E enjte, 25.04.2024, 09:09 PM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Orët e zemrave të emigrantëve

E enjte, 15.03.2012, 08:28 PM


KRISTAQ TURTULLI

 

ORËT E ZEMRAVE TE EMIGRANTEVE

 

Poemth

 

Orë të pagjuma, me shtigje te panjohura mbijetese,

 

Kudo shpërndarë në hapësirë, ne skaje të ndryshme ku ka filiza jete;

 

Pranë cepave të holluara prej konsumimit të përditshëm, të lektisur të yjeve,

 

Në përleshjet e harruara me dema, pa spektatore, me dritë hije të mekura të toreadorëve.

 

Në bishtat e përflakura prej sarkazmave artistike të kometave,

 

Në mesin e monopateve, në gjurmët e përrenjve të thatë

 

si shpirtra të humbura të xhunglave,

 

Ku zogjtë dhe kafshët janë hibride të eksperimenteve.

 

Në rruginat e ngushta që gjarpërojnë nëpër shpatet dhe skërkat e maleve,

 

Shqiponjat ikën, nuk kanë më fole, ngaqë ka shumë zvarranikë.

 

Në kthinat e pista ku etja, dehja, orgjia, kurvëria është mizantropie,

 

Në rrudhat e thella me mbarsje paradoksale të autostradave,

 

Në krahët  e ndehur dhe të lodhura të  ëndrrave të purpurte fëmijëve,

 

Të gjoksit seksual të qiellit të dytë.

 

Me tik-take të pandërprera dhe të malluara,

 

Gjenden vëlla im i lodhur zemrat e vagëlluara të emigrantëve.

 

 

 

Të duket sikur të mërguarit prej nevojës, te vjetër dhe të rinj nuk dinë se çfarë kërkojnë,

 

Mbasi shumë gjëra kanë ndryshuar dhe nuk janë si më parë.

 

Përsipër është hedhur pëlhura e rreme e qetësisë.

 

Vajzat gjoks dhe kërthizëzbuluar vallëzojnë dhe bëjnë paradë mode,

 

Dhe pleqtë ashikë shqyejnë sytë dhe hedhin dollarët në erë.

 

Janë holluar vëlla, bërë pesë ujë e një oriz dashuritë.

 

Të sinqertët çapiten ngadalë dhe mbajnë në shpinë një thes me halle.

 

Rrufetë grinden, kolliten herë pas here, kanë marrë të ftohtë.

 

Diku më tej përplasen orgji, kurvëri, mendësi, pasione.

 

Autostradat janë me shumë krosi, por që mblidhen në një dalje.

 

 

 

Shalli i vjetër i ylberit është bërë garniturë,

 

Për mezenë e zakonshme së kohës së pathënë.

 

Ngjyrat e mrekullueshme

 

Iu shitën nën dorë qiellit të parë, me çerek çmimi, në tregun e zi.

 

Në muajt e vështira, të çmendura të pranverës së trishtë.

 

Fjala e dëlirë u mbars shpejt ngaqë ish e virgjër, por mbeti shtatanike.

 

E vendosën në tavolinën e parlamentit për ti bërë ekzaminime,

 

U krijuan të tjera parti, grupime, komisione dhe nënkomisione

 

Më në fund e futën me nxitim në mesnatë, në kornizë të metaltë,

 

U përfol se nuk kish kohë dhe se ish dimër dhe se binte shumë dëborë.

 

 

 

Shamia e hallemadheve nëna, si gjithnjë strehë e përhershme malli,

 

Por shumë shpejt shamia u përcëllua, u përzhit, u dogj prej flakëve të marrëzisë,

 

Lëmsheve të zjarrta,

 

Nga indiferenca e viteve dhe heshtja.

 

 

 

Përgjatë gërmuqes së grindur të fillimit të shekullit njëzet e një,

 

Qielli i dytë shkund shpatullat me bezdi,

 

Nuk dëgjon rrahjet të dëshiruara,

 

Të orëve zemra të mërguarve.

 

Që drithërohen për një lule gjithë aromë pranvere mëmëdhe,

 

Fjalë të çiltër zemre, fjalë të fortë bese malësie dhe miqësie.

 

Për ujë të freskët burimi të kulluar që rrjedh nga shpati,

 

Për zërat melodioze të bilbilave, kanarinave në mes të një pylli,

 

Për erë të ngrohtë fushe dhe erë të freskët mali.

 

 

 

Nën peshën e krizave ekonomike dhe çmendurive

 

U tha  vëlla, u bë trokë fjala parë e fillimit të një poeme.

 

Nën epshin e pangopur të politikave dhe prostitutave.

 

Nuk mund të shkundësh lehtë impaktin e shurdhërive.

 

Është ronitur rripi i lëkurtë i  brezit prej stërmundimit dhe përçapjeve,

 

Shtrëngohet çdo ditë, shpohet nga një brimë, deri kur më...

 

Tendosur qëndron midis dy brigjeve ura lëvizëse,

 

Poshtë dergjen shkëmbinjtë e thikta të  një gremine.

 

Nën meloditë e vjetra, të stërthëna të urës së Qabesë dhe të Moresë.

 

Sërish është e nevojshme e domosdoshme të krijohet një këngë e re, një himn, një perlë!

 

Mos vallë poetët akoma flenë gjumë?!

 

Dhe nuk kanë bojë të shkruajnë, as letër dhe penë.

 

 

 

Ngarejnë të paduruara naivitete dhe pasione të zvargura.

 

Në erë fluturojnë kartolina të zverdhëlluara dhe letra të pashkruara.

 

Ndërsa në humnerë, në ujërat e turbullta ku zbardhin eshtra dhe kokalla,

 

Bën tualetin e ballos së zakonshme shtriga.

 

 

 

Vëlla, Orët e Zemrave të mërguarve.

 

Dita ditës, dalë ngadalë po tkurren prej largësive,

 

Po marrin të ftohur, po rrudhen, fishken prej lëmsheve kozmikë

 

Dhe prej vrapit të pandalshëm të viteve.

 

Qiellit të parë që është diku matanë

 

Po i humbet me indeferentizëm forca magnetike.

 

Nuk ka kohë dhe dëshirë tu kushtohet të ikurve,

 

Rend pas mendimeve shkencore dhe problemeve të mëdha,

 

Si të qëndrojë në këmbë një vezë pate.

 

 

 

Kometa flakëruese e ardhur nga larg, qëlloi si shigjetë

 

Mushkërinë e sëmurë të botës.

 

U drodh kozmosi prej klithmave dhe rënkimeve.

 

Ditët e mugëta shkrofëtijnë, mezi mbushen me frymë.

 

Plagët lëpijnë si kafshë prehistorike.

 

Në litarët e gjakut e të djersës ngjiten xhuxhmaxhuxhë.

 

Nuk shpërndajnë më lodra për fëmijë,

 

Por kakaroçë.

 

Vesa mëngjesore nuk ka më reflekse

 

Është bërë bronztë.

 

Nëpër katakombet e nëndheshme bëhet kacafytje,

 

Janë shtuar gjarpërinjtë dhe minjtë.

 

 

 

Pyjet e lashta flakën tutje me nënvleftësim kostumin e blertë.

 

Gjelbërimi është tashmë i dalë mode.

 

Prej dritave fosforeshente.

 

Degët pikojnë lëng limoni, portokalli dhe reze kançeroze.

 

 

 

U marros Ylli i mëngjesit pas vajzës koketë së Arushës,

 

Në çantën e shpinës ngjyrë portokalli, gjithë ngutje,

 

Vendosi të linjtat e reja, me iniciale, shpata, tehe, të germave kineze

 

Dhe kozmetikën më të fundit plastike.

 

Dragonjtë kartonë aziatikë zgërdhihen prapa perdes.

 

Marrëzitë dhe dashuritë bajate janë pjesë e lojës...

 

 

 

U lodh hëna së kurdisuri me çelësin e vjetër fate, ngjarje

 

Dhe lindjen e mesme,

 

Është në grevën ekonomike të urisë,

 

Këmbëngul me kokëfortësi, nuk do të dëgjojë të kurdisë orët e reja të zemrave,

 

Me lakuriqësi të zbehtë shket në errësirë.

 

Në heshtje Yjet kovaçë po farkëtojnë një hënë të re.

 

 

 

Ditari  i viteve të prapme,

 

Nisi të shkruhet prej një dore skelektike

 

jo me pendë pate por me kërcell gjethe vjeshte.

 

Gjithashtu gdhendet me gishtërinj dëbore

 

Dhe u falet si lëmoshë të verbërve dhe të paditurve.

 

 

 

Trokëllijnë pa ndërprerje

 

Me tik- take të malluara

 

Në gjoksin e qiellit të dytë,

 

Orët zemra e të mërguarve.

 

Dielli me përtaci fshin sytë

 

Dhe shkon të flejë...

 

 

 

Shallet e vjetra dhe të çngjyrosura prej pritjes të nënave

 

Krahë të rrëgjuara ndërmjetëse,

 

Shtigje shprese, malli, gjithë përdëllim për dritë.

 

Qëndrojnë Nënat përballë furtunave si statuja të palëvizura në heshtje,

 

Ato janë vetmet nyje lidhëse midis dy qiejve.

 

Shalle të qullura nga lotët, në pritje të një fjale dhe të një përshëndetjeje...

 

Përkëdheljeve të ngrohta, që u ftohen rrugës, u bënë akull si dhe vizionet e papara të ëndrrave.

 

Por kandilat e zemër plagosurat Nëna po shuhen një nga një.

 

O Zot vëlla, ka shumë erë, sa shumë!

 

Po përplasen dyer dhe dritare.

 

Rapet e vjetra po shemben përdhe.

 

Nuk kanë kohë nënat e gjora të lënë ndonjë shenjë të lotuar lamtumire.

 

Qielli është i rëndë dhe atyre u lanë mpirë gjishtërinjtë nuk mund të shkruajnë.

 

Rrugët e lidhjeve të rrudhave të shenjta po mbulohen me gjethe vjeshte...

 

Gjethe vjeshte...gjethe vjeshte...gjethe vjeshte...

 

Një fjalë, një psherëtimë...

 

 

 

Në shpatullën e ngrohtë të një gryke,

 

Midis dy qiejve,

 

Qëndron strukur monopati i mallit dhe nostalgjisë.

 

Në zgavrën e thellë të kitarës,

 

Në telat e tendosura të violinës,

 

Në lotët e brishta të fëmijës

 

Dhe tingujt mallëngjyes të klarinetës.

 

Trokëllijnë rrotat e hekurta në kalldrëme

 

Plaku Doke ndjek karrocën e druve,

 

Në gjetje të zambakëve të bardhë të gjokseve.

 

Në përgjim të këmbëve të kolme të nuseve.

 

Shkarkohen drutë në kalldrëm me potere,

 

Nxitojnë amvisat të mbledhin ngrohtësinë

 

Dhe i dhurojnë plakut erëmirë, aromë gruaje.

 

 

 

U deh shpejt qejfliu Doke me aromë jete.

 

Plaka Florie ka vite që nuk është mes të gjallëve

 

E zhuriti malli i ikjeve dhe rrëzimit të shtëpive.

 

Djemtë dhe vajzat u lanë vetëm fotografitë.

 

Fryma e saj u bë pëllumbeshë dhe iku qiejve.

 

 

 

Psherëtin thellë plaku Doke

 

Prej faqoren me raki pi një gllënjkë

 

Dhe nis këndon zë ulët:

 

‘Jam or mik djalë i mirë,

 

Sheqer për bandillë...

 

Vjeshta stolisën kurorë,

 

Për dimrin me borë...

 

 

 

Orë të shpërndara hapësirave,

 

Me tik –take të malluara

 

Ajsbergë që udhëtojnë dhe shkrihen nëpër oqeane

 

Me shkëndijime mëngjesi të lektisura

 

Me rrëkeza drite.

 

Vëlla i dëgjon, i ndjen,të lutem më thuaj, sepse janë shumë, shumë

 

kudo neper bote

 

dhe janë Zemrat e vagëlluara,  përgjërura të mërguarve...

 

Vallë vërtet i dëgjojnë!?

 

 

 

KRISTAQ TURTULLI

 

Mars 2012



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora