E premte, 29.03.2024, 05:45 AM (GMT)

Faleminderit

Ramadan Sokoli, patriarku i etnomuzikologjisë shqiptare

E merkure, 12.03.2008, 05:54 PM


In memoriam / Muzikologut dhe albanologut Ramadan Sokoli, që ishte dhe mbeti në fokusin e institucioneve më prestigjioze shkencore mbarëbotërore

Nga Astrit Kola

Prof. Ramadan Sokoli
Thesari ynë i vlerave dhe i traditës kulturore, ka qenë objekt i kahershëm i shkencave albanologjike dhe prej shekujsh ka tërhequr vëmendjen e studiuesve më të shquar shqiptarë e të huaj. Kontributet madhore të albanologëve shqiptarë, gradualisht e kanë transferuar qendrën gravitacionale të studimeve albanologjike në trojet amtare. Një ndër kontributorët më të mëdhenj dhe më të njohur ndërkombëtarisht është edhe Prof. Ramadan Sokoli, veprat e të cilit janë shndërruar në referenca të padiskutueshme shkencore për mbarë qarqet akademike që merren me studimet albanologjike dhe etnografike në shkallë planetare.
Tashmë, hierarkimi shkencor i studiuesve tanë, në plan kombëtar dhe ndërkombëtar, nuk është më skemë dhe domen i institucioneve të akaparuara nga burokracia dhe politika, por zhvillohet dhe konturohet në domenet e shkencës së mirëfilltë, nëpërmjet debatit shkencor, konkurrencës, kontributeve të njimendta, sho-shitjes dhe promovimit të tezave dhe argumenteve shkencore.

Portreti dhe vepra e Prof. Sokolit

Prof. Ramadan Sokoli është një nga personalitetet më të shquar të kulturës shqiptare. Karriera e tij studimore dhe pedagogjike është ndër më të ndriturat dhe kërkimet e tij të mirënjohura botërisht, përfaqësojnë apogjeun e një krijimtarie shkencore gjashtëdhjetëvjeçare.
Ai ka qenë, është dhe mbetet ndër kompozitorët dhe themeluesit e muzikologjisë së njimendtë shqiptare, është albanolog dhe historian i shquar i artit, të mjaftueshme këto për ta cilësuar meritueshëm si kulturologu i trojeve etnike shqiptare.
Ramadan Sokoli lindi më 14 qershor 1920 në qytetin e Shkodrës, në një familje me tradita dhe kontribute të mëdha atdhetare. Gjyshi i tij Hodo Pashë Sokoli, ishte ndër personazhet më të spikatur të veprës “Lahuta e Malcisë” dhe i vetmi hierark i perandorisë turke që flaku spaletat dhe mori kryesimin e kryengritësve shqiptarë pas shitjes së Ulqinit, Plavës e Gucisë nga Porta e Lartë në favor të Malit të Zi, ligjëruar nga vendimet famëkeqe të Kongresit të Berlinit. Hodo Pasha tradhëtisht u rrëmbye dhe iu dorëzua Rusisë, si kundërshtar më i egër i sllavëve ndër udhëheqësit shqiptarë dhe u ekzekutua e u zhduk pa lënë gjurmë. Ramadan Sokoli e mbaroi shkollën fillore në periudhën 1927-1931, ku mori edhe mësimet e para në muzikë dhe mësoi në mënyrë virtuoze shumë instrumentë muzikorë, çka e bëri atë të njohur në gjithë qytetin që në moshë të vogël, bash në qytetin ku krijimtaria muzikore dhe muziktarët ishin fenomenet dhe qytetarët më normalë.
Në vitin 1939 ai filloi studimet e larta në shkollën publike në Shkodër, të cilat i përfundoi po atë vit. Në periudhën 1940-1944 ndoqi studimet universitare në Konservatorin “Luigi Cherubini” të Firences, me shpenzimet e familjes. Në këtë konservator ai studioi për flaut, nën drejtimin e mjeshtrit Bruskalupi dhe për kompozicion nën drejtimin e mjeshtrit Cicionesin.
Pas përfundimit me rezultate të shkëlqyera të studimeve, u kthye në atdhe.
Në vitin 1945 u mobilizua për të kryer shërbimin ushtarak në Gjirokastër, ku njëkohësisht bashkëpunoi me mjeshtrin Gaqo Avrazi në orkestrën filarmonike të këtij qyteti, ku shfaqi cilësi dhe aftësi të admirueshme, për çka edhe e sollën në Tiranë për të organizuar Ansamblin e Ushtrisë. Kësisoj, duke ushtruar profesionin e tij Ramadan Sokoli ngjizi ëndrrat dhe fokusoi të gjitha energjitë në drejtim të krijimtarisë artistike dhe lëvizjes muzikore. Fatkeqësisht, në vitin 1946 Ramadan Sokoli sëbashku me familjen, provuan kalvarin e luftës së klasave dhe goditjen e rëndë të diktaturës, çka u shoqërua me arrestimin e vëllezërve Ibrahim dhe Hodo.
Pas arrestimit, Ramadani u mbajt rreth 16 muaj nën hetime e tortura nëpër qelitë e diktaturës dhe më pas u dënua me katër vjet burgim, por edhe në burg ai intensivisht zhvilloi studime në fushën e muzikologjisë, në grumbullimin e folklorit dhe të materialeve të krijimtarisë gojore të popullit, të pikturës, albanologjisë, etj., që i shërbyen më pas si kolonat bazë të veprimtarisë shkencore e akademike.
Pas përfundimit të dënimit në fund të vitit 1950, u detyrua të kthehet në vendlindjen e tij, në Shkodër.
Në vitin 1952 i ofruan vendin e instruktorit pranë Orkestrës Filarmonike në Tiranë, për shkak të cilësive të rralla dhe nevojave, ndonëse kurrë nuk e paguan për punën e tij me pagë bazë, përveçse me disa honorare sa për të mbajtur frymën gjallë.
Pasi u detyrua të braktisë punën e papaguar në Orkestrën Filarmonike, ai me vështirësi arriti të punësohet si drejtues muzike pranë Shtëpisë së Kulturës në Tiranë, në vitin 1953.
Në sajë të aftësive të mëdha organizative dhe punës së palodhur profesionale, R. Sokoli organizoi koncerte të mëdha muzikore dhe hapi fidanishten për mjaft instrumentistë, këngëtarë dhe muzikantë të talentuar, për të kultivuar dhe zhvilluar aftësitë dhe talentin e tyre. Në vitin 1954 arriti të punësohet si mësues në Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe më vonë u kërkua të ndihmonte në ngritjen e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve. Njëkohësisht, Prof. Sokoli kishte filluar të mblidhte informacion të thellë për folklorin dhe i thelloi studimet në këtë fushë. Ndërkohë që grumbullonte dhe transkriptonte këngët popullore, ai publikoi shumë artikuj në revista të ndryshme si “Fatosi”, “Shqiptarja e Re”, “Shqipëria e Re”, në revista që përktheheshin në gjuhë të huaja si “Ylli”, “Koreografia”, “Skena dhe Ekrani”, “Radio Përhapja”, “Nëntori”, “Shkenca dhe Jeta”, “Buletini i Shkencave Shoqërore”, “Gjuha Jonë”, “Koha”, si dhe gazetat “Zëri i Rinisë”; “Bashkimi”; “Drita”; “Rilindja”, etj..
Në publikimet e tij Prof. Sokoli shkroi rreth lidhjeve të ndryshme të tematikave folklorike me krijimtarinë dhe arritjet konkrete të personaliteteve më të shquara të kombit shqiptar, duke nxjerrë nga dora materiale për të gjithë kategoritë e studiuesve dhe lexuesve. Në një periudhë 50 vjeçare krijimtarie dhe pune studimore e shkencore, Prof. Sokoli shkroi qindra artikuj dhe 18 libra me publikimet e veprës së tij madhore për nga përmasat dhe thellësia e mendimit shkencor. Aktualisht, Prof. Sokoli ka pa botuar shumë studime të fushave të ndryshme dhe rreth 12 mijë vargje të këngëve të rralla popullore, epike e lirike, mijëra fjalë të rralla të leksikut të vjetër të gjuhës shqipe, fjalë të urta, anekdota, rrëfenja, idioma, legjenda, etj..
Në dekadën 1950-1960, Ramadan Sokoli shkroi artikujt: “Jan Kukuzeli”; “Vallet Shqiptare”; “Veglat Muzikore të Popullit Tonë”; “Rreth Këngëve të Punës në Folklorin Tonë”; “Rreth Këngëve të Buta të Popullit Tonë”; “Disa Çështje të Prozodisë Shqiptare”; “Fjalë të pa Mbledhura nga Lëma Muzikore”; “Rreth disa Mjeteve Muzikore të Popullit Tonë”; “Polifonia Jonë Popullore”; “Prozodia dhe Metrika Jonë Popullore”, etj., dhe gjatë kësaj periudhe ai u publikua gjerësisht edhe në Francë, nga organet në të cilat trajtoheshin studime mbi vallet popullore dhe instrumentat muzikorë të popullit shqiptar (1956).
Në dekadën 1960-1970, Prof. Ramadan Sokoli i thelloi studimet dhe publikimet e artikujve në organet periodike si “Humori dhe Satira në Folklor”; “Folklori Ynë Dramatik”; “Uniteti i Traditës Sonë dhe Ndikimet e Jashtme”; “Këngët Rituale në të Kremtet dhe Vjetore”; “Për Traditën Tonë Muzikore”; “Ritmika dhe Melodia Jonë Popullore”; “Disa Veçori të Muzikës Sonë Popullore”; “Këngët e Djepit”; “Këngët e Mërgimit”; “Skënderbeu në Këngët Popullore”; “Rreth Muzikës Shqiptare në Kohën e Skënderbeut”, etj..
Pas shtimit të organeve botuese dhe krijimtarisë së tij, një grup tjetër të studimeve mbi instrumentet, folklorin popullor dhe muzikologjinë, ai i botoi në revista si “Vatra e Kulturës”, ku trajtoi publikimet e studimeve si “Pipza”; “Tamburate”; “Gajda”; “Cyla Dyjare”; “Mjetet Paramuzikore”; “Veglat Idiofone”; “Veglat membranofone”, etj.. Gjatë kësaj periudhe publikoi edhe studime si “Folklori Muzikor Shqiptar”; “Morfologjia”; “Veglat Muzikore të Popullit Shqiptar”, që u botuan në gjuhë të huaja, sikundër në frëngjisht, rusisht, gjermanisht, etj..
Gjatë dekadës së tretë të krijimtarisë 1970-1980, ai publikoi artikuj si “Gjurmime Muzikore Nëpër Ilirinë Jugore”; “Veglat Muzikore Ilire”; “Thërrime Muzikologjike”; “Rreth Funksionit Etiko-Shoqëror të Veglave Popullore”; “Për Zhvillimin e Veglave Muzikore Popullore”; “Dokumente mbi Mënyrën Tradicionale të të Kënduarit”; “Vallet Ilire”; “Vallet Luftarake të Popullit Shqiptar”; “Për Transkriptimin e Valleve Shqiptare”, etj..
