Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Milazim Kadriu: Drama tragjike e shqiptarëve të Toplicës dhe vendosja e tyre në Llap

| E premte, 09.03.2012, 07:46 PM |


DRAMA TRAGJIKE E SHQIPTARËVE TË TOPLICËS DHE VENDOSJA E TYRE NË LLAP

 

Pas prezantimit të suksesshëm para lexuesve me librat “NDSH-ja në Llap (1945-1949)- Mulla Ramë Govori” dhe "Partia Nacional demokratike Shqiptare në Llap (1949-1953)”, prof Adem Ajvazi vjen me librin e tretë historik “Muhaxhirët e Llapit”.

 

Nga Milazim KADRIU

 

Libri “Muhaxhirët e Llapit” të autorit Adem  Ajvazi që këto ditë doli nga shtypi ka për temë trajtimi dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre nga Sanxhaku i Nishit dhe Rajoni i Toplicës dhe vendosja e tyre në viset tjera të Kosovës e me theks të veçantë në Krahinën e Llapit.

 

Shpërngulja e madhe e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit dhe rajoni i Toplicës gjatë viteve 1877-1878,është pasojë e politikës ekspansioniste  të Serbisë së Obrenoviqëve  të motivuara dhe të nxitura  nga programi nacional-ekspansionist serb i ministrit të punëve të jashtme  Ilia Garashanin të njohur me emrin “Naqertania”,të vitit 1844,program ky që parashihte  zgjerimin territorial  të Serbisë dhe daljen e sajë në Detin Adriatik.

 

Ndonëse për këtë dhembje të madhe historike janë shkruar edhe studime tjera nga autor tjerë,autori Ajvazi i rreket problemit me theks të veçantë dëbimit të shqiptarëve nga Toplica dhe vendosja e tyre në Llap e në disa vendbanime të Gallapit.Në këtë libër autori jep një kontribut modest në ndriçimin  e kësaj çështje për muhaxhirët e Llapit dhe të disa vendbanimeve   të Gallapit,që hyjnë në kuadër të komunë së Podujevës.

 

Libri “Muhaxhirët e Llapit” të autorit Adem Ajvazi ndahet në pesë kapituj ku në kapitullin e parë flitet për  Historikun e Sanxhakut të Nishit dhe rajoni i Toplicës duke prezantuar të gjitha vendbanimet ku kanë jetuar shqiptarët që dhunshëm janë dëbuar nga vatrat e tyre. Po ashtu në këtë kapitull bëhet fjalë edhe për veprimtarin  politiko-ushtarake  të shqiptarëve  të Sanxhakut të Nishit. Pastaj për kryengritjen e vitit 1826,ku shqiptarët u ngritën kundër pushtet mbajtësve osman. Pastaj për kryengritjen  e vitit 1830-1831. Në kapitullin e dytë autori shkruan për shkaqet e shpërnguljes së shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit. Aty flitet për  dëbimin e shqiptarëve në dimrin  e vitit 1977 dhe ën verën e vitit 1878, programin për shfarosjen e shqiptarëve ,aktivitetet  e të shpërngulurve për kthim, kongresin e Berlinit dhe vendimet për muhaxhirët etj.

 

Në kapitullin e tretë bëhet fjalë për vendosjes e shqiptarëve  të shpërngulur nga sanxhaku I Nishit në Krahinën e Llapit të Gollakut. Shkruan për historikun e Llapit, pritjen e muhaxhirëve në llap, formimin e fshatrave muhaxhirë dhe shkruan për të gjitha familjet muhaxhirë në cilat fshatra të Llapit ku ata janë vendos dhe ku jetojnë tani. Në kapitullin e katërt bëhet fjalë për personalitetet  e njohura  muhaxhirë të llapit që lanë gjurmë në  historinë  e këtyre trojeve. Ndër këto personalitete që autori përmend janë  Mulla Mustafë Baraina, Mulla Hysen Statovci, Shaqir Igrishta, Sabit Kapiti, Ramadan Babatinca, Mulla Ramë Govori, Musli Dumoshi- Podvorica, Rrustem Statofci, Hasan Ramadani, Arif Asllani-Parduzi, Ramadan Bugujevci, Nurë Shatri, Mursel Dabinovci, Bashkëshortët  Avdi dhe Zyma  Demiri (të dalluar në mbrojtje të kufirit) etj.

 

Në kapitullin e pestë autori sjell evokime të kujtimeve të pasardhësve të muhaxhirëve  të cilat kujtime janë përcjell brez pas brezi. Po ashtu prezantohen edhe disa poezi të autorëve llapjanë që ua kanë kushtuar muhaxhirëve dhe ngjarjeve që u zhvilluan në atë kohë. Ky libër historik është botim i autorit ndërsa për recensent ka publicistin Shefki Ukajn dhe Mr. Bedri Muhadrin.