sistemit. Në këtë kënvështrim kurrikula organizohet më mirë përreth temave ose çështjeve përmes të cilave njohuritë tradicionale mësohen në sfondin e lidhjeve të shumta.”

Të nxënit integrues i bën edhe më të qartë komponentët e vetëvlerësimit didaktik. Nxënësi, për të realizuar vetëvlerësimin e punës së tij, merr informacion të shumtë për efektin e metodave të të nxënit që ka përdorur për të realizuar arritjet akademike, sidomos për aftësitë që ka fituar për të kërkuar, gjetur, analizuar, përgjithësuar e mbrojtur lidhjet ndërlëndore, për zotërimin e shprehive të të menduarit logjik që ka shfrytëzuar për të realizuar një temë mësimi, apo të një kapitulli të një lënde të caktuar.

Ne mendojmë se, në vend të përmbledhjes së këtij kapitulli, do të mjaftonte ky fragment që e kemi marrë nga broshura që cituam më lart, f. 7, ku thuhet: “Kurrikula e integruar është një dhuratë për mësuesit e talentuar dhe me përvojë. Ajo u ofron atyre një këndvështrim të ri, për të zhvilluar mësimin, ndërsa nxënësit i ndihmon të kontrollojnë të nxënët e tyre.”



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora