Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Valbona Peraj: Pas divorcit jam e dashuruar vetëm me këngën

| E hene, 12.03.2012, 07:54 PM |


Flet këngëtarja e mirënjohur Valbona Peraj

 

“Pas divorcit jam e dashuruar vetëm me këngën”

 

Nga Albert ZHOLI

 

Një emër i lakuar në muzikën shqiptare, pasi ka arritur të realizojë një klip me gjarpër origjinal. Ashtu është ajo gjithmonë kërkuese, ngulmuese me ide të qarta për të ardhmen. Dhe pse me profesion inxhiniere dhe pse vazhdon Fakultetin e dytë për Juridik, kënga mbetet profesioni që se zëvendëson me asgjë. Ajo, kur flitet për këngën është e rrëmbyeshme si vetë rrëmbyeshmëria në dimër e lumit që ka emrin. Është folur për të se, pas divorcit djalin e ka ish -bashkëshorti, por Bona nuk e pranon kurrë këtë fakt pasi është e lidhur pazgjidhshmërisht me djalin.

Jo kohët e fundit keni nxjerrë një këngë të re. Kush shërbeu si shtysë për këtë këngë?

Si shtysë kanë shërbyer shumë dashuri të zhgënjyera që ndodhin sot mes të rinjve. Dashuri, të cilët nuk janë çuar deri në fund, por janë lënë në mëshirën e fatit, apo rrugëve të panjohura. Eh sa shumë zemra ka plagosur sot dashuria..

Pse psherëtin dhe ku e mbështet këtë thënie?

Ku e mbështes? Tek realiteti shqiptar. Tek ky realitet ku meshkujt, por dhe femrat dashurinë e kanë kthyer në interes nga njëra anë, por dhe në dashuri me mentalitet maskilist, ku femra shihet vetëm si amvisë shtëpie. Këtu s’dua të godas vetëm meshkujt, por dhe femrat shumë liberale që i kalojnë kufijtë e një ndjenje të sinqertë dhe shohin vetëm interesin.

Titulli i këngës është shumë bombastik “Të sheh ai zot”. Ç’do të thonë këto vargje?

Ato e thonë vetë fjalën e tyre. Pra, për dashurinë e lënë në mes, për dashurinë e fyer. Shumë vajza u falin të dashurve të tyre gjithçka, ndjenjën, dashurinë njerëzore, trupin, çdo gjë të bukur dhe në fund ka shumë meshkuj që i lënë në mes dashuritë, i harrojnë, i fyejnë dhe lidhen me dikë tjetër.

Mund të na thoni disa vargje të kësaj kënge?

Po, mund të them:  Sa vite unë t’i fala kot, Këto vite t’i mi ktheve në lot’

Dhe vetëm, por pa ty unë sot…

Cili ka qenë kompozitori i kësaj kënge?

Është kompozitori i talentuar Gjergj Jorgaqi. Për mua ka një harmoni mes muzikës dhe tekstit të kësaj kënge. Një harmoni që është shumë organike, pa sforco. Muzika është sa melankolike po aq dhe me timbër dhe e fuqishme në refren.

Keni marrë pjesë në ndonjë aktivitet me këtë këngë kaq interesante?

Po në fund të muajit dhjetor në Maqedoni zhvillohet një Festival i Muzikës së Lehtë me pjesëmarrjen e më shumë se 20 shteteve. Këtë vit mori dhe Shqipëria. Pra, në vitin 2011 ishte Festivali i XI-të i këngës ku mora pjesë unë.

A u vlerësua kënga juaj?

Po u vlerësua shumë. Unë mora çmim të parë. Ishte e befasishme kjo për mua aq më tepër në prag të vitit të ri.

U emocionuat?

Shumë. Madje se di, por më thanë që edhe lotova , kur unë mbahem për një femër e fortë.

Si e kalon kohën e lirë Bona?

Eh, po të them se s’kam kohë të lirë nuk do ta besosh. S’kam fare. Sa dal nga puna (Ministria e Transporteve) vazhdoj masterin, por mbi të gjitha më pret dhe djali im i vogël që ende si ka mbushur dy vjeç. Me të kam një lidhje që o zot. Por më duhet dhe të mendoj për muzikën. Pra, një tendosje e madhe, sa thuajse nuk kam kohë as për vete.

Po për punët e shtëpisë nuk keni kohë?

Për këtë ja di për faleminderit nënës time. Unë jetoj me të, pas divorcit dhe ajo ka ngelur për mua ajo nënë e mirë dhe më trajton sërishmi si fëmijë. Shumë gjëra i gjej gati falë përkujdesjes, falë gatishmërisë, falë punës së saj që s’thotë kurrë u lodha. E kush nuk do ta dëshironte një nënë të tillë? Pra me punët që bën mendoj se, në sytë e saj unë kam ngelur ende e vogël..

Sikur u shkëputët paksa nga muzika pas lindjes?

Normale. Kjo ngjet me të gjitha femrat. Por tashmë ajo fazë kaloi për mua. Tani shoh vetëm përpara. Muzika për mua është pjesa më e rëndësishme e jetës. Pa të s’mund të rri dot. Ajo periudhë heshtje më shërbeu të shoh nga afër shumë gjëra për muzikën. Dhe kam mësuar jo pak. Tashmë jam e aftë të përballem me çdo vështirësi.

Mendoni se jeni mbrapa shoqeve në këtë moment?

Aspak. Të thashë që periudha e lindjes ishte për mua moment shumë i mirë. Shija të gjitha këngëtaret dhe këngëtarët, krahasoja këngët e mia dhe mandej dola me këngën e mësipërme. Ristartimi im nuk ishte i pakët. Një këngë moderne, një muzikë po aq moderne dhe një çmim të parë dhe në një Festival jo pak të rëndësishëm.

Po klip ka ndërmend të realizojë Bona?

Po. Së shpejti dhe klipi ka të bëjë me këtë këngë. Pra, do të bëj klipi këngën që sapo diskutuam. Për mua ky klip do të ketë sukses sidomos tek të rinjtë. Pra, kënga është më shumë rinore.

Qarkullojnë llafe se Bona është futur në politikë dhe ka marrë teserë partie?

E di që thonë dhe që do të thonë. E di dhe sado e heshtur thashethemet në Shqipëri janë si buka në tre vafte. Unë kam shumë oferta, por deri tani nuk kam vendosur ende. Kam disa punët e mia në dorë që n.q.s do të merrem tani me politikë s’do të gjejnë dot rrugën e duhur.

Kjo do të thotë që s’do të merreni kurrë me politikë?

Atë s’e thashë. Më pëlqen politika, por sidomos më pëlqejnë femrat që merren me politikë. Shumë femra në politikë po tregojnë se çfarë mund të bëjnë femrat shqiptare. Ato kanë kurajo, forcë, kanë personalitet, vizion. Dua të marr shembull prej tyre. Kur të jem plotësisht e përgatitur vërtet do të futem në politikë. Politika është një art që përvetësohet nga njerëz me temperament, nga njerëz të kompletuar, por mbi të gjitha nga njerëz që sfidojnë kohën dhe realitetin e egër shqiptar.

Është e dashuruar për momentin Bona?

Po, jam e dashuruar me këngën, madje do të thosha marrëzisht. Kur  këndon, sidomos një këngë të re, vetja më duket në një planet tjetër, në një vend, ku sundon hareja, gëzimi, mirësia. Kënga më ndalon nga shumë vese. Kënga është një magji që të magjeps dhe të jep shumë ëndërrime për jetën. Të jesh këngëtare s’është e lehtë, por është dhe një privilegj, pasi je gjithmonë aktive dhe mes syve të njerëzve në çdo vatër. Njëkohësisht jam e dashuruar dhe me tim bir që e kam si engjëll. Dy dashuri nuk janë pak, aq më tepër kur qarkullojnë fjalë se fëmijën tim e ka nën kujdestari ish -bashkëshorti im. Djalin e kam unë dhe vetëm unë. Ai është gëzimi më i madh pas punës së lodhshme.

Ç’mendim keni për meshkujt shqiptarë?

Janë kurajozë, por edhe pak gënjeshtarë. Ky defekt më duket paksa anakronik. Sot vetëm n.q.s s’do të emancipohesh pasi jetojmë në një shoqëri të lirë.

Profesioni i parë inxhiniere mekanike. Si vendosi Bona për këtë profesion më shumë për meshkujt?

As vetë s’e di, por edhe sot më pëlqen. Kam qenë nxënëse e mirë dhe dalja e studimeve në këtë profesion nuk më dha ndonjë ndjesi negative. S’kisha ndonjë preferencë që të thoja jo, nuk e dua. Nuk më ka dalë keq. (qesh).