E merkure, 24.04.2024, 05:48 PM (GMT+1)

Kulturë

Myzafere Mustafa: Disa veçori të prozës gojore të Plavës dhe Gucisë

E merkure, 14.03.2012, 09:03 PM


Disa veçori të prozës gojore të Plavës dhe Gucisë

 

Nga Dr. Myzafere Mustafa

Këshilltare shkencore Instituti Albanologjik i  Prishtinës

 

Plava dhe Gucia i takojnë një krahine etnografike shqiptare e cila për shkak të rrethanave politike, ka ngelur në territorin e Malit të Zi, ndërsa për shkak të reliefit gjeografik dhe në mungesë të rrugëve ka ngelur e izoluar nga trojet etnike shqiptare. Këta faktorë kanë ndikuar që një pjesë e kësaj etnie të asimilohet, një pjesë tjetër të emigrojë  në botën e jashtme, kryesisht në SHBA dhe gjetiu, ndërsa një pjesë e vogël e popullatës që ka ngelur në trojet e veta vazhdon të ruajë identitetin nëpërmjet të gjuhës  dhe  kulturës shpirtërore, pjesë e së cilës është edhe krijimtaria letrare gojore. Në këtë krahinë etnografike krijimtaria letrare gojore shqiptare shquhet për tematikën dhe motivet që shtjellon qofshin ato kombëtare apo universale si dhe për ruajtjen e disa trajtave  gjuhësore arkaike të cilat i hasim  qysh në veprat e shkrimtarëve tanë të  vjetër, që nga  Buzuku. Proza gojore e kësaj krahine etnografike ka një shtrirje në të gjitha zhanret e saj, si në: përralla, fabula, kallëzime, gojëdhëna, anekdota, pleqni, rrëfime për personalitete të njohura të Plavës dhe Gucisë etj. Nga format e vogla apo të shkurtra shquhen: gjëegjëza, enigma, fjalët e urta, urimet, betimet, mallkimet, fyerjet etj.

E gjithë kjo krijimtari shpirtërore shquhet me vlerën letrare artistike, gjuhësore, filozofike, etike, njohëse etj.

Përrallat, si formë letrare artistike reflektojnë dukuri dhe botëkuptime  të lidhura me jetën, me universin, me dëshirat, synimet e njeriut. Në to trajtohen probleme  që thellësisht  lidhen me botën e brendshme të individit, ku secili marrës sheh apo gjen diçka nga bota e vet e brendshme shpirtërore, nga synimet apo aspiratat për realizimin e dëshirave personale si dhe nga bota e jashtme që e rrethon.

Përrallat e Plavës dhe të Gucisë kanë vlerën e tyre, sidomos  për motivet arkaike që  trajtohen  në to dhe për gjuhën  e pasur të të folmes lokale. Në këtë krahinë etnografike është ruajtur një idiomatikë artistike me elemente të gjuhës lokale që janë veçori e kësaj të folme. Përrallat kryesisht reprezentojnë strukturën kompozicionale  të këtij zhanri. Në disa nga këto krijime veprimi zhvillohet sipas  etapave  që e karakterizojnë strukturën zhanrore, siç janë: prishja e  harmonisë, apo shfaqja  pakënaqësisë, apo thjesht shfaqja e dëshirës  për kërkim, largimi,  takimi me dhuratëdhënësin  apo këshillëdhënësin, vënia në sprovë e heroit, kalimi i pengesave, kryerja e detyrave të  rënda, rinjohja, martesa etj. Ka në mesin e tyre edhe përralla me strukturë të mirëfilltë mitike, ku heroi i përrallës i kryen detyrat dhe i realizon qëllimet me ndihmën e  mjeteve mitike apo të ndihmësve mitikë. Por, në disa nga këto përralla, pas vënies së heroit  në sprovë,  nuk pason marrja e mjetit apo mjeteve mitike me të cilat më vonë heroi do t’i kryejë detyrat e rënda për të arritur realizimin e synimit. Në rastet e tilla  heroi  i përrallës i kryen  detyrat  e rënda  falë zgjuarsisë dhe  gjendshmërisë e jo duke u  bazuar në mjetin mitik apo në ndihmësin mitik. Krijimet e tilla me disa veçori i afrohen kallëzimit, por fryma e strukturës dhe e idesë së rrëfimit dhe etapat e kalimit të pengesave i afrojnë më shumë  me zhanrin e përrallës.

Dihet se përrallat e  shumë popujve  të botës  përmbajnë motive të përbashkëta dhe mu për këtë arsye i shquan dimensioni i tyre universal, si pjesë e trashëgimisë dhe mendësisë njerëzore. Përrallat, pra  përmbajnë motive të njohura në popuj të ndryshëm të botës, si pjesë e trashëgimisë së lashtë mitike. Një ndër motivet që njihet në përrallat e popujve të botës është motivi i vuajtjes së heshtur, të cilin e ka trajtuar  studiuesi francez i përrallës François Flahault. Sipas tij, ky motiv shqipton gjendjen  e botës shpirtërore pra gjendjen brendshme të heroit apo heroinës të shprehur me imazhe e jo me fjalë. Në përrallë, vuajtjet e tilla të heroit për dëgjuesin bëhen të gjalla duke u nisur prej një forme të vuajtjes paqartësisht të përjetuar nga ai, dhe së cilës heroi ose heroina e këtyre përrallave ua jep formën. Madje vetë fjala « vuajtje » nuk është cekur asnjëherë nga rrëfimtari, shton ai. Gjendja e brendshme e cila lexuesin e bën ta përjetojë rrëfimin, në vend se të jetë (e shqiptuar MM) direkt me etiketa, në saje të një fjalori psikologjik (terminologji të ndjenjave, të emocioneve, të qëllimeve, të dëshirave), është e shoqëruar me konfiguracione specifike të relacioneve dhe aksioneve.[1] Sipas Flahault vuajtja e heshtur është motiv i shumë përrallave që e përdorin dhe e transformojnë atë dhe i cili na sjell një fije të re përçuese për të hyrë në « mendimin » e përrallës, ndërsa mendimin e  përrallës dhe pasojat e vuajtjes së heshtur i vë në lidhje me kontekstin e traditës dhe të mendësisë përkatëse sociokulturore.

Sipas tij përrallat na bëjnë të dallojmë dy tipa ose thënë më mirë të konsiderojmë një provë në dy pikëpamje të ndryshme sipas asaj që prova vihet në pozicion të nënshtrimit apo përkundrazi të dominimit në raport me dike tjetër. Njohja e sekretit është nganjëherë ndëshkimi, nganjëherë shërimi. Të gjitha këto tregime, me një fjalë, parashikojnë që secili prej personazheve, kur hyn në relacion me tjetrin, e sheh zonën e vet të shtrembëruar dhe është i mposhtur në qenien e vet: në këtë takim lidhet ndërvarësia e dëshirave të tyre. Përralla duket e kënaqur të ekzistojë në mënyrën e një pjese muzikore, pa thënë asgjë. E megjithatë, edhe pse nuk na lë asnjë mesazh, e ndjejmë se diçka nga ne interesohet.

Motivin  Flahault e analizon në disa tipa  përrallash. Në grupin e parë e trajton vuajtjen e heshtur në përrallat e tipit Gënjeshtarja, ku heroina e përrallës  shkel ndalesën dhe hyn në hapësirën e ndaluar, në grupin tjetër i analizon përrallat në të cilat heroi i përrallës pëson për hir të mbajtjes së fshehtësisë lidhur me rrezikun e jetës së bashkëvepruesit apo bashkëvepruesve të tij, në një grup më vete i ndan përrallat e tipit njohja e gjuhës  së kafshëve dhe një grup tjetër më vete i veçon përrallat në të cilat heroi zbulon fshehtësitë e veprimeve të personazheve të përrallës.

 

Në prozën e Plavës dhe Gucisë motivin e vuajtjes së heshtur e hasim në përrallat: Gjarpni dhe çobani, Ma mirë m’u fikë n’ rini se n’pleqni, dhe Çika çi e ruejti t’dekunin  12 vjet  dhe në krijime të tjera.

Në përrallën Gjarpni dhe çobani,[2] heroi i përrallës mëson gjuhën e kafshëve, këtë dhunti ia dhuron gjarpri, të cilit ai ia kishte shpëtuar jetën. Kur e heton gruaja se burri po e ndryn një fshehtësi e detyron atë që t’ia zbulojë sekretin. Më të zbuluar të fshehtësisë e humbin pasurinë dhe vdes burri. Në këtë variant të kësaj përralle burri bie në grackë, nuk u reziston kërkesave të gruas dhe e pëson. Në variantet e tjera që i hasim në përrallat tona heroi nuk ia tregon fshehtësinë gruas, prandaj dhe nuk e pëson. Në përrallë është e panatyrshme që të pësojë heroi, por si duket përralla ka marrë kahen e gojëdhënës, ku gabimi i heroit pason me pësim.

Në përrallat Ma mirë m’ u fikë n’ rini se n’ pleqni [3],  Çika qi e ruejti t’ dekunin 12 vjet [4], fati i paracaktuar që më parë është shkaktar i vuajtjes, të cilën vuajtje do t’ia shkaktojnë heroinës personazhet antagoniste. Pas shumë peripecive vuajtjet  përfundojnë me  ndëshkimin e  shkaktarit të dëmit.

Kallëzimet janë krijime që edhe aktualisht janë në qarkullim folklorik në traditën letrare gojore  e po ashtu edhe në  krijimtarinë folklorike të Plavës dhe Gucisë.

Një sërë kallëzimesh, objektin e rrëfimit e marrin nga realiteti jetësor. Në to trajtohen dukuri  të ndryshme, të lidhura me ndodhitë jetësore nga të cilat nxirret një mësim  a përvojë që e vlen të transmetohet  nga brezi në brez. Krijimet e tilla duke u bartur nga një krijues në  tjetrin, gjatë procesit narrativ, tregohen me mjete dhe shprehje të zgjedhura artistike, duke  pasur intencë jo vetëm ndikimin moral, etik por edhe krijimin e ndjenjës estetike te marrësi. Në krijimet e tilla, me kalimin e kohës, gjatë procesit të qarkullimit, zakonisht bien elementet që lidhen me ngjarjet konkrete dhe rrëfimi ngrihet në një nivel  më të ngritur artistikisht. Nëpërmjet të diskursit të filozofisë popullore kallëzimet shtrijnë edhe ndikimin moral dhe etik, pa e lënë anash edhe ndikimin estetik. Teksti  i tyre nuk imponohet me fjalor predikues, por nga tërësia e përmbajtjes përçohet mesazhi etik, moral dhe filozofik. Herë - herë krijuesi gojor brenda rrëfimit artistik inkorporon natyrshëm elemente nga ambienti autentik nga rrjedh ai krijim apo ku rrëfehet.

Kallëzimi me titullin Ka keq e ma keq [5] edhe pse trajton një motiv të njohur ndërkombëtar, por edhe kombëtar, në strukturën tekstore reflekton ambientin, mentalitetin, e malësorit, doket e fejesës patriarkale që janë praktikuar në këtë trevë. Djali do të martohet me një vajzë e cila konsiderohej marroqe dhe:

“Shkon e lyp te baba i saj.

-         Për ke e ke? – e dvet baba i saj.

-         Për veti, - thotë.

-         Jo nuk kam vajzë për ty. E kam nji vajzë po ajo â’ teveqele. S’ asht për martesë. Ma merr ftyrën. Asht e marrë krejt. Ti je burrë n’za, i shpisë mirë, tana dyert i ke t’çiluna, Ku t’ duesh gjen grue, n’daç t’bukur n’daç t’sojit.

-         Paj,  thonë, burri i mirë e man ni grue t’keqe (...)

Baba i vajzës  i mlodh vllazninë. U thotë:

-         Na ka ra n’konak ky burrë. Asht ka ma lyp vajzën.Û i kam kallxue se ajo a teveqele, se s’ asht për tâ, por ky thotë e ka ba njet m’e  marrë për grue...Si po jau merr menja, a ja epim vajzën a ja bajmë për hajr.

-         Po ja epim. Po bâja  për hajr i thonë.”

Po në këtë krijim krijuesi gojor shqipton imazhe nga ambienti tipik malësor, që është shqiptim i mënyrës së jetesës, veshjes dhe  pjesëve të saj, i bulmetit që përdoret në atë zonë blegtorale etj.

 

“Ky burri e lidhi kalin e shalës për  n’ni hu t’gardhit n’oborr e hin mrena. Ajo i ban muhabet deri n’fyt: buk çerepi, djath t’pamazitun, shllinë t’mirë, mazë t’zieme, tambël dhesh e çka po do tjetër. Han ky e gopatet. N’fun pin ujë t’ ftoftë t’gurrës.”

(...)

 

S’po vonoj ..., - i thotë ajo dhe çohet e çil arkën dhe tana  teshat e veta t’nusnisë çi i ki pasë: çarapë, zaprega, pshtjellak, kunra, ruba, vijona, fiste dhe krejt arin e sermën ia lidh me konop e ja garkon lopës n’shpinë dhe ja qet n’oborr”.[6]

 

Sipas njësive të shënuara mund të thuhet se në këtë krahinë etnografike janë të preferuara rrëfimet  që trajtojnë bëmat dhe  trimëritë e personaliteteve të ndryshme të Plavës dhe Gucisë, të cilët janë shquar me veprimtarinë e  tyre patriotike kundër sundimtarëve të huaj, qofshin ata turq apo sllavë. Veprimet e këtyre personaliteteve kundër pushtuesve rrëfehen në popull nga njerëzit e trevës që i përkasin ata. Këto  rrëfime ruajnë primesën e tyre lokale prandaj edhe tregohen në rastet kur flitet për çështjet e mbrojtjes së atdheut në kohët kur ishte rrezikuar identiteti kombëtar, në periudha të ndjeshme historike, sidomos  kur ishte bërë presion  fizik dhe psikologjik nga pushtuesit e huaj në popullatën shqiptare të këtyre trevave, në rastet kur këto territore etnike shqiptare i janë shkëputur  me dhunë tërësisë etnike dhe  gjeografike të Shtetit Shqiptar. Rrëfime të tilla  tregohen për Avdyl Pepën e Pepajve, Daut Ibishin e Brunçajve, Daut Cukën, Ahmet  Agën e Gjonbalajve  etj. Madje rrëfimet e tilla kanë filluar të marrin  trajtën e gojëdhënës, i tillë është rrëfimi Eu, Avdyl Pepa ta zifsha jetën.

Anekdotat trajtojnë shkurtimisht ndonjë ndodhi nga e cila është nxjerrë një mësim a një porosi me vlerë filozofike, etike, morale etj. Në ndonjë rast ato trajtojnë çështje e dukuri që kanë ndodhur në të kaluarën, por që përkojnë me realitetin që po e  jetojmë në kohën e sotme. Edhe pse trajtojnë një ndodhi që ka ndodhur ose ka mundur të ndodhë në një rrethanë konkrete, me përmbajtjen e tyre ato rrezatojnë kuptime me vlerë gjithëkohore.

Në anekdota të tilla zakonisht rrëfehet  për përvojën individuale, por ideja kryesore është që eksperienca individuale të shërbejë si përvojë kolektive, si konkluzion me  vlerë etike, filozofike, jetësore. Për ta kuptuar domethënien e tekstit të anekdotës duhet njohur mentalitetin e mjedisit, rrethanat e kohës kur është krijuar, si dhe  rrethanat e rrëfimit. Në anekdotat e mirëfillta mesazhi del nga  shembulli i veprimit të individit të caktuar në një situatë  jetësore, e cila situatë  atë individ  e kishte vënë para sprovave të ndryshme. Shembuj të tillë ka shumë, siç janë anekdotat : Gjaku nuk dahet,  Liria e popullit, Kulija e zezë e ujqit, Je kenë dardhë e egër, Herë po ma kana herë s’po ma kana, Rrapshjani dhe malsorja, Njeriu i meçëm, Ujët e mirë, por.., e  shumë të tjera.

Pleqnitë gjithashtu zënë një hapësirë në vëllimin  e prozës gojore të Idriz  Ulajt. Ato janë krijime që janë praktikuar në traditën tonë zakonore, prandaj i gjejmë të jenë praktikuar edhe në Plavë e Guci. Prania e tyre edhe në trevën e Plavës dhe Gucisë ka rëndësi të veçantë, sepse dëshmohet ekzistimi dhe vitaliteti i këtij zhanri në të gjitha viset ku jetojnë shqiptarët, si dhe dëshmohet pasuria, uniteti i krijimtarisë dhe kulturës sonë kombëtare.

Pleqnitë, u atribuohen personaliteteve të njohura, zakonisht pleqnarëve të trevave të ndryshme, të cilët i kanë zgjidhur konfliktet e ndryshme, zgjidhja e të cilave përkon me mentalitetin dhe botëkuptimet e jetës patriarkale të shqiptarëve, me doket dhe me zakonet e traditës. Në pleqni thuajse i gjejmë të sintetizuara, shumë nga normat zakonore, sipas të cilave është ndarë drejtësia gjatë shekujve. Është një gamë e pasur e dukurive etnike dokesore që bëhen objekt trajtimi i pleqnive si bie fjala: mbrojtja e nderit të individit, familjes, fisit, bajrakut, zgjidhja e ngatërresave etj. Disa nga pleqnitë e Plavës dhe Gucisë trajtojnë mënyrën e ndarjes së drejtësisë nga institucioni i pleqnarëve, apo nga individi në periudha të ndryshme kohore. Pleqnitë e tilla përçojnë mesazhe humane lidhur me urtinë popullore dhe kodin zakonor shqiptar. Të tilla ka shumë por po i veçojmë pleqnitë: Edhe gozhda qet n’sherr, Kur t’vramit i merren armët, Sqapi i cingares krye për krye me gjelin, N’pleqni kurr s’duhet m’u gutë, Katrresa për megjë, Pleqnia e djalit dymdhetë vjeç etj.

Në pjesë të vëllimit të prozës së Plavës dhe Gucisë e zënë edhe një sërë fabulash, tregime gojore këto, të cilat konsiderohen ndër më të lashtat, të cilat njeriu i kishte menduar qysh nga koha kur ekzistencën e kishte të varur nga gjuetia e kafshëve. Rrëfimet e tilla i trajtojnë marrëdhëniet në mes të kafshëve, luftën në mes karakterit të specieve të, fuqive dhe aftësive të ndryshme. Të gjitha këto qenie dhe vetitë e  tyre njeriu i ka krahasuar dhe i ka barazuar me vetitë, virtytet dhe veset e njeriut dhe ka krijuar një zhanër i cili  reflekton raportet ndërmjet  kafshëve por dhe të insekteve dhe bimëve, që në të vërtetë reflektojnë marrëdhëniet ndërnjerëzore por edhe raportet njerëzore me natyrën dhe qeniet e saj. Në parim në këto tregime vihen në pah virtytet dhe të metat  e një qenieje jo njerëzore, por  ato veti korrespondojnë me virtytet a të metat e njeriut. Mu për këtë arsye në këtë zhanër është theksuar karakteri  universal i syzheut, i personazheve etj. Fabulat e Prozë së Plavës dhe Gucisë përmbajnë një sërë karakteresh të përfaqësuara  nëpërmjet figurave të kafshëve, shpendëve, insekteve, bimëve por edhe dukurive  natyrore.

Në vëllimin e prozës së Plavës dhe Gucisë janë shënuar pak gojëdhëna, krijime këto të prozës gojore të cilat objektin e rrëfimit e koncentrojnë në besime, bindje apo besëtytni lidhur me etiologjinë e dukurive apo fenomeneve të ndryshme të disa qenieve apo dukurive, të cilat sipas religjionit apo besimit të lashtë popullor ato qenie apo dukuri ishin transformuar për shkaqe të ndryshme e të cilat shpjegohen nëpërmjet të rrëfimit. Nga ky rrafsh dallojmë gojëdhënat për frymorë, gojëdhënat për toponimet, për personalitetet historike  dhe jo historike, gojëdhënat mitologjike etj. Janë të njohura bie fjala gojëdhëna të cilat trajtojnë fuqinë mitike të Skënderbeut.

Në vëllimin e Prozës gojore të Plavës dhe Gucisë kanë hyrë edhe format e shkurtra, të cilat studiuesit i konsiderojnë si zhanre më vete. Nga format e vogla  apo të shkurtra  janë sistemuar disa Enigma të cilat  krijime janë të ngjashme  me Gjë e gjëzat por në to nuk kërkohet të gjendet një objekt a dukuri, por në to trajtohen lidhjet e ndërlikuara  familjare e farefisnore që duhen zbuluar nëpërmjet lojës së fjalëve.

Fjalët e urta kanë zënë një hapësirë të rëndësishme në mesin këtij  vëllimi të prozës gojore. Këto krijime me një fjali  shprehin një mendim  me  porosi didaktike, etike dhe filozofike. Ndonjë herë fjalët e urta dalin nga  tregimet e  ndryshme (shih kallëzimin e  cituar më lart)  nga të cilat mbahet mend vetëm  porosia e  rrëfimit në formë të fjalës së urtë. Këto  krijime të dendura dhe të shkurtra trajtojnë pothuaj çdo dukuri që lidhet me jetën duke dhënë përkufizimin e mendimin  i cili përçon një mesazh.

Gjë e gjëzat po ashtu janë sistemuar brenda vëllimit të prozës gojore. Janë këto krijime në të cilat përshkruhen cilësitë e objekteve dhe dukurive të lidhura me natyrën, jetën etj. Gjëegjëza, si zhanër i krijimtarisë letrare gojore së bashku me mitin, fabulat, përrallat dhe proverbat është njëri ndër llojet e mendimeve më të hershme të formuluara e të përhapura. Një përparësi e këtyre formave ndaj krijimeve tjera gojore, e në mesin  e tyre edhe e gjëegjëzës, janë karakteristikat esenciale si përbërje metaforike, si dhe e krahasimeve dhe perceptimeve të ngjashmërive dhe dallimeve. Gjëegjëzat zakonisht sajohen  në trajtë të pyetjes metaforike, e cila pyetje në tekstin e saj cilëson veçoritë e objektit të kërkuar. Krijimet e tilla zakonisht funksionojnë për ta zhvilluar  logjikën e të menduarit, por edhe për të ushtruar fëmijën që objektet dhe dukuritë e  ndryshme që e rrethojnë t’i përshkruajë me fjalor figurativ, artistik.

Betimet,  urimet  mallkimet janë po ashtu pjesë e krijimtarisë letrare gojore, të cilat kanë  rëndësinë e tyre për të parë se si shprehen ndjenjat dhe emocionet  në raste, gëzimi, urimi, mallkimi, pra dëshpërimi.

Krijimtaria jonë letrare gojore e brenda saj proza gojore është  praktikuar dhe kultivuar që nga lashtësia dhe gjithnjë nëpërmjet të saj është kultivuar ndjenja për pasurimin e botës shpirtërore emocionale, ndjenja  për të  bukurën, pastaj edhe për etikën.

Përkatësia lashtësore e kësaj krijimtarie dëshmohet ndër të tjera me motivet mitologjike kombëtare dhe universale të trashëgimisë së popujve të botës, pjesë e së cilës është edhe krijimtaria jonë letrare gojore.

Një vlerë e veçantë e  kësaj krijimtarie të traditës folklorike është struktura  e shprehjeve gjuhësore lokale, disa forma arkaike të ruajtura që janë specifike për ketë trevë etnografike shqiptare, si dimension i botës së pasur shpirtërore dhe kulturore.

 



[1] François Flahault, La pensée des contes, Anthropos, Paris, 2001.

 

[2] Shih: Prozë popullore nga Krahina e Plavës dhe Gucisë,Instituti Albanologjik , Prishtinë,2011, f. 36.

[3] Po aty. f.45.

[4] Po aty f.52.

[5] Po aty f.58,

[6] V.i cit.f. 58.



(Vota: 40 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora