Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Integrimi dhe toka jonë!

| E premte, 16.03.2012, 09:05 PM |


Integrimi dhe toka jonë!

 

Nga Elvi Sidheri

 

Një fjalë kjo (Integrimi) që neve Shqiptarëve të mbetur tashmë gati vazhdimisht në dyert imagjinare të Europës, na është transformuar gati-gati në një makth të gjallë.

Pakkujt ndërkohë, jo vetëm nëpër korridoret burokratike të Brukselit, por fatkeqësisht edhe këtej nga “anët tona”, i ka rënë mendja se ne në të bekuarën Europë jemi dhe kemi qenë!

Do Zoti edhe të jemi në të ardhmen!

Mënjanë teorive dhe shpikjeve gati të përditshme të rretheve pseudo-ultranacionaliste të ndokujt rrotull kufijve tanë, askush deri tani me të dhëna serioze shkencore nuk ka arritur t’a vërë në dyshim prezencën tonë të vazhduar në këtë truall ku edhe sot e kësaj dite rëndojmë po mbi të njëjtën tokë tonën.

Pikërisht kështu do nënvizoja fundin e fjalisë sime të mëparshme, ne kësaj toke i rëndojmë sipër më shumë se të jetojmë në të, apo largqoftë edhe t’i shërbejmë asaj duke treguar sadopak respekt ndaj faktit që ajo përherë na ka ofruar strehë kundrejt vështirësive apo vërshimeve të shpeshta historike drejt territorit tonë.

Por t’i hysh një analize mbi sjelljen e njeriut, pra species humane ndaj tokës në përgjithësi, sidoqoftë është një sipërmarrje e madhe dhe kur në rracën njerëzore veçojmë pjesën e vogël Shqiptare të saj, atëherë çështja koklavitet në një pafundësi të ngatërruar variantesh.

Ç’i kemi bërë ne kësaj toke, shekujt mund t’a dëshmojnë!

Ç’i kanë bërë të huajt, të tjerët pra  asaj, po ashtu s’ka shumë vështirësi të thuhet sepse për këtë vlejnë së tepërmi mjaft shembuj të qartë si drita e diellit.

Ndër të tjera forma aktuale e qyteteve tona (në Shqipëri), flet vetë, apo më tepër vajton dita-ditës.

Pse e bën këtë, po pse jo fundja?-Ku vallë është parë një miks i tillë vandalizmi Osman-Enverist-Tranzicionist?

Në Shqipëri!-Dhe vetëm aty.

Jo se kam qenë në shumë provinca të tjera osmane, hiq shtetet e ish-Rumelisë Ballkanike, por asnjëherë të tillë gjendje si ajo e vendit tim nuk kam hasur.

E vërteta është që Shqipëria e 2012-ës, në sensin e trashëgimisë osmane në arkitekturë është akoma mjaft pranë asaj të 1912-ës.

Ka dy versione në idenë time për t’a shpjeguar këtë fenomen.

Njëri është që “Ne” banorët e vendit tonë, në breza kemi qenë aq të paaftë sa të mos ndryshojmë dot këtë mbetje nga 4 shekull e gjysmëshi pushtim.

I dyti është që dëmi arkitekturor mbi qytetet tona (fshatrat s’po i llogarit njeri në këtë rast se atëherë gropa do bëhej aq e thellë sa s’do dilnim dot prej saj), ka qenë aq i madh sa nuk kanë mjaftuar 100 vjet për t’a riparuar sadopak.

Përveç ndonjë nostalgjiku filoosman (se turq s’u thuhet dot tani për shkak të praktikisht një vendimi të pashkruar që bën që askund të mos flitet dot më për Turq pushtues, por maksimumi për një lloj amorf krijese njerzore të zhdukur, të quajtur Osmanë)...përveç tyre pra, çdokush e ka të qartë se në çfarë gjendje “të admirueshme” ishte Shqipëria pas pavarësisë së saj të vuajtur e të larë mirë në gjak në ato vite të largëta.

Por veç situatës së përgjithshme politike, kufitare apo luftarake, çështje akute atëherë, si dhe habitshmërisht edhe tani pas një shekulli, ishte dhe mbetej infrastruktura, aq sa edhe arkitektura e vendit.

Sepse ne patëm fatin “e rrallë” të trashëgonim një atdhe të përçudnuar deri në pikën e fundit, deri në palcë nga pushtuesi dhe më pas si Shqiptarë të mirë, jo që nuk e përmirësuam, por edhe përkeqësuam sa mundëm atë që më në fund patëm fituar.

Hiq dëmeve të shumta të tjera, edhe ato në infrastrukturë kanë sigurisht peshën e tyre të konsiderueshme.

Një shtet që e fituam me mund të papërshkrueshëm, por që na ishte lënë copash, pa porte të mirëfillta, pa rrugë, pa një lidhje të vetme hekurudhore etj, aq sa ishte e mundur të tillë e lamë edhe vetë.

Kush ja ka ngenë në fund të fundit t’i hyjë punës e të rindertojë një atdhe?

Ne jo njëherë, jo se jemi përtacë, mirë edhe jemi ca të tillë, por ishim mësuar edhe keq se këtu e 2000 e ca vite të tjerët bënin ligjin për ne dhe edhe kur vinte puna për rrugë e kështu gjërash, të huajt merreshin me to, për mirë a për keq.

Tani doli që në të kundërt të Romakëve që rrugë, ura, ujësjellës, kulturë, ligje etj edhe sollën megjithë sundimin e tyre shumë shekullor në kapërcimin midis shekujve para dhe pas lindjes së Krishtit, Osmanët që pasuan dhunshëm Bizantinët, as ja thoshin e mbi të gjitha as që kishin qoftë edhe më të voglën dëshirë të ndërtonin nga këto anët tona.

Me përjashtim sigurisht të objekteve të tyre të kultit, apo shkollave po të lidhura më fenë e tyre.

Pastaj si traditë “të vyer” arkitekturore na lanë edhe një mori tyrbesh pashallarësh turq që edhe macja e dinte se ishin shqiptarë të shitur për shërbimet ndaj Portës që i thonin e Lartë!

Unë vetë, ndoshta nga injoranca s’kam gjetur ende të pamungueshmit Hamamë në qytetin tim, por s’e përjashtoj të ekzistojë ndonjë mbeturinë e tillë diku tjetër në Shqipëri, ashtu siç kam takuar në Maqedoninë ish Republikë Jugosllave, apo Kosovën ish krahinë autonome (ku gjithçka osmane, rome, jashtëtokësore ndoshta, është dhe ka qenë mbi të gjitha, më e rëndësishme për okupatorin se çdo trashëgimi Shqiptare).

Nuk do mohuar se ka raste të mirëfunksionuara ku nga fuzioni mes njëfarë arkitekture osmane përzjerë me traditën vendase, kanë dalë edhe perla si kryesisht Berati i njëmijë dritareve, apo edhe Gjirokastra me rrugët e saj të gurta.

Qytete në disa aspekte fotokopje të Ohrit ish-shqiptar, apo qytete të ndryshme Bullgare, si dhe disa zonave të tjera të Turqisë aktuale.

Arsyeja përse këto qytete tonat janë kaq unike në bukurinë e tyre tronditëse, është edhe sepse dora osmane është stilizuar nga mjeshtërit shqiptarë apo edhe thjeshtë nga banorët e atyshëm.

Aty edhe pse nën zgjedhë, është ditur të krijohet me frymë shqiptare, ka lënë gjurmët e tij Onufri në Kishat e ikonave të rralla dhe familjet e traditës brez pas brezi kanë vënë vulën me prekjen e tyre plot shije dhe identitet të fortë Shqiptar.

Por ndërkohë portet tona dikur të lulëzuara u fshinë nga hartat, lidhjet tona me botën dhe fqinjët, kryesisht ata perëndimorë, u shkëputën sistematikisht dhe nuk u lejua me anë të një politike zyrtare që vendi dhe populli që aty banonte, të kishte asnjë çfarëdolloj kontakti me perëndimin.

Kështu qytetet tona humbën gati përgjithmonë pamjen karakteristike të gëzueshme mesdhetare, xhirot e bukura buzë detit, vilat e mëdha të bardha a shumëngjyrëshe ndënë Adriatikut a Jonit dhe hapësira jetësore e Shqiptarit u reduktua për shekuj të tërë në një zymtësi që vështirë se del edhe sot e kësaj dite.

Por e vërtetë është se osmanët s’ishin drejtpërdrejtë përgjegjës (sepse jo pak të tillë mund të konsiderohen për mentalitetin që rrënjosën mirë tek ne ish-të sunduarit prej tyre), për masakrën e vazhdueshme urbane që Shqipëria vuan pa ndalur nga pavarësia e këtej.

Më pas, edhe mrekullitë arkitekturore të familjeve të mëdhaja qytetare Shqiptare, apo edhe dorës magjike në shijen e saj të hollë, të arkitektëve Italianë që Mbretëria e etur për pak ajër Oksidenti ftoi në vitet 30-të, nuk mjaftuan që të mbulonin turpin e rrëmujës pa fund e krye në ndërtimin e Shqipërisë të Re.

Aty kësaj toke iu dha një grusht nga i cili ende s’e merr plotësisht veten.

Me varfërinë që s’na ndahej, regjimi na kaloi nga qerpiçi i fisëm i shtëpive autoktone Tironse, tek Parafabrikatet e tmerrshme socialiste, tek 5 katëshet uniformë, ku edhe lindi në fund të viteve 80-të në Tiranë ideja revolucionare e Shtesave të pallateve që nga katër kate u bënë me pesë të tillë me një vrull të admirueshëm pune (dhe mos thuhet pastaj që fajin e ka populli i pas 1990-ës, që nisi kuturu të shtonte dhoma pa leje aty ku mundi)!

Qytetet tona ranë edhe më thellë në letargjinë e komës ku ndodheshin prej kohësh ta pakujtueshme.

Krimi arkitektonik post 90-të është shumë prezent për të patur nevojë të komentohet!

Deshi Zoti që shpirti jonë krijues Shqiptar të bënte që tani pas dy dekadash demokraci, dhe dhjetë dekadash pavarësi, tek-tuk, vendi jonë të ketë nisur të tregojë edhe fytyrën e tij Europiane dhe moderne njëkohësisht.

Ajo duket në pamjen e gëzueshme të shumë qyteteve tona, në harenë që të sjell Saranda sapo të shfaqet përpara syve, në mrekullinë vërtetë që paraqet riviera Joniane dhe fshatrave e saj që do i qëndronin kryelartë përballjes me të gjithë kolegët e tyre Mesdhetarë.

Ajo ndihet në Lagjet e mirëruajtura karakteristike Shkodrane, ku njeriu kalon natyrshëm nga rrugicat  e shtëpitë madhështore dhe fisnike, tek Kështjella që akoma qëndron hirshëm mes qytetit dhe historisë së tij të lavdishme.

Berati, Gjirokastra janë gjithmonë aty me traditën e tyre.

Korça e kulturuar dhe e pastër, të fton përherë të çlodhesh në qetësinë e saj.

Kruja na kujton ende në përjetësi epopenë tonë më të lavdishme dhe së fundi Kryeqyteti ynë megjithë kontradiktat e tij, këtë origjinalitet të influencave të shumta kulturore dhe zhvillimin e tij më pak kaotik se ç’duket, e ka bërë pikën e tij të fortë dhe si i tillë sheh krenar drejt së ardhmes duke nderuar mendjet e ndritura largpamëse që e zgjodhën në kohë të vështira për kryeqytet të ardhshëm.

Ky lëmsh i madh që është Shqipëria e sotme, na sjell edhe njëherë në fillimin e këtij shkrimi.

Në atë që ne kësaj tokë që na ka mbrojtur, ruajtur e respektuar, jo gjithmonë kemi ditur t’i jemi mirënjohës.

E kemi shfrytëzuar, shteruar resurset e saj, i kemi dhunuar burimet natyrore, kemi plagosur rëndë bregdetin e saj, dëmtuar  kriminalisht kurorat e blerta të pyjeve të saj.

Por nuk mund të harrojme që ajo është toka jonë.

Nëna e nënave tona, gjyshja e stëgjyshja jonë.

Ajo është toka jonë e premtuar, të cilën para mijëra viteve e kemi gjetur dhe që kurrë s’na ka lënë në baltë!

Ajo është Anteu jonë, aty kemi gjetur forcën të ringrihemi nga fatkeqësitë e panumërta, ajo ka përbërë pengesën e fundit ndaj çdo armiku që ka ardhur të na shfarosë e dominojë.

Ajo ka ruajtur gjuhën tonë të bukur, në shpatet e majat e saja fluturonin Shqiponjat dhe gjaku që në këtë tokë kanë derdhur heronjtë tanë, është përtharë në copën e flamurit tonë ku ajo Shqiponjë prehet përgjithmonë.

Prandaj kësaj toke i detyrohemi të paktën vlerësimin që rrallë i dedikojmë.

Deri më sot ajo na ka dashur më shumë se ç’ne e kemi dashur atë!

Dhe për të prekur së fundi Integrimin me të cilin nisi ky shkrim, po të ishim më të ndërgjegjshëm për atë që jemi, edhe bota, Europa në këtë rast do të na respektonte domosdoshmërisht më tepër.

Kështu fjalë të thata dhe me mungesë të theksuar kuptimi si “Hyrje në Europë” do zhdukeshin nga fjalori, sepse është e udhës që dikush të kujtojë zyrtarët e Bashkimit Europian, se Shqipëria në Europë ka qenë në jetë të jetëve!

Do ishte e urueshme të integrohemi  institucionalisht në BE, por territorialisht, tradicionalisht, kulturalisht, gjuhësisht etj, jemi në Europë me të drejta më shumë se të plota, shumë më tepër se mjaft antarë të BE-së aktuale.

Apo dukshëm më tepër se ndonjë fqinj i yni që për shkak të brerjeve të pafrenueshme të ndërgjegjes së një pjese të kësaj Europe të vjetër që ende s’ia fal Amerikës bombardimin e bishtkrehurve të përjetshmëm Serbë, kanë ecur përpara në rrugët integruese duke shkelur përmbi gjakun e qindra-mijëra viktimave të agresioneve të tyre të përsëritura ndaj çdo vendi kufitar me ta!

Por neve nevojitet të shohim punën tonë dhe të ecim përpara, në llogari të fundit kjo toka  jonë do jetë gjithmonë këtu për të na mbajtur siç përherë ka bërë.