Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shpëtim Kastrati: Poezi nga vëllimi "Mëkati i Gurit"?

| E marte, 13.03.2012, 08:55 PM |


Shpëtim Kastrati

 

 

SHEKSPIRI

 

Ende rri tek xhami i thyer portreti i Shekspirit,

Nuk e di qyshkur por më kujtohet me lehtësi;

Ishte një natë dimri, një natë e deformuar

Dhe kokëprerë me trupin shtrirë perpara,

Një britëm-portë që kërkëllinte vazhdimisht nga era

Dhe nga hedhurinat që si specie kozmosi

Fluturonin gjithandej sa të mundnin

Mbi ëngjëllin e sajë që kërkonte një varr.

Kur papritur unë hyra në skenë i hutuar,

Si e para herë, zemra vuante dhe goditej

Brenda gjoksit sikur thyente rimën dhe herë

Sikur çante gogësima nëpër xhepa. Unë

E vështrova në sy Shekspirin, tej rrudhave, ai

As që e lëvizi qerpikun nga portreti

Dhe dergjej me vështrimin e thellë vetëm

Në skenë, ku e gjelbra dhe e verdha drithërohej

Nga një vagullim i zymtë në lojën e rreptë,

E pash me vëmendje edhe njëher kometën

E ankthit, atij vetëm hunda ju skuq pak,

Si drita e vakët e skenës dhe vazhdonte

Te ndiqte lojën e brezave në pështjellat e letrave

Te tij, ku ende digjej feneri i rilindjes.

Dhe më së fundi ai foli, thirri pranë,

Më parë Romeon me të keqen e tij në terr,

Pastaj edhe Zhuljetën në gjunjë me frutin e brengës,

Unë mbeta edhe njëherë fillikat në skenë e mbytesha

Më ndihmonte vetëm muzika dhe regjizori

Që nga guva përtej diç llomotiste dhe bënte

Me shenja të marrta, por ndërkaq unë e braktisa

Skenën me një lloj ikje të pakorigjuar,

Sepse nuk kishte tepër kohë as për magjiken,

Koha e bërjes së Sfinksit kishte mbaruar dhe

Unë u vura në kërkim ku te drekoja i qetë.

Rrugës mu kujtua autori përtej xhamit

Me hundën e skuqur nga vuajtja e fatit

Të skenës dhe portreti i tij përplasur pas derës,

I degjeneruar në relike per njerëz që nuk

Do të thyhen edhe më tutje në kohë.

 

 

UNE THEM TE VERTETEN

 

Unë them të vërtetën, deri në thelb,

Që peshku jeton lakuriq dhe pikë.

Dhe peshku është kokëderr dhe pikë.

Mos u lodhni kot,

Me shkencat tuaja, me llogaritë tuaja,

Për të populluar detin

Në mënyrën më të përafërt civile.

Me aeroporte prej xhami,

Me markete të nëndheshme,

Me reklama të larme, me semaforë…

Mos imagjinoni kot,

Deti keto nuk i nxë

Në parajsën e tij

Dhe peshku nuk ju bindet juve.

 

 

KUR IMAGJINATA BEHET DESHIRE TE GJUAJE ENDRRAT!

- triptik -

                                     

I  

 

Kur imagjinata…

Nga rrënjët e barit dhe lëngut te tij këmbëngulës,

Nga balli i një vinxhi te lartë,

Nga kripa e zezë e pashkelur nga putra e bishës,

Nga gota e verës dhe thërmijave të saj prej dheu,

Nga aureola e artë ku krihen pemët,

Nga kështjella e shqiponjës ku tringellijnë dy zilka,

Nga frymëmarrja e lehtë e lumenjëve,

Nga asfalti poroz pa qilimin e kuq,

Nga qeliza e kokrrës së grurit që më është ngulur në tru,

Nga vaksina e Shekspirit për dashurinë,

Nga telegrami i hënës që mora mbrëmë,

Nga mbathjet e tim eti të pahekurosura,

Nga gota e çajit të një shkencëtari të harruar në parmak,

Nga fustani i grisur i pranverës nga çamarokët,

Nga gjinjtë e elektrikut duke i thithur qumështin,

Nga zemreku i kyçur i një pushke,

Nga kokrrat e rërës ku numërohen qeliza,

Nga barku i një balene ku fjeta një natë,

Nga burgu i trimave ku plaken trimat,

Nga currili i sorumit të tanishëm,

Nga palca e ullirit dhe gishtrinjëve të tij delikatë,

Nga përrenjtë që rrjedhin aty ku kanë lindur,

Nga rezidenca magjepëse e peizazheve të nëndetit,

Nga shkronjat e abetares që digjen tek gishtat e fëmijes,

Nga marketi i shkrepseve të shpresës,

Nga shigjeta e vetëtimës që thyen një natë të thellë,

Nga buza e shpuar e peshkut që tani luan me valën,

Nga syri i madhë kreshnik i lulediellit,

Nga dega e njomë e dafinës së pakëputur,

Nga mirënjohja e zogjëve që banojnë afer nesh

        Sapo është ngritur nga djepi…

 

II

 

 …bëhet dëshirë…

Atje ku hiri i fatit është hedhur në një vazo luleje,

Atje ku ylberi i bëhet urë shiut në Maj,

Atje ku pulëbardha klith me shpresë për ta dëgjuar,

Atje ku studenti i mërmërin gjeniut kodik,

Atje ku akullorja rri e patrembur në dorën e një fëmije,

Atje ku vështrimi zhytet në horizontet e thella,

Atje ku deti shurroset nënvete nga Nimfat e robëruara,

Atje ku nata griset në thërmija pëshpërimash të ëmbla,

Atje ku vreshtat rrjedhin gjak të dëshiruar,

Atje ku një liqen buzëqesh si fëmijë për motrën tënde,

Atje ku hendeku shembet nga dora e shtrirë,

Atje ku nektari pikon në çantën e dorës së një gruaje,

Atje ku një anije iluzionesh mbytet larg brigjeve,

Atje ku tërfili zhytet në mendim të thellë,

Atje ku zogu i delfinit luan me imazhin e opalit të hapsirës,

Atje ku gjembat e iriqit trembin luanët,

Atje ku lumi shkon për të mysafiruar,

Atje ku druri merr formën e tij të mëparshme,

Atje ku bishti i kunadhes s’ka kuptim nga llampat e rrugës,

Atje ku akulli klith nga thika e pabesë,

Atje ku zambakët marrin përmasat e krahëve të njeriut,

Atje ku urat shtojnë çastet e takimeve,

Atje ku sythet e ylbertë janë duke ëndërruar,

Atje ku një shatërvan shtrydhet në pafajsinë e tij,

Atje ku thyhen udhët e rrezikut në luadhe,

Atje ku manat hapin xhepat e tyre për krimbat e mëndafshit,

Atje ku trishtimet vijnë me trena dhe derdhen në lum,

Atje ku jehona bukuroshe shtrihet në shtratin e përroit,

Atje ku lëngu i prillit të deh me parabolën e fluturës së vet,

Atje ku dëshira mëson përmendësh emrat e rinjë

…të ecë me këmbët e veta…

 

III

 

…të gjuajë ëndërrat!

Për premtimin që lundron si valë,

Për ikonat e dallëndysheve në faqet e abetares,

Për të bashkuar ishujt në rrugën e qumështit,

Për të pirë të kuqin e buzëve në gotën e ujit,

Për shiun e yjeve me shampanjë sheqeri,

Për gjethet e drizës në gostinë e Gilgameshit,

Për të zgjatur hekurudhat mbi oqeanet e qeshur,

Për qerpikët e palmave në fytyrën e rrufesë,

Për shtëpitë e molusqeve me dritare të mëdha,

Për këmbët e urës së pagjumë ndër brigjet e mirënjohjes,

Për shtegun e mundshëm të sorkadhes në asfalt,

Për plagën e trëndafiltë që shuhet nga puthjet,

Për të vjelë frutat e bëra në degët e reve të përhimta,

Për vellon e gjelbërt të një lope,

Për idetë e shkuara që thërmohen në ujvarë,

Për peisazhin në shtratin e gjumit,

Për ditët kur qeshqan në ballin tënd të gdhendur,

Për hapsirën e një ketri në tehun e dëshpërimit,

Për të dielat tona që i numërojmë në dritëditë,

Për burimin që është në fillimin e vet që kur u zgjua,

Për poemën e re që fluturon nga dritaret e gjimnazit,

Për mjeshtërinë e zjarrit që nga dashuria digjet,

Për heshtjet tona që i vemë në gjum për të qëndruar të qetë,

Për xhunglën me kallama ku janë arratisur mbretërit,

Për ngjyrat që na krijojnë kur sapo i njohim ato,

Për atë që ndodhë dhe bëhet muzikë për veshin e një zogu,

Për argjendin e fjetur në degët e pemëve që ato ruajnë,

Për portat e hapura si nënat,

Për garën e akrepave të orës drejt shpirtformimit,

Për të mbjellë ëndërra me mollë në tokën e Adamit

 …nga bregu në breg!

 

 

FUSHE E GJERE

 

Në fushën e gjerë

Kërpudhat e thënies.

 

Zgjimi

Ne fillimin e tij.

 

Zogjtë në kërkim

Te vlimit të cicërimës së tyre.

 

Zgjerimi i diellit

Kokëposhtë

Deri në psherëtimën e dheut.

 

Gjembi zgjuar atje,

Miu ne gjumin e mundimshëm,

Njeriu, pasthënie e vetes së tij.

 

 

PERSIATJE

 

Dhe megjithatë

Ti perseri më kërkon mua

Dhe zogu kërkon pemën

Dhe stuhija një pirg ku të ndalet

Dhe gjëegjëza gjuhën e shkathët

Dhe bleta polenin për shijen e sajë

Dhe jehona duke përgjuar tingullin

Edhe të gjitha aviten në mua

Duke përcjell në mendje

Buzët e detit me rërë

Për të më shkulur rrënjët e harresës.