E premte, 29.03.2024, 07:18 AM (GMT)

Faleminderit

Shuhet Rilindasi i fundit

E marte, 11.03.2008, 08:00 PM


Prof. Dr. Vasil S. TOLE 
 
Homazhet mbahen sot në orën 14.00 në Muzeun Historik Kombëtar

Prof. Ramadan Sokoli
Me hidhërim të thellë, sot, populli shqiptar dhe gjithë trashëgimia e jonë kulturore shqiptare përcjell për në banesën e fundit prof. Ramadan Sokolin, personalitetin më të shquar të studimeve në fushën e trashëgimisë shpirtërore shqiptare, themeluesin e shkencës sonë etnomuzikologjike. Prof. Sokoli lindi në qytetin e Shkodrës më 14 qershor 1920 në familjen patriotike dhe atdhetare të Sokolave. Arsimin fillor dhe të mesëm i kryen në qytetin e Shkodrës. Në vitet 1940-1944 kryen studimet e larta muzikore në Firence, Itali. Pas çlirimit të vendit kryen detyrën e pedagogut të Folklorit Muzikor Shqiptar në Liceun Artistik dhe Institutin e Lartë të Arteve, degë të cilën e krijoi ai vetë. Nga vitet 1946-1950, Prof. Sokoli burgoset nga diktatura komuniste duke dashur të thyejë karakterin e pathyeshëm të këtij burri të rrallë të Shqipërisë në shek. XX, pjesë e kalvarit të dënimeve që morën edhepjestarë të tjerë të familjes së tij gjatë atyre viteve.

Deri në botimet e para të prof. Sokolit, të cilat filluan rreth viteve 1950, etnomuzikologjia shqiptare nuk ekzistonte. Ndër gjithë opusin e tij krijues punimet në foklorin muzikor e përkatësisht në etnomuzikologji zënë kryet e vendit, vepra të cilat janë ndër të tjera edhe punimet themeluese të etnomuzikologjisë shqiptare në përgjithësi. Në një lloj kuptimi gjithë kontributi etnomuzikologjik i prof. Sokolit është si një enciklopedi e mbartjes dhe e shpjegimit të fenomenit të folklorit muzikor shqiptar në kohë dhe hapësirë shumë të gjerë. Këtë e konstatojnë studiuesit, muziktarët, studentët dhe nxënësit e muzikës, për të cilët ai orientoi dhe futi në strukturën e shkollës qysh në vitet '50 të shek. XX, si një diçka të natyrshme lëndën e Folklorit Muzikor Shqiptar. Ishte një hap mendimtari ky, ai që përcaktoi edhe orientimin prej vlerave tona shekullore, që shkolla e re shqiptare duhej detyrimisht t'i ndiqte. Në vitet 1957 dhe 1959, përmes organizimit të ekspeditave të përbashkëta ndërkombëtare me institutet kërkimore shkencore të Gjermanisë dhe Rumanisë, ndikoi së tepërmi në popullarizimin e vlerave të trashëgimisë sonë kulturore, ndër to edhe të folklorit muzikor çam, në Evropë e më gjerë.

Vlerat e veprës së prof. Sokolit janë konturuar së bashku me rritjen profesionale, shkencore dhe artistike të autorit të saj. Ajo çka i ka ngjizur ato në një unitet të vetëm rrezatues, është shpirti, puna dhe përkushtimi i tij prej rilindasi. Falë kontributit të tij të jashtëzakonshëm dhe interpretimeve të tij shkencore, kanë folur shqip zbulimet e arkeologjisë sonë muzikore, të mëdhenjtë Niketë Dardani, Jan Kukuzeli e Danush Lapacaja, figurën e Skënderbeut në muzikë, si dhe janë dhënë përgjigje thelbësore për mënyrën e organizimit dhe tipologjitë bazë të folklorit muzikor shqiptar duke filluar prej veglave tona muzikore e deri tek përgjigje të komplikuara të origjinës së muzikës sonë popullore, këtej e matanë kufirit.

Po kaq të rëndësishme e konsiderojmë edhe krijimtarinë e tij muzikore, e cila ka në thelb orientimin për nga vlerat e etnomuzikës; punimet e tij muzikologjike në të cilat influenca e etnomuzikës është e drejtpërdrejtë, e po aq konstatimi se edhe në studimet e tij albanologjike, vështrimi etnomuzikologjik i problemit albanologjik është mëse origjinal. Janë të paharrueshme krijimet e tij muzikore të të gjitha llojeve dhe gjinive, duke kujtuar ndër to këngët aq të njohura si: "Turtulleshë", "Blegron delja", "Luleja me erë" etj.

Puna e tij e jashtëzakonshme u krye pa mbështetjen e duhur dhe kujdesin e veçantë që duhet të kishte ky kollos i trashëgimisë sonë shpirtërore. E gjithë vepra e tij mban vetëm vulën e punës së tij të përveçme, e kryer jashtë ambjenteve ë institucioneve zyrtare të studimit të traditave, por nën kujdesin e veçantë të zonjës Lili, gruas së tij të dashur dhe të përkushtuar ndaj tij deri në çastet e fundit, kur edhe ajo u nda nga jeta disa vjet më parë. Prof. Sokoli i ka kushtuar veprën "16 Shekuj", dashurisë dhe kontributit të saj.

Me shumë vonesë, vetëm në vitin 1995 i jepet titulli i Profesorit, ndërsa me 2002 i akordohet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, titulli "Mjeshtër i Madh". Me vdekjen e tij, ndahemi me të vetëm fizikisht. Veprae tij studimore dhe muzikore tashmë është pjesë e identitetit kulturor europian të shqiptarëve. Për jetën dhe veprën e tij, muzikologu Osman Xhatufa ka shkruar monografinë "Ramadan Sokoli, jeta dhe vepra" në vitin 2004. Emri i tij renditet në enciklopeditë e huaja krahas më të mëdhenjve etnomuzikologë të botës. Krijimtaria e tij studimore vazhdoi deri në çastet e fundit të jetës. Me veprën e tij të pamatë, Prof. Ramadan Sokoli është bërë pjesë e panteonit të personaliteteve më të shquara të kombit tonë.

I paharruar Profesori ynë. U prefsh në paqe!

Botimet kryesore:

"Les danses populaires et les instruments musicaux du peuple albanais", Tiranë, 1958;

"Albanskie narodnie pesni", Tiranë 1965;

"Figura të ndritura", Tiranë, 1965;

"Folklori muzikor shqiptar-morfologjia", Tiranë, 1965;

"Chansons populaires albanais", Tiranë, 1966;

"Metodë për fyell", Tiranë, 1970;

"Vallet dhe muzika e të parëve tanë", Tiranë, 1971;

"Folklori muzikor shqiptar-organografia", Tiranë, 1975, 1984, 1987, 1991; "Figura e Skënderbeut në muzikë", Tiranë, 1978;

"Gjurmime folklorike", Tiranë, 1982;

"Këngë patriotike", Tiranë, 1985;

"Veglat muzikore të popullit shqiptar", me bashkautor, Tiranë, 1991;

"16 shekuj", Tiranë, 1995;

"Antifonari i durrsakut Gjergj Danush Lapacaja", Tiranë, 2000; "Gojëdhana dhe përrallëza të botës shqiptare", Tiranë, 2000

"Përtej 16 Shekujve", Tiranë, 2002

"20 miniatura pianistike", Tiranë, 2002

"Krijime dhe flijime", Tiranë, 2003 si dhe qindra artikuj në shtypin periodik shqiptar e të huaj.

Literaturë kushtuar jetës dhe veprës së Prof. Ramadan Sokolit:

Siliqi, Llazar. "Kompozitori, folkloristi dhe muzikologu ynë i respektuar", "Nëndori", 1990, nr. 8, fq. 125-130;

Gjata Trim, "Portreti i një intelektuali", "Bota shqiptare", 1993, nr. 4, 1993; Bytyçi Enver, "Ramadan Sokoli, legjenda e gjallë e e kulturës shqiptare", Koha, Tiranë, 2001, nr. 60, 1 Gusht, fq. 27-31;

Braho Esat., "Ramadan Sokoli, muzikologu dhe folkloristi i shquar", Liria, Tiranë, 2001, nr. 475, 12 tetor, fq. 10-11;

Munishi, Rexhep " Identiteti muzikor",Prishtinë, 2001,fq.106-109; Xhatufa Osman, "Ramadan Sokoli, jeta dhe vepra", Tiranë, 2004 etj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora