E diele, 04.12.2022, 01:39 AM (GMT)

Kulturë

Demir Krasniqi: Këngë të motrave për vëllezërit nga Maësia e Gollakut

E hene, 12.03.2012, 08:02 PM


Nga folklori ynë :

 

KËNGË TË MOTRAVE PËR VËLLEZËR NGA  MALËSIA  E GOLLAKUT

 

Shkruan: Demir KRASNIQI

 

Se sa janë të dashura motrat për vëllezër , këtë më së miri mund ta shohim përmes ciklit të këngëve popullore , të cilat ato në vazhdimësi ua kushtojnë vëllezërve të tyre dhe që vëllezërit për motra gjithmonë janë frymëzim i pashtershëm në krijimtarinë tonë muzikore autoktone .

Kësaj radhe , kemi përzgjedhur vetëm një tufë këngësh popullore nga ky cikël, të cilat i kemi mbledhur e shënuar nga fshatrat e Malësisë së Gollakut , kah fundi i viteve të 60-ta dhe gjatë viteve të 70-ta .

Një karakteristikë të veçantë të këtij cikli të krijimtarisë muzikore burimore nuk duhet harruar për ta cekur , se tradicionalisht , motrat u kanë kënduar dhe kushtuar shumë këngë vëllezërve të tyre , por mentaliteti ynë tradicional nuk e tregon as edhe një shembull të vetëm se vëllazërit  u kanë kënduar këngë motrave të tyre!

Karakteristikë tjetër të cilën e hasim në vazhdimësi në të folmen dhe këndimin tradicional të popullatës së Malësisë së Gollakut, janë barbarizmat e mbetur në trashëgimi nga gjuha osmane dhe ajo sllave .

Kënga e parë që i paraprinë kësaj tufe të këngëve , flet për një realitet të ri historik të popullatës autoktone rurale e cila fillon të migrojë për herë të parë në relacionin fshat – qytet . Ky migrim , fillimisht bëhet për shkaqe të punësimeve të djemurisë shqiptare , të cilët për herë të parë fillojnë të punësohen nëpër vende të ndryshme , si zyrtarë shtetëror (“slluzhbenika”) , ku edhe marrin paga të rregullta mujore nga shteti .

Punësimi i të rinjve shqiptarë , posaçërisht atyre fshatarë , llogaritej si një e arritur shumë e madhe , dalje nga kriza ekonomike dhe varfëria . Djemëve të punësuar nëpër punët e shtetit , do t’ua kishte lakmi çdo kush, por gëzimin më të madh për këtë do ta përjetojnë motrat e vëllezërve të punësuar , të cilat nuk do të rrijnë anash pa e shprehur këtë gëzim përmes vargjeve dhe këngës së tyre :

 

LUMJA UNË KAM VLLAZNI SHUMË

 

Lumja unë, kam vllazni shumë,

Gjysa n’ sheher– gjysa n’ katun!

 

Ata n’ katun – janë shpijanika,

Ata n’ sheher – janë slluzhbenika!

 

Slluzhbenika janë edhe kan me kan,

S’ po kan paret ku mej lanë!

 

S’ po kan paret ku mej lanë,

Veç poj vnojnë n’ oborr si sanë!

 

Me hapjen e shkollave të para nëpër fshatrat rurale , fillimisht i këndohej mësuesit dhe lakmohej pozita e tij . Por , me zhvillimin e shkallëve më të larta arsimore , tani do të avancohen edhe titujt e mësimdhënësve , të cilët do të kualifikoheshin për lëndë mësimore individuale dhe profesionale dhe të cilët më nuk do të quheshin mësues, por arsimtarë .Këtyre sukseseve dhe të arriturave shoqërore, askush nuk  do të iu gëzohet më shumë se sa motrat e vëllezërve të cilët janë specializuar për arsimtarë të mësimit lëndor dhe ato menjëherë do t’iu këndojnë këngë vëllezërve të tyre duke theksuar edhe veshmbathjen e tyre e cila dallon dukeshëm nga të tjerët që nuk janë arsimtarë :

 

VLLAVI I JEM KMISHËN ME NI LULË

 

Vllavi i jem, kmishën me ni lulë,

Arsimtari, qi jepë fiskullturë.

 

Vllavi i jem, kmishën me ni pikë,

Arsimtari, qi po jepë fizikë.

 

Me fillimin e arsimimit dhe punësimit te të rinjve nëpër vende të ndryshme pune , krijohen kushte shumë më të mira për jetesë edhe në fshatrat e largëta rurale , ku pos të tjerash , të rinjët shqiptarë për herë të parë fillojnë të blejnë edhe vetura (limuzina) me të cilat do ta ndihmojnë udhëtimin e tyre shumë më të shpejtë, më komod dhe me këtë do t’i ndihmojnë edhe familjarët e tyre .

Blerjes dhe drejtimit të veturave dhe automjeteve tjera të udhëtimit , askush nuk do të iu gëzohej më shumë se sa motrat e atyre vëllezërve të cilët i kanë blerë dhe që i drejtojnë ato . Prandaj gëzimin e tyre për këto të arritura , do ta shprehin nga shpirti i tyre përmes vargjeve dhe melodisë së këngës :

 

E KAM VLLAVIN ÇKA I GRAHË LIMUZINËS

 

E kam vllavin,

Çka i grahë limuzinës

Çka i grahë limuzinës,

Për mjedis Prishtinës.

 

E kam vllavin,

Çka i grahë dramës

Çka i grahë dramës,

Për mjedis Tiranës.

 

E kam vllavin,

Çka i grahë autobusit,

Çka i grahë autobusit,

Për mjedis të Shkupit.

 

Pas punësimeve të vëllezërve shqiptarë nëpër vende të ndryshme pune, qoftë si zyrtarë, mësues, arsimtarë, shoferë ...do t’iu vie radha që dikush prej tyre të punësohet edhe nëpër zyra të ndryshme si sekretar . Ky titull i shkallës së punësimit do t’i bënte lakmitarë shumë të rinjë të papunësuar , e sidomos vajzat e pa fejuara do të bëheshin lakmitare që të fejohen me ndonjë djalë të ri që është i punësuar si sekretar !

Me këtë titull të punësimit , do të krenoheshin edhe motrat për vëllezërit e tyre të cilët punojnë si sekretarë në Komunë (Opshtinë), ku gjatë tërë ditës do të shkruajnë letra me makinë , që ishte zëvendësim i lapsit .Ato nuk do ta lëshojnë rastin për t’iu thurë këngë dhe për t’iu kënduar sukseseve të vëllazërve të tyre :

 

E KAM VLLAVIN SEKRETAR

 

Lulë e kuqe, lulë e bardhë,

E kam vllavin sekretar.

 

Sekretar, qi rrin n’ Opshtinë

Po i shkruen letrat me maqinë.

 

Me maqinë e me kalem,

Mirë po i shkruen vllavi i jem.

 

Krenaria më e madhe në jetën e vajzave fshatare ishte ajo e kohërave kur vëllezërit e tyre filluan të shkolloheshin me të madhe, nga se ato e dinin mirë se vetëm shkollimi mund t’i nxjerr njëherë e përgjithmonë nga terri shekullor . Shkollat më të preferuara të asaj kohe ishin shkollat normale , nga të cilat përgatiteshin kuadrot e reja për mësues , por më vonë të rinjët do t’i joshin edhe gjimnazet klasike , shkollat teknike deri tek fakulteti .

Vajzat fshatare , të cilat atëbotë nuk e kishin fatin që të shkojnë në shkolla bashkë me moshatarët e tyre meshkuj, do t’ua kishin shumë lakmi këtyre të rinjve dhe do të ëndërronin që një ditë ato të fejohen dhe të lidhin martesa me djemë të shkolluar dhe arsimuar ! Nga lakmia për t’u shkolluar , ato fshehurazi i vëzhgonin nga dritaret e shtëpive të tyre , djemtë e ri të cilët po shkonin nëpër shkolla dhe prapë kur ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre , ato do t’i vëzhgojnë me një etje të pashuar :

 

E KAM VLLAVIN N’ SHKOLLË NORMALE

 

E kam vllavin n’ shkollë Normale,

I la vajzat me krye n’ dritare!

 

E kam vllavin në Gjimnaz,

Tana vajzat po i shkojnë mas!

 

E kam vllavin n’ shkollë Teknike,

Tana vajzav’ do me u ra pika!

 

E kam vllavin n’ Fakulltet,

Tana vajzat janë mushë hilet!

 

Sukseset e vëllezërve të çfarëdo profesioni qofshin ato , për motrat e tyre do të sjellin vetëm gëzime dhe frymëzime për t’u kënduar atyre me plotë dashuri dhe krenari . Për motrën , do të jetë kënaqësi edhe kur vëllai i saj punon në cilësi të shitësit në ndonjë dyçan , apo shitore , nga se përveç pagës së rregullt mujore , vëllai që është shitës , do të ketë mundësi që t’i blejë nuses fustan edhe veresi kur të kërkon nevoja .

Për profesionin e vëllait i cili punon si inxhinier , motra do të këndojë e gëzuar nga se vëllai do të ketë mundësi materiale që t’i blejë nuses së tij edhe fustan me tel, gjë që të tjerët që nuk janë inxhinierë nuk do ta kenë atë mundësi materiale :

 

E KAM VLLAVIN DUGAJXHI

 

E moj, e kam vllavin, dugajxhi,

Na i bjen Lulës, fustan veresi.

 

E moj, e kam vllavin, inxhinier,

Na i bjen Lulës, fustan me tel.

 

Në vargun e të arriturave shoqërore , sidomos në sferën e punësimit te të rinjve shqiptarë nëpër funksione të ndryshme zyrtare , gjatë kohës së regjimit komunist llogaritej si një privilegj i madh për ata të cilët arrinin që të punësohen nëpër komitete të ndryshme . Përveç pozitës së lakmueshme që kishin ata, rrethi konsideronte se ata përveç privilegjeve tjera , posedojnë edhe paga të mëdha dhe kanë aq shumë para se nuk dinë se ku t’ua gjejnë vendin !

Për vëllezërit që kanë pasur fatin të punësohen nëpër komitete të ndryshme, motrat e tyre do të këndojnë kështu :

 

T’ LUMET NA KENA VLLAZNI

 

E moj, t’ lumet na, kena vllazni,

E moj, na i kan thirrë në komisi.

 

E moj, n’ komisi, moj, n’ Komitet,

E moj, vllavi i jem, pare po pret!

 

E moj, s’ po ka ven, se ku me i lanë,

E moj, dil n’ oborr e vnoj si sanë!

 

E moj, vinë argatt te tanë me ren,

E moj, marrin rrogë te vllavi i jem!

 

Koha kur djemëria shqiptare e shkolluar , kishte arritur që shkrimet me laps t’i zëvendësojë me makinë shkrimi , konsiderohej si një arritje e madhe në letrat shqipe.

Kur motra e shikonte vëllain duke shkruar me makinë në dhomën e tij të punës, asaj i bëhej zemra mal nga gëzimi dhe ajo menjëherë do t’i këndonte këngë vëllait kështu:

 

E MUSHA BAKALLIN E LASH N’ TAVOLINË

 

E musha bakallin,

E lash n’ tavolinë,

Gjeta vllavin tem,

Tuj shkrue me maqinë.

 

Tuj shkrue e gjeta,

Tuj shkrue e lash;

Ma muer Zoti gojën –

Mirë dita , s’ i thash!

 

Deri vonë , në fshatrat e Malësisë së Gollakut , konsiderohej si sjellje jo e moralshme për djelmoshat e rinjë , po qe se ata do të shkonin diku pa e vu kapelën mbi kokë ! Këtë ua preferonte në vazhdimësi edhe imami i fshatit , duke predikuar se gjoja “myslimani nuk bënë të ecë kryeshtruat “! Është e vërtetë faktike se në vitet e para të hapjes së shkollave shqipe , vite me radhë kanë shkua nxënësit nëpër shkolla me kapela mbi kokë dhe vajzat poashtu me kokë të mbuluara me shamija .

Me zhvillimin e hovshëm të shkollimit te të rinjve , bartja e kapelave nëpër shkolla filloi të braktiset dhe në vend të tyre , djelmoshat e rinj filluan të bartin krahëra , pasqyra , t’i krehin flokët dhe të krijojnë frizura të ndryshme sipas dëshirës së tyre . Këto frizura , nuk iu shpëtonin vajzave të reja pa i parë dhe pa iu lakmua atyre djelmoshave . Për këtë risi dhe qytetërim të arritur në mesin tonë, motrat me ëndje do të iu thurin vargje dhe do t’iu këndojnë këngë vëllezërve të tyre :

 

HASAN VLLAVI – TALLAZIN MI SY

 

Kush na i ra dritarës karrshi?

Hasan- vllavi, tallazin mi sy!

 

Hiqe vlla tallazin, se u qorrove,

Çikat e Gillanit, naj tranove!

 

Naj tranove edhe e muerën bregun -

Lum kush e merr Hasan – begun!

 

Lum kush e merr e kush e ka,

T’ lumet motrat, qi e thërrasin vlla!

 

Lumja ajo nanë, qi e ka ba,

I lumi aj babë, djalë qi e ka!

 

Motrat të cilat e kanë vëllain të punësuar si arsimtar, përveç të mirave tjera familjare , ato do ta kenë më të gëzueshme edhe ditën e tregut, nga se atje do t’i pret vëllai , i cili do t’iu blejë rrush dhe leblebija :

 

HAJDE DALUM KAH PAZARI

 

Hajde, dalim kah pazari,

Na pret vllavi – arsimtari!

 

Kah pazari, kah çarrshija,

Hajna rrush e leblebija!

 

Hani, hani, motrat e mia –

Lum për juve, qi u ka malësia!

 

Me shkollimin e të rinjve shqiptarë, do të lindin edhe ekspert të lëmive të ndryshme, si që janë edhe profesioni i gjyqtarit dhe i avokatit .

Mentaliteti i vajzave të Malësisë së Gollakut ishte i atillë, që mendonin se profesioni i avokatit ka shumë para . Për të dëshmuar para opinionit publik se motrat kanë një vëlla që punon si avokat dhe që kanë shumë para – ato do ta vejnë nga dhëmbë të arit , pak për çejfin e tyre , por më shumë për inati të hallkit !

Pra, motrat do t’i këndojnë edhe këtij profesioni , në rastet kur vëllezërit e tyre punojnë si avoketër :

 

JENA MOTRAT E AVOKATIT

 

Jena motrat e avokatit,

Kena ngjitë ka i dham t’ dukatit!

 

Kena ngjitë ka i dham t’ dukatit –

Për çef tonë – për inati t’ hallkit!

 

Në këngën vijuese , në mënyrë origjinale përshkruhet gëzimi dhe entuziazmi i vajzave fshatare të cilat shkojnë në shkollë për të marrë dituri dhe për të mësuar shkrim e lexim . Theks i veçantë i kësaj kënge i kushtohet motivit të kohës kur fillojnë ta braktisin lapsin e thjeshtë dhe në vend të tij, ta përdorin stilografin me ngjyrë dhe lapsin kimik, mjete këto që konsideroheshin të arritura të mëdha të kohës :

 

JENA VAJZA ÇKA SHKOJMË N’ SHKOLLË

 

Jena vajza, çka shkojmë n’ shkollë,

Shkrujna letra me ni dorë.

 

Me ni dorë, me steligraf,

Ja çojmë vllavit në Gjimnaz!

 

Me ni dorë, me laps kimik,

Ja çojmë vllavit n’ shkollë teknikë!

 

Kohës , kur për herë të parë shkollarët shqiptarë fillojnë ta braktisin lapsin e thjeshtë dhe të shkruajnë me stilograf (“penkallë”), do t’i këndojnë motrat që në momentin kur ato i shohin vëllezërit e tyre duke shkruar me këtë mjet shkrimi modern:

 

KESH NË NI KODËR E RASH NË NI MAL

 

Kesh në ni kodër,

E rash në ni mal;

Gjeta vllavin tem

Tuj shkru me penkallë!

 

Me penkallë e gjeta,

Me penkallë e lash;

Ma muer Zoti gojën ,

Mirë dita - s’ i thash!

 

Mirë dita -  s’ i thash

Se u habita,

Unë me vllavin tem

U korita!

 

Kur vëllai (baci) do të arrijë që të punësohet si gjyqtarë (“sudi”), për motrat e tij , do të shënohet një e arritur shumë e madhe dhe një gëzim i pa përshkruar . Vëllai (agai) i cili punon si gjyqtar , sapo ta merr rrogën do të niset për të shkuar në qytet , ku do të blejë mobilje ( “nameshtaj”) të reja për t’i zbukuruar dhomat e shtëpisë .

Pas blerjes së mobiljeve , vëllai gjyqtar , do të shkojë në Shkup , për të blerë veturë (limuzinë) dhe pas veturës, ai sërish do të shkojë në Prishtinë , për t’ua blerë motrave një makinë për qepje e qëndisje të ndryshme .

Për të gjitha këto blerje dhe të arritura , motrat do t’i urojnë vëllait dhe do t’i këndojë këngë kështu:

 

KU PO SHKON AGAJ SUDIJA

 

Ku po shkon agaj sudija?

-Në Gillan, oj motrat e mia!

 

Çka po blenë, o, agaj sudija?

-Nameshtaj, oj motrat e mia!

 

Ta urojmë, vlla, na të trija!

Shumë faleminderit, oj motrat e mia!

 

Ku po shkon agaj sudija?

-Shkoj në Shkup, oj motrat e mia!

 

Çka po blenë, agaj sudija?

-Ni limuzinë, oj motrat e mia!

 

Ta urojmë, vlla, krejt shoqnija!

Shumë faleminderit, oj motrat e mia!

 

Ku po shkon agaj sudija?

-Në Prishtinë, oj motrat e mia!

 

Çka po blenë, agaj sudija?

-Ni maqinë, oj motrat e mia!

 

Ta urojmë, o agaj sudija,

-Shumë faleminderit, oj motrat e mia!

 

Për sukseset dhe të arriturat e vëllezërve në lëmin e arsimit dhe të punësimit , motrat nuk pushojnë së kënduari . Ato, tani do t’iu këndojnë vëllezërve për veturat (limuzinat) , të cilat i kanë blerë dhe që i drejtojnë vet , për lëmitë profesionale të lëndëve mësimore dhe për pedanterinë e veshmbathjeve të tyre :

 

KUSH PO DOKET NË PRISHTINË

 

Kush po doket në Prishtinë?

-Vllavi i jem me limuzinë!

 

Vllavi i jem me kmsihë t’ pilhurës,

Arsimtar i fiskullturës.

 

Vllavi i jem, kmishën me pikë,

Arsimtar për matematikë.

 

Vllavi i jem, kravatën me ni vi,

Arsimtar për gjeografi.

 

Se motrave , nuk iu shpëton asnjë sukses dhe e arritur tek vëllezërit e vet, pa e përfshirë në këngët e tyre , më së miri dëshmon kënga vijuese e cila shprehë gëzimin e motrës për vëllain e vet , i cili ka arritur që të bëhet major përmbi milicinë :

 

KUSH PO DOKET N’ QATO ARA

 

Kush po doket n’ qato ara?

-Vllavi i jem me tesha t’ bardha!

 

N’ tesha t’ bardha me motorr –

Kujtojnë hallki qi asht doktorr!

 

-S’ asht doktorr qi e kqyrë dyjenë,

Po aj asht vet vllavi i jem!

 

-S’ asht doktorr qi i kqyrë bagtinë –

Asht majorr mi milicinë!

 

Nuk janë të largëta vitet , kur në fshatrat e Malësisë së Gollakut nuk kishte rrymë elektrike, radio aparate, as televizore ! Për ta dëgjuar një radio , duhej udhtuar me orë të tëra për të shkuar deri në qytet dhe për të bërë konak diku tek të afërmit e njëri – tjetrit .

Me daljen në opinion të radio tranzistorit me ndihmë të baterive , në vendet rurale konsiderohej një e arritur shumë e madhe. Mirëpo, jo gjithkush e kishte mundësinë ekonomike që ta blente radio aparatin dhe ta dëgjojë në shtëpinë e vet !

Kur vëllai i quajtur Islam , i cili po punonte si inxhinier , e kishte blerë radio aparatin dhe e kishte sjellë në shtëpinë e tij, u gëzuan shumë motrat e tij, por u gëzua edhe e gjithë Malësia ! Motrat e gëzuara , do t’i këndojnë këngë vëllait të tyre – Islam zotëriut (“gospodinit”), i cili po dinte që ta lëshonte radion aq bukur :

 

KUSH PO SHKON SOKAKIT

 

Kush po shkon sokakit ty menue?

-Islam aga, radinë e ka lshue!

 

Moj radi, ty, tu djegtë benxini,

Mirë po t’ lëshojka Islam gospodini!

 

Moj radi, ty, tu kputt teli,

Mirë po t’ lëshojka Islam inxhinjeri!

 

Motra do t’i  këndojë këngë vëllait edhe atëherë kur ai do të jetë në rolin e postierit të fshatit , i cili si mjet për udhëtim do të përdorë motocikleten me të cilën do t’ua shpërndajë thirrjet ( “pozifat”) atyre që kërkohen nga ana zyrtare , apo mjekësore:

KUSH PO SHKON NËPËR KALLAMOQ

 

Kush po shkon nëpër kallamoq?

-Vllavi i jem me ni shoq!

 

Me ni shoq, në tesha t’ bardha,

Po i lakmojnë krejt mahalla!

 

N’ tesha t’ bardha – hypë n’ matorr,

Kujtojnë hallki, qi asht doktorr!

 

S’ asht doktorr çka jepë nekcija –

Çkepë pozifat  nëpër shpija!

 

Motrës , nuk i shpëton pa u hetuar edhe jeta intime e të vëllait dhe dashuriçkat e tij përmes letërkëmbimeve intime me vajzat të cilat janë duke u shkolluar . Përmes vargjeve të këngës vijuese , motra na e përkujton edhe veglën e punës për gjeometri – vizoren si dhe mënyrën e dërgimit të letrave intime nga ana e vajzave, të cilat fshehurazi ia hudhin vëllait përmes dritarës së shtëpisë :

 

KY MINDILI FLETË E MOLLËS

 

Ky mindili, fletë e mollës,

Hej, aman!

Kah po vinë kto vajza t’ shkollës,

Hej, aman?!

 

Vajza t’ shkollës, ren me ren,

Hej aman,

Poj shkruejn letrat me kalem,

Hej, aman!

 

Poj shkruejn letrat me kalem,

Hej, aman,

Po ja çojnë krejt vllavit tem,

Hej, aman.

 

Poj shkruejn letrat me vizore,

Hej aman,

Ja çojnë vllavit, për prezorje,

Hej, aman!

 

Pa dyshim , se motrat të cilat kanë vetëm një vëlla për hasret në familje , ato i shprehin gëzimet e tyre ndaj tij , me vargjet më të fuqishme poetike dhe me jonet më të fuqishme muzikore.

Theksi më i përqendruar në vargjet e këtyre këngëve na paraqitet tek motivi i fuqisë fizike , ku zakonisht motrat dëshirojnë që të kenë sa më shumë vëllezër për krah pune, krah mbrojtjeje dhe krah lufte ! Mirëpo, në rastet e vëllezërve të hasretit, ato e himnizojnë fuqinë mbi natyrore të vëllait, i cili edhe pse nuk ka vëllazër të tjerë, ka fuqinë që ta përmbysë çdo kundërshtar dhe superfuqi tjetër në botë :

O ISMAJL – ZOGU  I SEJMENIT

 

O, Ismajl – zogu i sejmenit,

Na ta lkunum Rusinë pej venit!

 

Do ta lkunum, ta çojmë n’ hava,

Veç qi t’ kemi veç ni vlla!

 

Na ta lkunum, ta çesim n’ det,

Veç qi t’ kem vlla për hazret!

 

Dëshirat e motrave për t’u bërë kudo të parë vëllezërit e tyre , nuk mungojnë asnjëherë . Një dëshirë e tillë, shprehet përmes vargjeve të këngës në vijim, përmes së cilës motra uron që i vëllai të rritet sa më parë dhe të bëhet i pari i katundit të tij :

 

ORE VLLA SHUMË I VOGËL

 

Ore, vlla shumë i vogël,

Krejt katunit sillju rrotull!

 

Sillju rrotull, për ugar,

Krejt katunit, banju i parë!

 

Krejt katunit, banju i parë,

Qiti plumat sikur farë!

 

Sikur farë – fara e grunit,

Plasjav zemrën krejt katunit!

 

Dëshira e motrës , që vëllai i saj të bëhet kudo i parë dhe sundimtar , shprehet edhe përmes këngës në vijim. Por , kësaj radhe , motra do ta krahasojë vëllain e vet si njeri me virtyte të arta dhe të bukur sikur lulja kur çilet :

 

PO BJEN SHI PE LAGË MAQINËN

 

Po bjen shi, pe lagë maqinën,

Vllavi i jem, pe sunon Prishtinën!

 

Po bjen shi, pe lagë matorrin,

Vllavi i jem, pe sunon Stamollin!

 

Vllavi i jem – me unazë t’ dukatit,

Shokt e tu, si lloqi i sokakit!

 

Si lloqi i sokakit, qi po shkilet,

Vllavi i jem , si lulja kur çilet!

 

Motivi i arritjes së radio aparatit nëpër fshatrat rurale , si mjet argëtimi dhe informimi , do të zë vend edhe në vargjet e këngës vijuese , por që kësaj radhe nuk do të madhërohen këngët të cilat i transmeton radioja përmes valëve të veta, por do të madhërohen këngët të cilat i këndojnë drejtpërsëdrejti motrat për vëllain e tyre :

 

S’ KA ÇKA M’ VYEN RADIJA

 

Dil, o vlla, lshonaj radinë,

T’ i tranojna krejt kojshinë!

 

T’ i tranojna  krejt kojshinë,

T’ i gëzojna krejt shoqninë!

 

Po thotë Ismet aga - s’ ka çka m’ vyen radija,

Boll mier po knojnë kto motrat e mia!

 

Motrat nuk do të krenohen vetëm me vëllezërit e tyre, të cilët kanë para dhe pozita të ndryshme . Ato do të krenohen dhe do të këndojnë edhe për vëllezërit të cilët janë kavaliera brenda shoqërisë dhe rrethit ku jetojnë e punojnë :

 

JENA MOTRAT E KAVALERIT

 

Jena motrat e kavalerit,

I bajna lulat n’ fun t’ xhemperit.

 

O, kto lula, për çka i kena?

O, për me u ditë, motra t’ kujna jena!

 

Sa e ndiejn veten të lumtur dhe krenare , motrat të cilat kanë shumë vëllazëri dhe sa ndiejn në zemër gëzime e lumturi , kur ato thërrasin :”O vëlla!”, do të mësoni nga vargjet e këngës në vijim :

 

S’ PASKA GJA MA HIJESHI

 

S’ paska gja ma hijeshi,

Se me pasë motra e shumë vllazni!

 

S’ paska gja ma sevda,

Se me thirrë motra – ore vlla!

 

Se sa janë të kujdesshme motrat ndaj vëllazërve të tyre në çdo aspekt të jetës , flet edhe kënga përmes të cilës motra do t’i këndojë vëllaut edhe për modën dhe mënyrën e veshjes së tij . Në këtë rast , motra na i përkujton stilin e dikurshëm të pantollave “Shizi”, të cilët dikur ishin në modë dhe baheshin me të madhe nga ana e të rinjve , në kombinim me bluzën e bardhë .

Motivin  tjetër që na e rikujton kjo këngë, është mjeti për hekurosjen e rrobave – ujtia , e cila për herë të parë fillon të përdoret në fshatrat e asaj Malësie dhe që punonte me anë të zjarrit, nga se nuk kishte ende rrymë elektrike .

Ujtinë , për herë të parë në Malësi e sollën dhe e vunë në përdorim mësuesit dhe rinia e shkolluar .

 

SEFER AGA E LUMJA MOTRA

Sefer aga, e moj, lumja motra,

Mi ban teshat, e moj, qysh a moda!

 

Qysh a moda, e moj, qysh a dalë,

Pantoll “Shizi”, e moj, blluzë të bardhë!

 

Pantollt  “Shizi”, e moj, të kan hije,

Hajde, veshi ,o gjakovali-e!

 

Hekurosja e bjerju ujti-e,

Hajde, veshi, o mor’ djalë i ri-e!

 

Gëzimin që do ta përjetojë në zemër dhe shpirt , motra , për vëllezërit e saj të cilët janë shkollua që të gjithë dhe janë sistemua nëpër profile të ndryshme profesionale , nuk mund ta mbajë vetëm për vete, por ajo do ta shprehë vrullshëm atë, duke iu kënduar këngë vëllezërve të saj - njëri artist, njëri student dhe tjetri mësues :

 

VLLAVI  JEM ARTIST

 

Nji mindil me bojë, aman, aman,

Nji mindil me bojë,

Pse s’ më flet me gojë, aman, aman,

Pse s’ më flet me gojë?!

 

Nji mindil  t’ qëndist, aman, aman,

Nji mindil  t’ qëndist,

Vllavi  jem artist, aman, aman,

Vllavi  jem artist.

 

Nji mindil me tel, aman, aman,

Nji mindil me tel,

Vllavi  jem student, aman, aman,

Vllavi  jem student.

 

Nji mindil me rrush, aman, aman,

Nji mindil me rrush,

Vllavi  jem asht msues, aman, aman,

Vllavi  jem asht msues!

 

Motra do të frymëzohet që t’i këndojë vëllait në rastet kur ai arrinë që të bëjë pasuri dhe para të mjaftueshme për ekzistencën e familjes së tij, duke e krahasuar pasurinë e tij dhe paratë me një shumë të madhe si rëra e detit.

Krenaria edhe më e madhe për motrën ndaj vëllait , do të shtohet atëherë kur ajo e kupton se vëllait po i shkon mirë e mbarë shkolla e mësimi, ku në çdo kohë është shembullor . Për këtë dhunti , atij ia kanë lakmi i gjithë rrethi dhe për mençurinë e tij, ata i kërkojnë edhe këshilla të ndryshme :

 

VLLAVI  JEM ASHT MALLTAR

 

 

Vllavi  jem asht malltar,

Luen me lira, si me zallë!

 

Vllavi  jem asht shpijanik,

Luen me lira “dogërrxhik”!

 

Vllavi  jem asht sikur molla –

Shembullore, po i shkon shkolla!

 

Po i shkon shkolla e fakullteti –

Mas po i shkojnë, krejt mileti!

 

Krejt mileti, mas po i shkojnë –

Pej tij kshilla po kërkojnë!

 

Ndaj të rinjve që shkolloheshin dhe arrinin suksese të reja , nuk mungonte as xhelozia dhe urrejtja nga ana e atyre të cilët nuk e donin shkollën, ose që ishin fanatikë ndaj progresivitetit shoqëror . Këtë dukuri negative dhe primitive , do ta vërejë mirë edhe motra e vëllait të shkolluar , e cila do ta shprehë dufin e saj përmes vargjeve të këngës :

 

VLLAVI  JEM DHAMIN PEJ DUKATI

 

Vllavi jem, dhamin pej dukati,

Kallxoj motrës, kush ta ka inati?

 

-Mue inati, kërkush s’ma ka pasë,

U shkollova – zemrën ja u kam plasë!

 

Kënga në vijim , do të na e përkujtojë kohën kur për herë të parë nëpër fshatrat e Malësisë , fillon të përdoret ombrella për t’u mbrojtur nga shiu . Motra do t’i këndoj këngë të vëllait , i cili i pari në fshat ka sjellur ombrellen dhe ai tani nuk do të laget nga shiu edhe kur shkon në punë për të kositur barin në livadhe :

 

PO Ç’ IA LSHOI NI RIGË E SHIUT

 

Po ç’ia lshoj ni rigë e shiut,

Vllavi jem asht tuj kositë!

 

Çile, o vlla, çadrën,

Se po ta lagë shiu palltën!

 

-Pallta e jeme, laget e teret,

Kurrë farë ngjyre nuk i tretet!

 

Gjendja e rëndë ekonomike në fshatrat e Malësisë së Gollakut, ishte e shprehur kudo. Sidomos papunësia dhe mungesa e të ardhurave materiale sa vinte dhe e rëndonte edhe më shumë jetën e banorëve të këtyre anëve . Kur dikush nga të rinjtë arrinte që të punësohej nëpër vende të ndryshme zyrtare , kjo konsiderohej si një shpëtim për familjen dhe si një e arritur shumë e madhe . Njëri prej vendeve të preferuara për punësimin e të rinjve , ishte edhe rojtari i pyllit (“shumari”), vend pune ky në të cilin nuk mundej gjithkush të punësohej , nga se edhe për këtë profesion lypsej aftësi, shkathtësi dhe shkollim adekuat .

Rojtari i pyllit , apo pylltari , në atë kohë nuk kishte mjet tjetër për të vëzhguar terrenin e vështirë malor, pos kalit (atit).

Për vëllain e punësuar si rojtar pylli, apo pylltar , motra do të këndojë këngë për atin e tij të bukur dhe për rrogën e tij , me të cilën ai pos të tjerash, do t’i blejë nuses së tij edhe orë dore , të cilën atë kohë rrallë kush prej grave tjera mund ta kishte në dorë :

 

DUSHKU – DUSHKU, BARI – BARI

 

Dushku-dushku, bari-bari,

Tek po vjen Naim-shumari!

 

Tek po vjen Naim-shumari,

Na e gjet Lulen, te bunari!

 

Hajde Lule, e majma atin,

Po ta ngjes në dorë sahatin!

 

Me fillimin e shkollimit te të rinjëve fshatarë dhe me fillimin e punësimit të tyre nëpër vende të ndryshme pune , kushtet e jetës në ambientet fshatare do të fillojnë dukshëm të përmirësohen .Në veçanti, të rinjët e punësuar do të fillojnë ndërtimin e shtëpive të reja me materiale të forta dhe plane moderne . Ata më nuk do të ndërtojnë shtëpi përdhese me materiale të gurit dhe baltës, por do të ndërtojnë shtëpi shumëkatëshe me gurë mermeri dhe do t’i gëlqerosin ato me ngjyrë të bardhë e cila nga larg do të dukej si gurë sheqeri .

Për këto të arritura , të parat do të gëzohen motrat dhe ato do të këndojnë këngë për vëllazërit e tyre :

 

VLLAVI IJEM KMISHËN ME PULLA

 

Vllavi  jem, kmishën me pulla,

Pej Prishtine, po t’ doket kulla!

 

T’ doket kulla, n’ katër kat,

Si me kan në Beligrat!

 

N’ katër kat me gurë meremri,

E ngjyrosne me ngjyrë shiqeri.

 

Pas daljes së parë të radio aparateve nëpër fshatrat rurale, nuk kalon shumë kohë dhe na paraqiten për herë të parë edhe gramafonat me pllaka , si dhe manjetofonët . Përparësi e këtyre aparateve ishte se përmes tyre mund të përzgjidheshin këngët sipas dëshirës individuale dhe ato mund të dëgjoheshin në çdo kohë .

Për këto të arritura , motrat do të iu këndojnë këngë vëllazëre të tyre të cilët i kanë sjellë ato në fshat dhe të cilëve po iu xhelozojnë ata të cilët nuk i kanë, kurse vajzat e rrethit po iu lakmojnë :

VLLAVI JEM  ME DY RADIJA

 

Vllavi jem dy radija  n’ dorë,

Ama vlla, radijën unë ta lshoj!

 

Ama vlla, radijen, unë ta lshoj –

Çikat e  Zajçecit , t’i tranoj!

 

Ama vlla, radijen ta kurdisi –

Çikat e Zajçecit , t’i shashtrisi!

 

Në fazën kur vëllai fillon të vë kontaktet e para me vajzat e reja , të cilat i vardisen njëra pas tjetrës , motra do ta vërejë këtë dukuri dhe ajo do të krenohet me vëllain e saj , nga se ai është i vetëdijshëm dhe di t’i përzgjedh vajzat ku janë më të mirat, më të zojat dhe di t’i përzgjedhi ato , mu sikur lulat në bashqe :

 

VLLAVI JEM  MI PLOTSON DËSHIRAT

 

Vllavi jem, mi plotson dëshirat –

Ju flet vajzav’, ku janë ma t’ mirat!

 

Vllavi i jem, ty, të lumtë goja –

Ju flet vajzav’, ku janë ma t’ zoja!

 

Vllavi i jem po ja din renin –

Kërkun vajzat s’po ia  lanë venin!

 

Vllavi i jem, zemrën ma knaqe –

Po i zgedh vajzat, si lulat n’ bashqe!

 

Kënga vijuese flet për një kohë kur për herë të parë në Kosovë, fillojnë të blihen veturat , të cilat nuk mund t’i blinte ai që nuk kishte para dhe që nuk kishte shkollim. Motra e cila e ka vëllain duke studiuar në fakultet të medicinës për t’u bërë mjek i popullit, do t’i këndojë vëllait për të gjitha të arriturat, fejesën si dhe posedimin e dy veturave , njëra e markës “Fiat” dhe tjetra e markës “Kadet”:

 

VLLAVI I JEM  N’ NORMALE TE PEJA

 

Oj Lulije, a je gati,

Se po vjen me t’ marrë “Fiati”!

 

Ky “Fiati”- karrikat e reja,

Vllavi i jem – n’ Normale te Peja!

 

-N’ Normale te Peja, çka po ban?

Gjuhën shqipe pe studjon!

 

Oj Lulije, a u krye adeti,

Se po vjen me t’ marrë “Kadeti”!

 

Ky “Kadeti” për lezet,

Vllavi i jem në fakulltet!

 

-N’ fakulltet, ai, pse po shkon?

Medicinën pe studjon!

 

Për vëllain , i cili posedon veturën e vet të markës “Fiat” dhe që me profesion është artist , motra do të këndojë këngë për motivin se gjatë pushimeve verore, ai bashkë me nusen e tij , do të shkojnë në pushime verore nëpër vende të ndryshme turistike :

 

VLLAVI I JEM PATIKAT ME LETRA

 

 

Vllavi i jem, patikat me letra,

E ka “Fiatin” katër metra!

 

Katër metra s’e nxenë dera,

Shetisum Lulijen, sa t’ asht vera!

 

Sa t’ asht vera, rrimë si turist,

Vllavi i jem asht artist.

 

Vëllai për motrën është një dhuratë prej Zotit, të cilin nëna e ka rritur sikur një lule , duke u përkujdesur për te me angazhimin më të madh të mundshëm. Prania e vëllait para motrave është sikur një lule që lëshon vetëm aromë të mirë dhe ka bukuri të pakrahasueshme që di të sjell vetëm gëzime :

 

VLLAVI JEM DHURATA E ALLAHIT

 

Vllavi  jem – dhurata e Allahit,

T’ ka rritë nana, si lulja e sabahit!

 

Si lulja e sabahit qi e vaditë –

Qashtu vllavi i jem shpejt a rritë!

 

Si lulja e sabahit qi lulon –

Qashtu vllavi i jem, ne po na gzon!

 

Edhe profesioni i vozitësit (shoferit) , dikur ishte shumë i lakmuar nga të rinjët të cilët ende nuk e kishin shijuar udhëtimin komod me veturë, apo ndonjë automjet tjetër . Në rastet kur ndonjëri prej vëllazërve do të punësohej në ndonjë institucion shtetëror si vozitës veture , kjo do t’i gëzonte motrat shumë, kurse shokët e vëllait do t’i lakmonin atij që po e drejtonte veturën dhe sa herë që po e takonin në rrugë , po e lusnin që t’i merr për të udhëtuar me te .

Shokët e vozitësit mendonin se nuk mund të udhëtohet me veturë pa e paguar shoferin , mirëpo shoferi nuk do t’ua merrte paratë shokëve të vet, nga se rrogën e tij do ta paguaj shteti (“dërrzhava”), e jo shoqëria .

Edhe për këtë mirësi dhe humanitet të vëllait , motra do të këndojë këngë :

 

VLLAVI JEM DRIDHE MINDILIN

 

Vllavi jem, dridhe, dridh mindilin,

Po i thojnë shokët, nale limuzinën!

 

Nale limuzinën, lum shoferi,

Sa pare po i lypë, për ni njeri?

 

Unë ni njeri e bajë badihava,

Rrogën teme, ma paguen dërrzhava!

 

U munduam kështu që përmes shembujve konkret t’ua japim një pasqyrë reale lexuesve të gjeneratave të reja , për të mësuar se sa është e dashur dhe e kujdesshme motra për vëlla dhe për të pa se motrës nuk i shpëton asnjë element , as një sukses dhe as një e arritur e vëllait , pa e vërejtur dhe pa e jetësua në vargjet e këngës popullore .

 

Gjilan, më 11.03.2012.                                                      Demir KRASNIQI



(Vota: 8 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora