E shtune, 20.04.2024, 02:00 PM (GMT+1)

Kulturë

Thani Naqo: Ronitja e pemëve të thata fillon nga maja

E marte, 13.03.2012, 08:56 PM


RONITJA E PEMËVE TË THATA FILLON NGA MAJA

 

(ESSE)?

 

Nga Thani Naqo

 

Zhorzh Simeon, autor i romaneve detektivo-policeskë, është shprehur në një intervistë se atij nuk i pëlqejnë frazat e shkruara bukur. Nëse një e tillë, (frazë, a fragment) i kishte "shpëtuar pa dashje", ai, me kënaqësi, e shprishte atë, e bënte të thatë, mjafton të mos kishte lëng letrar.

Pohim i çuditshëm!

Mirëpo Zhorzh Simeon bëri emër që me librat e parë dhe më shkon mendja se ai hyn në paraardhësit e letërsisë kriminalistike. Kinematografia, si një nga zhanër- koncernet më të mëdha të biznesit në art, e përpin këtë lloj letërsie, paçka se është e thatë dhe pa "limfë" letrare. Zhvillimi i kësaj lloj letërsie bëri qe sot librat e bestsellërve të jenë kryesisht romanet detektivo-policeskë. Kjo gjë i shtyu edhe emra të njohur shkrimtarësh me famë botërore të lëvrojnë letërsi komerciale: personazhe pa fytyrë dhe pa penelim linjash natyrale.

Pa ngjyra dhe komoditet ndjesor letrar.

Ngado që "kthej syrin e mendjen" përpara më shfaqet një pyll i përcëlluar nga flakët, ku kanë mbetur drurë të thatë: ato roniten vetë nga koha dhe ronitja fillon nga maja.

Zhvillimi i kësaj letërsie ndikoi në çorroditjen ndjesore tradicionale tek lexuesit në përgjithësi, por ndikimi i saj solli shterpësinë ndjenjë-përfytyrim tek brezi i ri, i cili u "miqësua me këtë shije të re thatanike", fenomen që pushtoi fundin e shekullit të shkuar dhe shekullin që jetojmë sot. Shijen e lexuesit të sotëm e tërheq kërraba nga letërsia ankth-ngjarje. Plagjiaturë në subjekt, me sfond tashmë të njohur skematik: shirita të verdhë dhe enigmë -ngjarje. Pavarësisht se këto libra janë të një niveli letraro-artistik shumë të dobët, çuditërisht ato bëjnë emër pasi i nënshtrohen vizionit filmik. Pra, në plan të parë doli ngjarja, ku shpesh triumfon antiheroi. Kjo lloj letërsie shkruhet me frazeologjinë e përshtatur me të folmen e përditshme të ekranit televiziv, apo me fjalorin e thatë gazetaresk. Nga kjo lloj letërsie zgjidhen kryesisht subjektet. E tejfolura në lajme përgatit opinionin i cili ndikon aq shumë sidomos në biznesin e artit kinematografik. Kjo lloj letërsie komerciale sot gati barazohet me numrin e filmimeve të tyre. Pra, në subkoshiencën e shikuesit, atë, "limfën letrare" që nuk mundet dot ta japë shkrimtari, e plotësojnë aktorët.

Këtë fenomen mund ta quaj "simbiozë" midis këtyre dy llojeve të artit.

 

Librat voluminozë, sidomos serialet romaneske të dikurshme dhe ato që shkruhen sot, kërkojnë vërtet lexues të ngeshëm. Mirëpo koha sa vjen dhe bëhet më e mangët edhe për të ngeshmit. Pjesa me e madhe e kohës harxhoht para ekranit të vogël dhe atij të madh, i cili plotëson fare lirshëm jo vetëm sfondet botërore, por edhe problematikat që përcjellin ditën e këtij shekulli. Në çdo minutë del një shpikje shkencore dhe kjo pasohet me ngjarjet e befasishme në rang botëror. Të gjitha këto të vijnë përpara syve, kudo që të ndodhesh. Për shembul, mbaj mend se romani Lufta e Paqja, në  moshën e rinisë, më "gëlltiti" një behar të tërë. Pas dy viteve, kur shkova në kinostudio, këtë vepër e pashë të filmuar dhe kësaj herë më hëngri katër orë. Nuk dua të zgjatem me efektet ndjesore-përfytyruese që të dhuron libri artistik dhe as të bëj krahasimin se çfarë efekte më trasmetoi arti filmik. Ky fenomen lë shumë për të diskutuar, por unë sot kam parasysh problemin që del me lexuesin masiv për librin artistik, mbasi për këtë lloj "ftohje" ankohen shumica e shkrimtarëve.

 

Po e mbyll këtë parantezë, ( hapur më lart):

Shpesh na lind përshtypja se edhe veprat e shkrimtarëve dhe poetëve të famshëm botërorë, sidomos i të vjetërve, kanë mbetur arsenal i bibliotekave. Ato sot lëçiten nga studjues të artit dhe, pak-o-gjë, nga lexues të mirëfilltë të brezit të avancuar. Kjo çështje, e mosleximit, sidomos nga brezi i ri, sa vjen e ndërlikohet, duke vënë në pykëpyetje zhvillimin e letërsisë "me lëng limfor" në shekullin që jetojmë dhe në ato që do të vijnë.

Mendja më shkon sërish tek zhvillimi i shkencës në përgjithësi dhe sidomos perfeksionimi i artit vizional. Ky art bën përpara më shpejt se subkoshienca jonë tradicionale dhe krijon shkëputje nga mosnjohja e tërësishme. Kështu lind mospërputhja në kohë, në hapësirë dhe problematikë dhe kjo mospërputhje është e pamëshirshme sidomos në të shkruarit e letërsisë së mirëfilltë. Kjo mospërputhje vihet re midis brezit të ri dhe brezit të vjetër. Brezi i ri disponon mjetin elektronik, tamam si një shqisë universale që shikon dhe dëgjon dhe nuk kja nge të lexojë. Kufja në veshin e brezit të ri thëthin vargjet poetike të shekullit, pavarësisht nga mediokriteti i tyre që përcillet nëpërmjet tingujve muzikorë, etj etj etj.

Megjithëse egziston koncepti se superstrukturës së dikurshme komuniste iu hoq koka me shpatën e demokracisë, porse nga rrënjët e saj dalin çuditërisht filiza të rinj, "filiza nën shartesë". Mirëpo këto filiza janë të mbushura me gjemba dhe frutat e tyre janë të hidhura...

Imitimi i të shkruarit të letërsisë sipas modeleve të vendeve të tjera, ka filluar të venitë tradicionalitetin. Ky fenomen ndodh me kombet e vegjël. Por gjithkush e di se venitja sjell tharjen. Ajo "e zhvesh pemën tradicionale nga limfa që e dallon me të tjerat". Një zhveshje e tillë është me pasoja kombëtare.

Atëherë të mënçurit e ngrenë zërin:

kjo letërsi nuk "mban erë" letërsi shqiptare.

Mos gjë ky mendim është fondamental? Mos gjë edhe librat qe shkruhen sot, në këtë frymë majmun-imituese, nuk gjejnë as lexues në diasporë, pa lere pastaj në Shqipëri?

Fenomeni i ftohjes së lexuesit masiv me librin artistik, për ne që jetojmë në diasporë, nuk na çudit aq shumë. Tendenca e grupimeve sipas politizimit masiv ka pushtuar botën shqiptare. Fenomen, alla shqiptarçe! Sa për të qeshur aq dhe për të vënë kujën! Qyqja, none!

Thonë se, kur sëmuren mjekët, ata vuajnë shpirtërisht më shumë se pacientët e tyre. Mjekët e dinë me hollësi se çfarë ndodh në çastin kur jep frymën e fundit. Dhe ky mendim jo optimist vyshk perspektivën kur shikon lloj-lloj librash që duartrokiten me paf-pufe fishekzjarresh sipas grupimeve partiake.

Shkrimtarët dhe poetët trishtohen, por ama edhe qeshin nën buzë.

Ata e dinë se reklamat politike kanë vlera aq saç kanë gazetat e ditës.

 

Mbaj mend se dikur na i ndanin librat politikë me bordero, sot, çuditërisht ndahen sipas klaneve komerciale.

 

Kjo situatë është pauzë me vlera letrare-groteske.

Sa gjatë do të mbajë kjo pauzë?

Le të na e thonë analistët e shekullit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora