Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Manastiri i Shën Naumit, legjenda që vazhdon të jetojë

| E merkure, 07.03.2007, 10:46 PM |


Vetëm 2 km larg doganës së Tushemishtit ndodhet një nga manastiret më të mëdha të gjithë rajonit të Ballkanit. Pamja e parë që të ofrohet është një park i madh buzë liqenit. Lumi Drin kalon mespërmes parkut me një sipërfaqe 20 hektarë të gjelbëruar, ku ka shumë përroska uji, drurë të ndryshëm dekorativë, qiparisë të panumërt dhe zogj të rrallë si pallojtë. Në hyrje të manastirit spikat një portë shekullore dhe mbi portë një mozaik që paraqet një bujk duke punuar tokën: në njërën anë është një ka dhe në anën tjetër një ari në pendën e qeve. Brenda manastiri ka një oborr të madh ku shtrihet kompleksi i madh i kishës së Shën Naumit me piktura të shumta murale shenjtorësh ku vendin qendror e zë ajo e Shën Naumit. Në një dhomë tjetër ndodhet varri i Shën Naumit ku njerëz të shumtë vijnë për peligrinazh.

Legjenda e Shën Naumit
Shën Naumi i ka hipur një kali dhe është nisur nga Ohri për në Voskopojë. Në krye të Qafës së Plloçës kali hingëllin dhe nuk pranon të ecë më përpara. I ndodhur para këtij fakti, Shën Naumi vendos të kthehet dhe atje ku kali vendosi këmbën, mbi një pllakë guri, ngeli i stampuar patkoi i këmbës së kalit të Shën Naumit (njerëzit ende sot vazhdojnë të hedhin lekë në vendin ku duket shenja e patkoit) Shën Naumi i kthyer pas, zbriti Qafën e Plloçës dhe kaloi nëpër fshatin Zagorçan ku bëri urimin: “grurë mbjellshi dhe magja ju qoftë gjithmonë plot”. Kur po hynte në fshatin Tushemisht një bari dhensh i lëshoi qentë e tufës, ndërkohë një tufë me lopë që ishin aty pranë me brirët e tyre e shpëtuan Shën Naumin nga qentë. Shën Naumi bekoi lopët dhe mallkoi delet e dhitë. Sipas legjendës gjatë gjithë rrugës shenjtori ndihmoi fukarenjtë dhe shëroi të sëmurët. Pasi eci më pak se 2 km nga Tushemishti qëndroi në një pllajë buzë liqenit. Aty pranë ishte pronari i tokës. Shën Naumi iu lut pronarit të tokës t’i jepte pak vend, se donte të jetonte atje, në atë vend të cilin ai do ta bekonte. Pronari i tokës i tha Shën Naumit se do t’ia falte të gjithë tokën e tij nëse ai do t’i shëronte vajzën e vetme të cilën e kishte të sëmurë me të meta mendore por dhe tullace. Siç thotë legjenda, shenjtori, pasi mundi ta shëronte vajzën duke e larë në ujin e Drinit të cilin e bekoi (sot aty ndodhet një ndërtesë e vogël dhe njerëzit mbushin ujë të bekuar për të shëruar të sëmurët), arriti të marrë tokën e pronarit që i shëroi vajzën. Por Shën Naumit nuk i mjaftonte vetëm ajo tokë, kështu që takoi një pronar tjetër që e kishte tokën ngjitur me atë që mori Shën Naumi. Pronari po e punonte tokën i mërzitur sepse ia kishte ngrënë njërin nga qetë ariu. Shën Naumi i thotë atij se do ta detyronte ariun të mprehej në pendën e qeve dhe ta punonte tokën në vend të kaut që ai kishte ngrënë. Kjo është e pamundur tha pronari, por shenjtori e realizoi edhe këtë mrekulli. Atëherë edhe pronari i dytë ia dha tokën e premtuar Shën Naumit ku sot ndodhet Manastiri i cili mban emrin e tij, ndërsa mbi portën kryesore ndodhet mozaiku i ariut së bashku me kaun duke punuar tokën. Dhe aty pranë edhe Shën Naumi.

Fakte historike mbi Shën Naumin
Shën Naumi ka qenë pjesë e kufirit shqiptar kur vendimi i Konferencës së Londrës, më 1913, shprehej zyrtarisht se kufijtë e Shqipërisë tek liqeni i Ohrit do të jenë nga bregu perëndimor i liqenit nga fshati Lin dhe diagonalja e kufirit e përfshinte manastirin e Shën Naumit brenda kufijve shqiptarë. Qeveria serbo- kroate-sllovene protestoi në Gjykatën e Hagës më 31.12 .1924, por edhe ky gjyq ia la Shqipërisë manastirin e Shën Naumit. Por, më 16 korrik 1925 në kohën e mbretit Zog, Shën Naumi u bë pjesë e kufirit maqedonas me motive të papërcaktuara shkëmbimi apo dhurate mes dy qeverive të asaj kohe.

Festa e Shën Naumit
Prej 3 korrikut të vitit 1875 në Shën Naum festohet një nga panairet më të mëdha të Ballkanit. Përgatitjet për këtë festë fillojnë që në muajin qershor. Tregtarë nga Maqedonia, Bullgaria, Sllovenia ngrejnë tendat për të ekspozuar mallrat e tyre më të mira. Vend të veçantë në këtë festë zenë grupet e ndryshme artistike të cilët argëtojnë vizitorët e shumtë që vijnë nga të gjitha vendet e Ballkanit. Pas vitit 1992 në festën e 3 korrikut në Shën Naum marrin pjesë edhe shqiptarët. Sipas zakonit të gjithë njerëzit qëndrojnë zgjuar në ambientet e manastirit duke u argëtuar me muzikë edhe duke bërë pazar në panair apo duke u argëtuar nëpër lokalet e shumta. Më 3 korrik aty mblidhen rreth 20 mijë veta nga gjithë rajoni. Ditën e nesërme vazhdon rituali fetar në kishë ku njerëz të ndryshëm bëjnë kurban deshë për shenjtorin. Përveç datës 3 korrik kur është festa, manastiri i Shën Naumit ka çdo ditë qindra vizitorë nga e gjithë bota që ndezin qirinj dhe çlodhen në këtë vend shumë të veçantë dhe jo vetëm për Manastirin e shenjtorit por edhe për bukuritë e parkut të madh me “Drinin plak dhe të përrallshëm që buron prej Shën Naumi” siç këndon Lasgush Poradeci .