Një vend të rëndësishëm në krijimtarinë studimore, Prof Sokoli ia kushtoi personaliteteve të kulturës kombëtare, me shkrime si “Fan Noli Kompozitor dhe Muzikolog”; “Duke Lexuar një Libër për Aleksandër Moisiun”; “Figura e Ali Pashë Tepelenës në Muzikë”; “Një Arkitekt i Shekullit 15”, si dhe publikimet e studimeve individuale “Metodë për Fyell”; “Vallet dhe Muzika e të Parëve Tanë”; “Folklori Muzikor Shqiptar”; “Organografia”; “Figura e Skënderbeut në Muzikë”, etj..
Në dekadën e katërt 1980-1990, ai shkroi shumë studime të publikuara në revistën “Letrat Shqiptare”, kushtuar personaliteteve të panumërta të artiti muzikor shqiptar sikundër “Niketë Dardani, i Shek. IV”; “Jan Kukuzeli i Shek. XII”; “Letërkëmbimi i Dargomirzhskit me Skënderbeun”, “Fan Noli”, si dhe një numër artikujsh studimore për piktorë, skulptorë dhe arkitektë shqiptarë. Ndër kulmet e veprimtarisë së tij studimore, tërhoqën vëmendjen “Lahuta dhe Këngët e Kreshnikëve”; “Ndihma e Gjuhësisë Sonë për Muzikologjinë”; “Rreth Gurrave të Muzikës Sonë Popullore”; “Gjama Mortore”; “Folklori Muzikor Shqiptar - Lorenc Antoni”; “Kryeveprat e Artit Parahistorik”, etj., të botuara këto kryesisht në periodikët “Gjurmime Folklorike” dhe “Këngët Patriotike”, organe të Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore.
Gjatë dekadës së pestë 1990-2000, Prof. Sokoli shkroi artikuj shkencorë si “Violina dhe Pararendësit e Saj në Traditën Popullore”; “Për Gjenezën e Himnit të Flamurit”; “Për Gjenezën e Valleve dhe Tarantalizmin”; “Nga Historia e Shkrimit të Valleve”; “Arti dhe Mistika e Naimit”; “Rilindasi, Autor i Gjashtëdhjetë Veprave - Sami Frashëri”; “Një Sonatë e Fan Nolit”; “Mehmet Isai, Projektuesi i Taxh Mahallit”; “Një Përmendore Muzikologjike në Shqipëri”; “Vizatimet Parahistorike në Vendin Tonë”, si dhe publikimi “Veglat Muzikore të Popullit Shqiptar” me bashkautor Pirro Mison, publikuar nga Akademia e Shkencave dhe Instituti i Kulturës Popullore, studimin enciklopedik “16 Shekuj”; “Gojëdhëna dhe Përrallëza të Botës Shqiptare”; “Antifonari i Durrsakut Gjergj Danush Lapacaja”, etj..
Në vitin 2002, R. Sokoli publikoi librin “Përtej 16 Shekujve”, në të cilin përmblodhi artikujt e botuar në revistën “Koha”, ndërsa në vitin 2003 publikoi librin “Krijime dhe Flijime”, në të cilin përshkroi jetën dhe punën e 5 skulptorëve dhe piktorëve më të shquar shqiptarë, bashkëkohës dhe miq të tij.
Sikundër shihet, numri i titujve dhe shkrimeve të Prof. Sokolit përfshin një gamë shumë të gjerë studimesh të rëndësishme në fushat e muzikologjisë dhe koreozofisë, në të cilat kontributi i tij është madhor edhe ngaqë ai është dhe pranohet njëzëri si krijuesi i këtyre disiplinave shkencore në shkencat albanologjike shqiptare.
Në vitin 1957 R. Sokoli drejtoi ekspeditën e parë etnomuzikologjike në Jug të Shqipërisë, duke investiguar mbi këngët polifonike të Toskërisë, ku u përfshinë ato labe dhe ato çame. Në këtë ekspeditë morën pjesë edhe muzikologë gjermanë, sikundër Doris dhe Erik Stokman.
Në ekspeditën e dytë kërkimore shkencore në Veri të vendit, Sokoli drejtoi në bashkëpunim me një grup studiuesish nga Akademia e Shkencave të Rumanisë.
Ai ka zhvilluar dhe ka përfaqësuar një aktivitet intensiv shkencor, si i ftuar në simpoziumet më të zëshme në botë kushtuar folklorit dhe muzikologjisë, të zhvilluara në Tokio, Spanjë, Norvegji, Moskë, Çekosllovaki, Rumani, Bullgari, Kosovë, etj..
Botimet e tij të fundit muzikore, janë: “Pjesë Shqiptare për Fidanishten e Pianistëve të Rinj”; dhe “Njëzet Miniatura pianistike”.
Si kompozitor ai njihet si ndër më të rinjtë që krijoi këngë të paharruara që në moshën 17 vjeçare, sikundër “Blegëron delja”, “Lulja me erë”, “Zanusha”, “Turtullesha”, “Jelino”, “Rritu mollëzo”, etj..
Po t’i hedhim një sy krijimtarisë së tij në çdo fushë, ose e thënë ndryshe regjistrimit bibliografik të botimeve të R. Sokolit, janë mbi 20 libra të mirëfilltë shkencorë që mbajnë autorësinë e tij, janë mëse 1100 shkrime e krijime me emrin e tij (apo me pseudonimet e tij), si dhe libra dhe mëse 150 shkrime që flasin për kontributin e tij të gjithanshëm në shërbim të kulturës shqiptare. Madje duhet theksuar se në shumicën e botimeve, Prof. Sokoli hapi hullitë e para të lëvrimit të tyre shkencor.
Në periudhën midis viteve 1944-1990 ka botuar në mëse 20 organe shtypi
Veç këtyre, shtatë punime të plota në përmasa librash, janë të përfunduara dhe të depozituara në arkiva të ndryshme të Institucioneve Kërkimore Shkencore ku profesori i ka dorëzuar qysh nga vitet 1950 e këtej, dhe që falë kujdesit të vetë Prof. Sokolit, kopjet e atyre dorëshkrimeve i gjejmë në arkivin e tij personal.
Nga krijimtaria e Prof. Sokolit trashëgojmë sot: mbi 60 biseda shkencore të transmetuara në emisionet e Radio Tiranës; mbi 25 skenarë dokumentarësh shkencorë televizivë; mbi 300 këngë, valle, pjesë instrumentale, tablo muzikore, etj..
Pas viteve ’90-ë, me shumë vlera janë leksionet e tij të mbajtura në Akademi, Institutet Shkencore e Universitetet e ndryshme të kontinentit, sikundër në Gjermani, Itali, Zvicër, Greqi, Turqi, Sllovaki etj..
Vetëm në këto 10 vitet e fundit, kontributi i tij shkencor në fushën e publicistikës i kalon të 100 shkrimet të botuara në organet periodike brenda shtetit amë, ndërsa shkrimet e botuara në po këto 10 vite kushtuar figurës së tij poliedrike, e kalojnë numrin 50.
Tashmë në biografinë e tij figurojnë mbi 1100 zëra që regjistrojnë krijimtarinë e tij në të gjitha fushat dhe mëse 150 shkrime që flasin për të.
Por ekzistojnë gjithashtu edhe shkrime të tjera të paregjistruara e të pabotuara prej tij këtu në Shqipëri, por ato janë botuar në trojet amtare jashtë kufijve shtetërorë, apo në diasporë, dhe kopjet e tyre gjenden në arkivin e tij familjar.
Në arkivin e tij gjejmë edhe një letërkëmbim me vlera të pashoqe, voluminoz, me një mori kolegësh, bashkatdhetarësh e shkencëtarësh të të dy hemisferave, lindore e perëndimore, sikurse gjejmë edhe krijimet në pikturë e gdhendje dhe mijëra faqe me krijime folklorike që Profesori ka mundur t’i regjistrojë.
Në vitet 1996-1997 ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH dhe president i festivaleve folklorike kombëtare, brenda dhe jashtë vendit, si në Gjirokastër, Berat, Strugë, Tetovë.
Ka mbajtur referate, kumtesa dhe leksione shkencore për etnokulturën dhe traditat shqiptare në Torre Vergata, Romë, në universitetet e Bolonjës dhe Ravenës, në institucione të larta të krahinave të populluara me arbëreshë në Itali, në Stamboll, Bratislavë, Gjermani, në SHBA, etj..
Këshilli bashkiak i Tiranës i ka akorduar titullin “Mirënjohja e Tiranës”, ndërsa Presidenti i Republikës e ka dekoruar me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Prof. Ramadan Sokoli është një ambasador i denjë i kulturës kombëtare dhe ndër studiuesit shqiptarë më të publikuar në të gjithë botën. Për përmasat e mëdha të veprës së tij është botuar dhe është përfshirë si personalitet edhe në Enciklopedinë e Personaliteteve më të shquara të shek. XX, botim i Universitetit të Kembrixhit.

R. Sokoli në listën e ekspertëve më të respektuar në botë

Më 7 korrik 2006, Drejtuesja e Edicionit të Institutit Amerikan të Biografive (ABI), znj. Mitchell, në emër të këtij instituti ndër më prestigjiozët në botë, i ka dërguar Prof. Ramadan Sokolit një shkresë zyrtare ku e bën me dije se ABI e kish shqyrtuar veprimtarinë e tij të shumanshme e të gjatë kërkimore shkencore me anë të Drejtorisë Ndërkombëtare të Eksepertëve dhe Ekspertizave, atashuar pranë këtij instituti. Pasi e bën me dije se ky angazhim synon koleksionimin e biografive shkencore të shkencëtarëve dhe ekspertëve më të shquar në botë, znj.Mitchell i komunikon Prof. Sokolit se Instituti ka vendosur ta përfshijë emrin e tij në “Listën e Ekspertëve më të Respektuar në Botë, e cila përfaqëson elitën e ekspertëve më të njohur si autoritete të padiskutueshme shkencore në fushat e tyre, zëri dhe kontributi i të cilëve është konsideruar si maja më e lartë për dijet shkencore dhe eksperiencën”.
Z.Mitchell thekson ndër të tjera se, “... si një nga Ekspertët më të Respektuar në Botë..., biografia Juaj e publikimeve do të bëhet e njohur botërisht nëpërmjet botimeve speciale dhe për të zyrtarizuar këtë status, Ju do të pajiseni me një certifikatë, që Ju deklaron si autoritet ndërkombëtar dhe ekspert në fushën Tuaj, dhe si garante e reputacionit të fituar në botën e specialistëve dhe profesionistëve më të shquar të planetit”.

Simpozium shkencor për nder të Prof. Sokolit

Menjëherë pas këtij vlerësimi të merituar për njërin nga baballarët e shkencave albanologjike shqiptare, në nderim të kontributeve madhore të Prof. Sokolit, u organizua një simpozium shkencor në nivel ndërkombëtar, përgatitur nga Qendra shqiptare e Dokumentimit dhe e Komunikimit për Muzikën Rajonale (DCCRM).
Kësisoj, në datat 28, 29 dhe 30 shtator 2006 në hotel “Pameba” në Golem - Durrës, simpoziumin shkencor ndërkombëtar nën okelion “Muzika Qytetare në Ballkan”. Në këtë simpozium morën pjesë si të ftuar nderi: personalisht kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Mrs. Jozefina Topalli; përfaqësues të lartë të MKRS, Akademisë së Shkencave të R.SH.; të Këshillit Ndërkombëtar për Muzikën Tradicionale (ICTM); të Institutit “Goethe” – Zyra Rajonale në Selanik; të Shoqatës Ndërkombëtare të Muzikologjisë me qendër në Austri (IMS), të Ambasadave të Gjermanisë dhe Austrisë, etj.. Në këtë aktivitet shkencor referuan studiuesit e shquar: Jezernik, Pettan, Lensik, Svanibor, Bejtullahu (Slloveni); Friedman, Beken, Sugarman, Signell (USA); Aksoy, Ozer, Uslu (Turqi); Giakoumis, Katsanevaki (Greqi); Stojkova, Tartarchevska (Maqedoni); Rakoçeviç, Golemoviç (Serbi); Peycheva, Vlaeva (Bullgari); Lupascu (Rumani); Staiti (Itali); Pistrick (Gjermani); Kasanski (Bosnje-Hercegovinë); Hemetek (Austri); Burkhalter (Zvicra), si dhe studiuesit shqiptarë Shaban Sinani, Sokol Shupo, Eno Koço, Bahtir Sheholli, Tonin Zadeja, Pirro Misso, Holta Shupo, Genciana Egro.
Simpoziumi u vlerësua maksimalisht për nivelin e lartë shkencor, në qendër të të cilit etno-muzikologjia shqiptare dhe traditat e shkëlqyera të muzikës sonë qytetare, jo vetëm që morën vlerësime të merituara, por edhe u trajtuan me skrupulozitet dhe respekt të veçantë për vlerat unikale dhe kontributet madhore në visarin e kulturës ballkanike, evropiane e mbarëbotërore. Ky aktivitet, sipas mendimeve të specialistëve, shënoi nivelin më të lartë të përgatitjes dhe prezantimit të shkencave albanologjike dhe etnomuzikologjisë shqiptare në veçanti, zhvilluar ndonjëherë në vendin tonë, dhe për këtë, meritën kryesore e ka stafi përgatitor dhe studiuesit shqiptarë që i dhanë tonin atij, e ku, Prof. Ramadan Sokoli shkëlqeu si pararendësi dhe kultivuesi i denjë i brezave të studiuesve të afirmuar shqiptarë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora