E shtune, 20.04.2024, 06:51 AM (GMT+1)

Kulturë

Fatmir Minguli: Konceptualitete moderne në poetikën e Adem Zaplluzhës

E merkure, 14.03.2012, 07:42 PM


Konceptualitete moderne në poetikën e Adem Zaplluzhës

(Shënime kritike për librin “Sa  afër e sa larg”)


Nga Fatmir  Minguli


Që në  titullin e librit, autori përpiqet të na japë nocione të afërsisë dhe largësisë. Shumëkush mund të  kuptoje se poeti  ka në mendje vetëm afërsitë apo largësitë gjeografike. Kjo është e vërtetë, por është vetëm kuptimi i ngushte i kësaj shprehjeje. Poezitë e këtij libri qëllojnë me larg, ato bëjnë flurudhen parabolike që rrok vendet dhe kohët njëherësh. Poezia e tij, kështusoj merr dimensione universale dhe bëhet shumë vëllimshe, e aftë të prodhojë mendime, hamendje, përceptime e ide te guximshme. Edhe pse i kalon   kufijtë e fantazisë nëpërmjet figurave të shumta artistike, krejt të veçanta, poezia e Adem Zaplluzhës nuk është efemere, përkundrazi, ajo shpreh revoltën kundër artificiales, një revoltë, siç thekson Xhejms Xhojsi, që është një mënyrë shprehjeje kundër aktualitetit.


Bashkimi i të kundërtave


    Në poezitë e këtij libri poeti nuk bie në kthetrat e të pakuptimtës, fenomen ky te shumë poetë të ditëve tona. Kjo ndodh se  e pakuptimta mbështetet fort në kompleksin e të kundërtave, kompleks që poeti e ka për zemër. Ai përdor teknikën e pohimit të  një të kundërte që e ka thënë më parë në të njëjtën strofë apo poezi. Kjo është antifraza, një figurë e mirëfilltë letrare aq e preferuar nga poetë të shquar si Leopardi. E  thënë ndryshe,  kjo figurë në mënyrën si   e përdor Zaplluzha, e ka burimin teorikisht në psikologjinë e Frojdit. “Çfarë dite është sot kur dje ishte e shtune?/ Asnjë pëllumb nuk fluturoi/ Mbi çatinë e lagjes.” (Procesioni)
Te tilla forma ka me dhjetëra në librin Sa afër e sa larg por dhe në shumë libra të tjerë me poezi, ku nëpërmjet antifrazës poetike ai abstragon ajroren me tokësoren.
   Në të gjitha këto teknika brenda konceptit të antifrazës, Adem Zaplluzha i drejtohet shpesh dikujt pa emër,  i hakërrehet e i lutet, i kërkon mendim e pastaj ia kundërshton e kështu debaton pa fund. Por në esencë të këtyre veprimeve, ai koncepton të Plotëfuqishmin, Perëndinë apo “Mësuesin". Po kështu, pa kufij kohorë, ai merret me të padukshmen, qoftë mike, mitike apo armike, duke na dhënë figura letrare të guximshme, që arrin t’i fusë gjithë qytetin në trurin e tij: “Ti ike pa ditur rrugën/ se ku të çon/ mbete/ në muranën e kujtimeve.” (Murana e kujtimeve)
     Delikatesa dhe ashpërsia janë bashkërendse të poezisë në këtë libër. Duke mos qenë poet i euforisë, ai preferon ashpërsinë delikate antitezë të cilën  ai sjell që nga kohërat e Testamentit të Vjetër. prej nga vijnë tablo të gjalla nëpër rrugët plot shi e ngjyrë gri të qyteteve, aty ku "metaforat kërkojnë azil në dhimbjen e tyre të pashuar". Ashpërsia e poetit Adem Zaplluzha konsiston pak a shumë në teorinë  e poezisë të Bodlerit, ku faktet janë kokë fortë, ku ngjyrat e kohës s'kanë bukurinë e ekraneve televizive apo të kinemave  tredimensionale. Shqetësimi, kjo është ashpërsia e poezisë, një lloj rënkimi për dhembjet, mashtrimin, mosbesimin, kujtesën e daravitur. A nuk janë përgjithësisht të gjitha këto elemente si emblema të hidhura të kohëve që po jetojmë?

Duke i dhënë  përparësi konceptualitetit të kohës dhe të kundërtave në çdo qelizë të saj, Adem Zaplluzha tek përmend disa here tabllon e Deradiane të vajzës që mbush shtambën në kroin e fshatit na shpjegon se është balta ajo që krijoi jo vetëm shtambën. Kështu ai e sheh sendin si pragmatist por njëkohësisht edhe si analist e bën një kontravers, në dukje, me veten e tij, por nuk është ashtu! Te shtamba ai sheh kohën, periudhat e kaluara por dhe ato të ardhme që duket filozofikisht krejt bukur në poezinë "Dhembja e qiellit". Duke bërë analiza tipike frojdiane ai është njëkohësisht  dhe eksistencialist duke e konsideruar veten(njeriun) pafundësisht të panjohur: “Sonte me duket se kam filluar/ Ta  njoh vetveten,/ Unë nuk jam me ai/ Që isha para pak kohe/ Kam ndryshuar për shume shkallë.”


Forca e formës dhe e përmbajtjes


    Në librin "Sa afër e sa larg", Adem Zaplluzha shfaqet novator, ashtu si në shumë libra te tjerë të tij. Noviteti konsiston në një kombinim elastik të formës dhe përmbajtjes së poezive  të tij. Ky kombinim stoliset për bukuri me simbolizmin tradicional të kulturave të popullit shqiptar. Shpeshherë  poeti i referohet një shprehje të parapëlqyer nga ai, e "kafshuar nga koha", që përfaqëson një thirrje, simbol  e  modernisteve  ashtu si ka ndodhur me poetët e mallkuar francezë të cilët e transformuan formën ne dobi te përmbajtjes, duke tejkaluar sistemet tradicionale. Migjeni njihet për përmbajtjen e poezisë se tij revoltuese e për vargun e tij të lirë. Te Zaplluzha është po ajo përmbajtje si te Migjeni por forma është krejt tjetër. Poezia e tij është alineare, as e thyer e as e lirë. Ka formën e një katërvargëshi autonom që gjithsesi lëviz nga  strofa në strofë brenda një poezie. E prapë dallon lehtë si poezi e personalizuar e Zaplluzhës.

Me një qetësi modeste, ai fut njeriun si njeri real dhe njeriun metaforë. Njeriu i Zaplluzhës është ai i Sizifit, mitin e të cilit e bën motorino për çdo poezi. Në poezinë qytetare "Projektimi i rrugëve" kemi këtë strofë sizifiane: “Kur mbërrijmë/ Në fund të qëllimit/ vetëm atëherë e kuptojmë/ se ende s'jemi nis/ në projektimin e rrugëve.” Duke ndjekur forma moderne të shprehimit poetik, ai shpesh nuk është konkret me ngjarjet qe ka kaluar apo po kalon populli kosovar. Kjo bëhet me vetëdije të plotë nga poeti i cili është vazhdimisht në kërkim jo vetëm të temës (përmbajtjes), por edhe të formës. Një nga këto forma është ajo që përdor "iktusin" çka është pjesa me intensive e vargut e cila e alternuar me pjesët e vakëta apo pushuese na jep ritmin e poezisë. Iktusin, Adem Zaplluzha e përdor zakonisht në fund të poezisë si një normative personale e tij. Ne përputhje te plote me formën, lumi dhe lisi janë në qendër të shqetësimeve, janë metafora të trojeve të Kosovës përfshirë fshatin dhe qytetin. E nuk mjaftohet me kaq se ai bashkëpunon me dhe me kozmosin. E ul në trojet kosovare tek ata lisa e te ata lumenj  deri dhe te zambakët e ballkoneve. Poeti kthehet në mag por që kërkon ta zbusë mallkimin, forcën e tij. E kurrë nuk mungojnë baladat shekullore shqiptare: “Eja preke lotin/ dhe plagët e baladës/ Sonte/ Mund të prekësh çdo gjë/ E dashura grua. (Prekja jote)

Në tablotë e shumta te jetës kosovare që Zaplluzha na paraqet,shohim të lodrojnë si pa të keq ashtu si aktore të teatrit absurd lisat e mbështjellë me tisin e këtyre baladave te çmuara. Demonstrohet, në këtë mënyrë morali i tij qytetar te cilin e ka si objektiv, vizion. fakt për t’u konkretizuar. Është plotësisht brenda perifrazimit të kritikut të letërsisë, italianit bashkëkohës Lorenzo Renzi të shkruar në librin “Si të lexojmë poezinë": Poezia është një metaforë e nostalgjisë së nëe jete të rregulluar nga kritere morale, të pandotura nga kompromiset. Poezia shpreh, pra, nostalgjinë e një jete te rregulluar nga vlerat e njeriut e jo ato të parasë". Prandaj poetika origjinale e Zaplluzhës lodron si një muzikë që bashkon e largon ashtu si dy krahët e një fizarmonike, idetë e kundërta, afërsinë dhe largësinë, kozmosin dhe fijen e barit. Brenda kësaj lëvizjeje psikologjike që bën poeti, lexuesi shpesh dallon një fund që ndrit, një optimizëm modest, të thjeshtë ashtu siç është drita e vogël -xixëllonjë e fundit të një tuneli të gjatë. Poeti Adem Zaplluzha pikërisht këtë drite kërkon, arritjen e mundishme të fundit të tunelit.



(Vota: 14 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora