E enjte, 28.03.2024, 02:32 PM (GMT)

Mendime

Rexhep Shahu: ''Mëkati'' i Sali Berishës është udha e kombit

E merkure, 14.03.2012, 07:37 PM


“MËKATI” I SALI BERISHËS ËSHTË UDHA E KOMBIT

 

NGA REXHEP SHAHU

 

“Mëkati” i Sali Berishës dhe shkaku real i luftës që ia bëjnë sharësit e tij është vetëm ndërtimi i Udhës së Kombit, pasi ai me këtë udhë, që u bë falë guximit, trimërisë, “çmendurisë” dhe atdhedashursë pa kushte, bashkoi fizikisht kombin dhe, të vegjlit, që s’mund të kenë ide, as të vogla e as të mëdha, nuk dinë çfarë duhet bërë me një atdhe më të madh, më të lirë, më të pavarur, më krenar.

Pa pasë pula pse po bën ish, thuhet andej në anët e mija.

Por thuhet gjithashtu se një lis i fortë, plot nyje, nuk çahet ndryshe veçse me pyka që ndërtohen duke i marrë nga ai trung lisi.

Duke parë se patriotizmi është nyja më e fortë e S. Berishës, kundërshtarët shkoqin ashka për pyka dhe duan ta çajnë atë dhe t’ia shëmtojnë patriotizmin, këtë përmasë e dimension që ai e ka të madh.

E nisa kështu sepse, e para, nuk është punë e imja të them se po shtohet shëmtimi i shqiptarëve duke dashtë me e nxjerrë jo patriot Sali Berishën, duke e akuzuar stinë pas stine se ka ndihmuar Serbinë apo Greqinë në dëm të shqiptarëve. Nuk jam unë kurrësesi mbrojtës i S. Berishës, sepse ai nuk ka nevojë dhe nuk ma ka ngarkuar askush këtë punë. Besoj plotësisht se ata që shkruajnë kundër S. Berishës për këtë çeshtje, nuk besojnë asnjë nga fjalët e mendimet e tyre. Janë thjeshtë argatë që i kanë thirrë me mëditje për të sharë S. Berishën në pikën më të fortë të tij.

Por duke shëmtuar S. Berishën, shëmtohet, fyhet e poshtrohet gjithë besimi im tek ky njeri, tek Kreyeministri im, tek kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, e para parti demokratike, e cila nën udhëheqjen e tij, shembi diktaturën dhe në 20 vitet pluralizëm ka qeverisur disa vite dhe ka bërë disa gjëra me shumë dobi për vendin.

Duke shëmtuar e fyer S. Berishën, fyhet dinjiteti dhe krenaria ime, inteligjenca ime, patriotizmi im, dashuria ime për këtë vend, këtë komb, për fëmijët e mi.

Sipas sharësve të Berishës ne paskemi qenë popull torollak, debil, injorant. Sharës janë ata që deri dje ai i mbante në gji, u jepte poste e grada dhe sharës janë bërë kur ai ua hoqi lluksin, kur i pa se janë makutë të pangijshëm. Sa e milnin Berishën për ta ai ishte hyjnor, kur ai u tha stop mjeljes ata i thonë tradhëtar. Sipas kritikëve që merren me vogëlsira se nuk dinë të merren me ide pasi nuk banojnë idetë në to, i bie që unë jam jo normal që i kam besuar dhe i besoj S. Berishës për shqiptarinë që ka, për shqiptarinë që ka demonstruar në gjithë veprimtarinë e tij.

Sharësit që mbinë këto ditë nga plehu sepse erdhi pranvera dhe u nxeh moti, veç meje fyejnë edhe veten e tyre. Si paskan pranuar ata deri sot ta kenë udhëheqës Berishën kur ai paska ndihmuar Serbinë dhe Greqinë. Qoftë sharësit nga opozita, qoftë dhe ata që dalin në krye të tretësirës së pozitës. Qoftë dhe rezervuarët e vnerit anti Berishë që dje mallkonin kundërshatërt e Berishës e sot janë ulur në prehër të tyre dhe shajnë Berishën.

Unë prandaj po bëj ish, pa pasw pula, për veten time e jo për S. Berishën, pasi ai nuk ka nevojë.

Sali Berisha patriotizmin dhe dashurinë për kombin e Kosovën i ka marrë me qumështin e nënës dhe ka pohuar me gjithë sjelljen e tij tërësore se i ka zanat. S. Berishën mund ta kritikojmë për çfarë të duam se nuk bëri këtë apo atë, se nuk bëri mirë apo shumë mirë disa gjëra, por nuk guxon shqiptar në botë, që nuk është mercenar, sharës me pagesë apo shpirtshitur, të thotë se nuk është patriot S. Berisha.

Ka një kosto të jesh patriot. Duhet përballuar ajo kosto. Duhet trimëri e panegocueshme dhe atdhedashuri pa kushte…

Patriotizmi me fjalë dhe pallavra ekranesh vetëm dëm i sjell çeshtjes kombëtare. Çdo lloj shfaqje teatrale zbeh dhe shëmton patriotizmin e vërtetë të shqiptarëve

Duke mos ia llogaritë asnjë punë tjetër Sali Berishës, punë historike, që ka bërë në këto dy dekada, jam thellësisht i bindur se vetëm me ndërtimin e Udhës së Kombit që lidhi dhe bashkoi fizikisht kombin, ai ka hyrë në mesin e patriotëve të mëdhenj të këtij kombi.

Dhe pa mëdyshjen më të vogël, krejt i bindur në çfarë them e bëj, debatet dhe lufta për këtë udhë, janë debatet dhe lufta mes patriotëve e nacionalistëve dhe jo patriotëve e internacionalistëve shqiptarë.

Kundërshtarët e tij që rrinë e kujtojnë se ka kushtuar shumë kjo autostradë, që ka privuar këtë e atë gjë (janë gati të na thonë se ka privuar shpërndarjen falas të perzervativëve…), janë ata lloj patriotësh që nuk e duan kombin edhe pse e thonë ngado nëpër sheshe e salla të vendit e jashtë vendit se e duan.

Sali Berisha bëri patriotizëm, nuk mbllaçiti si çamçakez patriotizëm. Ka njëmijë e një të zeza thonë patriotët e mejhaneve dhe kundërshtarët e tij. Ndoshta, por ama e bëri udhën e shqiptarëve, Udhën e Kombit shqiptar, i bashkoi fizikisht shqiptarët dhe nuk mund t’i ndajë askush kurrë më sa ta ngrohë dielli tokën. E ky në fakt është “mëkati” i tij, mëkat që armiqtë e shqiptarëve dhe patriotët e mejhaneve nuk ia falin. Punët patriotike i bën Sali Berisha, fjalimet patriotishte ua len patriotëve të mejhaneve. Gjithmonë sa flasim e kemi fjalën për Udhën e Kombit, jo për punët e tjera të pabëra në këtë vend që duan patriotë të mëdhenj të kalibrit të Sali Berishës.

Kur të gjithë silleshin rreth minifundeve dhe kur rrezikohej seriozisht gjysma e kombit shqiptar – Kosova, Sali Berisha në vitin 1992 i kërkoi Aleancës së Atlantikut të Veriut, (NATO)-s, të bombardonte caqet ushtarake të Beogradit. Ashtu siç edhe ndodhi në pranverën e vitit 1999. PS-ja e asaj kohe u alarmua, vuri kujën se Berisha po na fut në luftë me Serbinë. Shihni gazetën “Zëri i Popullit” të atyre javëve dhe do të bindeni se socialistët e akuzuan Berishën pse kërkoi që NATO-ja të bombardonte Serbinë.

Por shqiptarët nuk i harrojnë dot ato kohë, ato bëma e të thëna.

Sharësit e Berishës kur duan e zvogëlojnë fuqinë e Shqipërisë, kur duan e zmadhojnë. Për ta ndërtuar Udhën e Kombit dhe tunelin thanë është marrëzi se ne nuk mundemi.

Për ta zmadhuar Shqipërinë e zmadhojnë kur ajo u duhet për të furnizuar makinerinë ushtarake të Beogradit me naftë nga Shqipëria në kohën e luftës për Kosovën. Kush është ai idiot që e han këtë. Kush është ai njeri me dy pare mend në krye që e beson se Shqipëria e vitit 1996 paska patur fuqi të furnizonte ushtrinë serbe me naftë.

Serbisë i vinin çisterna dhjetra mijëra tonëshe me naftë përmes Danubit nga Rumania, e cila ende sot e kësaj dite nuk e ka njohur dhe pranuar shtetin e Kosovës. E dinë këtë sharësit dhe pseudopatriotët, por nuk ju intereson ta thonë. Thjeshtë duan të gozhdojnë e kryqëzojnë Sali Berishën.

Është S. Berisha, si lider i PD, i cili që në lindjen e kësaj partie deklaroi haptaz dhe me krenari se çeshtja kombëtare shqiptare do të ishte ylli polar i kësaj force politike. Pa u lodhur, mund ta gjeni të shkruar këtë gjë në artikullin e tij në numrin e parë të gazetës “Rilindja Demokratike”, me 5 janar 1991.

Duke bërë Udhën e Kombit, udhën që bashkoi fizikisht shqiptarët, ky njeri dhe kjo forcë politike bënë aktin më të madh të patriotizmit që është bërë ndonjëherë në këtë vend e për këtë komb.

Forca tjetër politike e madhe e vendit tonë është Partia Socialiste e Shqipërisë, që ka në programin e saj politik vetëm gjysmë fjalie për ndërtimin e një partneriteti me shtetin e ri të Kosovës, ose 54 germa i kushton Kosovës. Rreth saj, dukshëm e padukshëm mblidhen prej dy dekadash edhe patriotët e mejhaneve bashkë me spiunët dhe ordinerët, me ishsigurimsat e ish drejtuesit e ndryshëm se ajo është parti ceculash, parti organizatash bazë aktive në çdo kohë.

Jo se mblidhen pak edhe përrreth Partisë Demokratike plot ish të dënuar ordinerë, përdhunues, plot bij pushtetarësh që s’kanë lënë gjë pa bërë në diktaturë, plot ish pushtetarë të rënë nga fiku që blenë kartat e të përndjekurve politikë. Dhe shyqyr që nuk është PD parti celulash por parti elektorale dhe nuk i shohim përditë disa fytyra përveçse kur arrijnë të zënë ndonjë karrigë pushteti. Sepse patriotët e mejhaneve atë zanat kanë, grazhd lypin, lëpirje bëjnë.



(Vota: 9 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora