Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Invazioni diplomatik dhe ekonomik i Turqisë në Ballkan

| E premte, 09.03.2012, 08:57 PM |


Invazioni diplomatik dhe ekonomik i Turqisë në Ballkan

A po i largon investimet gjermane, austriake, italiane “vërshimi” i Turqisë në Kosovë?

Në Kosovë, qytetarët e shohin në mënyra të ndryshme invazionin e Turqisë në Kosovë e Ballkan. Vite më parë, otomanët e territorit të Turqisë së sotme shiheshin si pushtues të trojeve shqiptare. Sepse pushtimi otoman i kishte lënë shqiptarët në mjerim dhe prapambeturi të madhe. Një bindje e tillë ekziston edhe sot tek shumë shqiptarë të Kosovës, derisa Turqia e sotme është shndërruar në një shtet modern, një superfuqi botërore dhe një aleate e SHBA-ve. Disa analistë ekonomikë dhe politikë, druajnë se invazioni i Turqisë në Kosovë do të largonte investimet gjermane, austriake, italiane nga Kosova. Dhe ky ekspansion i madh i Turqisë mund të rezultojë negativisht në proceset e ardhshme integruese të Kosovës në BE. Sepse mund të ngadalësojë integrimin e Kosovës në Bashkimin Europian. Por, ka edhe analistë të tjerë që thonë se aleanca e shqiptarëve me Turqinë e përforcon pozicionin e shqiptarëve në rajon.

Diplomacia e Turqisë në Kosovë

Qëllimi kryesor dhe diskret i diplomacisë së Turqisë së sotme është afatgjatë, dhe Kosova e Ballkani të shfrytëzohen në të ardhmen si korridor i Turqisë drejt Bashkimit Europian. Në Kosovë turqit kanë pasur rezultate konkrete në disa fusha, sikurse: a) gjuha turke është bërë gjuhë zyrtare në Kosovë; b) në Parlamentin e Kosovës janë tre deputetë turq (Enis Kervan; Müfera Sinik; Fikrim Damka); c) në Qeverinë e Kosovës është një ministër turk, Mahir Jagcilar (Ministria Administratës Publike); dhe një zëvendësministër, Cuneyd Ustaibo (Ministria e Tregtisë dhe Industrisë; d) Komuna e Mamushës drejtohet nga kryetari turk, Arif Bütüç. E) në Prizren pakica turke është e përfaqësuar në qeverisjen komunale; nënkryetari i Gjilanit është turk, Selim Selimi.

Diplomacia e Turqisë në Kosovë është e përfaqësuar nga ambasadorja Songul Ozan, e cila kohëve të fundit është shumë aktive në shumë aktivitete në Kosovë, deri në përgatitjen e gjellës së “sulltanit” në njërin nga televizionet e Kosovës.

Ambasadorja Songul Ozan është shumë e nderuar në Kosovë, dhe aktivitetet e saja janë si diplomatike, politike, kulturore. Ajo ka një përvojë në Shqipëri, ku shërbeu para 16 vitesh.

Në Kosovë janë intensifikuar vizitat e zyrtarëve të Turqisë në Kosovë. Në gusht 2011, Kosovën e vizitoi Ahmed Davudoglu, ministër i Jashtëm i Turqisë. Në nëntorin e 2010, Kosovën e vizitoi Kryeministri, Recep Tayyip Erdogan, i cili i kishte marrë edhe familjarët e tij.

Sot, Turqia ka ushtarët turq në misionin e NATO/KFOR-it në Kosovë. Disa policë të Turqisë shërbejnë në EULEX. Shpeshherë ushtarët e Turqisë të KFOR-it organizojnë syneti masive për fëmijët e Kosovës, dhe kjo është në shërbim të përhapjes së kulturës turke gjithandej.

KDTP është partia kryesore e minoritarëve turq në Kosovë. Lideri i saj është Mahir Jagcilar (ministër i Administratës Publike). Aktualisht, kjo parti ka probleme në strukturën e saj për shkak të rivalitetit në mes të Mahir Jagcilar (lideri) dhe grupeve të përbëra nga: Cemil Luma (KDTP Prizren); Engin Beyogly (KDTP Prishtinë), Arif Bytyc (kryetar i Mamushës, KDTP), Agim Morina (KDTP Mamushë), Arif Kera (kryetar i fraksionit të KDTP në Vushtrri).

Aktivitetet ekonomike të Turqisë në Kosovë

Vetëm gjatë 2011, investimet e Turqisë kapin shifrën në mbi 40 milionë euro të investuara në Kosovë. Ndërsa, Turqia ka disa qindra milionë euro tregti me Kosovën. Në tre vitet e fundit është një invazion i kompanive private të Turqisë që investojnë në Kosovë. Sigurisht se ky vërshim turk do kontrollojë dhe “pushtojë” edhe më tej tregun ekonomik në Kosovë. Së fundi në mes të autoriteteve zyrtare të Kosovës dhe Turqisë janë nënshkruar mbi 31 marrëveshje bashkëpunimi, kryesisht në fushën e ekonomisë. Biznesmenët e Turqisë kanë investuar direkt ose indirekt në Kosovë, në: a) aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës - Limak Insaat Sanayi ve Ticaret A.S; b) në ndërtimin autostradës së Kosovës është pjesëmarrëse edhe LIMAK; c) është hapur edhe një filial i “Turkish Airlines” etj.

Investimet direkt ose indirekte turke në tregun e Kosovës:

a) Banka Kombëtare Tregtare/ BKT Prishtinë; b)TEB Bank/ Teb Holding A.S Prishtinë; c) së shpejti pritet që të themelohet në Kosovë edhe banka gjigante e Turqisë “Türkye IS Baknasi” në Prishtinë;

Investimet turke në spitalet private: a) Bahceci Hospital (Prishtinë); b) Spitali Turk – IVF Center (Prishtinë); “Medicine Hospital Group” (MHG), (Prishtinë);

Investimet turke në shkollat private: a)Shkolla private “AGA Xhit” b) në të ardhmen pritet të ndërtohet universiteti më i madh turk në Ballkan në zonën e Lipjanit; c)Shkolla Q.E.A. “GULISTAN"/ Prishtinë; d) Turqia ofron shumë bursa për studentët nga Kosova që të studiojnë në Turqi.

Investimet turke në tregun e sigurimeve: a)kompania e sigurimeve KS “Kosova e Re" Sh.p.k;

Investimet turke në fabrikat ushqimore në Kosovë: a) fabrika për prodhimin e miellit dhe bukës “M&Sillosi" Sh.p.k. është privatizuar dhe pronare është kompania turke “Ameropa Holding”.

Investimet turke në prodhimtari:a) fabrika e madhe “Newco Balkan”, në Suharekë është privatizuar dhe është në pronësi të kompanisë turke: Ozer Konveyor Band Turizm Sanayi Ve TIC.

Disa nga kompanitë tregtare të Turqisë që janë direkt ose indirekt në Kosovë janë: “Kurum Commerce"/ Prishtinë; "Kervancan"/ Prishtinë; Istanbul Ozel Guvenlik Ve Egitim Hizmetleri Anonim Sirketi Branch- zyra në Kosovë; Guler Insaat Turizm Ticaret ve Sanayi Limited Sirketi/ Prishtinë; HMG.Nakliyat Turizm Sanayi Ve Ticaret Limited Sirketi/ Prishtinë; Polat Yol Yapi Sanayi Ve Ticaret A.S./Prishtinë; Tisan Insaat Ve Sanayi A.S./ Prishtinë; Yayla Insaat Sanayi Ve Ticaret Limited Sirketi/Prishtinë; RenktasMimarlik Muhendislik Insaat Taahhut Sanayi Ve Ticaret Limited Sirketi/ Prishtinë; SAN INSAAT TICARET SANAYI LIMITED SIRKETI/ Prishtinë; Sanovel Ilac Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi/ Prishtinë; Ticaret ve et isleme sirketi BINBASI/ Prishtinë; Uretim isleme ve ticare sirketi GUNER/ Prizren; Oner Uluslararasi Ticaret Limited Sirketi/ Prishtinë; ORFO IZOLASYON INSAAT TURIZM VE PAZARLAMA SANAYI TICARET LIMITED SIRKETI/ Prishtinë; OZ ISBILIR INSAAT SANAYII TURIZM VE TICARET LIMITED SIRKETI/ Prizren; Polat Yol Yapi Sanayi Ve Ticaret A.S./ Prishtinë etj.

Aktualisht ekzistojnë linja të përditshme direkt të fluturimeve Prishtinë – Stamboll, të kompanisë “Turkish Airlines”. Në Kosovë është edhe Oda Ekonomike Kosovë-Turqi, KTTO, në rrugën “Imzot Nike Prela”, nr. 42, në Ulpianë, të Prishtinës.

Aktivitetet kulturore të Turqisë në Kosovë

a) Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava ka një bashkëpunim të ngushtë me kryeimamin e Turqisë, Mehmet Gormez; b) Pritet që në të ardhmen komuna “Bajram Pasha” e Stambollit të financojë ndërtimin e xhamisë më të madhe në Mitrovicë në zonën “Isa Beg”; c) Në Kosovë janë disa organizata dhe shoqata të Turqisë që organizojnë kurse të gjuhës turke, falas, për të gjithë të interesuarit; d) Në Kosovë është aktive organizata e Turqisë, TIKA, që financon rekonstruktimin e objekteve të trashëgimisë kulturore, sikurse të xhamive, tyrbeve, varrezave të vjetra otomane-turke etj.

Së fundi, disa monumente që deri tani janë konsideruar trashëgimi kulturore e shqiptarëve të Kosovës, tashmë ato janë “okupuar” nga Turqia, sepse rekonstruktimin e tyre ka financuar Turqia, dhe së fundi këto prezantohen si trashëgimi dhe monumente otomane - turke. Për shembull; a) mauzoleu – Tyrbja e “Sulltan Muratit” në Mazgit/ Obilic, pas renovimit nga TIKA e Turqisë që tre vite prezantohet si monument otoman i Turqisë; b) Xhamia “Sinan Pashës” në Prizren pas renovimit nga TIKA e Turqisë që disa kohë prezantohet si trashëgimi otomane e Turqisë, dhe së fundi aty shërben një imam turk; c) Xhamia e “Jashar Pashës”, në Prishtinë pritet të rinovohet nga TIKA e Turqisë dhe më pas edhe kjo të prezantohet si trashëgimi otomane e Turqisë; d) ka një sërë mauzoleu – Tyrbe shqiptare, që pas renovimit nga TIKA e Turqisë tashmë ato prezantohen në mënyrën e re, si trashëgimi otomane e Turqisë; e) Disa nga “Hamamet” mesjetare shqiptare, tashmë disa nga këta pas renovimit nga TIKA e Turqisë prezantohen sikurse trashëgimi otomane e Turqisë, sikurse hamami i Prizrenit; Prishtinë, Vushtrri, Mitrovicë.

Në gusht 2011, ministri i jashtëm i Turqisë, Ahmed Davutogly dhe zyrtarë të tjerë të Turqisë kanë kërkuar nga Ministria e Arsimit e Kosovës (Ramë Buja) dhe kryeministri Hashim Thaçi/PDK, që të “përmirësohen” dhe të ndryshohen librat e historisë në shkollat e Kosovës, dhe otomanet - turqit e dikurshëm të mos prezantohen si armiq të shqiptarëve. Sepse deri më tani, në librat shkollorë në Kosovë perandoria otomane e përbërë edhe nga turqit është prezantuar si okupuese e trojeve shqiptare, që mbajti nën robëri 500 vite shqiptarët.

Në Kosovë janë edhe një sërë qendrash kulturore turke, sikurse ajo në Prizren “Yusuf Emre”; shoqata kulturore “Mesk” në Prizren etj. Së fundi në Kosovë vazhdimisht organizohet “Java e filmit turk”; “Festivali i jazz-it turk” dhe ngjarje të tjera kulturore, të financuara nga Turqia, të cilat asnjëherë më parë nuk ishin organizuar në Kosovë.

Në disa televizione të Kosovës vazhdimisht shfaqen filma dhe seriale të produksionit të Turqisë, dhe kjo bëhet për ta përhapur kulturën dhe identitetin turk dhe të Turqisë. Filmat serialë, sikurse “Sulltani Madhështor", ose dhe "Pema e ndaluar" kanë pushtuar ekranet e disa televizioneve të Kosovës. Këta filma ofrohen për shitje nga kompania me seli në Turqi “Kalinos Holding”, në pronësi të Ferat Gylden nga Stambolli.

Tendenca e qarqeve nga Turqia që të rritet numri i minoritarëve turq në Kosovë

Në prill 2011, një javë pas fillimit të procesit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, ishte shfaqur fenomeni djallëzor i ndryshimit të kombësisë të një shtresë qytetarësh të ndryshëm, në këmbim të parave, ose përmes stimulimeve të tjera që ofroheshin nga disa persona të caktuar të kombësisë turke në Prizren e gjetiu. Ky fenomen ishte evidentuar sidomos në Prizren, dhe qëllimi ishte që të rritet numri i minoritarëve turq në Kosovë.

Ky ishte një abuzim që dyshohej se kishte ardhur përmes stimulimeve dhe në këmbim të parave nga burime të panjohura financuesish turqisht-folës.

Ky proces i regjistrimit të popullsisë ishte drejtuar nga Ministria e Administratës Publike, e drejtuar nga ministri Mahir Yagcilar, i kombësisë turke, i cili është edhe udhëheqës i Partisë Demokratike Turke të Kosovës.

Ky abuzim ishte i nxitur nga disa shoqata ose qarqe që frekuentohen nga disa qytetarë të caktuar minoritar turq, dhe të ndikuara edhe nga jashtë Kosovës.

Në Prizren flitej shumë se njerëz të caktuar që flisnin turqisht ofronin pagesa me para në dorë ose dhe stimulime të tjera, që qytetarët e kombësive të ndryshme, shqiptare dhe minoritarët turq e  boshnjakë të regjistrohen me çdo kusht si turq në Prizren dhe në vendet të tjera në Kosovë.

Në gjithë këtë proces, ishte vërejtur edhe një insistim i partisë turke KDTP për të pasur kontroll mbi Komisionin e Procesit të Regjistrimit të Popullsisë në Kosovë. Deputeti i Parlamentit të Kosovës, Fikrim Damka, ishte edhe anëtar i kryesisë qendrore të Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP).

Gjatë zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, më 15 dhjetor 2010, disa shoqata turke në Turqi kishin organizuar udhëtimin e disa qytetarëve të cilët jetojnë në Stamboll, Bursa, Ankara etj., e të cilët kanë shtetësi nga Kosova, që të vinin nga Turqia për në Kosovë për të votuar në procesin zgjedhor në Kosovë. Dhe po ashtu, kishin marrë rekomandimet që këta të votonin partitë minoritare turke në Kosovë.

Gazeta Shqip