Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Lugati i koçajve

| E hene, 12.03.2012, 08:59 PM |


LUGATI I KOÇAJVE

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

-Hajde, Hoxho! Quksh, Rrufjan! Sot do të bëjmë dru në këtë përrua. Do të kërkojmë lisa të thatë. Heshtni! Bilbili këndon një këngë. S’di si t’i marr vesh ato vargje? Ku ta pushoj kufomën pas vdekjes? Me cilën këmbë do të hyjë në Xhehnet? Cilën ditë do të vdes në mesin e bajgave? Kush do ta hipë kufomën time në qerre? Kush është nga këta dy gomarë më i mençur, Hoxhë Efendiu apo Rrufjani?

Ja, këtyre pyetjeve  dhe atyre të mëpërparshme nuk mundem t’u jap përgjigje. Mundohem… E lodh trurin ditë e natë. Po, përgjigja e tyre është shumë e thellë… E thellë… Të lëshohem deri në atë thellësi, kështu i pamësuar, kam frikë të mos mbytem në baltak. Të ngatërrohem për ndonjë rrënje shelgu në hurdhë. Frika tjetër është, mos Zotëriut tim t’i kthehen gomarët pa dru në shtëpi. Se, ai ka zemër të lepurit. Kur vijnë gomarët pa dru në shtëpi, thotë nuk është lajm i mirë. Mund të shpërthejë zjarri… Uji… Kiameti… Ndodh, të bartim kokat e njëri-tjetrit nën sjetull. Ose, të ecim nëpër ferra. Ja, pra, çka do të mendonte Zotëriu im. Unë? Unë do të mendoja: t’i kërcej gjokut në shpinë, ta marr shpatën në dorë dhe të dërgoj Zotëriun tim për dru…

Vështirë qenka të bartish dru me gomarë. Malet në zemër fshehin histori. Krojet me sytë e tyre në ballë e kanë parë Kiametin… Shkeljet… Padrejtësitë… Varfërinë… Vrasjet… Gjakun… Po, me sy nuk flitet… Heshtin. Sytë nuk kanë gojë Lumi mundohet të hapë gojën, të rrëfejë histori, por belbëzon nga frika. Kërkush nuk i merr vesh ato belbëzime mes maleve. Zogjtë e nisin këngën në një degë, po i japin fund në tjetrin mal.  Kështu edhe këta nuk mund t’i kuptojë njeri, se i lënë këngët e përgjysmuara nëpër lisa. Ujqërit që i nxjerrin dhëmbët pas çdo shkurre, përditë na e tërheqin vërejtjen, më mirë e keni të mbyllni gojën. Bëhuni se s’keni dëgjuar gjë me vesh. S’keni parë asgjë me sy. Heshtja për ju është ar. Fisit tuaj nuk i takon të na marrë nëpër gojë. Vetëm unë nuk e mbyll gojën. Ç’ka Nusja me pashterkë të kuqe. Varreve u mbaj ligjërata. Në cilin rresht Shkrimtari e kërkon Shtëpinë. Ç’do të thotë Piktori në një pikturë që ka vetëm një pikë të zezë. Për sa para është shitur Rrufjani. Cilët janë ata që e bënë mjek Hoxhë Efendiun… Unë i tregoj të gjitha, sepse nuk kam frikë. Fundi i fundit ata nuk më bëjnë gjë, se thonë nuk është rrezik të flasë një i marrë. Të marrëve pak vetë u besojnë çka flasin rrugëve. Thonë: ata flasin me xhindet…

Unë edhe nuk kam zemër të pres lisa nëpër pyll. Trupat e tyre të drejtë si qiri i shoh natën ëndërr. Thonë: ne jemi njerëz. O njeri! Njerëz. Ne u besojmë të gjitha atyre ilahive që i këndon rrugëve. Ne e dimë edhe shaminë e kujt e ke varë në shkop. Ne dridhemi para këmbëve tua, sëpatës. Ne u bindemi urdhërave tua, o njeri i Allahut! Dhe, ec e bëre zemrën gur para gjithë këtyre lutjeve… Fshehtësive… Ofkëllimave… Lotëve… Qaj. Qaj, si fëmijë. Nuk mundem ta ngrej sëpatën për një zotëri të përshurrtë. S’dua t’i mundoj dy gomarë, për një gomar teknefes. Me urdhërat e të paditurve, herdhedëkomëve nuk e fshij as bythën. Heshtni, më! M’i keni shurdhuar veshët! Unë nuk dua të ec më këmbë e drutë në gomarë. Kur thoni se jam i marrë, pse atëherë nuk më lidhni për bishtin e gomarit? Nuk keni frikë se me sëpatë mund të pres gishtin e këmbës. Dikur do të zemërohem dhe do ta hudh sëpatën në ferra. Vetë do të nisem më këmbë për në shtëpi. Dua të vdes në Shtëpinë time pa bukë, pa ujë… Dua të vdes, se një vdekje e tillë më duket më e hijshme, më heroike, më bujare…

- Hajde, Hoxhë! Quksh, Rrufjan! Sot bëmë dru për Zotëri Barkmadhin. Shpejtoni pak këmbët, se do të na zëjë nata në pyll. Zotëriu do të na e mëshelë derën. Do të na detyrojë të bëjmë një gjumë pa darkë. Zorrët do të na këndojnë për bukë, sikur në bark na kanë fjetur minjtë. S’do të dimë ku e kemi kryet, ku këmbët. Natën do ta shohim Shejtanin se si na tërheq pas vetes me litarë. E ne si i bindemi, si besimtarët fanatik hoxhës. Ai do të na sjellë rretherrotull Xhehnetit dhe do të na fusë në Xhehnem. Keni bërë mëkate. Ju, do të thotë, e keni shtrembëruar rrugën. Për hesap timin ju jeni armiq. Juve ju kanë vënë kërpeshë. Këmbët ju ecin vetë drejtë varrit. Me njërën dorë mbani brekët, me tjetrën opingat. Koka ju duket e tepërt në qafë…

- Ooo hapni derën e Xhehnemit! Vij vetë unë më këmbë me dy gomarë me dru. Dua ta ndez zjarrin! Le të digjen në flakën e tij njerëzit me mëkate, që nuk u janë bindur urdhërave të Allahut!...

- Heeej, plak-o! Mjaftë më fole me gomarët! -i bërtiti Zotëri Barkmadhi nga dritarja.

- Më mirë të flas me gomarët se sa me njerëz të sëmurë, Zotëri!

- S’ke faj ti plak! Gomarët sjellin dru. Ti e ha kot bukën.

- Zotëri, unë dhe gomarët sjellim dru.

- Plak, ti je i marrë.

- Zotëri, mua vetë më ecin këmbët.

- Ku?

- Për në Shtëpi.

- Mos të pushtuan prapë xhindet?!

- Edhe më rrahën. Ti s’guxon thonë, ta harrosh Shtëpinë! Vendin ku të lindi stërgjyshi… Gjyshi… Babai… Zjarrin me të cilin ngrohe barkun… Çerepin … Saçin me të cilin ta poçi nëna bukën… Djepin… Ninullat… Këngët popullore…

Medet. Vejeni kokën time në cung! Unë nuk mundem të ik nga Shtëpia. Ju mund të më shani… Torturoni… Poshtëroni… Varfëroni... Po, unë prapë do të vdes në Shtëpi. Nuk mundem të ngihem dot me këtë dhe… Këto male… Fusha… Gurra…Lumenj… Liqene… Det.. Jam i unët. Ua ndi erën. Gjak. U vjen era gjak. Është gjaku i stërgjyshit… Gjyshit… Babait… Ky m’i lidh këmbët. O bir, më thotë. Ti ke lindur këtu. Këtu dë të vdesësh. Do të vdesësh këtu, se këtu të ka vdekur babai, gjyshi, stërgjyshi… Mos u mundo t’ia kthejsh shpinën kësaj toke! Ikja nga Shtëpia jote është rrugë çorre. Eshtrat mund të zgjohen një ditë dhe t’ju sjellin pamëshirë nateditë në kokë. A nuk e ka mjaftë më, o fëmijë! Deri kur do t’i dëgjoni këmbët?... Barkun… Kokat që nuk i keni në qafë?... Pse nuk na i leni rehat eshtrat edhe nën këta gurë mes varreve? Ju nëse mundeni të ecni me turp, ne nuk mundemi më të rrimë as në varre…

-Gomarë, sot ju vetë do të shkoni për dru! Zotëri Barkamdhi thotë se drutë nuk i sjell unë, po gomarët. Për këtë sot do ta hap portën dhe do t’ju them: shkoni në mal të bini dru! Dua ta bind Zotëri Barkmadhin se kush i sjell drutë. Udhambarë!...

S’di çka të bëj më me marrëzirat e disa njerëzve. Aq tepër jam i ngarkuar me ta, sa vështirë e kam t’i besoj vetes se një ditë do ta gëdhij mëngjesin në Shtëpi. Disa herë ma thotë mendja, se njeriu në mesin e tyre sëmuret nga zemra. Një sëmundje të këtillë e shëron vetëm vdekja. E unë kam frikë se do të vdes i marrë. Do të më vij keq, të vdes i marrë me një zemër kaq të shëndetshme! Unë kam parë plot raste se si janë kalbur zemrat e disa njerëzve para se të hyjnë në varr. Nëpër damarët e tyre çdo ditë kam parë se si ecin krimbat. Kokën e kanë pasur para e bishtin prapa. Janë përdredhur nëpër damarët e zemrës, e kanë ndotur gjakun deri në vdekje. Njerëzit e tillë kanë ecur rrugëve pa kokë. Po, më vonë, kur i kam parë kokat e tyre në një vend të ndytë mos ia përmend tashti emrin, më është dashur të ikë me të katra nga sytë këmbët…

- Plak-o! Ooo plak-o! Sot nuk ke shkuar për dru? E pyeti Xhevahire Hanmi nga dera.

- Jo. Sot do të sjellin dru vetë gomarët.

- Siii, dru do të sjellin vetë gomarët?!

- Po. Po, gomarët, u përgjigj plaku. Zotëri Barkmadhi thotë se drutë nuk i sjellë unë, po gomarët.

- E mjera unë! Ku ta dish nga kanë marrë gomarët? Do të na sjellin ndonjë bela në shtëpi, - shtoi Xhevahire Hanmi dhe e mbylli me forcë derën.

Përsëri kam frikë, mos më ecin krimbat nëpër zemër. Gjaku i huaj mos më qarkullon nëpër damarë. Mos e gëdhij mëngjesin në shtëpi tjetër. ose, të ecë rrugës me kokë të huaj në qafë. Këto do të m’i çonin veç kokën, veç këmbët. E ku të çojnë këta kështu dihet, më mirë të mos e them këtu në këta rreshta. Unë nuk ua kam thënë të gjitha njerëzve. Kjo edhe nuk më lë të shpejtoj, të mbaroj punë sa më parë me kokën. Atë ditë që do t’i them të gjitha, do të filloj të mos mendoj më për kokën time, kur do t’ia jap Xhebrahilit. Kur t’i them të gjitha, se unë ende kam për të thënë, do ta marr vetë kokën time dhe do ta qes para gjyqit. Ja, ku e keni, do t’u them. Më nuk më duhet. I thash të gjitha të mirat e të këqiat që i pata për t’i thënë rrugëve. Gjykojeni sipas mëkateve!...

- Ooo Zotëri! Ooo Zotëri, thirri te porta një fshatar.

- Eeheuuu! U përgjigj Zotëri Barkamdhi nga brenda, në dhomë.

- Dil ore merri gomarët, se më kanë hyrë në kopsht dhe e kanë bërë lëmë! Më shumë e kanë shkelur me këmbë se e kanë hëngër. Nuk kanë lënë kurgjë më këmbë, për farë. Edhe lakrat m’i kanë coptuar me dhëmbë.

- A e di ti çka flet, o njeri!? Mos edhe ti ke luajtur mendsh si shërbetori im këto ditë të nxehta vere?! Unë gomarët i kam në mal me shërbetorin për dru. Mos janë të ndonjë fshatari?

- Çfarë ore, në mal për dru?!... I ke në mes të kopshtit tim, nëpër speca. Mos më bënë ti mua budalla. Unë nuk i njoh të kujt janë gomarët?!

- Oj nuse! Oj nuse!

- Ojaaa!...

- Dil oj, shih të kujt janë ata gomarë!

- Ç’të shoh , ore burrë! Janë gomarët tanë.

- Po, ku e di ti moj, se janë tanët, kur me ta është shërbetori në mal?!

- Jo, ore burrë! Jo. Shërbetori është në shtëpi.

Zotëri Barkmadhi i nxehur flakë zbriti teposhtë shkallëve. Me shqelm e hapi derën e dhomës. Kur ç’të shoh, në shtrat ishte shtrirë plaku me një kuti duhani “kaçak” përpara.

- Qysh, ore, ti nuk ke shkuar sot me gomarët për dru, po i ke lënë të hyjnë nëpër kopshtet e botës? Kush do t’i paguaj gjithë këto dëme?

- Heheee, Zotëri! Gomarët sjellin vetë dru.

- Si ore, gomarët sjellin vetë dru?! Po, ç’punë do të më bësh ti? Mos do të tredhësh kuajt?...

- Jo, Zotëri. Ju vetë thatë se drutë nuk i sjell unë, por gomarët. Unë vetëm desha t’ju bind se si gomarët sjellin vetë dru. Dhe, ja gomarët sot a nuk sollën dru?

- Ore edepsëz, ti edhe do të tallesh me mua, para syve.

- Jo, Zotëri. Unë nuk tallem me ju, por ju talleni vetë me vetveten.

- O Zot, si më ikën mendtë nga ky i marrë! Shpëtomë se më dridhen këmbët!... Koka… Drutë sillen rrethepërqak  meje si njerëz. Plak, hupmu nga sytë! Ti je i marrë. Ti ke ardhur të më çmendish.

- Zotëri, unë shoh koka qensh… G;jarpërinjsh… Derrash…

Plaku me abetare kur e pa Zotëri Barkmadhin të shtrirë pa mend në mes të dhomës, mori janxhëkun me arna dhe doli në rrugë. Xhevahire Hanëmi e zemruar ia përplasi me forcë prapa derën. Plaku me abetare me të dalur në rrugë e shqelmoi me këmbë një konservë në ferra. Larg zotërive, larg konservave. Më është mbushur mendja më se nuk mund të jetoj në mesin e zotërive dhe konservave. Të dy palëve u vjen erë e ndytë… Qelben… Dua të ik larg!... Larg. Por, era e ndytë e tyre më turret pas këmbëve. Shtrëngoj hundën me dorë. Më zihet fryma. Mundohem të bërtas, të shaj, po s’kam fuqi. Jam i detyruar ose i dënuar në mes të këtyre torturave ta vazhdoj rrugën. Të kërkoj Shtëpinë… Bukën… Ujin… Dashurinë… Lirinë… Baba Tomorin… Eci me shkop në dorë t’i hetoj gropat. Kam frikë të mos rrokullisem në ndonjë greminë. Apo, të më shpallin në gazetë se kam bërë vetëvrasje. Ose, jam dehur me alkool dhe kam dalur vetë para kamionit… Trenit… Këto akuza edhe më tepër më shtyjnë, më japin fuqi t’i hap sytë. Ose, siç thotë populli: nga dy, t’i bëj katër. Të shoh kend e kam para… Anësh… Pas këmbëve… Shpine si hije… Frikë e kam natën. Ajo fsheh marrëzira të tmerrshme në gji. Turpe që nuk shihen me sy, as dëgjohen me veshë. Bërtima të krisura që e çajnë qiellin si me sëpatë copë-copë. Dëshira të flakta për jetë ose vdekje që shuhen si yje… Gjak… Gjak të nxehtë që djeg rrënjët e barit…

Dhe, mua plakut, ma merr mendja të ik nga Nata. S’dua t’u kacavirem lisave me degë të thata. Sytë më kanë mbetur lart në qiell natë e ditë. Mendoj se atje, në atë kaltërsi, do të ngihem me bukë… Ujë… Dashuri… Liri… Në atë dritë të begatshme e ndjej veten më të sigurt se në tokë. Nuk i besoj Natës. Më duket se atje ku bënë vetëm dritë, çdo gjë e ke në pëllëmbë të dorës. Të gjithë mëkatarët atje nuk kanë ku të fshihen, prandaj edhe kanë zbritur në tokë. Mu për këtë, atje ka më shumë bukë… Dritë… Liri… Këto i ke edhe në tokë. Vetëm, këtu njerëzit mundohen t’ia rrëmbejnë njëri-tjetrit. E Nata me ferexhenë e zezë fsheh krimet që i bëjnë egërsirat në terr. Hetuesit e padëgjuar që me këmbëngulje i kanë kërkuar dorasit, të nesërmen i kanë gjetur në kanale… Nevojtore… Ferra… Gratë shtatzëne kur i kanë parë xhenazet e tyre me krimba, i kanë humbur fëmijët. Hoxhë Efendiu të nesërmen është dashur t’i thotë xhematit në xhami se të pafetë i ka mbytur Lugati i Koçajve. Ndonjëherë nga Lugati i Koçajve janë sulmuar edhe fëmijët. Fshatarët thonë se, ai më qejf ka pasur t’i mbysë fëmijët në djep. Disa thonë se, Lugatin e Koçajve e kanë parë vetë me sy, se si i ka shtrënguar fëmijët me dorë për fyti. Ata e kanë ndalur piskamën, kanë nxjerrë shkumë për goje, e kanë qitur jashtë gjuhën dhe i kanë hapur sytë. Por, puna më e dashur për të, të cilën e ka bërë me gjithë dëshirë, ka qenë shërimi i grave. Fshatarët thonë se, Lugati i Koçajve deri më sot nuk ka mbytur asnjë grua. Plakat, ato më perdeplasurat, thonë se Lugati i Koçajve më së shumti i adhuronte nuset e reja, që i kishin burrat në kurbet. Me gjithë dëshirë i shëronte edhe gratë shterpe, të cilat me burrat e tyre nuk bënin fëmijë. Shumë nuse të reja edhe nga qytete të tjerë kërkonin me këmbëngulje të vijnë mysafire në fshatin Dushkajë. Një nuseje i kishte pëlqyer aq shumë në atë punë të grave Lugati i Koçajve, sa që ajo nga kënaqësia dhe gëzimi madh ia kishte varë për qafe gjatë Natës Madhe të tridhjetegjatë frëngat e kuqe të dasmës martesore...