E shtune, 18.09.2021, 06:01 AM (GMT+1)

Kulturë

Albana M. Lifschin: Halla Veronikë merret me ‘pulitikë’ në Amerikë

E hene, 12.03.2012, 08:55 PM


Halla Veronikë merret me ‘pulitikë’ në Amerikë

 

-Tregim humoristik-

 

Nga: Albana M. Lifschin

 

Këto kohë që na ka ardhur  halla e madhe, nga Shqipëria, më ka dalë punë. I themi ”halla e madhe” se është halla e babait.

Jemi në fushatën e zgjedhjeve të kandidatit të republikanëve për president dhe halla do të dijë gjithçka. Ajo kupton  vetëm ca fjalë nëpër të, por kur i ngacmohet  intuita, më do mua që  t’i them se çbëhet. Le pastaj kur nuhat që  kandidatët po’grinden’  me njëri –tjetrin, atëhere bëhet kureshtare e madhe.

-Cfarë po i thotë tani more aman?  Po ky tjetri pse buzëqesh si me ironi? Po ky thesi i ngjeshur, pse u skuq deri tek sytë? Cfarë i tha gazetarit ashtu?

Kuptoj që halla, me ”thes të ngjeshur” i referohet Gingriçit. Unë  i bie shkurt përgjigjeve e bëj të shkëputem me lezet, por ajo s’më le:

-Jo mos më ik tani, se kjo do jetë me rëndësi.Shiko si bën zhurmë salla. Cfarë tha, aman?

- Eh,  ç’do të dish o hallë? Ja, gruaja e këtij  që ti i thua”thes i mbushur”, ka folur keq për të, e gazetari  po e ngacmon.

-Gruaja??-  habitet halla- Po tani e gjeti të flasë keq për të shoqin?  Mos nuk shkojnë mirë? Ah, ç’janë këto gratë e sotme! S'kanë gajle t'ia nxjerrin të palarat burrit në shesh.

-Eshtë gruaja e parë, jo kjo që ka tani,-sqaroj une.

-Ahahhaaaaaa! Atyre s’u do vënë veshi. E bëjnë nga inati.

-E pra, -them  unë, duke u përqëndruar në librin që kam përpara. Por halla s'ka mbaruar .

-Po…  këta gazetarët, ç’kanë që e ngacmojnë nga gruaja e parë?

-Hall-o, thonë që ky “thesi i ngjeshur”, e quajne Njuton,- ia thjeshtoj emrin unë që ta mbaj mend halla,-i ka kërkuar divorc gruas së parë, kur ajo qe shtruar  ne spital me kancer!

-C’thua more!!! Halla tronditet vërtet.- Po ky s'qënka as njeri!! Si  guxon të verë kandidaturën për president i Amerikës, dmth i tërë botës?! Pupupupupuuuu… jezit! I drejtohet halla ekranit,sikur do t’i hidhet Gingriçit në grykë. Ik lanet, tutje, mu hiq nga sytë!

Mua mu kujtua që kur isha në Shqiperi, këtë punë bënte edhe atje halla e madhe. Rrinte tërë ditën para televizorit, komentonte lajmet dhe i shante politikanët sa herë dilnin në ekran. I shante fshatçe.

-Dëgjo, nipçe, ky  Rami, -djalë  i pashëm ky!.. Po ky, si  i ka punët deri tani? Paska edhe nje grua të bukur. Kjo leshverdha që i rri në krah. Shiko si e shikon të shoqin, në gojë, se mos bën ndonjë gabim. Doemos,  gruaja e mirë ka merak.

-Eheee, - them unë pa i ngritur sytë nga libri. Halla duhet ta kuptojë  që edhe unë kam punët e mia.. . Mirëpo,po s’foli me mua,  me kë do flasë halla jonë?

- More,  nipçe, seç e dëgjoj ca si shpesh këtë llaf  ‘fllipa-fllapa’, çdo të thotë vallë?

-Eh, hall-o, ajo fjalë  është për ata që s’e kanë për gjë të ndërojnë fjalët. Një herë thonë kështu e një herë thonë ashtu, që t’i bëjnë qejfin zgjedhesve. Për këtë e kritikojnë atë Ramnin e pashëm,se të tjerat i ka në regull.

-Eh, po të mbash  fjalën s’është kollaj. Do burrëri kjo punë,- thotë ajo, dhe unë provoj një ndjenjë sikur  halla e madhe është gati të bëjë kompromis me Fllip-Fllapin.- Pulitika, vazhdon halla,- është bija  e asaj që fle me të gjithë, themi ne. Edhe ky mavria dashka  t’ua bëj qejfin të gjithëve.  Eh, se mos janë më të mirë ata tanët, andej.  Po, edhe ata këndej kanë mësuar, xhanëm, nga Amerika . Vetëm se këtu ka edukatë, atje bëjnë si çakenj. E mirë, mirë vazhdo me ato detyrat e shkollës ti. Vazhdo, se s’të ngacmoj më,- thotë  halla dhe unë  dua të besoj se do më lerë ca minuta rehat. Por  e shoh që  sytë s' i ndan nga ekrani, e flet me vete:

-C’e ka këtë nuse kaq të hollë ky Njutoni aman, sikur s'i jep buke të hajë! Vetë si derrkuc i ushqyer mirë. Le që s'hanë bukë këto ngordhje, se  ruajnë elegancën!  Mbahen me çipsa ,si ato tonat. Gjynah! I shkojnë kot tërë këto të mira  Amerikës!  Ja jep botës për ndihma, se këta këtu s'ua dijnë vlerën.

Unë bëj se nuk dëgjoj dhe kafshoj buzën që të mos qesh.

-Gimi, të keqen Halla, po ky tjetri çthotë për Obamën? Si shpesh po ja zë në gojë emrin.Se  pse mu dukërka se  po e shan. Doemos , e shajnë se duan t’i marrin offisin. Merret vesh ajo punë. Si kudo.Cfarë thotë, mo  aman?

Halla  jonë e madhe  është demokrate. Por më shumë se demokrate, është  kampione në mbrojtje të atyre,  të cilëve “u bihet në qafë”. Babai  thotë që ashtu ka qënë që në rininë e saj. E ka  shpirtin flori.  Ja edhe tani, ka dëgjuar që republikanët e shajnë Obamën dhe halla jonë i del në krah.

Në ekran  Rik Santorum e quan  presidentin Obama ‘snob” se presidenti don që  të krijohet mundësia  që çdo  qytetar amerikan të shkojë  në universitet. Ia spjegoj hallës  së  madhe  këtë me dy fjalë.

-Po ky zotëria  për vete, pa  universitet është?? Ma kthen ajo, e habitur sinqerisht, dhe unë qesh nga ky reagim i papritur.

- Sigurisht që me  universitet  është!-them unë.

-Po ç’president dashka të bëhet ky,kur e dashka Amerikën me 9 vjeçare! Aha , qerratai, ç’i di bitha!  Do të hiqet sikur është president i kllasës punëtore! Posi-posi!Në i hëngërt njeri ato kumbulla!  I  ha thua? Po kujt i ka bërë keq dituria, more djalë?

Unë shtrëngohem të  mbaj të qeshurit.

Dhe  më duket një moment se  halla me lë të  qetë. Por ja tek fillon prapë:

-Gimçe,  ja se e mbylla, shpirti i hallës! Edhe një pyetje, të fundit, se s’ka më keq se kur s'di gjuhën në vend të huaj. Unë i kalova të 80-tat tani, ç’pret nga unë! Po s’jam as nga ato që thonë se e hëngra livadhin! Sa jam gjallë,  ka livadh akoma.  Pa më thuaj ,o shpirt,çdo të thotë një fjalë që po e përsërisin shpesh: kontrasept,kontraseptiv….  ‘Kontra’ –e kuptoj se duket si ‘kundra’, por ky bishti prapa, ç’është?

“Boo , boo,…kjo  më duhet tani! Të hap një kapitull të tërë me  hallë-madhen për kontraseptivët!

Bëj  sikur s’e kam mendjen.

Halla: Hë, mo nipçe, një gjys- llafi do më përkthesh,se gjysmën tjetër e gjeta vetë. Cdo të thotë? Se kur të kthehem në Shqipëri e të llafos,  të di të them nja dy llafe më shumë se ata. Se vij prej këndej, e po i dëgjoj me këta veshë se ç’po thonë kandidatët per presidentë  të Botës!

E pamundur,  nuk i shpëtoj dot. Jam rob i saj.

-Mirë e ke,hallë, 'kontra'-do të thotë kundra.

-Po kundra kujt ? Përse janë kondra?Kontra luftës?

-Eshtë  fjala kundra barrës së gruas, -them unë me kujdes.

-C’barrë? Ngarkesës  i thua ‘barrë’? Mos më fol mua si intelektual, po fol shqip.

- Kundra shtatzanisë, hallë!Kundra shtatzanisë!

Ajo e le punëdoren në prehër.

-Kush është kundër shtatznisë!!!?

E  shoh që nuk e hedh dot as me një fjalë, e as me një rresht.Përpiqem të sqaroj se konservatorët republikanë janë kundër çdo aborti. Abortin  e gruas e quajnë të paligjshëm, qoftë edhe  në çdo lloj rethane.

-S'e marr vesh , ç’e bëkan kaq të veshtirë këtë punë? -tha jo duke i u kthyer punës së dorës,- tek ne s’ka qenë ndonjëherë problem kjo punë. Po s'pate se me se t’i ushqesh fëmijët, mos pill! Pse i merr në qafë?  Pastaj, seç  bëjnë gratë e burrat në krevat ç'i duhet botës! Ik, jazëk! Bëjnë edhe nga këto muhabete në televizor! Dhe kush pa !C’i prish punë shtetit  kjo?  Pak halle ka Bota! Gërr- vërr, gjithë kjo kohë e shkuar kot. Ma kthe një çikë  televizorin nga ato filmat me Klint Isvudin, atë bëj ti!

./.

Shkurt, 2012

 

(Dorzuar për botim, nga redaktori ynë në USA, Zeqir Lushaj)



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora