E premte, 29.03.2024, 01:19 PM (GMT)

Kulturë

Baki Ymeri: Osman Caka dhe Toplica e zemrave tona

E enjte, 15.03.2012, 07:56 PM


OSMAN CAKA DHE TOPLICA E ZEMRAVE TONA

 

Ndjeshmëria patriotike e një shqiptari të shquar

 

Nga Baki Ymeri

 

Mendimi i lirë, sipas një poeti kosovar, as nuk blihet e as nuk shitet. Mendimi i lirë është vullneti e dashuria, që burojnë nga shpirti e rrjedhin nga zemra. (Beqë Lokaj). E kemi thënë dhe vlen ta përsërisim se nuk është as Pjetër Budi, as Pjetër Bogdani dhe as Shën Pjetri, por Osman Caka ta përkujton Pjetrin e Shenjtë që e mbante një shkop në dorë, duke lëvizur herë në Shqipëri, e herë në Kosovë. Veprimi energjik i Osman Cakës që digjet për Atdheun dhe familjen e tij, shëmbëllen me veprën e shenjtë të rilindësve tanë. Ky njeri nuk është i vetmi rast që ta përkujton vrrullin e pashoq të Nikolla Naços që militonte vazhdimisht për mbarëvajtjen e shqiptarizmit në mërgim. Sipas një poeti të shquar kosovar (Skënder Zogaj), Lumturi e dyfishtë, do të ishte titulli më i mirë i kësaj vepre që artistikisht reflekton ndjeshmërinë e patriotike të Osman Cakës. Por koha është një dhuratë e atillë që kërkon rifreskimin e memorjes sonë për ta njohur të shkuarën tonë, që nga Preveza e deri në Nish, duke i dhënë prioritet Toplicës së përgjakur të zemrave tona, pa e harruar Çamërinë, Luginën e Preshevës, Malësinë e Madhe dhe Kosovën Jugore që përkufizohet me Manastirin shqiptar të Shën Naumit dhe ujërat e Prespës.

       Përndryshe, Osman D. Caka u lind  më 20 qershor 1950 në fshatin Vatë, Komuna e Kacanikut. Më 1999, nga Kampi i Bojanës ka emigruar në Manchester  të Anglisë, ku jeton dhe vepron, gjithmonë në shërbim të Atdheut. Zoti Caka ka merita për ngritjen e shtatores së Nënës Tereze në Manchester (5 gusht 2007, inuagurim dedikuar 10 vjetorit të shkuarjes së saj në amshim). Ai është prezent në ekranin TV BBC anglez (15 qershor 2008), pregadit dhe inauguron pllakën në Oldham për ta falënderuar popullin dhe qeverinë e Anglisë dhënë Kosovës (27 maj 2009), takohet me Tony Blerin në Oldham (4 maj 2010), sipas kërkesës së  ish kryeministri anglez i cili e ka falënderuar me atë rast për shtatoren e Nënës Tereze dhe Pllakën e Oldhamit, duke e lutur që në emrin e tij të gjitha nënave shqiptare t’ua përcjelli ngushllimet më të thella për bijtë e vrarë në luftën e fundit në Kosovë, nderohet me tre letra përshëndetëse nga mbretëresha Elizabeth, e ndihmon një familje nga Dremjaku i Ferizajit për ngritjen e shtëpisë, jep kontribut për njerëz me halle, merr pjesë aktive në kremtimin e 40 vjetorit të gjimnazit Skënderbeu në Kaçanik, shpërndan topa futboli për shkollat shqipe në Kosovë, sjell ekipe futbolistike nga Kosova në turnire të futbollit në Mançester, dhe mbi të gjitha, merret edhe me poezi.                                                                                                       

          Pas vëllimit të parë (Gjallëria e shpirtit tim, Bukuresht 2011), Osman Caka,  në pranverë të këtij viti (2012), del para opinionit shqiptar, edhe me vëllimin e tij të dytë (Toplica e zemrave tona). As që ka nevojë të flasim më shumë për këtë njeri të mrekullueshëm, sepse flet vepra e tij, flet vullneti dhe flasin ndjenjat dhe shpirti i tij. Në kuadrin e mendimeve të tij të çiltra e të mbrujtura me një ndjeshmëri të thellë, flet zëri i zemrës dhe Kosova e përgjakur gjatë kohës së luftës, kur tigrat e Arkanit e stërkuqën Lepencin me gjakun e djalit të tij, kur drejtësia kosovare ende nuk i ka identifikuar e hedhur në prangat e tribunalit kriminelët serbë që kanë bërë krime në Kaçanik dhe rrethinë (shih listën dhe padinë dorëzuar më 24 tetor 2011 Prokurorisë publike të Qarkut Prishtinë, kundër 41 serbëve që kanë bërë masakrat më 13 prill l999 në vendlindjen e tij (PP.464/01).

       Osman Caka është banor i përkohshëm i Anglisë, shpirti i të cilit flet shqip dhe digjet për vendlindjen e tij, për familjarët e tij, për farefisin e tij dhe për Kosovën e tij. Ai është njëri nga poetët e rrallë të diasporës shqiptare që shkruan pak e për merak, por ate që e shkuran, e justifikon me një sensibilitet të sinqertë, pa e stolisur vargun e tij me figura stilistike siç e kërkon poezia e mirëfilltë, gjë që i falet sepse në vend të meritave letrare ai ka merita të jashtëzakonshme atdhetare. Në vargun e tij klasik, tek tuk zotërojnë subjekte morale, folklorike, madje edhe satirike. Poezia është një ligj i shenjtë i metafizikës për të mbetur i pavdekshëm. Autori është i vetëdijshëm se poezia moderne ka nevojë për hapje horizontesh të mëdha, për ngjitje në qiejt e frymëzimit dhe zbritje deri në zemër të dheut, për shndërrimin e fjalëve në një thesar të artë ku zotërojnë ide të reja, të mbrujtura me përfytyrime, metafora, novitete, risi dhe porosi.

          Jehona e vargut të Osman Cakës reflekton horizontet e vendlindjes. Motivet e frymëzimit të tij notojnë mes afirmimit të mirësisë sonë dhe fshikullimit të ligësisë së huaj. Poezia shëmbëllen me një vullkan për shpërthim ndjenjash e përjetimesh. Ajo çliron fshehtësitë duke zbuluar muzgun ku dashuria shndërrohet në një forcë të gjallë, që zotëron mbi qytete e vende.  Autori jeton në mërgim dhe e mban të pashkëputshëm ndërlidhjen me atdheun dhe betejat e panumërta të bijve të shqipes për liri dhe pavarësi, siç e përgëzon edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Londër, Dr. Muhamet Hamiti.

 

BOX

 

TOPLICA E PËRGJAKUR

 

Balada në rrënjët e një molle

Gurë që tremben të flasin

Të rrokullisur në tingujt

E latuar të dashurisë

Së përjetshme...

Histori e përgjakur

Trishtim i trefishtë

Me brenga të thinjura

Toplica e zemrave tona

Furtunë e mosharresës

Murmurimë e degdisur

Deri në Nish

Kushtrime Ilirike

Me zjarrin e shhpirtit tim

Me vërshime tingujsh

E trazime lirike

Furtuna e kujtesës

Balada e dashurisë…

Brengat do të degdisen

Me fluturim shpresash

Kur deri në Nish

Do t’i ritrasojmë

Shtigjet e Dardanisë…

 

 

TE GURI SHPUEM

(Trimave të Kaçanikut)

 

Te Guri i Shpuar

Përtej brigjeve të Diellit

Valëvitej shqipja

E sokolave të Kaçanikut

Që i morrën gjak

Në vetull armikut

Idriz Seferi

Me trimat e tij

E dëboi ujkun

Në Stamboll e në Serbi.

Këtu lindi Sali Bajra

Ua mbylli shtegun

Maqedonëve

S’ s’e dinte ç’është tuta

Këtu u shpall Kushtetuta.

 

Këtu lindi një zog shqiptari

Agim Bajrami trim me fletë

Hetem Hasaj e Reshat Shahu

Bijtë e shqipes ranë dëshmorë

Për lirinë e vendin tonë

Fadil Qaka lëshon një za

Po ku ke humbur more vlla

Ja ku jam o Feriz Guri

Në Kaçanik valon Flamuri.

Komandant Bardhi

Qamil Ilazi e bij të tjerë

Trima si zana

Bekuar qumshtin

Që ua dha nana

Trima shkrepash

E burra bujarë

Ranë trimat për liri

Për të shtrenjtën Dardani.

 

 

ME SHEKUJ

 

Me shekuj malet tona ushtojnë

Armiqtë deshën të na pushtojnë

Malet e kodrat përherë luftuan

Por neve kurrë nuk na pushtuan.

 

Si n’stinë t’dimrit që pëlcet guri

Po sa herë lart është ngrit Flamuri

Kështu na mësoi neve Nanaloke

Për me i dal zot hej kësaj toke.

 

Plot gjashtë shekuj kurrë ne pa u nda

Tuj luftue her me turqit e her me shka

Duke luftue burra në jug me Greqi

Por edhe në viset tona n’Maqedoni

 

Shpejt do të valojë shqipja në Çamëri

Edhe në viset shqiptare në Mal të Zi

Do të flutoroj shqiponja deri te Nishi

Zoti një ditë hartës vijat do t’ia prishi.

 

 

TOPLICA

 

Gjenocidi parë në botë

Është bërë në Toplicë

Kurr’ nuk harrohen dot

Prej atëherë e këto ditë.

 

Sa Shqiptarë depërtuat

Sa i vrat’ e i masakruat

Sa djepa mbetën shkretë

Sa buka mbetën në çerepë.

Etnocidi ishte i pa parë -

I pari n’botë e n’Ballkan

Trojet tona mbetën shkret

Mijëra varre, vaj medet!

 

Shumë sofra mbetën shtruar

Mijëra fëmijë të masakruar

Shumë gra mbetën të veja

Pa burra, hej, nuse të reja.

 

Po kush e bani këtë masakër -

Bishat e egra, hej, serbosllave

U mbushën fushat plot varre

Dëshmi, toponimet shqiptare.

 

Kurrë mos t’harrohet Toplica

Masakrat që kanë bërë bishat

Kurrë nuk harrohet moj Serbi

Çka ke bërë me vllezërit e mi.

Masakrat që bërë ti n’Toplicë

Do ta lash këtë borxh një ditë!

 

 

KUSHTRIMI

 

Lëshon kushtrimin mali i Sharrit

Po ku jeni trimat e Adem Jasharit.

Lëshon kushtrimin  Mali Korabit

Po ku jeni trimat e Xhem’ Gostivarit.

 

E lëshon kushtrimin e tërë Kosova

Po ku je burr i madh Ibrahim Rugova.

Oj Rini e Kosovës hej marrja këngën

Këndoni të madhit, ej, Fehmi Aganit.

 

Shka o bir ej kush ta prishi gardhin

Burri i madh more Agim Ramadani.

Kush e bëri Kushtetutën e Kaçanikut

Sali Çeka që ia plasi zemrën armikut.

 

 

JEHON KËNGA

 

Nga këto shkrepa, hej jehon kënga

Në këto shkrepa mua m’lindi nëna.

Ku asnjëherë nuk shkrihet dëbora

Bukuria përrallore e maleve tona.

 

Nëna më lindi në këto shkrepa

Ku shqiptarët thonë Tungjatjeta.

Lokja më pështjelli me flamurë

Atdheun hej mos ta harroj kurrë.

 

Kush ia fali, ej, bukurinë Malësisë

Uji i pastër sikur lotët e Shqipërisë.

Po ku buron hej lumi Valbona

Atje ku e ka folenë shqiponja.

 

N’ato shkrepa kush po ban dritë

Trimave tanë u shëndrisin sytë

Në Malësi i këndojnë atij burrit -

Këngë e trimave të Bajram Currit.

 

Kush po këndon ej në ato kodra

Ku lindi nana more Mic Sokola

Me qifteli kush i këndon kombit

Zëri i trimes sonë Fatime Sokolit.

 

Kush i këndoi Dedë Gjon Lulit

Dragobisë dhe Bajram Currit

Dervish Shaqa me sharki në dorë

Për Nanën Shqipëri e për Kosovë.

 

Kush i këndoi Azemit dhe Shotës

Zëri Fatimes ia dridhi tokën botës

Të këndoftë zemra e t’u shtoftë nami

Oj sokolesha jonë me za prej alltani.

 

 

MITROVICA

 

Qanin e thanin

Gur e dru

Gjysëm shtize

Edhe flamuri

Është lëshue

Jan mbështet’ ej

Njerëzit për muri

Nga dhuna

E tradhëtia

Janë mbyllë ej

Gra e fëmijë

Nëpër shtëpia

E thonë:

Ku është Liria!

 

Po pranvera

E dimri ku shkuen

Thua moti e stina

Na u ndërruen

Më duket se dielli

Nuk po ban dritë

Atje lart

Në Mitrovicë

Pse atje në veri

Ende nuk ka liri?

 

Mitrovica është

Ndarë më dysh

Pse armikun

S’e përzumë more

Atëherë kur ishte dita

Kur na thërriste

More Mitrovica

Në dysh

E kanë ndarë

Thujse nuk ka

Ma shqiptarë.

 

Nuk dimë deri kurë

Armikut që bën bujë

Kungulli mbi ujë

Do t’i shkojë

Deri kurrë do të zgjasë

Kjo bujë e kjo lojë

Porsi uji nën urë

Rrëshqet me rëmujë

Kjo kohë pa liri

Të lirë në robëri

Zanë rrugët

E bëjnë barikada

E shef krejt bota

Sehir ban Europa.   

 

 

ËNDRRA IME

 

Ika me rrezet e diellit

Bashkë me retë e qiellit

Lart e lart un’ në hapësirë

Ku lind dielli pa u gëdhirë.

 

Thellë isha në mendime

Ëndërroja vendlinjen time

M’u kujtue mua shqiponja

Fluturonte mbi malet tona.

 

Lart në qiell duke fluturuar

Sytë hapur duke ëndërruar

Pash’ se nana më doli para

Si dikurë kur ishte në ara.

 

Isha humbur e isha tretë

Thuaja se unë isha vetë

Erdhi koha të zbres n’tokë

Mendja ime sillej në kokë.

 

Unë te shtëpia kur shkova

Fëmij e vëllezër i përqafova

Nanën e prita të dal përpara

Ajo s’ish n’shpi e as në ara.

 

Hyra në shtëpi e s’u rehatova

Ika shpejt shkova ndër varre

Shumë qajta mbi varrin e saj

Zogjtë mua më shoqërun në vaj.

 

U ula në gjuj dhe nëma kurbetin

Atëherë nanës iu rrafshue dheu

Thashë Qofsh i shkret’ kurbet i zi

S’i pashë ma gjallë prindërit e mi.

 

 

GJAK E TRISHTIM

 

Gjak e trishtim

Vendi im

Nënat vajtonin

E peshë të çonin

Bilbili qëndronte

Edhe ai vajtonte

Nuk dij as unë

Por nuk din as ti

Çka bani shkau

Shkau shka ma

Pushktonte

Shunonte

Maltretonte

Çdo gjë që ishte shqiptare

E digjte ajo farë barbare.

 

Me dhunë more

Na depërtuan

Prej Toplicës

E prej Dernicës

Na masakruan

Vajza e gra

Na i dhunuan

Nuk di deri kurë

Do t’i shkojë

Uji nën urë

Barbarit pa kulturë!

Thonim për ne atëherë

Kur kishte lindur

Një pranverë.

Kanë lindur shqipe

Në malet tona

Gjëmonte pushka

Edhe jehona

Për liri në trojet tona

Luftuan trimat

Për Atdhe e Pavarësi

Për Flamurin Kuq e Zi

Dhe për tokën arbërore

Që na e dhuroi zoti

I Gjergj Kastriotit

E Skënderbeut

Për Lirinë e Atdheut.

 

 

BUKA E BEKUAR

 

Nënë dua bukë

Qante fëmija.

Nënës së shkretë

I shkëlqenin sytë

Ndjente një dhimbje

Në shpirtë

I ndryshonte fytyra

Çka të bëjë e shkreta

Si ta kalojë jetën

Në këtë skamje

Të gjithësisë,

Si t’a ushqejë fëmijën?

Mo dhashtë zoti

Të më vdesin

More prej urisë!

 

Bukë thot o nënë

Po ban vaj e xham

Prit pak more bir

Në vend ishte mpirë

Dikush thëret te dera

Nëna del sikur era

Urdhëro tha o bir

Të solla ca miell

Dhe ca bukë të solla

Në këto orë të vona!

 

Faqeve lot gëzimi

A të mashtroi syri

Djali u ul në sofër

Zoti të ruajt i tha

Në atë votër

Për ditë te sotit

Fëmijës nga gëzimi

I buzëqeshi fytyra.

Porsi lulja e prillit

Në atë moment

Nëna e shkretë ra

Në prehër të djalit

Duke ndërruar jetë.

 

Vaj o zot tha nëna

Më mirë mos ta dini

Se edhe dielli e hëna

Dridhen nga trishtimi

Dhe mallëngjimi!



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora