E premte, 29.03.2024, 01:20 PM (GMT)

Mendime

Kalosh Çeliku: Dudumët nën sqetullat e partive politike

E merkure, 14.03.2012, 08:01 PM


DUDUMËT NËN SJETULLAT

E PARTIVE POLITIKE

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

Dorën në zemër, falemnderit Zotit që edhe ne shqiptarët një ditë arritëm të festojmë Njëqindvjetorin e Pavarësisë të Shtetit Shqiptar. Merita historike, dihet kanë Rilindasit tanë të penës e pushkës. Vetëm, pas kësaj vepre madhështore na lanë pas vetes edhe shumë probleme të pazgjidhura. Dihet, jo edhe me fajin e tyre se, superfuqitë na i futën mbi tavolinë gërshërët në Londër. E para: nuk e bënë shtet ashtu siç duhet me të gjitha “nishanet”, po na lanë struke pa mëngë. E dyta: na lanë në gjysëm të rrugës. Dhe, e treta: nuk e ndanë egjërin nga gruri. Përmëtepër, me gjithë byk na futën në hambar. Shkak ky, që edhe sot e kësaj dite kemi probleme. Lëmsh i kemi bërë profesionet. Politkani merret me arsim e kulturë e mësuesi dhe artisti me politikë.

Ilustrimi më i mirë është Dita e sotshme e Njëqindvjetorit të Pavarësisë të Shqipërisë. Ditë, kur shqiptarët kurrë nuk kanë qenë më të përçarë se sa sot në këtë Njëqindvjetor të Pavarësisë të shtetit shqiptar. Turren me të katra duke u shtyrë me bërryla pas posteve politike. Themelimin e partive të reja politike për ta përçarë edhe më tepër këtë popull. Ende pa i vënë çatinë Shtëpisë, luftojnë për ndarjen e lugëve dhe enëve. Arat (trojet), dihet ua kanë lënë armiqëve shekullor. Ditë kjo, kur të gjithë shqiptarët nguten të shpallin e dekorojnë sa më shumë heronj dhe dëshmorë familjar, miqësor e klanor  të Atdheut. E në anën tjetër, i harrojnë emrat e personaliteteve historik, që vërtet i kanë dhënë shumë arsimit dhe kulturës shqiptare. Fatkeqësi kombëtare, për këtë popull liridashës që Ferexhezeza e ndjek si hije me vite e vite. Dudumët dhe gjysmanalfabetët edhe sot vendosin për fatin e shqiptarëve. Nuk bëhet fjalë këtu për bukën e gojës, vendeve të punës dhe posteve partiake, por për çështjen shqiptare ende te pazgjidhur edhe sot e kësaj dite. Bukë dhe ujë shqiptari ka pasur gjithmonë nëpër shekuj, po i ka mungurar liria. Shteti etnik shqiptar. Pavetëdije, që përsëri e ka lënë në duart e dudumëve dhe gjysmanalfabetëve nën sjetulla të partive politike.

Përditë i sheh para kamerave televizive pa fije turpi se si fotografohen plot zhurmë e piskamë edhe këtë Njëqidvjetor historik. Vetëm se, të shkretët kanë bërë pak punë për t’u krekosur si gjelat mbi gardh, thirrin agimin. Anembanë Atdheut festojnë të përçarë sipas bindjeve dhe tekave të partive politike. Secili më patriot dhe trim se shoku. Merreni me mend në këtë Ditë festive të Motit Madh, ata merren me njëri-tjetrin “zbulimin” e dosjeve komuniste. Luftë bëjnë për pushtet. I vizitojnë të vdekurit, u vënë kurora lulesh mbi kokë sipas arshinit dhe bindjeve të partive politike. Ndonjëri, më guximtari u thotë diçka, ndonjë fjalë sakate edhe mbi kokë. Përçdudi, them me vete: si nuk zgjohen ata të vdekur nga varri dhe t’i përzënë me shqelma halldupët.

Njëqind vjet është dashur të presim ne shqiptarët që publikisht pa frikë të vishemi kuqezi, përbaltim flamurin kombëtar edhe mbi varre. Shkollat dhe rrugët t’i emërojmë me emra të personaliteteve shqiptare. Edhe pse, këtë punë shumë më parë, më në nivel dhe me tru e ka bërë Ernest Koliqi, si ministër shqiptar i arsimit. Kohë ajo, kur i mbuloi me mësuesë vullnetar nga Shqipëria të gjitha trojet etnike shqiptare. Shkollat shqipe i pagëzoi me emra të personaliteteve shqiptar. Vetë, për bela arrita pak ditë të jem dëshmitar i gjallë i asaj kohe para perëndimit të “Shqipërisë Madhe”, mësuesit kur vinin në shkollë me kësula të bardha. E hapnin orën e mësimit me himnin kombëtar dhe vjershat e Rilindasëve nëpër librat e këndimit: Naimit, Fishtës, Pashko Vasa, Asdrenit, Çajupit e Ndre Mjedjes me shokë. Në fotografi, në fund të vitit shkollor kur e gjithë klasa dilnim me kësula të bardha.

Vite më vonë (1979/80), kur do të kthehem nga Kosova si mësues nëpër fshatrat e malësisë së Shkupit, do t’i gjej gjurmët e tyre  të thella ende të pashlyera mes këtyre maleve. Përinat, edhe pse këto shkolla periferike ishin nën gunën e shkollave qëndrore maqedonase, ende i ruanin me xhelozi emrat me të cilët i kishin pagëzuar pishtarët e parë të arsimit: “Skënderbeu”, “Ismail Qemali”, “Fan Noli”, “Naim Frashëri”, “Pashko Vasa”, “Asdreni”, “Liria”, Faik Konica… Posta dhe revistat shkollore: “Fatosi”, “Gëzimi” dhe “Pionieri” nga Kosova edhe në atë kohë  të errët komuniste, na vinin me adresë në emër të këtyre personaliteteve shqiptar. E di, ju do të thoni: kush ua ka vënë veshin juve atje mes atyre maleve. Pushteti i atëhershëm komunist, ndoshta edhe as që e ka ditur se ju  frymoni, ende jeni gjallë në mesin e egërsirave. E vërtetë, në këto male siç duket nuk ishte ngjitur dot as turku. E dini pse, jo nuk e dini. Edhe unë u habita me traditën dhe mikpritjen e këtyre malësorëve. Shtëpitë pa gardhe e mure. Nuk kishin as xhami të fshatit, po kishin shkollë në gjuhën shqipe. Gratë e pambuluara të përshëndetnin kur të takonin në rrugë. Traditë kjo, që nuk ndodhte në Shkup. Edhe pse, Shkupin e dija si qytetin më fanatik në botë, për shkak se këtu e kisha kryer shkollën e mesme normale. E dija e dhe si merr frymë. Vetëm, në atë kohë i dija dy-tre fshatra shqiptar, edhe atë falë shokëve që i kisha në klasë. Nuk e dija se këtyre maleve nuk ishte ngjitur dot as këmba e turkut për ta përhapur fenë islame me fanatizëm. Vonë, shumë vonë (1980), unë me ardhjen time si mësues nëpër këto fshatra të malësisë së Shkupit, do të mësoj se: Shkupi nga të katër anët ishte i rrethuar me fshatra shqiptar. Padashtas, në atë kohë mësova se këta banorë ishin të regjistruar si turq, edhe pse nuk e dinin asnjë fjalë në gjuhën turke. Fshati Tisovicë, ku punoja unë në fillim si mësues, i gjithë fshati me dhunë ishte shpërngulur në Turqi dhe pas një muaji pasi atje nuk u kishte pëlqyer jetesa, përsëri i gjithë fshati ishte kthyer në vendlindje.

Regjistrimi i vitit 1981, do ta ndryshojë shumë situatën e këtyre anëve. “Turqit”, kësaj radhe do të regjistrohen si shqiptarë. Numri i nxënësve në shkollën e vetme fillore në gjuhën turke “Tefejuz” me mësuesë shqiptar, do të bie dukshëm nga viti në vit. Ndonjëri aty-këtu ende vazhdon të regjistrohet si “turk”, pa e ditur edhe një fjalë të vetme në gjuhën turqishte, po kjo është tjetër punë, histori më vete e kësaj ane den baba den shqiptare me të cilën duhet në të ardhmen të merren historianët.

Në këtë shkrim, nuk e pata këtu qëllimin, Shkupin e banuar me shqiptarë. Fjalën e kam në tjetër vend, “kodër pas bregu”. Emërimin e sotshëm të shkollave shqipe, rrugëve dhe institucioneve shqiptare. Aspak, nuk jam i kënaqur me propozimlistat e dudumëve dhe gjysmanalfabetëve shqiptar nën sjetullat e partive politike. E kanë bërë lesh e li politikën, arsimin dhe kulturën shqiptare. Haj ta zëmë në atë kohë u kishin faj “vëllezërit”, po sot në ditën e sotshme kush e ka fajin?! Edhe atë: në këtë kohë kur kemi me dhjetra parti politike shqiptare, nga dy-tre Lidhje e shoqata të arsimatarëve, Unione të intelektualëve, institucione kultorore. Ende nuk dinë cilët emra mund t’i bartin shkollat shqipe, e cilët rrugët, institucionet kulturore shqiptare. Përgjumshëm, propozojnë emra aty ku nuk e kanë vendin si personalitete. Me siguri ata emra i kanë dëgjuar në xhami, nëpër çajtore ose gjatë fushatave zgjedhore të partive politike. Asgjë nuk dinë më shumë për këto personalitete. Shembull skandal: Emri i artistit. Punëtor arsimi gjithë jetën, emri i të cilit i jepet një rruge. Në vend që t’i jepet një shkolle, institucioni kulturor. E të mos flasim për emrat tjerë të bejlerëve e pashallarëve (prodhime me afate të skaduara turku), që pakgjë kanë bërë për arsimin dhe kulturën shqiptare, që u jepen sot shkollave shqipe. Dudumët me veprimet e tyre “patriotike” përdhosin personalitetet shqiptare. Ose, nga nënsjetullat e partive politike trumbetojnë se: Shqipëria dhe Kosova kanë mbetur në mëshirën “patriotike” të dudumëve kuqezi. Njëkohësisht, harrojnë se festat kombëtare nuk janë manifestime që i takojnë vetëm një partie politike, po festa kombëtare që i takojnë mbarë popullit shqiptar. Përmëtepër, në këtë kohë kur para dhe pas Luftës së Dytë Botërore edhe ky popull i kësaj ane ka dhënë me bollëk personalitete historike të luftës, arsimit dhe kulturës shqiptare: Sulltanë Qafa, Kalosh Zajazi, Xhemë Gostivari, Mahmut Dumani, Azem Morana, Sadudin Gjura, Sali Lisi, Nexhat Pustina, Mehmedali Hoxha, Mehmet Gega… Personalite këto, që në atë kohë pushtuese i rrokën armët për liri e dije, hapën shkollat e para shqipe në këto anë.

Faji, nuk është gjithaq vetëm i partive politike shqiptare, po edhe i individëve të papërgjegjshëm të arsimit dhe kulturës shqiptare. Partizanët partiak, edhe unë pajtohem me atë thënjen humoristike: “ku di gjë mësuesja”, siç thotë shpesh Sala. Edhe pse një pjesë të fajit  e kanë edhe ata si faktorë kryesor politik të shoqërisë, sistemit të shtetit demokratik. Vetëm, habitem me veprimet dhe trurin e dudumëve arsimor e kulturor nën sjetullat e  partive politike, vërtetë nuk dijnë apo janë të paguar të përhapin sa më shumë huti e padituri në Rilindjen e sotshme shqiptare…



(Vota: 47 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora