E enjte, 25.04.2024, 07:08 AM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Rreth identitetit të gjinisë asnjanëse në shqipen e sotme (II)

E shtune, 17.03.2012, 06:58 PM


RRETH IDENTITETIT TË
GJINISË ASNJANËSE NË
SHQIPEN E SOTME

 

Nga Dr. Nuhi Veselaj

 

I. Prania e  asnjanësve në shqipen letrare (FSHS 2002)

dhe  grupimi i  tyre sipas nyjë-MBARESËS

SË NJËJËSIT TË SHQUAR

 

Para se të japim konstatimet tona rreth pranisë së asnjanësit në shqipen e sotme letrare më në hollësi, po përmendim mendimet e dy gjuhëtarëve tanë, të cilët, të ballafaquar me emrat e tillë relativisht të shumtë të përdorur në veprat e traditës si dhe vende-vende në disa tërthore edhe në gjuhën e gjallë popullore dhe intelektuale, jo vetëm për asnjanësit e tipit të parë, por edhe për dy tipat e tjerë sidomos, kanë vërejtur mangësi  pranie në burimet përkatëse lidhur me përfaqësimin e tyre përgjithësisht në burime tona të caktuara normëzuese leksikografike, andaj edhe kanë kërkuar që prania a përfaqësimi tyre të jetë më i denjë, përkatësisht që kësaj gjinie t’i kushtohet më shumë vend e vëmendje, sidomos në burimet tona normative. Më i zëshëm në kërkesën për rishikimin e qëndrimit joadekuat të deritashëm ndaj asnjanësve përgjithësisht në shqipen e sotme letrare, që është shprehur disa herë botërisht, me sa dimë, është studiuesi ynë i mirënjohur, prof. dr. Abdullah Zymberi (Shih edhe te gazeta  “Zëri”, 25.05.2007, f. 22 si dhe  te Gjuha shqipe, 2/2007, f. 57.), i cili, sidomos për dy tipat e paranyjëzuar konstaton me të drejtë se, jo vetëm nuk janë pasivizuar masivisht, por siç thotë ai, “rrojnë kokrrosh”,  në të folme, por edhe më gjerë në vepra letrare. (Aty f. 59.) Po ashtu edhe dr. Ragip Mulaku, në një shkrim të tij, jo fort moti, ngulmonte që “Në fjalorët tanë shpjegues duhet të ketë më shumë vend për emrat asnjanës: të madh-të, të trash-të, të holl –të (!), të kalbët-it e të tjerëve, sepse e pasurojnë gjuhën”, (Shih: Gjuha shqipe 1 -2,  2000  f. 52.) mirëpo edhe ky nuk ndalet në përcaktimin e nënfushës përkatëse semantike në hollësi sipas tipave të asnjanësve, ndonëse faktikisht si shembuj ilustrues shënon vetëm tipin e asnjanësve prejmbiemërorë, duke e anashkaluar tipin më prodhimtar: asnjanësit prejpjesorë.

Prof A. Zymberi, në një punim tjetër (kumtesë) sërish i kthehet kësaj teme. Ai tek vepra Frang Bardhi – 400 vjetori i lindjes, botim i IAP-së  i kushton më shumë vend këtij problemi, ku veç tjerash thekson:

 

Është e vërtetë se asnjanësit që emërtojnë lëndë janë zhdukur pothuajse tërësisht, mirëpo edhe këtë tipi toskërishtja, arvanitasit, arbëreshët e Italisë, shqiptarët e Ukrainës e kanë të ruajtur bukur mirë. Mirëpo tipat e tjerë: prejmbiemërorët e emërzuar, prejpjesorët e emërzuar dhe ata që shprehen në togfjalësha dhe në shprehje të ndryshme rrojnë edhe sot e kësaj dite në të folmet popullore. Për mendimin tonë këta tipa asnjanësish i duhen domosdoshëm shqipes së sotme, sepse e përbëjnë një shtresë të rëndësishme fjalësore për fjalorin e shqipes, sepse u duhen shumë shkencave, sidomos psikologjisë  dhe fushës së mjekësisë...

dhe përfundon me kërkesë-këshillën:

Ne do të shtonim se këta tipa asnjanësish duhet t’i kthehen shqipes letrare, duhet t’u kthehen gramatikave dhe fjalorëve tanë, sepse i patën shkrimtarët e vjetër dhe të mëvonshëm, sepse i kanë madje mirë i kanë disa të folme popullore, i kanë edhe disa fjalorë dialektorë. Kjo pasuri leksikore do ruajtur dhe përdorur nga shkencëtarët e shkrimtarët tanë, nga gazetarët e nga mjetet e tjera të informacionit, sepse është pjellë e hershme e shqipes sonë”. (Aty f. 105.)

Që në të folmet popullore ndeshen plot e përplot asnjanës dhe që aty ruhen mirë, prof. A. Zymberi e dokumenton me fakte edhe në një punim tjetër të botuar në Gjurmime albanologjike, seria e shkencave filologjike, Prishtinë, 36/2006, nën titullin: Prania e emërzimit në disa të folme popullore, ku ndër të tjera në të folmet e Pejës dhe të Burimit, si dhe në vise të tjera, thekson ai, asnjanësit gjallojnë “për mrekulli”. Po për ne zgjojnë interes shembujt që i jep autori me rrënjorë të njëjtë: edhe si mbiemra të emërzuar edhe si  pjesore të emërzuara, si p.sh,.:

t’kalbtit – të kalbunit, t’krym(b)tit, - t’ krym(b)unit,  t’ndydhtit – t’ndrydhunit, t’m(p)rehtit - t’m(p)rehunit, t’ngushtit- ngushtu(e)mit, t’prishtit – t’prishunit, t’djegtit – t’djegunit (Aty f. 148),

duke konstatuar se “përderisa mbiemrat e emërzuar në gjininë asnjanëse emërtojnë një cilësi ose një pjesë të hequr nga një e tërë, pjesoret e emërzuara emërtojnë një veprim”.

 

Sido që të jetë, ndonëse të gjitha konstatimet e këtij studiuesi të merituar në ndonjë finesë nuk përputhen plotësisht me tonat rreth nënfushës semantike që mbulojnë ose duhet të mbulojnë sot e nesër asnjanësit në fjalë, me shembujt e tillë autori hap çështje që nuk njiheshin mirë në të kaluarën, prandaj edhe ne një kërkesë–këshillë të tillë që asnjanësit prejmbiemërorë dhe ata prejpjesorë duhet të konsiderohen jo pa vlerë, por si një pasuri që e ushqejnë shqipen letrare, e quajmë shumë me vend, ngase, vërtet, del e nevojshme që asnjanësve përgjithësisht t’u kushtohet më shumë vëmendje e në veçanti asnjanësve të paranyjëzuar, por, së andejmi, sipas nevojës, edhe duhet stimuluar integrimin e tyre pa ngurrim në standard.

Ne, për të pasur edhe më të përkapshme mënyrën trajtëformuese e fjalëformuese të emrave të gjinisë asnjanëse, siç u tha, si pikënisje për me u ngjitë kodrave e shpateve drejt majave të objektivit, me qëllim për me mujtë me soditë, me gjurmue dhe me e intensifikue edhe më mirë pikërisht majat e thelbit të çështjes, gjetëm e kapëm fillin e lëndës në Fjalorin e shqipes së sotme (1984 ribot.2002), si stacion i parë ky përfaqësues e rekomandues i letrarishtes së sotme, ku gjetëm, volëm e mbarështruam me nge të gjithë emrat asnjanës të regjistruar aty, të cilët po i paraqitim të merenduar, sipas tipave të sipërcekur në tri grupime: së pari, asnjanësit si emra të mirëfilltë lashtënorë, së dyti, asnjanësit prejmbiemërorë të nyjshëm dhe së treti, asnjanësit e paranyjëzuar prejpjesorë.

Tipi i katërt në FSHS 2002, nuk ceket si asnjanës, por së -ja  shpjegohet  në dy zera:

Nën zerin I  - si trajtë e nyjës së përparme që përdoret në tri rasa: gjinore, dhanore dhe rrjedhore dhe si ilustrim jepen këta 5 shembujt:,

Ndjenja e së bukurës, Drejtoreshës së kopshtit, Mjelëses së dalluar. I klasës së dytë dhe I foli së bijës (vajzës së vet).

Nën zërin II – cilësohet si  pjesëz trajtëformuese në disa shprehje ndajfoljore dhe për këtë jepen këta shembuj ilustrues:

së pari, së paku, së tepërmi, së afërmi, së gjalli, së bashku; për së largu, për së mbari.

Në FGJSH 2006 shënohet vetëm përmbajtja nën II.,teksti është i njëjtë. (Aty f. 956.)

Siç po shihet në të dyja burimet nuk ceket gjnia asnjanëse dhe mungojnë shembuj prepjesorë si asnjanës të rasës rrjedhore. Madje asnjëri nga 5 shembujt nën I nuk duhet qartë se del në rasën rrjedhore, ndërsa nën II të gjithë shembujt e emërzuar në funksion ndajfoljeje dalin në rasën rrjedhore, por ky fakt nuk ceket.

Sidoqoftë, ndonëse gjinia asnjanëse e emrave të tipit të katërt trashëgimisht del e implikuar në sistemin ligjërimor të shqipes ashtu si edhe gjurmët e asnjanësit të tillë  shihen tek mbiemrat e përemrat e në njësi të tjera leksiko-gramatikore, ne, në vështrimin tonë, pothujase deri në kreun VII, do të përqëndrohemi sinkronikisht, kryesisht ose në tepër në klasën e emrave të mirëfilltë të paparanyjëzuar asnjanës të rasës emërore, jo në veçanti edhe të mbiemrave e të përemrave (asnjanës), madje as të trajtave të asnjanësit në shprehjet e ngurosura të rasës rrjedhore me nyjën së, po natyrisht këto të fundit nuk përjashtohen tëpreken në analiza, kur rasti na imponon.

 

1) Grupimi i asnjanësve sipas nyjë-mbaresave

në emëroren e njëjësit të shquar

 

Duke pasur si kriter nyjë-mbaresën e njëjësit bëmë grupimin si vijon të shembujve që i ndeshëm në FSHS 2002::

 

A. Së pari, asnjanës emra të mirëfilltë, d.m.th, pa nyjën e përparme karakteristike për dy tipat e tjerë, në Fjalorin në fjalë (2002) gjetëm të shënuar vetëm këta 6 shembuj, të cilët i ndamë në dy nëngrupe:

a) katër raste marrin nyjë-mbaresën shquese  –t:  dhjamë-t, ujë-t, krye-t, paskrye-t, dhe

b)  dy shembuj marrin nyjë-mbaresën  –të:  mish-të, lesh-të.

 

B. Së dyti, sipas tipit të asnjanësve prejmbiemërorë të paranyjëzuar ndeshëm këta shembuj, të cilët i merenduam në tri grupe:

a) prejmbiemërorë të nyjshëm dyrrokësh me temë në –ë që në shumësin e shquar marrin nyjë-mbaresën -t: të bardhë-t,  të butë-t,  të gjallë-t, të hollë-t, të ftohtë-t, të fortët, të lartë-t, të lehtë-t, të majmë-t, të mbarë-t, të mirë-t, të ndotë-t, të ndytë-t, të ngrohtë-t, të nxehtët, të pështirë-t, të pështjellë-t, të rëndë-t, të thatë-t, të verdhë-t, të vështirë-t,  të zbehtë-t  -  gjithsej 22 shembuj;

b) prejmbiemërorë njërrokësh që marrin nyje-mbaresën –të në njësin e shquar: të keq-të, të kuq-të, të lig-të, të madh-të, të ri-të, të zi-të – gjithsej 6 shembuj;

c) prejmbiemërorë paroksitonë, me temë në bashkëtingëllore që në njëjësin e shquar marrin nyjë-mbaresën –i/t: të egër-it, të ëmbël-it, të fikët-it, të lagët-it, të  mugët-it, të pakët-it, të tepërt-it - gjithsej 7 shembuj.

Gjithsej në këtë burim i ndeshim të regjistruar 35 shembuj të këtij tipi.

 

C. Së treti, si asnjanës të paranyjëzuar të tipit prejpjesor, aty gjetëm dhe volëm këta shembuj, të cilët,  sipas tipit të foljeve, i radhitëm në katër grupe:

a)  Mbi temë të foljeve me fundoren –ë dhe që njëjësin e shquar e bëjnë me –t: të bërë-t, të dhënë-t, të gdhirë-t, të dalë-t, të hyrë-t, të larë-t I, të larë-t II,  të marrë-t, të ngrënë-t, të ngjarë-t, të pangrënë-t,  të parë-t I, të parë-t II, të pëgërë-t, të pështjellët, të prerë-t, të qarë-t, të qenë-t, të sharë-t, të vjelë-t, të vjellë-t - gjithsej  21 shembuj. Po këtij grupimi i takojnë edhe këta dy shembuj të prirët dhe të thënët, me të cilët manipulohet në sqarime brenda burimit përkatës, që gjithsej bëjnë 23 shembuj.

b) Mbi temë të pjesores së foljeve me bashkëtingëllore që në shumësin e shquar marrin mbaresën it:  të ecur-it, të errur-it, të folur-it, të ftohur-it, të lehur-it, të ngrysur-it, të ngjeshur-it, të nuhatur-it, të njohur-it, të prekur-it, të qeshur-it, të sosur-it, të shprehur-it, të tekur-it – gjithsej  14 shembuj. Po këtij grupimi i takojnë edhe këta 6 shembuj  që i ndeshim të përdorur për nevoja sqaruese po në atë burim: të hequrit, të mbajturit, të skuqurit, të pasurit, të ndenjurit, të vepruarit – kështu numri  i tyre në këtë grup arrin në 20 shembuj.

c) Gjithashtu me –it e bëjnë njëjësin e shquar asnjanësit e përftuar nga tema e foljeve më –oj dhe -ua/j: të dëgjuar-it, të menduar-it, të mësuarit, të qëlluar-it; të paguar-it, të rruar-it-, të shkruar-it - gjithsej  7 shembuj, mirëpo këtij grupimi  i shtohen edhe 5 shembuj, tre mbi temë me –ua/r: të bashkëjetuar-it, të jetuar-it e të vepruar-it dhe dy mbi temë  në –ye/r: të kërcyer-it të pëlqyer-it, që i ndeshim të përdorur po në atë burim e që gjithsej kapin numrin 12 (7+3+2).

ç) Te tipi i  foljeve me togun –ie/j, të regjistruar e gjetëm  vetëm  një shembull që në shumës merr nyjë-mbaresën –ë/t : të përzier-ët -

Gjithsej  asnjanës të këtij tipi në këtë burim i ndeshim 43 shembuj.

 

Si përfundim, numri i tërësishëm i asnjanësve të regjistruar, sipas tre tipave, kap shifrën 84 (A - 6, B -35 dhe C - 43).

 

2) Konstatime rreth grupimeve të mësipërme

 

Nga shembujt e mësipërm vëmë re dy çështje që zgjojnë interes: a) versionet rreth nyjë-mbaresave dhe b) numrin e shembujve që ndryshon sipas grupimeve brenda tyre, fakte këto që i konsiderojmë, pra, me interes në të mirë të konsolidimit të drejtshkrimit, si dhe për specifikimin e modeleve fjalëformuese, kriter ky që ne do ta zbatojmë në konstatimet e mëposhtme:

 

a) Grupimi sipas tipit të nyjë-mbaresave të shquarsisë

 

1. Te tipi i parë, d.m.th. te asnjanësit primitivë që i quajtëm edhe si emra të mirëfilltë, sipas lëndës së regjistruar, ndër 6 shembuj dalin vetëm këto dy nyje-mbaresa të njëjësit të shquar: –t dhe –të.

2. Te asnjanësit prejmbiemërorë, tipi i dytë, që përbëhej prej tri grupesh vihet re se secili grup në njëjësin e shquar merr nyjë-mbaresë të veçantë, përkatësisht: –t, -të dhe –it

3. Te asnjanësit e nyjshëm prejpjesorë nyjë-mbaresa e njëjësit të shquar, sipas 4 grupeve,  përkatëse del tri varianteshe: -t, –ët, –it.

 

Pra, grupi i emrave prejpjesorë të paranyjëzuar, sipas shembujve të regjistruar, ka 2 mbaresa më shumë se te tipi i emrave të mirëfilltë të paparanyjëzuar -it dhe –ët dhe ka po aq sa ka tipi i asnjanësve prejmbiemërorë, por këtij i mungon formanti –të që kishin dy tipat e tjerë, ndërsa tipit të prejmbiemërorëve i mungon formanti –ët.

Këto nyjë-mbaresa  duhen mbajtur mend, jo vetëm sa me marrë a me pasë në dijeni përgjithësisht, por edhe pse hyjnë në punë për arsye të konsolidimit të rregullave drejtshkrimore dhe të atyre drejt-trajtëformuese brenda strukturës përkatëse emërore.

 

Në këtë kontekst del i diskutueshëm shembulli i vetëm më –ë/t: të përzierët. Shtrohet pyetja a do të shërbejë ky rast si një formë përfaqësuese për tërë grupin e foljeve me –r në pjesore me tog zanor –ie/r apo jo? Më konkretisht a do të shtrihet formanti –ët për të gjitha foljet me -ier (ndier të ndierët), të atyre me –yer:  lyer (të lyer-ët), ngjyer (të ngjyer-ët) etj. mbase edhe të atyre me –ua/r apo do të shkrihet në grupin e rasteve më –i/t, dm.th. me një –i -anaptetike, siç dolën edhe dy shembujt të kërcyer-it dhe të pëlqyerit, me të cilët manipulohet në atë burim. Sigurisht, kjo çështje mbetet çështje e hapur. Gjithsesi, edhe kjo dukuri imponon sqarim nga normëvënësit tanë kompetentë. Lidhur me këtë, siç jemi shprehur në një vend tjetër, sugjerojmë që forma me –ët të jetë e parapëlqyer për asnjanësit, ndërsa ajo me –it për shumësin e emrave përkatës të gjinisë mashkullore dhe (kuptohet) formanti –at, pa diskutim i takon shumësit të emrave të gjinisë femërore.

 

Sidoqoftë, edhe kjo ide që ne do ta përsërisim herë pas herë, varësisht nga konteksti që na ofrohet, duhet të (ri)vlerësohet nga standardologët tanë

 

b) Grupimi përkatës dhe numri i shembujve

 

1) Siç po shihet nga pasqyra e mësipërme sipas numrit të shembujve: asnjanës emra të mirëfilltë, d.m.th. pa nyjë të përparshme, janë shënuar në këtë burim vetëm 6 ose më drejt vetëm 5 shembuj të parmë, d.m.th. pa pranëvënësen paskrye-t.

2)  Shembuj asnjanësish të nyjshëm mbi bazë prejmbiemërore dalin në numër të konsiderueshëm gjithsej 35 (22+6+7), me të cilët, varësisht nga nëntipi, shprehen koncepte cilësie, gjendjeje ose të qeni.

3) Numri i asnjanësve të nyjshëm mbi bazë pjesoreje është pak më i madh 43 (21+14+7+1, por që lë mundësi të hapur për përthithje edhe të shembujve të tjerë të përftuar rishtazi ose që i ndeshim në përdorim e sipër në ligjërimet tona.

Siç e pamë më lartë në Fjalorin në fjalë (2002) brenda sqarimeve a formulimeve përkatëse sipas grupimeve ndeshëm edhe 13 asnjanës të tjerë: të pirët, të ngrënët; të mbajturit, të skuqurit, të hequrit, të pasurit, të ndenjurit, të ftohurit, të bashkëjetuarit, të jetuarit, të vepruarit, të kërcyerit, të pëlqyerit e mbase edhe ndonjë tjetër, fakt ky që shpreh prirjen për shumim të asnjanësve të këtij tipi.

Në të vërtetë ka mundësi që nga çdo folje të formohet asnjanësi përkatës prejpjesor.

Sidoqoftë, pra, siç u pa, në Fjalorin në fjalë manipulohet me 6 asnjanës primitivë, të paparanyjëzuar, 35 asnjanës prejmbiemërorë dhe 56 (43+13) asnjanës prejpjesorë që bëjnë gjithsej. 97 (84+13) shembuj. Mirëpo kur është fjala te numri i asnjanësve, qoftë të regjistruar, qoftë të legalizuar në përdorim e sipër në shqipen letrare faktikisht numri i tyre gjithsesi del gjithnjë e më i madh. Kjo dëshmohet edhe nga numri i regjistruar në burimin më të ri normativ: Fjalori i gjuhës shqipe, Tiranë 2006, ku siç do të shohim numri i asnjanësve të regjistruar shënon rritje të dukshme. Po në kontekst të kësaj që po thuhet duhet pasur parasysh edhe një fakt tjetër me shumë interes se shumica e emrave të prejardhur cilësorë shpjegohen me ndihmën e asnjanësit të qenët + një mbiemër, një emër ose një fjalë tjetër shpjeguese, si p.sh.:  me –si: butësi – të qenët i butë, pabesi –të qenët i pa besë, afërsi – të qenët afër; me – shti:  madhështi – të qenët madhështor; me –i bukuri – të qenët i bukur; me –zi: marrëzi – të qenët i marrë: me –ri: trimëri – të qenët trim, me -shmëri: pajtueshmëri - të qenët në pajtim,  e kështu me radhë. Pastaj ka jo pak raste emrash me prapashtesat përkatëse të huazuara, që për nga numri i shembujve i sillen dhjetëshit. Sa për ilustrim, po japim vetëm nga një shembull: tipi me –izëm: liberalizëm – të qenët liberal; me -itet: naivitet –të qenët naiv; me –llëk: kalamallëk – të qenët kalama, e kështu me radhë, numri i shembujve të tillë, me: të qenët + ..., në  FShS 2002 kalon 300-shin.

Pra, marrë  në përgjithësi numri 84, përkatësisht 97 i asnjanësve të regjistruar ose të përdorur në FSHS (2002) nuk është edhe aq numër i vogël dhe kur të llogaritet edhe numri i shembujve të shpjeguar me togun: të qenët a të bërët+ fjala përkatëse, të gjithë shembujt kalojnë dukshëm 400-shin, atëherë ky fakt vetvetiu bie ndesh me të dhënat se  gjoja numri i asnjanësve në përdorim e sipër në letrarishten e sotme është i vogël.

Sido që të jetë,  kur është fjala se a është bërë përzgjedhje e mirë përfaqësuese me shembujt e regjistruar dhe a është dhënë interpretimi i duhur, apo jo, për të gjithë shembujt sipas tipave, çështja del pa përgjigje. Ky, në të vërtetë, shfaqet si problem më vete, por sidoqoftë edhe çështja rreth numrit të tyre tregon se konstatimet rreth pasivizimit të asnjanësit në gjuhën standarde duhen pranuar me rezervë të ligjshme.

Në të vërtetë, nga sa u tha më lartë, si rekapitullim, më poshtë, në tabelën përkatëse po e rijapim vetëm numrin e tërësishëm të asnjanësve të regjistruar në FShS 2002, sipas nyjë-mbaresave përkatëse,  sipas këtyre rubrikave:

1.       tipi i asnjanësit: A, B, C;

2.      nyjë-mbaresat e njëjësit të shquar dhe numri i shembujve;

3.      numri i tërësishëm i shembujve.

 

Tabela e numrit të asnjanësve të regjistruar në FShS 2002

__________________________________________________________

1                                   2                                                3                    .

Tipi               -t                -të                -ët          -it        Gjithsej

----------------------------------------------------------------------------------------

.        A                 4                2                    -             -                6

B                22               6                    -              7             35

C                21                -                    1           21             43

Gjithsej               47               8                     1           28             84

 

Siç po shihet numri më i madh i shembujve del mbi bazë të temës së pjesores me –ë fundore që marrin nyjë-mbaresën shquese –t, prandaj  ky fakt si rregull drejtshkrimor duhet respektuar. Këtë po e theksojmë në mënyrë të veçantë, sepse në burime të caktuara edhe shembujt e tillë po shënohen ndonjëherë, kundër kësaj rregulle, me nyjë-mbaresën kryesisht mashkullore –it, d.m.th. me shtimin e –i-së anaptetike.

Të vihet re se asnjanësit e tipit të tretë (prejpjesorët) nuk marrin nyjë-mbaresën –të dhe është një rast i vetëm, i vetmuar, me mbaresën –ët (*ëtë), çështje e hapur kjo që do të riceket  herë pas herë gjatë analizës.

Sidoqoftë, konstatimet që dalin nga ky krye i punimit duhen kuptuar edhe një sihyrje për të përkapur më mirë e më me lehtësi edhe çështjet e tjera në shkallë më të ndërlikuara me të cilat do të ballafaqohemi gjatë analizës a shtjellimit të lëndës në krerët vijues.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora