Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pierre-Pandeli Simsia: Faleminderit

| E premte, 16.03.2012, 07:53 PM |


FALEMINDERIT

 

Shënime nëpër vite

 

(Publicistikë, reportazhe, esse, mbresa, bashkëbisedime, reçensione librash...)

 

Ia kushtoj bashkëshortes sime Joanna dhe dy djemve të mi Panajoti dhe Odisea Simsia

 

... Që në fëmijërinë time të hershme kam qenë i dashuruar me muzikën shqiptare, veçanërisht me muzikën e lehtë.

Isha 12 vjeç atëhere në dhjetorin e vitit 1972 kur pash për herë të parë në televizor Festivalin e 11-të të Këngës në RTV. Që nga ai vit e deri në Festivalin e 29-të, dhjetor 1990 do t'i ndiqja regullisht të gjitha aktivitetet muzikore kombëtare dhe, pothuajse të gjitha këngët e asaj periudhe 20 vjeçare i di përmendësh; shumicën e tyre i di edhe autorët e këngëve.

Kënga e lehtë shqiptare si një bashkudhëtare e fëmijërisë dhe rinisë sime më nxiti që në ato vite të kisha dëshirë të madhe të shkruaja vargje, vjersha për t'u bërë këngë.

Dalëngadalë po kuptoja se në shpirtin tim, përveç muzikës kishte hyrë edhe letërsia. Thonë se talenti është i lindur. Edhe unë e pranoj këtë, por më duket se, mua më ndihmoi edhe fati, sepse në shkollën 8 vjeçare kisha dy mësuese shumë të përgatitura në lëndët gjuhë-lexim, Parashqevi Sahatçiu dhe Elpiniqi Papa. Pikërisht, në atë kohë, unë nxënësi, u aktivizova në grupin e letrarëve të rinj të shkollës 8 vjeçare.

Vitet e shkollës së mesme ishin disi më ndryshe për vetë faktin sepse... e quanim veten më të rritur.

Edhe ato vite gjimnazi i kujtoj me nostalgji dhe them se, përsëri kam qenë me fat, sepse në lëndën e letërsisë do kisha dy mësuese të tjera të përgatitura, Liri Zaka dhe Zyma Berisha nga Kosova.

Në ato vitet e shkollës së mesme, përveç se mësuese ato do ishin edhe "redaktoret" e mija letrare.

Disa nga vjershat e mija në atë kohë u kompozuan nga kompozitorët Teki Luari, Asqeri Kadëna, Fatmir Agalliu, u bënë këngë.

Hartimet e shkollës në atë kohë, kanë qenë edhe një shans për mua që unë të shkruaja edhe prozë. Pra, kisha filluar të meresha me letërsi pa u shkëputur nga kënga.

Me dhimbje e kujtoj edhe sot, kur një poezia ime për gjyshen dhe nje reportazh në Kalanë e Beratit në fillimvitet 80-të nuk m'i pranuan për botim në gazetën e përjavshme DRITA.

Dhimbjen më të thellë e ndjeva, kur pas disa javësh i pash të botuara në gazetë me pak ndërhyrje, me autor tjetër...

Muzika dhe letërsia ishin bërë dy miqtë e mi më të ngushtë, ishin bërë dy bashkudhëtare të jetës sime.

Në ato vite kreva edhe një kurs muzikor në Tiranë për instrumentin e trombës, që më dha mundësi, muzikën t'a njihja më mirë, jo vetëm t'a dëgjoja, por edhe t'a lexoja dhe ta interpretoja.

Në fillimvitet 90-të emigrova në Athinë, Greqi.

Në emigracion, në tokë të huaj, u shkëputa përkohësisht nga muzika shqiptare, por jo nga letërsia.

Njohja me bashkatdhetarin në Athinë, Albert Zholi, që në atë kohë ka luajtur një rol të rendësishëm në gazetën EGNATIA që botohej në Athinë, bëri që të më mundësohej edhe mua botimi i disa shkrimeve të mija në atë gazetë.

Ardhja familjarisht në SH:B:A në vitin 1997 është një periudhë tjetër. Me gjithë vështirësitë e fillimit të një jete të re të panjohur nuk mund të isha i shkëputur nga letërsia edhe pse shkrimet dhe krijimtaria ime letrare e shkruar nëpër vite kishte mbetur në sirtare. U njoha dhe bashkëpunova me të vetmen gazetë shqiptaro-amerikane që botohet në Nju Jork "ILLYRIA", bashkpunim që vazhdon ende.

Me ndihmën e kompjuterit m'u dha mundësia të njihem me jetën në Shqipëri për ç'do gjë ndodh atje.

Edhe pse larg atdheut edhe pse shumë vite i larguar, nuk mund të rija indiferent... Mendimet, shkrimet e mija të ndryshme ia dërgoja shtypit të pavarur në Shqipëri ku edhe u mirëpritën për t'u botuar. Kam patur bashkpunim me gazetat: KOHA JONË, SHEKULLI, Gazeta SOT, Gazeta TEMA, DITA INFORMACION, TIRANA OBSERVER...

Po me ndihmën e kompjuterit m'u dha mundësia të njihem virtualisht me bashkatdhetarë të shumtë anembanë botës kudo janë nëpërmjet gruplistave të ndryshme në Internet; një pjesë e mirë e kësaj njohje është kthyer në miqësi.

Duke qenë anëtar i gruplistave internetike, mendova që një pjesë të shkrimeve të mija botuar në ato gruplista si edhe në gazetat e ndryshme nëpër vite, t'i përmbledh në këtë libër, duke falenderuar gjithë ata lexues që më kanë ndjekur gjatë gjithë kësaj kohe dhe lexuesit e tjerë që do kenë mundësi të lexojnë këto përmbledhje letrare në këtë libër.

Falenderim dhe vlerësim të veçantë meritojnë bashkëshortja ime, Joanna dhe dy djemtë e mi, Panajoti dhe Odisea, të cilët nuk kanë qenë vetëm mbështetësit e mi, por më kanë dhënë një ndihmë të madhe, duke më krijuar të gjitha mundësitë për të më lënë të qetë të punoja kur mua më vinte frymëzimi për të shkruar...

Ju faleminderit.

 

Autori

Pierre-Pandeli Simsia