E shtune, 20.04.2024, 12:06 PM (GMT+1)

Mendime

Emine Bakalli: Shqiptarët si mbetje osmane

E marte, 13.03.2012, 08:54 PM


Shqiptarët si mbetje osmane

 

Nga Emine Bakalli

 

Kur në ekranin e TV shqiptar po shihja një figurë të prezantuar si diplomat turk, që po i drejtonte kritika Historiografisë shqiptare, e cila paska lajthitur sepse në të  bëhej fjalë për Pushtim Osman, ndërkaq që të tillë nuk paska pasur, desha të besoj, madje shumë, se ky është reflektim individual i një të riu, i një diplomati, i cili e paska humbur rrugën.

 

Por përkundër gjakimit tim, zërat në këtë drejtim u shtuan dhe kulmuan me deklaratën e ministrit turk të Jashtëm, Ahmet Davutogllu, gjatë vizitës në Kosovë, tash së fundi (verë 2011), se shqiptarët duhet të heqin dorë nga historiografia e kohës së “Titos e të Enverit”. Kështu, çështja doli shumë më e thellë dhe serioze sesa mendohej. Pra, aspak nuk bëhej fjalë, siç po krijohej bindja, për terminologji joshkencore dhe joadekuate që evidentohej në tekstet shqiptare të historisë andej e këndej kufirit (Shqipëri dhe Kosovë) lidhur me Perandorinë Osmane. Në fakt, e gjithë kjo fushatë kundër Historiografisë shqiptare qartësohet nëse ia hedh një sy librit “Thellësia Strategjike”, autor i së cilës është ministri në fjalë turk. Në këtë libër voluminoz dhe duhet të them jashtëzakonisht imponues (pjesët të cilat i lexova), shqiptarët cilësohen si Mbetje Osmane (f. 382), e cila mbetje si e tillë ka rolin e vet në thellësitë e strategjisë politike turke në plan të gjerë ndërkombëtar dhe në “ekuilibrat zonale” (f. 96). Dhe, sipas autorit, nëse Turqia synon përmasat e një fuqie të tillë, duhet të ketë parasysh mësimin e psikologut Laing, i cili pohon sa vijon: ”Personi i cili bëhet i huaj për trupin e vet, gjatë kohës humb edhe elementet e vazhdimësisë personale dhe përpiqet të perceptojë vetveten me një vetvete false të përkufizuar pandërprerë jashtë vetës”, sa më shumë që të thellohet kjo ndjenjë kriza rritet dhe personi hyn brenda një labirinti krize…”. Nga kjo, Davutogllu nxjerr analogjinë vijuese: ”Ekuivalenti i trupit të personit në nivelin shoqëror është dimensioni histori/hapësirë. Tjetërsimi i shoqërive ndaj dimensionit të vet historik/hapësinor është si hyrja e personit në një vetvete false, duke u tjetërsuar ndaj trupit të vet”(f.86). Sakaq, dimensioni historik/hapësinor i Turqisë është Perandoria Osmane, fati i së cilës “u përvijua në Ballkan”…

 

Dhe gjithçka është e qartë. Nëse kjo formulë zbatohet për shqiptarët përmes një vetëdije të re të imputuar si Mbetje Osmane, atëherë ata do të duhej të “vetëdijesoheshin” se kanë devijuar rrugën në kohën kur po vetidentifikoheshin përbrenda tyre dhe në relacion me të tjerët si Komb Shqiptar. Natyrisht, e para e punës që historianët shqiptarë do të duhej të bënin në këtë rast është që të mohojnë pushtimin osman, dhe, në vazhdim të kësaj, historiografia shqiptare do të duhej që të rivlerësojë (lexo anatemojë) të gjithë ata që iu kundërvunë Perandorisë Osmane duke nisur me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, duke vazhduar me lordët shqiptarë (siç i quajnë historianët europianë Bushatasit e Tepelenasit), të cilët patën për synim formimin e shtetit shqiptar, me Rilindësit shqiptarë, me prijësit popullorë shqiptarë, me elitën politike e intelektuale shqiptare të të gjitha kohërave, pra e gjithë atyre dhe asaj që janë shtyllë e vetëdijes qytetare e kombëtare të shqiptarëve.

 

Por çka t’i bëjmë të vërtetës historike që shqiptarët, jo me dëshirën e tyre, u detyruan që identitetin e vet kombëtar e shtetëror ta ndërtojnë në konfrontim të përhershëm me Portën e Lartë, si pasojë e mohimit dhe ndalimit që vinte nga kjo anë. Konfrontim ky që kulmoi me organizimin e Revolucionit Kombëtar Shqiptar të vitit 1912, e i cili Perandorisë Osmane ia imponoi kërkesat vërtet të reduktuara, por që e rëndësishmja ishte se me zbatimin e tyre mbi të gjitha do të definohej, përkatësisht zyrtarizohej, përkufizimi hapësinor i tyre (Shqipëria në kufijtë etnikë) në të cilën hapësirë ata e ndienin veten krejt komodë me vetëdijen e konsoliduar për prejardhje iliro-arbërore, banorëve autoktonë të kësaj pjese të Europës, dhe se ata- shqiptarët, gjuha e tyre shqipe, doket e zakonet e tyre, që ishin krejt tjera nga ato të osmanëve, kishin mbijetuar, zhvilluar dhe ishin bazë e fuqishme konvergimi brendakombëtar.

 

Por në gjithë këtë preokupim ka një moment relaksues, dhe ky është fakti se klasa politike shqiptare, këndej e andej, e ka të qartë raportin midis Politikës dhe Historiografisë: Politika larg Historiografisë, apo siç deklaruan nivelet më të larta politike të dy shteteve shqiptare: “Historia shkruhet nga akademikët” dhe se “historianët kanë para vetes një detyrë: ta thonë të vërtetën dhe asgjë pos të vërtetës”. Historianët e ndërgjegjshëm e me etikë profesionale kaq duan. Ndërsa e vërteta është se historianët shqiptarë dhe shqiptarët në përgjithësi, kanë nevojë madje të madhe për një klimë e cila do t’u mundësonte që të merren me veten e tyre në kuptimin më të mirë të fjalës, pra një klimë europiane.

 

Nuk jam e informuar sesa janë në dijeni bota intelektuale turke dhe vetë ministri në fjalë turk, se mendimi shqiptar sot, si Mbetje Osmane e konsideron haxhiqamilizmin e perënduar në vitin 1915, dhe se në fakt kjo sintagmë zgjon një ndjenjë të keqe e dëbuese te shqiptarët.

 

Ndërkaq, ajo që ne duhet të na bëjë të lumtur është fakti se në produksionin elitar mendor shqiptar nuk gjenden konstruksione fyese e mohuese për turqit si popull e komb. Përkundrazi. Duke filluar që me kujtimet e Teodor Muzakës dhe të birit të tij, të cilët humbën gjithçka me rastin e pushtimit osman të Shqipërisë -“hapësirës shqiptare”, evidentohen edhe mendime afirmative për turqit. Madje, Neoshqiptarët e famshëm përkundër faktit që kreu shqiptar mbreti Zog, ishte shumë këmbëngulës dhe në krahasim me Turqinë avanconte në rrugën modernizuese-oksidentalizuese, në fillimet e tyre predikonin Kemalizmën (Kemal Ataturku), me çka nënkuptonin reforma të cilat Shqipërinë me pozitën e jashtëzakonshme gjeografike do ta shndërronin në një pjesë organike të kontinentit të saj-Europës.

 

Ka kohë që shqiptarët dhe Turqinë i lidhin shumë fije miqësore e sidomos prezenca e miliona qytetarëve me prejardhje shqiptare në atë vend. Që kjo miqësi të jetë e përhershme, duhet vetëm diçka: që nga Turqia shqiptarët të perceptohen si një Komb në “hapësirë/trup të vet” (Kosovë, Shqipëri etj.), e i cili ka një synim madhor strategjik: akomodimin në Bashkimin Europian.

 

*Profesore në Katedrën e Historisë-Fakulteti Filozofik-Prishtinë.

 



(Vota: 9 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora