E shtune, 20.04.2024, 03:44 PM (GMT+1)

Mendime

Flet Drejtori i Përgjithshëm i Portit të Durrësit, Eduard Ndreu

E shtune, 17.03.2012, 05:35 PM


“I dashuruar me Portin, por edhe me Durrësin, këtë qytet magjik”

 

Nga Albert ZHOLI

 

Ai është një burrë i qeshur, simpatik, që të pret me shumë thjeshtësi. Në ambientet e zyrave sheh një pastërti shembullore dhe një komunikim korrekt. Ajo që të tërheq më shumë në bisedën me të, është të qenit më jetëgjatë si drejtor i Porti të Durrësit, plot shtatë vjet, si dhe dashurinë që ai ka për këtë qytet antik dhe njëkohësisht modern. Ai është i lidhur ngushtësisht me portin, saqë në momente të veçanta ka lënë në harresë disi dhe familjen. Sipas tij, porti i Durrësit është një port mesatar, por që tashmë me një infrastrukturë moderne. Ai rrjedh nga një familje e persekutuar që regjimi komunist prindërve u ka mohuar arsimin.

Ç’do të thotë sot të kesh një detyrë të tillë të vështirë?

Natyrisht, është një përgjegjësi e madhe, por edhe një impenjim i jashtëzakonshëm, është vështirësi dhe kërkesë maksimale në të gjitha nivelet; është privilegj, është një mundësi e madhe për të provuar energjitë, aftësitë dhe mundësitë intelektuale, për faktin se  atë që mëson në port,  s’e mëson në asnjë fakultet apo shkollë tjetër. Pra, me një fjalë është një dimension jo i zakonshëm, për vetë rëndësinë dhe të qenit drejtues jo i zakonshëm, pasi porte ka shumë pak, ndërsa si i Durrësit në Shqipëri është i vetmi.

Një çikë më konkret, ju lutem...

Në port bashkëjetojnë shumë agjenci shtetërore dhe subjekte private, por sidomos privatet  është i madh. Padyshim në një ambient, ku ka detyrime të ndryshme, ka përgjegjësi të ndryshme, por dhe interesa të ndryshme. Ndaj të jesh drejtor i portit, do të thotë të jesh njohës i madh i gjërave, në mënyrë që t’i koordinosh mirë punët e gjithë këtyre subjekteve të dyanshme dhe operacionale të ndryshme. Autoriteti Portual është një raport i tillë, që drejtohet kryesisht nga drejtori i Përgjithshëm. Është ai që duhet të bashkërendojë punën  si për agjencitë shtetërore ashtu edhe për subjektet private. Është një  vend dhe detyrë shumë komplekse, për faktin se  duhet të rrish zgjuar 24 orë, pra prezent, të jesh i orientuar, qoftë përsa i përket legjislacionit, qoftë për detyrimet që kanë agjencitë kundrejt njëra-tjetrës. Porti nuk mund të jetë i madh në qoftë se nuk është pranë biznesit, nuk mund të jetë i madh në qoftë se nuk mbron interesat e biznesit, nuk mund të jetë i madh në qoftë se biznesi nuk do të jetë në port. Padyshim që njerëz që e njohin portin pak, për ta porti është vinça, kalata, sheshe, ndërkohë që për njerëzit që e njohin më shumë, është shumë më shumë se kaq, se në radhë të parë ai është menaxhim, mbi të gjitha është dëshira e bizneseve për të ardhur aty. Duhet të kemi parasysh se çdokush që përdor i bën llogaritë vetë.  Çdokush që e përdor portin, e sheh atë në një këndvështrim ndryshe nga të tjerët. Sa më afër të jemi në këndvështrime, aq më mirë e njohim portin.

Folët për kapacitete intelektuale, menaxhuese, por duam të dimë për kapacitete përpunuese dhe fizike të Portit...

Në konceptin fizik, Porti i Durrësit natyrisht është më i madhi në vend, por jo i madh në krahasim me portet e tjerë të rajonit, pra nuk hyn në portet e mëdhenj në konceptet e porteve. Pra, është një port mesatar, një port me 80 ha tokë, dhe 60 ha në pjesën e ujit. Ka 2 km kalatë dhe ka një mori pajisjesh të infrastrukturës portale, sepse në konceptin e tij ai është një port klasik, një port me shërbime të ndryshme, si i pari port në vend. Pra i kryen të gjitha llojet e shërbimeve që kryen një port klasik. Porti  është në një përmirësim rrënjësor infrastrukturor në çdo cm katror. Natyrisht që të ndërtosh dhe mirëmbash një port, nuk është e lehtë. Të ndërtosh një port duhet të lodhesh shumë, pasi do kalosh në një sërë procesesh. Zhvillimi duhet të jetë në të gjitha dimensionet, të përmirësosh superstrukturën, por mbi të gjitha të ruash karakteristikat e domosdoshme të të qenit port klasik. Porti  i Durrësit sot është një port i pranueshëm nga të gjitha subjektet private.

Kush ndikoi në  zgjedhjen tuaj si drejtor i Përgjithshëm i Portit të Durrësit?

Unë kam ardhur këtu në nëntor 2005 si një zgjedhje e Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, por duke pasur parasysh se kam pasur dhe eksperienca të tjera përsa i përket drejtimit. Besoj më solli në radhë të parë eksperienca dhe rezultatet në punë.

Jeni drejtori më afatgjatë në gjithë historinë e drejtuesve të Portit, ka ndonjë sekret në këtë mes?

Nuk është meritë  vetëm e imja, por në radhë të parë dhe e atyre që të mbështesin, duke folur këtu për nivelin epror. Pra mund të rrish gjatë në qoftë se fiton besimin e eprorëve, por dhe të vartësve të tu. Në qoftë se fiton besimin e Këshillit Drejtues të Portit, por edhe të Ministrisë që e drejton. Sekreti më i madh është puna dhe vetëm puna e rregullt, sistematike, pa paragjykim, me ritëm, me intelekt duke ruajtur qetësinë. Në punë unë kam qenë prezent pa përcaktime kohore, së bashku me administratën që drejtoj.

Ju rridhni nga një familje e persekutuar. Çfarë kujtoni nga ky persekutim?

Pak kujtime kam nga ato kohë, pasi unë kam qenë i vogël, ndryshe nga gjyshërit dhe nga prindërit e mi. Kam lindur në Vlorë. Aty ku kanë qenë internuar prindërit e mi dhe më pas kemi ardhur në Durrës, ku unë jam rritur. Që në moshën 9 vjeç kam qenë në Durrës, por di të them se familja ime e ka ndjerë shumë këtë peshë, për vetë faktin se ishin të gjithë të dashuruar me arsimin dhe nuk kishin mundësi të mësonin dhe të ushtronin një profesion intelektual. Prindërit e mi kanë qenë të shkëlqyer në mësime, por ai regjim ua mohoi të drejtën për arsimim. Ardhja ime në Durrës përbën një jetë të re, një hapësirë të madhe në demokraci për arsim.

Ç’përbën për ju Durrësi?

Në CV time  nuk kam qytet tjetër përveç Durrësit, pra jam rritur në këtë qytet, ku u arsimova, u sistemova, u formova si intelektual. Për mua është qyteti më i mirë, pasi ofron lirshmëri jetese, ofron mundësi punësimi dhe paraqitje të aftësive intelektuale, pra ofron  çfarë kërkon një njeri në demokraci, por edhe det, plazh, ajër të pastër. Jam i lumtur që jam rritur dhe punoj në këtë qytet. Personalisht në këtë qytet janë vlerësuar puna dhe aftësitë e mia. I jam shumë borxhli, pasi me origjinë jam dibran. Të gjithëve ne banorëve të Durrësit, na takon të punojmë që ta ngremë më lart emrin, vlerat që ka ky qytet i lashtë.

Theksuat se jeni i lidhur shumë me punën dhe punoni pa orar. I mungoni shumë familjes?

Them që më janë rritur fëmijët pa e kuptuar, pa i parë si duhet, pa iu kushtuar vëmendjen e duhur. Jo se s’kam dashur, se fëmija është e para, por puna nuk të lë. Në shtatë vite si drejtues i Portit dal nga shtëpia në orën 7 e 30 dhe kthehem në orën 23-00.

Me politikën?...

Unë jam i pozicionuar politikisht, jam anëtar i PD-së, jam pjesë e strukturave të saj dhe për këtë jam krenar, pasi jam thellësisht i bindur se në vendin tonë ajo parti që ka sjellë produkt në vend, pa diskutim ka qenë dhe mbetet PD-ja. Gjithsesi, unë jam njeri që mendoj dhe them se çdo njeri është apo duhet të jetë i pozicionuar, pasi mendimet dhe vlerat e një grupi janë më të efektshme, më ndikuese në shoqëri se sa ajo e një individi.

Përmendët fundjavën, ku preferoni ta takoni?

Fundjavë për mua është e diela, pasi dhe të shtunat punoj. Pra, të dielat dal me familjen në vende dhe ambiente të ndryshme në Durrës. Rrallë lëviz nga Durrësi apo jashtë shtetit. Jam i dashuruar me këtë qytet magjik.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora